Shqipëria përballë një testi strategjik dhe koha për të zgjuar potencialin në një shumësi partneritetesh
Në një kohë kur proteksionizmi po rikthehet si politikë ekonomike dhe gjeopolitika po formëson tregtinë ndërkombëtare, Shqipëria ndodhet përballë një prove të madhe strategjike. Vendet e vogla si Shqipëria nuk kanë luksin të qëndrojnë pasive, në pritje të lëvizjeve të partnerëve të mëdhenj. Ato duhet të tregojnë aftësi për t’u pozicionuar me zgjuarsi brenda arkitekturave ekonomike globale – qoftë përmes thellimit të bashkëpunimit me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe përmes angazhimeve të reja me partnerë jo-tradicionalë si Kina dhe ekonomitë e Lindjes.
Partneritetet me BE – themel i pazëvendësueshëm
Ndërkohë që lidhjet me partnerë tregtarë dhe ekonomikë përtej kontinentit europian (Kina, India, vendet e Lindjes së Mesme, vendet afrikane etj.) duhen parë si shtesë dhe jo zëvendësim, Shqipëria nuk mund të harrojë se:
- BE mbetet partneri më i madh tregtar dhe financiar i vendit, përmes fondeve IPA, programit të zgjerimit dhe integrimit të tregjeve.
- Integrimi në Zonën Ekonomike Evropiane dhe Tregun e Përbashkët Rajonal kërkon përafrim rregullator dhe reformë institucionale, ku BE është partneri kyç.
- Politikat e Gjelbra, dixhitalizimi dhe dekarbonizimi janë fusha ku bashkëpunimi me BE-në është strategjik dhe afatgjatë.
Çdo hap që Shqipëria ndërmerr në drejtim të diversifikimit të partneriteteve duhet të ndërtohet në përputhje me standardet dhe objektivat e integrimit europian, jo në konflikt me to.
SHBA dhe partneritetet strategjike të sigurisë – një busull orientuese
Në arenën gjeopolitike dhe të sigurisë, SHBA mbetet aleati më i rëndësishëm i Shqipërisë. Partneriteti me SHBA nuk është vetëm ushtarak (përmes NATO-s), por gjithnjë e më shumë edhe ekonomik dhe teknologjik, përmes:
- Investimeve strategjike në energji dhe teknologji (si Skavica, gazsjellësi TAP, etj.),
- Bashkëpunimit në sigurinë kibernetike dhe digjitalizimin e administratës publike,
- Rolit udhëheqës të SHBA-së në krijimin e strukturave të qëndrueshme rajonale.
Ndaj, një qasja e balancuar që ruan boshtin euro-atlantik, ndërkohë që përdor mundësitë ekonomike të Lindjes për të përshpejtuar zhvillimin, është rruga më e shëndetshme për Shqipërinë.
Kina, por jo vetëm, si mundësi reale nëse e lexojmë me pragmatizëm
Brenda mekanizmit të bashkëpunimit me vendet e tjera, por që janë fuqi ekonomike të mëdha, si: Kina, india, Arabia Sauidite, EBA, Egjipti, Izraeli, etj., Shqipëria ka potencial për të rritur eksportet, për të thithur investime dhe për të transferuar dije teknologjike në sektorë strategjikë si:
- Bujqësia organike, agro-përpunimi dhe prodhimet artizanale;
- Infrastruktura, logjistika dhe energjia e rinovueshme;
- Digjitalizimi dhe teknologjia, përmes projekteve të bashkëfinancuara.
Prezantimi i kompanive shqiptare në sa më shumë aktivitete ndërkombëtare, si: panaire, ekspozita, simpoziume, media etj., në këtë kuadër, përfaqësojnë jo vetëm momente pozitive, por janë një platformë gjeoekonomike për Shqipërinë që aspiron të depërtojë në tregje gjigante, si p.sh. tregu kinez prej 1.4 miliard konsumatorësh, tregu Indian prej 1.5 miliard konëusmatorësh, si dhe tregje të tjera me përmasa të mëdha për prodhimet shqiptare.
Por mungesa e organizimit institucional, si në rastin e përfaqësimit të zbehtë të biznesit shqiptar në aktivitetet ndërkombëtare tregon se potenciali nuk është mjaftueshëm për të krijuar ndikim. Ai duhet shoqëruar nga strukturim strategjik, bashkëpunim publik-privat dhe diplomaci aktive ekonomike.
Një plan përtej improvizimit, ku diplomacia ekonomike duhet riformatuar si politikë shtetërore
Për të mos humbur as BE-në, as SHBA-në, e për të përfituar nga mundësitë me Kinën dhe vendet aziatike e më gjerë, Shqipëria ka nevojë për një strategji të unifikuar të diplomacisë ekonomike, që duhet të përfshijë:
- Një strukturë të integruar ndërinstitucionale (AIDA, ambasadat, dhomat e tregtisë),
- Një hartë prioritare e sektorëve konkurrues dhe partnerëve potencialë, me segmente të dedikuara për BE, SHBA dhe vendet e Lindjes,
- Mbështetje reale për eksportuesit dhe biznesin inovator, përmes fondeve, trajnimeve dhe certifikimeve.
Në mungesë të këtij organizimi, Shqipëria rrezikon të mbetet spektatore në vend që të jetë pjesëmarrëse në lojën globale.
Koha për veprim të balancuar, jo për luhatje naive
Kina dhe vendet me tregje të zhvilluara dhe të mëdha janë një mundësi dhe jo një alternativë ndaj BE-së apo SHBA-së, por një hapësirë për të shfrytëzuar me pragmatizëm. BE dhe SHBA janë shtylla të padiskutueshme të kursit strategjik të Shqipërisë. Por, në një botë të shumëpolare, suksesi i vendeve të vogla qëndron në aftësinë për të luajtur me shumë partnerë njëkohësisht, pa humbur orientimin.
Testi i vërtetë është kapaciteti i Shqipërisë për të ndërtuar një politikë të jashtme ekonomike aktive, inteligjente dhe të organizuar, që e shikon zhvillimin si një rrugë shumëkanaleshe, jo si një drejtim të vetëm.
Shqipëria nuk ka luksin të zgjedhë mes Lindjes dhe Perëndimit, po ajo duhet të përqafojë të dyja, me maturi, vizion dhe integritet strategjik.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.