Rritja e pagave në 2023 dhe barazia gjinore
Në vitin 2018 sipas Eurostat gratë në Shqipëri paguheshin 93.2 lekë për çdo 100 lekë pagesë për burrat duke e renditur Shqipërinë të pestën ndër shtetet Europiane me hendekun më të ulët gjinor të pagës mesatare mujore.
Në vitin 2022, gratë u paguan 95.5 lekë për çdo 100 lekë pagesë për burrat.
Hendeku gjinor i pagave mezi është zbutur në 20 vitet e fundit dhe kjo është ndikuar fort prej nxitjes për të zvogëluar hendekun e pagave duke synuar në adresimin e faktorëve ndikuesë. Shkaqet më të mëdha të identifikueshme të hendekut gjinor të pagave janë dallimet në profesionet dhe industritë ku gratë dhe burrat kanë më shumë gjasa të punojnë.
Një nga çështjet që ka vazhduar të fitojë terren dhe vëmendje edhe gjatë vitit 2022 dhe fillim vitin 2023 është ajo e hendekut gjinor të pagave midis burrave dhe grave në tregun e punës, sipas sektorëve të ekonomisë.
Në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës shihet se 40% e tyre punojnë në sektorin bujqësor, 23% në administratën publike, 22% në shërbime dhe tregti në sektorin privat, 13% në sektorin e përpunimit dhe prodhimit dhe 2% e grave punojnë në ndërtim dhe industrinë nxjerrëse dhe energjitikë.
Në një krahasim me pagesën e punës së grave në tregun e punës shihet se edhe pse ka një pjesëmarrje prej tyre me të paktën 12% në bujqësi, paga e gruas është 6.2% më e ulët se burrat, përtej faktit që paga mesatare për këtë sektor është 35.600 lekë/muaj.
Por edhe në administratë, ku pjesëmarrja e grave është 9.2% më e lartë se pjesëmarrja e burrave, shihet se pagesa për gratë është 9.1% më e ulët se pagesa për burrat.
E njëjta situatë pabarazie shihet edhe në raportin e pagesës në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë, ku ndërsa pjesëmarrja e grave është 7.8% më e ulët se burrat, pagesa për gratë është 9.1% më e ulët.
Nuk ka asnjë shpjegim të vetëm përse progresi drejt ngushtimit të hendekut të pagave ecën kaq ngadalë në dekadën e fundit. Është fakt, se gratë në përgjithësi e fillojnë karrierën e tyre më afër barazisë së pagave me burrat, por ato humbasin terren ndërsa plaken dhe përparojnë në jetën e tyre të punës, një model që ka mbetur i qëndrueshëm me kalimin e kohës.
Hendeku i pagave vazhdon edhe pse gratë sot kanë më shumë gjasa se burrat të kenë mbaruar universitetin dhe specializimet që lidhen me karrierën profesionale.
Në fakt, hendeku i pagave midis grave dhe burrave me arsim të lartë nuk është më i ngushtë se ai midis grave dhe burrave që nuk kanë një diplomë universiteti. Kjo tregon për rolin dominues të faktorëve të tjerë që ende i shtyjnë gratë prapa ose u japin burrave një avantazh.
Në këtë kontekst të pjesëmarrjes në tregun e punës, si dhe raportit midis pagave që përfitojnë nga puna e tyre burrat dhe gratë, shihet se megjithë sa përmendim më lart ka ende pabarazi në disa aktivitete bazike të ekonomisë dhe sektorit privat, ashtu si dhe në sektorin publik.
Në vendimin e fundit politik të qeverisë për rritjen e pagave të sektorit publik shihet se adresimi lidhur me pabarazinë gjinore të pagave, ende i dukshëm nuk ka një fokus të veçantë.
Kështu, nisur nga pabarazitë një moment i veçantë në të cilën mund të kishte një adresim më të dukshëm bazuar edhe te parimi bazë i mbështetur nga ILO “pagë e barabartë për punë me vlerë të barabartë” duhet që të kishte një pjesë të dedikuar mbi ardhmërinë e mbylljes së hendekut.
Kjo qasje e qeverisë do të mbarte edhe vlera të shtuara duke u nisur nga fakti, se rritja e premtuar e pagave në sektorin publik është një rritje historike në përmbajtjen e saj dhe me gjasa duhet të përfshijë edhe politika të rëndësishme për barazinë e pagave gjinore.
Pabarazia ka aspekte të ndryshme të saj, ku pabarazia në të ardhurat, pabarazia gjinore, apo pamundësia për të gjeneruar të ardhura për arsye shëndeti dhe mungesë të shanseve për të përfituar nga mundësitë ekonomike, të gjitha këto janë të lidhura ngushtë dhe përforcohen reciprokisht në një shoqëri ku pabarazinë e komplikon edhe plakja e popullsisë, që po fillon të ndihet për herë të parë në dekada.
Në këtë drejtim merr vlerë të shtuar në trajtimin e problemit edhe prindërimi.
Nënat e moshës 25 deri në 44 vjeç kanë më pak gjasa të jenë në fuqinë punëtore sesa gratë e së njëjtës moshë që nuk kanë fëmijë në shtëpi dhe ato priren të punojnë më pak orë çdo javë kur janë të punësuara.
Kjo mund të zvogëlojë të ardhurat e disa nënave, megjithëse provat sugjerojnë se efekti është ose modest i përgjithshëm ose jetëshkurtër për shumë. Nga ana tjetër, baballarët kanë më shumë gjasa të jenë në fuqinë punëtore dhe të punojnë më shumë orë çdo javë sesa burrat pa fëmijë në shtëpi. Kjo lidhet me një rritje të pagës së baballarëve një fenomen i referuar si “primi i pagës së atësisë” dhe tenton të zgjerojë hendekun e pagave gjinore.
Edhe pse në programin qeverisës ka seksion të veçantë lidhur me trajtimin e nënave dhe kryefamiljareve shihet se investimi nga buxheti i shtetit ashtu si dhe politikat e udhëheqjes së modelit të pagave edhe në sektorin privat ka nevojë për një shtytje të madhe.
Nisur nga realiteti historik, se ndryshimet në hendekun e pagave gjinore janë formuar edhe nga faktorë ekonomikë, për shkak se burrat dhe gratë priren të punojnë në lloje të ndryshme pune dhe industrish, ku dhe pagat e tyre mund t’i përgjigjen ndryshe presioneve të jashtme ne sugjerojmë fuqishëm që së pari të fillohet me një qasje të re ligjore lidhur me nismën e transparencës së pagave gjinore, si një politikë kombëtare.
Politikat e barazisë gjinore si një pjesë e rritur e programeve të bashkisë-qeverisë, si dhe organizatave duhet të optimalizohen më shumë me skema financiare duke arritur edhe jetëzim të strategjisë kombëtare[1].
Në bazë të përvojave të mira ndërkombëtare duket se një vlerë e shtuar në këtë drejtim lidhet me barazinë e të ardhurave nga puna, të cilën një pjesë e madhe e vendeve europiane, po e shpallin si një mënyrë më efektive për barazinë gjinore nëpërmjet skemës së transparencës së pagave. Strategjia ndoshta do të kërkojë të përshtatet, por duhet te mësojë nga adresimet e paplota në të kaluarën.
[1] https://shendetesia.gov.al/wp-content/uploads/2021/07/Strategjia-Kombetare-per-Barazine-Gjinore-2021-2030.docx
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.