Shqipëria mes stabilitetit të pretenduar dhe brishtësisë reale: një paralelizëm me rreziqet globale

Shqipëria mes stabilitetit të pretenduar dhe brishtësisë reale: një paralelizëm me rreziqet globale

Në debatin publik shqiptar, narrativa dominuese është ajo e stabilitetit me rritje ekonomike të qëndrueshme, borxh të përballueshëm, tregues fiskalë që nuk dalin jashtë kontrollit.

Kjo qasje optimiste shpesh reflekton të njëjtin vetëbesim që Financial Times kritikon në analizën e vet, një stabilitet të perceptuar, i cili mbështetet më shumë te retorika sesa te vlerësimi i rreziqeve reale.

Edhe pse krahasimi mes analizës së Financial Times (FT) dhe realitetit shqiptar mund të duket i ekzagjeruar, thelbi mbetet i njëjtë: rreziqet e injoruara sot, qofshin fiskale apo institucionale, janë krizat e pashmangshme të së nesërmes.

Ashtu si FT paralajmëron se shumë qeveri globale po i minimizojnë sinjalet e hershme të një presioni fiskal dhe financiar në rritje, edhe Shqipëria po ecën në një terren të ngarkuar, ku brishtësia e brendshme politike e shumëfishon rrezikun ekonomik.

Kur rreziku nuk vjen nga jashtë, por nga brenda

FT thekson se para krizës 2007–2009, tregjet dukeshin të qeta, bankat të sigurta dhe borxhet të menaxhueshme derisa tensionet e padukshme u shpërfaqën papritur. Sot, paralajmërimi është i ngjashëm. Janë shtuar detyrimet afatgjata, dobësimi i bankave, rritja e borxhit dhe mungesa e “fiscal room for manoeuvre”, të cilat krijojnë një terren të rrezikshëm.

Në Shqipëri, analogjia është pothuajse e drejtpërdrejtë, por me një element shtesë, politikën e brendshme dhe mënyra si qeveriset vendi, që prodhojnë rrezik sistemik edhe kur treguesit makro duken të qetë.

FT paralajmëron për borxhe të mëdha të grumbulluara në “kohë normale”, që mund të shndërrohen në barrë në momentin e parë të krizës.

Shqipëria nuk ka borxh publik të rritur, por përballet me kontrata PPP, angazhime kontraktuale të padukshme me kosto të shtuara nga vendimet e gjyqësorit në dëm të borxhit, si dhe me obligime afatgjata, të cilat ngarkojnë të ardhmen në mënyrë të ngjashme, shpesh pa analizë kosto-përfitim të pavarur.

FT thekson rrezikun e një sistemi bankar të ekspozuar ndaj goditjeve.

Në Shqipëri, rreziku shfaqet te një ekonomi e varur nga tenderët, jo nga konkurrenca reale, ku goditjet politike dhe burokratike ndikojnë më shumë sesa ato financiare.

FT kërkon vlerësim më rigoroz të rreziqeve nga qeveritë dhe rregullatorët.

Në Shqipëri, institucionet që duhej të bënin pikërisht këtë rol janë të kapura ose të dobësuara duke filluar nga tatimet e doganat te prokurimet, nga KLSH te këshillimi fiskal.

Në të dy rastet, rreziku lind jo nga kriza, por nga supozimi se gjithçka do të vazhdojë “normalisht”, një supozim që historia e ka rrëzuar vazhdimisht.

Pushteti i përqendruar dhe deformimi i ekonomisë

FT paralajmëron se qeveritë me borxh të lartë dhe hapësirë të kufizuar fiskale nuk do të kenë kapacitet t’i përgjigjen krizave të reja.

Në Shqipëri, ky paralajmërim është edhe më i rëndë, sepse përveç shifrave, ekziston edhe problemi i përqendrimit politik të pushtetit, i cili e zhvendos ekonominë në funksion të politikës dhe jo të zhvillimit.

Vendimet për investime publike, koncesione, strategji fiskale marrin formë brenda një strukture të centralizuar politike, pa transparencën e nevojshme dhe pa konsultime me publikun.

Kontrolli institucional është i dobësuar dhe analiza profesionale nuk ka peshën që duhet të ketë.

Kjo është arsyeja pse rreziku fiskal në Shqipëri nuk është vetëm teknik, por edhe politik, institucionor dhe kulturor.

Politizimi i buxhetit, një rrezik i brendshëm kronik

FT argumenton se qeveritë shpesh e përdorin hapësirën fiskale për qëllime politike, duke rritur rrezikun.

Shqipëria është një ilustrim i qartë, ku më poshtë përmendim vetëm disa momente:

  • Buxheti trajtohet çdo vit si “vit reformash”.
  • Investimet shtohen pa kriter produktiviteti.
  • Paratë alokohen për projekte që nuk përfundojnë në afat dhe kanë impakt të ulët.
  • Procedurat e prokurimit shmangen dhe shpesh po rezulton se janë të kapura.
  • Administrata zgjerohet dhe paguhet pa analizë efektiviteti.

Rezultati është i njëjtë me atë që paralajmëron FT me dobësim të disiplinës fiskale dhe rritje të detyrimeve të padukshme.

Institucionet e kapura është rreziku strukturor që FT e shpjegon në nivel global, ndërsa Shqipëria e përjeton në mënyrë të prekshme

FT thekson se rreziku financiar rritet kur rregullatorët nuk i vlerësojnë në mënyrë të pavarur dinamika e tregut.

Në Shqipëri, ky është realiteti i përditshëm dhe i dukshëm te:

  • Tatimet e doganat ndikohen nga vullneti politik.
  • Prokurimet kanalizohen drejt rrjeteve të interesave.
  • KLSH kufizohet në raportime pa fuqi ndëshkimi.
  • Kontrolli dhe transparenca funksionojnë në nivele minimale.

Në këto kushte, tregu privat zhvendoset drejt tenderëve dhe jo drejt inovacionit dhe ky është një deformim i qartë ekonomik me pasoja afatgjata.

Korrupsioni si variabël ekonomik dhe pikë takimi mes FT dhe Shqipërisë

FT sqaron se korrupsioni dhe keqmenaxhimi institucional rrisin ndjeshëm rrezikun fiskal dhe financiar, sepse dëmtojnë stabilitetin e bankave dhe besimin e investitorëve.

Në Shqipëri, korrupsioni nuk është më episodik, por strukturor, dhe po prodhon:

  • kosto më të larta për çdo projekt publik,
  • ulje të eficiencës së investimeve,
  • pabarazi tatimore,
  • deformim të zhvillimit ekonomik,
  • rrezik të shtuar për borxhin publik dhe financat e shtetit.

Në kombinim me përqendrimin e pushtetit, ai shndërrohet në rrezik sistemik dhe është pikërisht paralajmërimi që FT i drejton sot qeverive në mbarë botën.

Në përputhje me thirrjen e FT për më shumë kujdes fiskal dhe rregullator, realiteti shqiptar kërkon një transformim edhe më të thellë:

Vendi ka nevojë për një klasë politikanësh që veprojnë si administratorë të përgjegjshëm, jo si menaxherë të pushtetit.

Kjo qasje e re, me institucione të pavarura, investime të orientuara drejt produktivitetit, infrastrukturë që ndërtohet për zhvillim afatgjatë, arsim dhe shëndetësi që shërbejnë interesin publik dhe politika sociale të menduara për mirëqenie të qëndrueshme mund ta nxjerrë ekonominë shqiptare nga cikli i brishtësisë sistemike. Kjo është e vetmja mënyrë që Shqipëria të shmangë rreziqet që sot duken të padëmshme, por që nesër, siç paralajmëron FT mund të marrin formën e një krize të vërtetë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.