Reforma hibride e taksimit progresiv

Reforma hibride e taksimit progresiv

U bënë vite që qeveria i ka argumentuar qytetarëve dhe bizneseve në vend faktet se administrimi tatimor dhe zhvillimi i konsumit dhe rrjedhimisht edhe ekonomia duhet të mbështetet mbi sistemin e taksimit progresiv të kapitalit dhe punës.

Gjithë problemi, që duhet të argumentohet në diskutimet teknike, por edhe politike qëndron te fakti më i thjeshtë që bën të aftë ekonominë të funksionojë dhe të ecë përpara: rishpërndarja e të ardhurave te shtresat e varfra dhe të mesme dhe lehtësimi i vendimmarrjes për investime në ekonomi.

Për të mundësuar dhe lehtësuar këtë politikë u prezantua edhe një nga gjetjet fiskale: modeli i sistemit të taksimit progresiv mbi të ardhurat. Synimi i kësaj skeme reformuese ishte për të kryer rishpërndarjen e barrës së taksave dhe heqjen e barrës së tepërt nga supet e shtresave që marrin pak të ardhura (30 mijë – 70 mijë leke/muaj) dhe ato që marrin pak më shumë (80 mijë deri 130 mijë leke/muaj). Tashmë, kur niveli i sipërm i shkallës së taksimit mbi pagën do të rritet me 20 mijë lekë (nga 2019), llogaritjet tregojnë se nuk pritet të ndikojë në nxitjen e individëve për tu motivuar nga ky ndryshim “simpatik”, pasi konsiderohet si i pandjeshëm.

Qeveria ka deklaruar:

-barrën e tatimeve duhet ta mbajë individi më i fortë në të ardhura!

Pasi vitet kaluan dhe po ashtu edhe administrimi po zbaton një filozofi pjesore progresive, tashmë ka vend për tu diskutuar mbi këtë temë. Do të ishte e vlefshme që komentet të konsideronin pikërisht ata që u deklaruan si objekti i përfitimit nga politika e progresivitetit mbi kapitalet dhe punën: punonjësit me paga të ulta dhe konsumi.

Punonjësit me paga të ulta nuk preken nga tatimi progresiv mbi të ardhurat. Por, ata tashmë kanë kaluar shumë vite me të njëjtën pagë, pasi niveli i pagës minimale zyrtare në vend ka mbetur i pandryshuar. Ndryshimi pritet të ndodhë në 2019. Paga minimale rritet me 13.6% në krahasim me pagën minimale aktuale. Niveli i pagës minimale, pritet të ndikojë te sektori privat dhe duke ndikuar në vendimarrjen e bizneseve që kanë një numër të lartë punonjësish me pagë minimale. Nga ana tjetër, sektori privat vihet në vijimësi përpara vendimeve të papritura të administratës, si dhe efekteve që vijnë prej një tregu ende të pa strukturuar dhe jo konkurues.

Ndërkohë, vetëm 5% e të punësuarve në vend tatohen më shumë. Në fakt, barra kryesore mbahet nga kjo kategori individësh, të cilët nuk mund të thuhet se janë individët e pasur. Baza qe eshte ne themel të zbatimit progresiv të tatimit mbi pagën plotësohet nga kategoria e individëve me të ardhura mesatare, kryesisht ata të sektorit publik dhe gjithe specialistet e lartë të sektorit privat. Individët e pasur, që kanë përfituar nga të ardhura nga kapitalet e paluajtshme dhe të luajtshme, dividendët dhe të ardhura nga burime të tjera tatohen në të njëjtin nivel që tatohen edhe individët e tjerë (jo të pasur), por që zotërojnë kapitale. Ende individët e pasur nuk e kane provuar skemën tatimore progresive, që kush fiton më shumë tatohet më shumë.

Po konsumi? Si është efekti në treg në vitet e fundit?

Sipas INSTAT, totali i shpenzimeve për konsum është 56,5 miliardë lekë në muaj për 769.494 familje. Shpenzimet mesatare për konsum të një individi vlerësohen të jenë 19.660 lekë në muaj, nga të cilat: 8.664 lekë për konsum ushqimor dhe 10.996 lekë për konsum jo-ushqimor.

Për çdo 1 për qind normë lehtësuese tatimore mbi individin, rezulton se ka një efekt deri 0.04 për qind te konsumi.

Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të familjeve në vitin 2017, është 0,4 % më i lartë se në vitin 2016. Në gjysmën e parë të vitit 2018 konsumi final regjistroi një rritje reale prej 2.71% duke vijuar të njëjtin trend të periudhave të mëparshme.

Rritja pritet të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet. Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Këto të fundit pritet të transmetohen në një rritje graduale të pagave të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredimarrje më të lartë. Megjithatë, edhe përgjatë një afati të mesëm ende pritet që konsumatorët të vijojnë të karakterizohen nga një sjellje relativisht prudente sa i takon konsumit.

Në konsumin me një rritje modeste ndikimi ka ardhur si pasojë e një qarkullimi më të madh të produkteve për konsum familjar, po ashtu edhe një kategori shërbimesh që kanë patur një tendencë të shtuar në raport me vitin e kaluar. Ndërsa rishpërndarja e të ardhurave nëpërmjet politikes sociale të integrimit të shtresave në nevojë erdhi me forcim disipline financiare dhe kursim, ndihma ndaj biznesit për të marrë paratë e veta ishte ajo e duhura, por jo e mjaftueshme për të ndikuar vendimmarrjen për investime.

Megjithëse norma tatimore në tërësi nuk u ul, por tentoi të shtyhet drejt pagave të larta, tatimi mbi pagën nuk pësoi rritjen e pritshme ndaj këtyre niveleve, si dhe humbi atë pjesë tatimi që merrte nga pagat e mesme dhe të ulta.

Por, gjithsesi konsumi nuk ka arritur të rritet në nivelin që të mund të pasqyrojë një rritje të tillë të ndikuar nga politika e tatimit progresiv mbi pagën apo një administrim që të ketë justifikuar zbatimin korrekt të kësaj politike.

Por me çfarë mund të vijojë debati për politikën fiskale aktuale?

Nëse flitet për skemë të plotë të progresivitetit, atëherë mbetet ende për tu propozuar nga qeveria prezantimi saj në gjithë të ardhurat (integrale) që një individ i krijon nga kapitali, por edhe nga vlera e punës së tij. Aktualisht, modeli i tatimit me shkallëzime (progresiv) nuk ka arritur të kthehet në një sistem taksimi të ndershëm, për arsye se zbatohet vetëm në një pjesë mjaft të vogël të të ardhurave personale në vend. Tatimi progresiv aktual në Shqipëri taton vetëm pagën dhe asnjë të ardhur individuale tjetër.

Ndërkohë të ardhurat nga kapitali, të ardhurat nga puna, pra me një fjalë çdo e ardhur që krijon një individ rezident shqiptar (përveç pagës) janë ende objekt i tatimit të sheshtë prej 15%. Po kështu edhe fitimi i bizneseve tatohet me vetëm një shkallë prej 15%. Ndryshimi per tatimin mbi dividentin, qe ze fill prej 2019 ne nivelin e 8% taksim eshte nje hap interesant, por mendoj se mbetet vend per analize per efektet e tij.

Në këto kushte lind natyrshëm pyetja nëse mund të konsiderohet sistemi i tatimit të të ardhurave individuale dhe korporative si progresiv?

Nëse gjykohet mbi qarkullimin monetar formal në vend, i cili i kalon 2 trilion lekët në vit mund të thuhet se vetëm një pjesë prej jo më shumë 290 miliard lekë në vit, që është  sa 14.5% të gjithë qarkullimit gjithsej përbën objektin mbi të cilin aplikohet tatimi progresiv. Pjesa tjetër, që janë para të gjeneruara nga kapitali, nga puna dhe nga transaksione të bizneseve nuk përfshihen në këtë skemë.

Një skemë që taton më pak se një të pestën me rregulla të përcaktuara mbi rritje të barrës sipas të ardhurave, sipas një llogaritje paraprake nuk mund të konsiderohet  se ka ndryshime esenciale në raport me skemën e kaluar. Vetëm thjesht një rritje të normës së taksimit me 5 pikë për qind më shumë nuk tregon progresivitet, por krijimin e një dyshemeje taksimi pak më të lartë.

Pra, rishpërndarja e të ardhurave prej atyre, që konsiderohen të pasur me kapitale dhe likuiditete si dhe mundësi burimesh gjenerimi të larta drejt atyre që kanë më pak ose aspak kapitale dhe likuiditete apo edhe burime të ardhurash të mjaftueshme për një jetesë normale nuk mundet të konsiderohet një mision i përmbushur.

milion lekë
Emërtimi20102011201220134 vite 120142015201620174 vite 2Diferenca
TF17,60619,71216,85315,11969,29021,47924,96829,15131,645107,24337,95354.8%
TAP27,05827,96727,98929,570112,58428,85229,66131,41232,102122,0279,443            8.4%
Totali44,66447,67944,84244,689181,87450,33154,62960,56363,747229,27047,39626.1%

Nëse analiza shkon më tej duke krahasuar periudhat para dhe mbrapa zbatimit të modelit progresiv mbi të ardhurat nga taksimi i kapitalit dhe punës në buxhetin e shtetit mund të thuhet, se :

  • Buxheti ka qenë përfituesi i madh prej tatimit nga kapitali dhe puna (tatim fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale). Nëse krahasojmë arkëtimet për periudhën 2010 – 2013 me periudhën 2014 – 2017 rritja e të ardhurave të buxhetit është me të paktën 26.1%.
  • Tatimi progresiv mbi pagën dhe të ardhurat e tjera personale kanë një rritje me 8.4%, ndërsa tatim fitimi ka një rritje të arkëtimeve me 54.8%.

Në kushtet kur të ardhurat kryesore të tatimit mbi kapitalin janë marrë nëpërmjet fitimeve të bizneseve që kryesisht përfaqësojnë atë pjesë të ekonomisë që gjenerojnë të ardhura më shumë mund të thuhet se:

– edhe pse tatimi progresiv mund të kishte patur një rishpërndarje më të drejtë të të ardhurave, nëse do të ishte zbatuar edhe për tatim fitimin dhe tatimet e tjera direkte, situata e buxhetit dhe individët do të ndiheshin të përfshirë direkt me tregun dhe formalitetin. Në fakt, tatimi mbi fitimin është marrë nga ajo pjesë e fitimit që ishte e papaguar ndër vite dhe këtu shihet efekti nxitës i rritjes së normës tatimore. Por, nga ana tjetër edhe investimet publike, si dhe një pjesë e pagesave për investime të mëparshme dhe ato në proces kanë patur efekt me ndikim ne buxhet. Duket se tatimi ka ndikuar në vendimmarrjen për kryerjen e investimeve në teknologji dhe në rritjen e pagave në sektorin privat.

Një ambient ekonomik dhe fiskal, që përmirëson klimën për investime është ndihma më e madhe që qeveria i mundëson bizneseve për të rikuperuar vlerën e investimeve dhe mundësinë e depërtimit në tregje më të mëdha dhe konkurruese.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: