Sa duhet të vlejnë drejtuesit publikë dhe privatë?

Sa duhet të vlejnë drejtuesit publikë dhe privatë?

Çmimi i punës që paguhet për punën e secilit është i lidhur nga aftësitë dhe produktiviteti që ka në tregun e hapur. Në këtë kontekst, përfitimet e punëmarrësve nga punësimi duhet t’i kompensojnë atyre kontributin që japin në suksesin ekonomik të organizatës ku punojnë (private apo publike).

Por, mekanizmi i çmimit të punës ndikohet në masë të madhe nga ambjenti politik dhe institucional dhe mbi te gjitha ambjenti ekonomik. Nga rezultati i përballjes mes politikës dhe institucionalizmit ndikohet edhe modeli i tregut të punës, që vepron mbi punëmarrësin dhe punëdhënësin.

Le të shikojmë disa fakte të ecurisë së pagave sipas kategorive të tyre.

Nga krahasimi i pagës minimale (2017 me 2001) është e dukshme kurba e rritjes deri 3 herë e nivelit të saj. Rritja e nivelit të inflacionit  dhe zhvillimit ekonomik, së bashku janë më shumë se 1,5 herë. Rritja e pagës minimale shikohet si vlerësim i konsiderueshëm për kontributin e punëmarrësve me edukim të pakët, pavarësisht nga përvoja dhe gjinia (kontribut i punës fizike, pa aftësi të veçanta).

Nga krahasimi i pagës mesatare (2017 me 2001) kurba e rritjes arrin deri 1.5 herë e nivelit të pagës, kur niveli i inflacionit  dhe zhvillimi ekonomik, të dy së bashku kanë rritje deri në 1.5 herë. Kategoria e pagës mesatare përfshin nivelin bazë dhe të mesëm menaxherial, ku punëmarrësit në këtë grup zotërojnë edukim mbi mesataren, apo një përvojë relativisht të pranueshme për menaxhim. Raporti midis pagës mesatare me pagën minimale ka qëndruar në nivelin 2:1.

Pagat e larta kanë patur rritje deri 2.8 herë në sektorin privat dhe deri 2.5 herë në sektorin publik. Raporti i pagës së lartë me pagën mesatare qëndron mbi nivelin 2.5/1 dhe në nivelin deri 5/1 me pagën minimale.

Rritja e pagave për nivelet minimale dhe të mesme nuk është ndier nga tatimi i lartë për kategorinë e tyre (2001 – 2015, rritje tatimi deri 2.2 herë e shumës së tatimit të paguar). Për pagat e larta efekti është ndier (2001 – 2015, rritje tatimi deri 2.4 herë e shumës së tatimit të paguar).

Por, për çfarë vlejnë gjithë këto numra?

Përgjigja paraprake është se nëse studiojmë tre kategoritë e pagave në nivel të përgjithshëm, së pari vlen për të parë se si është shpërndarë e ardhura në piramidën e saj duke synuar që pagat minimale dhe mesatare janë baza e konsumit të vendit. Së dyti, duhet të verifikohet nëse përputhet reforma e nisur me/në administratën publike për të çuar më tej reformat sektoriale, por edhe për të rritur si kapacitet vetë makinerinë administrative. Së treti, pagat e larta vlejnë për të parë qasjen e qeverisë në lidhje me mbështetjen që nevojitet të kenë drejtuesit që duhet të udhëheqin administratën drejt reformave të nisura.

P.sh. Sektori publik i mbledhjes të të ardhurave nga tatimet dhe doganat duket se ka vite që nuk njeh rritjen e nevojshme për të justifikuar kërkesën për produktivitet të lartë tatimor. Prej të paktën vitit 2010 kjo rritje është në të njëjtin trend me inflacionin duke i lënë këto institucione me një integritet që mundet të cënohet në rastin më të parë të ashpërsimit të luftës anti informalitet.

Vlera e një menaxheri në tregun e punës në sektorin publik dhe privat është e matshme nga rezultati në organizatën ku drejton, nga përvoja dhe vizioni qe duhet te ketë si qasje te tij (modeli lidershipit). Por, spikatja e lidershipit nuk po shihet te justifikoje qëllimin. Nëse do te ishte prezent dhe me ndikim ne sektorin publik (por dhe atë privat) drejtimi i duhur do shikohej te vendimet e drejta për të ardhmen e organizatës që drejtojnë nëpërmjet përfshirjes së gjithë kategorive të punonjësve, delegimit dhe përdorimit të burimeve.

Nderkohe, lidhur me ndikimin qe ka sistemi taksimit në rimodelimin e raportit efektiv të pagës me produktivitetin që kërkohet është më se e favorizuar ndjekja e një politike taksimi të pagave progresive e harmonizuar me ndërthurjen e pjesëve të munguara të promovimit dhe vlerës që duhet të jetë e matshme për secilin punonjës brenda hierarkisë. Por, nëse shikojmë se sa është rritja në disa sektorë publikë që nevojitet të jenë të mirëpaguar për të zbatuar korrekt reformat e nisura, këtu duhet ndalur pak për të dialoguar.

Nga ana tjetër, taksimi i pagave të larta nuk po krijon nxitje për një konkurrim të lirë për pozicionet e pagave të larta, për sa kohë mbajtja në punë e një individi me aftësi dhe edukim jo produktiv dhe pa dallim të dukshëm nga vartësit e tij duket se po kushton më shumë si për sektorin publik, por edhe për sektorin privat. Në momentin kur tatimi mbi pagën në shoqëritë publike nuk matet me rritje të produktivitetit, që bie drejtuesi i lartë, atëherë mund të thuhet se konkurenca e lirë është ende larg ambjentit ekonomik dhe social. Në të dyja sektorët, një pagë jo e lartë sa duhet jep ndikim anësor ne ngadalësimin e një efektiviteti të lartë dhe është kosto që paguhet në dëm të të ardhmes së tregut të punës dhe zhvillimit ekonomik.

Drejtuesit ekzekutivë, por me profil të ulet në dije dhe përvojë krijojnë probleme për inovacionin dhe sofistikimin e organizatës që drejtojnë. Nder efektet e tjera qe bien është bllokimi i konkurimit te lirë brenda ambjentit ku ata veprojnë, por edhe dëmtojnë imazhin për motivimin dhe nxitjen e talenteve të reja. Pritshmëria prej tyre është mungesa e perspektivës për zhvillimin e vendit.

Drejtuesit duhet të maten me modelet e reja për administrimin e organizatës apo kompanisë qe drejtojnë.

Ata duhet të maten me të ardhmen. Por, përpara së gjithash menaxherët duhet të përfitojnë pagën që ata mendojnë se meritojnë dhe pas kësaj duhet të merret produkti i kërkuar aq shumë nga tregu shqiptar.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: