Rigjallërimi ekonomik në Evropë dhe ndikimi i Bankave Qendrore

Rigjallërimi ekonomik në Evropë dhe ndikimi i Bankave Qendrore

Në të ardhmen, rigjallërimi ekonomik[1] në Evropë do të jetë një zhvillim i rëndësishëm për rajonin. Kështu, prej pak kohësh, për here të parë, vendet e rajonit po shijojnë një lloj rigjallërimi të Evropës. Ky është një zhvillim i mirëpritur dhe le të shpresojmë se do të vazhdojë.

Banka Qendrore Evropiane (BQE) duket e vendosur për të vazhduar programin e lehtësimit sasior. Ata do ta vazhdojnë këtë program të paktën deri në fund të 2016 dhe ndoshta dhe më tej. Ky qëndrim i BQE-së garanton që rigjallërimi ekonomik në Evropë do të jetë i qëndrueshëm dhe do të rritet gjatë tremujorëve dhe viteve të ardhshme.

Zhvillimi i dytë i mirëpritur për rajonin është rënia e çmimeve globale të naftës dhe atyre globale në përgjithësi.

Në të ardhmen, vendet në rajon duhet të kuptojnë se ka pasur një theks të fortë në mbështetje të reformave strukturore, në nivel global, kontinental dhe individual.

Për shembull, në nivel Bashkimi Evropian, reformës strukturore i vihet një theks i fuqishëm. Pra, është mjaft e qartë sot se, rritja potenciale e Bashkimit Evropian, duhet të vijë përmes reformave strukturore në vend të mënyrave të tjera. Kjo ka qenë mjaft e qartë, dhe madje BQE ka deklaruar nevojën për reforma strukturore dhe për një qeverisje më të fortë të tyre në nivel Bashkimi Evropian.

Kjo është mjaft e rëndësishme. Dihet, se një nga problemet e Bashkimit Evropian është struktura qeverisëse. Bashkimi Evropian ka vepruar mirë në prezantimin e masave të duhura, por kur vjen radha e zbatimit dhe qeverisjes së këtyre çështjeve, ato mungojnë. Por, këtë herë, është vënë theksi në strukturën qeverisëse të këtyre reformave strukturore dhe ky është një zhvillim pozitiv për të parë dhe ecur përpara.

NË nivel individual, shohim se shumë vende tashmë kanë adoptuar reforma të zgjeruara strukturore, si për shembull, Meksika, India dhe Kina, të cilat ose i kanë adoptuar këto reforma ose do t’i adoptojnë shumë shpejt. Po ashtu edhe në Turqi ka një axhendë shumë të gjatë reformash strukturore, e cila pret një qeveri të re për ta zbatuar.

Kjo duhet të jetë rruga për të ecur përpara për vendet e rajonit, pra të adoptojnë reforma strukturore në mënyrë që të përmirësojnë rritjen e tyre potenciale ekonomike, e cila është dëmtuar nga zhvillimet, që nga shpërthimi i krizës globale financiare.

Lidhur me pozicionin e vendeve të rajonit në spektrin global, vlen te thuhet se disa vite më parë, ky rajon ndoshta dukej si pika më e dobët. Megjithatë, sot shumë vende ndodhen pak a shumë në të njëjtën situatë, duke u përballur me probleme të bilancit, me ngadalësim të rritjes ekonomike dhe nevojë të konsiderueshme për reforma strukturore.

Panorama nuk është shumë e ndryshme kur analizojmë rajone të tjera. Amerika Latine, për shembull, dukej shumë premtuese dy vite më parë. Sot, ata kanë një problem të madh, për të përmirësuar rritjen e tyre potenciale, duke përmirësuar rritjen ciklike.

E njëjta situatë vlen dhe për ekonomitë aziatike. Disa vite më parë, ato dukeshin shumë premtuese, por sot, tregjet diskutojnë për brishtësinë e këtyre ekonomive. NË këtë kohë, shumica e vendeve përballen pak a shumë me të njëjtën situatë, kushdo që ndërmerr reforma strukturore do të ketë një ndikim të qeverisë.

Ndërkohe, pronësia ka shumë rëndësi kur bëhet fjalë për reforma strukturore. Pavarësisht të gjithave, ne nuk po diskutojmë realisht për gjeneratën e parë të reformave strukturore, por për gjeneratën e dytë të tyre.

Gjenerata e parë e reformave strukturore lidhet kryesisht me sigurimin e pavarësisë së bankave qendrore dhe institucioneve të tjera dhe me disiplinën fiskale. NË shumicën e rasteve, këto reforma nuk kërkojnë një shpenzim fiskal. Nga ana tjetër, gjenerata e dytë e reformave strukturore lidhet me inovacionin, infrastrukturën dhe edukimin. Këto janë kryesisht çështje të brendshme dhe si rrjedhim, pronësia e reformave strukturore është shumë e rëndësishme.

Zakonisht vendet duhet të zotërojnë zërat e reformës që ato duan të kryejnë, megjithatë, nuk është gabim të kërkojnë ndihmë nga institucionet ndërkombëtare. Ato kanë njohuritë, ekspertizën dhe janë të ekspozuara ndaj vendeve që i kanë zbatuar reformat strukturore. Reformat strukturore janë vënë në dukje dhe në nivel ndërkombëtar. Janë krijuar dhe do të krijohen institucione për t’i mbështetur këto reforma. Kështu, marrja e ndihmës dhe shkëmbimi i njohurive janë një mënyrë e mirë për t’i zbatuar reformat.

Objektivi i stabilitetit financiar, sot është shumë i rëndësishëm për bankat qendrore, të cilat përpiqen ta arrijnë këtë objektiv ose duke kontribuar në komitetet e stabilitetit financiar, si në Turqi, Gjermani, ose në mënyrë individuale, si në mbretërinë e Bashkuar, nëpërmjet një komiteti të ri brenda bankës qendrore. Kjo do të thotë se, sot bankat qendrore përdorin instrumente të reja, politika të reja për të arritur stabilitetin financiar, si dhe stabilitetin e çmimeve apo stabilitetin makroekonomik në rastin e disa vendeve të tjera.

Kjo do të thotë se aktualisht, bankat qendrore po trajtojnë rregullore, të cilat kërkojnë shumë kohë. Ky është një ndryshim i përgjithshëm brenda kuadrit të politikë bërjes së bankave qendrore.

Gjithashtu, ka ndryshime specifike për bankat qendrore në ekonomitë në zhvillim. Normat e interesit të tregut kanë qenë shumë të ulëta, për shkak të politikave jo konvencionale në vendet e zhvilluara. Këto norma të ulëta interesi në treg në të vërtetë nuk janë në përputhje me normat ekuilibër të interesit në ekonomitë e tregjeve në zhvillim.

Duhet të ketë një instrument të ri apo politikë të re për të plotësuar hendekun midis normave të interesit të tregut, të cilat i imponohen ekonomive të tregjeve në zhvillim, dhe normave ekuilibër të interesit. Kjo është mjaft interesante. Herë pas here, vendet janë përballur me një mjedis me norma të ulëta interesi për shkak të represionit financiar apo politikave të ngjashme. Për shembull, menjëherë pas luftës së dytë botërore, shumë prej ekonomive evropiane dhe deri diku dhe ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u përballën me norma interesi të ulëta. Bankat qendrore siguruan që normat e interesit ishin të ulëta për shkak të borxhit mjaft të lartë ndaj normës së PBB-së të disa prej qeverive evropiane dhe të SHBA-ve. Gjatë asaj kohe, bankat qendrore zbatuan ato që sot njihen si politika makroprudenciale, por në atë periudhe nuk u quajtën kurrë si të tilla. Nëse analizoni historinë e bankës qendrore në Gjermani ose Francë, ato kanë përdorur të ashtuquajturat masa sasiore për të siguruar rritjen e kredisë apo për të siguruar kredi ndaj sektorëve të caktuar, ose ofrimin e më pak kredive për sektorë të caktuar, si në rastin e rritjes së kredisë konsumatore, e cila ka qenë një nga problemet kryesore në Shtetet e Bashkuara.

Me kalimin e kohës, roli i bankave qendrore ka ndryshuar.

Rigjallërimi ekonomik në evropë është i dukshëm falë politikës së BQE-së. Ata pritën dhe në fund iu desh të përfshiheshin ndoshta për të përmbushur lehtësimin sasior, ashtu siç e kanë zbatuar Banka e Anglisë dhe Banka e Japonisë. Pra, ka zhvillime pozitive në këtë kontinent, por për të ecur para, mendoj se nuk duhet të anashkalojmë rëndësinë e reformave strukturore, të cilat duhet të jenë shumë largpamëse. Lajme të tjera pozitive do të ishin dhe se zhvillimet jo të mira gjeopolitike do të përfundojnë së shpejti.

[1] përmbledhje nga punimet e konferencës ndërkombëtare Vjetore, organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit Tiranë

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: