Reforma e sistemit të pensioneve në Shqipëri: Hapat për një të ardhme më të sigurt

Reforma e sistemit të pensioneve në Shqipëri: Hapat për një të ardhme më të sigurt

Sistemi aktual me dy shtylla është një model i konsumuar nga koha.

Shtylla e parë, e cila përbën thelbin e sistemit publik të pensioneve, bazohet në parimin e shpërndarjes (“pay-as-you-go”). Ky model funksionon mbi një kontratë sociale të pashkruar, ku brezi aktiv i punonjësve kontribuon për të financuar pensionet e brezit në pension. Ky lloj solidariteti ndërbrezor ka funksionuar kur kishte një strukturë të shëndetshme demografike, me më shumë kontribuues sesa përfitues.

Shtylla e dytë, që është vullnetare dhe e kapitalizuar, u fut në sistem pas vitit 2000 si mënyrë për të krijuar mundësi shtesë kursimi për pleqëri përmes fondeve private. Megjithatë, kjo shtyllë nuk ka marrë mbështetjen politike, ekonomike apo kulturore të duhur për t’u konsoliduar. Ajo ka mbetur periferike dhe me ndikim të papërfillshëm në garantimin e qëndrueshmërisë së sistemit.

Tre faktorët që e bëjnë këtë model të papërshtatshëm sot janë:

Plakja e popullsisë. Shqipëria është një nga vendet me ritmet më të shpejta të plakjes në rajon. Rënia e lindshmërisë dhe emigrimi masiv i të rinjve ka çuar në një raport të përmbysur mes kontribuuesve dhe përfituesve. Në vitet ‘90 ky raport ishte 4:1; sot është më pak se 1.3:1 dhe në rënie të vazhdueshme.

Emigracioni dhe informaliteti. Të rinjtë e kualifikuar që potencialisht mund të ishin kontribuues afatgjatë po largohen nga vendi, ndërsa brenda vendit pjesë e madhe e ekonomisë është informale. Kjo krijon një mangësi të thellë në të ardhurat e skemës dhe rrit nevojën për subvencione nga buxheti i shtetit.

Vullnetarizmi i paaftë i shtyllës së dytë. Në një ekonomi me të ardhura të ulëta dhe me besim të dobët te institucionet financiare, shumë individë nuk janë as të aftë, as të motivuar për të investuar në një skemë pensioni privat. Kjo bën që shtylla e dytë të mos jetë aspak një mbështetje reale për të ardhmen.

Përballë këtyre zhvillimeve, është e domosdoshme një ristrukturim i sistemit pensional sipas modelit të tre shtyllave, të cilat janë përqafuar me sukses nga vendet e OECD dhe disa vende të rajonit:

Shtylla e parë – Skema publike bazë (pay-as-you-go)

Qëndron si mekanizëm solidariteti dhe mbështetje bazë për pleqëri, por duhet reformuar në mënyrën e llogaritjes dhe indeksimit për të rritur drejtësinë dhe për të ulur presionin mbi buxhetin.

Shtylla e dytë – Skema e detyrueshme e kursimit privat (me kapitalizim)

Ky komponent duhet të bëhet pjesërisht i detyrueshëm për të rinjtë që hyjnë në tregun e punës. Kontributet individuale do të investohen në tregje të mbikëqyrura dhe do të krijojnë kapital individual për moshën e tretë. Shteti mund të ofrojë incentiva fiskale për këtë pjesëmarrje.

Shtylla e tretë – Skema vullnetare e kursimit individual (shtesë)

E hapur për të gjithë individët që dëshirojnë të ruajnë dhe shtojnë kursimet e tyre për pleqëri, duke shërbyer si një mekanizëm plotësues për të ruajtur standardin e jetesës pas daljes në pension.

Pse modeli me tre shtylla është më i përshtatshëm për Shqipërinë sot?

Së pari, diversifikon burimet e të ardhurave në pleqëri, duke shmangur mbështetjen e tepërt në buxhetin e shtetit;

Së dyti, i përgjigjet realitetit të tregut të punës dhe dinamikave demografike, duke i ndarë rreziqet ndërmjet individit dhe shtetit;

Së treti, nxit formalizimin dhe përgjegjësinë personale, përmes edukimit financiar dhe motivimit për kursim afatgjatë;

dhe së katërti, stimulon zhvillimin e tregjeve financiare dhe besimin në institucionet e mbikëqyrjes së fondeve pensionale.

Pra, në një kohë kur politika sociale në Shqipëri duhet të shkojë përtej kompensimeve afatshkurtra, reforma e sistemit të pensioneve kërkon angazhim politik të qartë, kompromis kombëtar dhe mbështetje teknike të vazhdueshme. Kalimi nga një sistem me dy shtylla të brishta, në një sistem me tre shtylla të balancuara dhe të qëndrueshme, është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i realizueshëm me kusht që të shihet si investim në të ardhmen dhe jo si kosto politike.

Nga se rrezikohet më shumë skema aktuale e pensioneve?

Skema aktuale e pensioneve në Shqipëri është nën një presion të gjithanshëm. Plakja e popullsisë është një realitet demografik i pakthyeshëm që ushtron presion mbi buxhetin publik.

Në këto rrethana, plakja e popullsisë është një sfidë që nuk mund të zbutet me masa të zakonshme fiskale. Shqipëria po përjeton një tkurrje të vazhdueshme të popullsisë aktive dhe një rritje të numrit të të moshuarve, çka përkthehet në rritje automatike të numrit të përfituesve dhe ulje të kontribuuesve. Me një raport mesatar më pak se 1.3 kontribues për një pensionist, skema aktuale është gjithnjë e më e paqëndrueshme në kohë. Kjo nënkupton se çdo vit do të nevojiten më shumë transferime buxhetore për të mbuluar deficitin e skemës, duke shtuar presionin mbi financat publike.

Mungesa e kontributeve është pasojë direkte e dy fenomeneve:

  • Ekonomia informale, që përfshin një pjesë të madhe të tregut të punës, ul bazën kontribuese të skemës.
  • Emigracioni, veçanërisht i të rinjve dhe profesionistëve, po çon në “shterimin demografik” të arkës së pensioneve, duke e zhveshur vendin nga potenciali kontribues afatgjatë.

Kjo e bën të qartë se problemi nuk është mungesa e burimeve, por mungesa e lidhjes mes forcës punëtore dhe skemës publike. Në mungesë të reformave që formalizojnë punësimin dhe krijojnë stimuj për pjesëmarrje në skemë, edhe rritja ekonomike nuk do të përkthehet në përmirësim të qëndrueshmërisë së sistemit pensional.

Ndërkohë, aty ku ekonomia dhe demografia ofrojnë sfida të matshme, politika shpesh zgjedh të mos veprojë, duke e bërë mosreagimin institucional një kërcënim më të madh sesa vetë faktorët objektivë.

Kjo shfaqet në disa mënyra:

  • Reformat ndalen ose vonohen për shkak të kostove afatshkurtra politike;
  • Masat kompensuese, si rritja e pensioneve minimale, përdoren për efekte elektorale, pa adresuar strukturën themelore të problemit;
  • Mungesa e një strategjie afatgjatë kombëtare për reformimin e sistemit pensional, me konsensus ndërpartiak dhe qëndrueshmëri institucionale.

Kjo bën që skema aktuale të operojë në një rrugë pa dalje, ku për çdo vit kërkohen më shumë burime buxhetore, ndërkohë që kontribuesit pakësohen dhe përfituesit rriten.

Çdo zgjidhje efektive për sistemin e pensioneve duhet të nisë me njohjen e krizës së tij si një krizë politike dhe institucionale, përpara se të trajtohet si thjesht një çështje teknike. Politikat efektive kërkojnë:

  • Vendimmarrje të guximshme, që mund të jenë jo-popullore në afat të shkurtër, si detyrimi për pjesëmarrje në shtyllën e dytë apo ndryshimi i formulës së përllogaritjes së pensionit;
  • Krijimin e një fondi kalimtar (fond tranzitor) për të mbuluar hendekun mes skemës së vjetër dhe asaj të re;
  • Edukimin financiar të brezit të ri dhe rritjen e besimit në skemat e kursimit për pleqëri;
  • Hartimin e një Pakti Kombëtar për Pensionet, që do të garantonte vazhdimësinë e reformave edhe përtej cikleve zgjedhore.

Në realitetin shqiptar të sotëm, pensioni mesatar nuk është më një mjet sigurie për pleqërinë, por është shndërruar në një formë minimale ndihmese për mbijetesë. Me një shumë mujore që mesatarisht sillet midis 19,000 dhe 21,000 lekësh, pensioni është larg çdo koncepti të një standardi të denjë jetese, sidomos në kushtet e inflacionit të lartë, rritjes së kostove të energjisë, ushqimeve dhe barnave – mallra këto që zënë pjesën më të madhe të shpenzimeve të moshës së tretë.

Në kushtet aktuale, për shumicën e pensionistëve, pensioni nuk mbulon as koston minimale të një shporte ushqimore mujore, lëre më qiranë, shërbimet shëndetësore apo ndihmën për varësi të moshës. Sipas disa vlerësimeve të pavarura, një jetesë minimale me dinjitet në Shqipëri kërkon të paktën 35,000 – 40,000 lekë në muaj, çka tregon një hendek të thellë midis të ardhurave reale dhe nevojave bazë. Ky boshllëk jo vetëm që ekspozon pensionistët ndaj varfërisë, por rrezikon t’i shtyjë drejt varësisë nga ndihma e familjarëve ose informalitetit, duke e zhvlerësuar funksionin e shtetit si garant i dinjitetit në pleqëri.

Një nga problemet themelore të qasjes aktuale është se pensioni shihet thjesht si një shpërblim për kontributin e mëparshëm në tregun e punës, pa marrë parasysh realitetet sociale dhe shëndetësore që karakterizojnë moshën e tretë. Kjo logjikë kufizuese e kthen pensionin në një pagesë teknike dhe jo në një instrument solidariteti social.

Në vend të kësaj, politikëbërja sociale moderne duhet të ripërkufizojë qëllimin e pensionit: jo vetëm si një derivat nga kontributi i të shkuarës, por si një garanci për një jetë të denjë në pleqëri. Ky ndryshim paradigme është thelbësor, sidomos në një vend si Shqipëria, ku strukturat mbështetëse sociale janë të dobëta dhe roli i shtetit në mbrojtjen sociale është jetik për segmentet vulnerabël të popullsisë.

Fakti që një numër i madh pensionistësh duhet të punojnë pas moshës së pensionit, shpesh në punë të rastësishme, të lodhshme dhe të papërshtatshme për moshën është një tregues i fortë i dështimit të politikave të mbrojtjes sociale. Gjithashtu, varësia e shumë të moshuarve nga ndihma e fëmijëve emigrantë ose nga forma të tjera të mbështetjes joformale dëshmon se shteti nuk po arrin të përmbushë misionin e tij themelor: të ofrojë siguri sociale për qytetarët e tij në pleqëri.

Në një realitet ku plakja e popullsisë është një trend i pashmangshëm dhe sistemi aktual i pensioneve është financiarisht i brishtë, rishikimi i funksionit dhe nivelit të pensionit duhet të jetë një përparësi politike dhe institucionale.

Skema aktuale e pensioneve në Shqipëri është përballë një krize strukturore, e cila nuk mund të zgjidhet me masa të izoluara, por kërkon një riformatim konceptual dhe operacional të gjithë sistemit të sigurimeve shoqërore. Problemet nuk burojnë vetëm nga mungesa e burimeve financiare, por nga një arkitekturë e vjetëruar, që nuk reflekton realitetin ekonomik, social dhe teknologjik të vendit.

Defektet kritike të skemës ekzistuese mendoj se janë përmbledhtazi:

  • Mungesa e qëndrueshmërisë financiare

    Skema publike funksionon mbi parimin e “pay-as-you-go”, ku kontributet e të punësuarve aktualë financojnë pensionet e sotme. Me plakjen e popullsisë dhe zvogëlimin e bazës kontribuese, kjo marrëdhënie është bërë e paqëndrueshme. Rritja e përfituesve në raport me kontribuuesit ka sjellë deficit strukturor të skemës, duke kërkuar gjithmonë e më shumë subvencion nga buxheti i shtetit.

    • Formalizimi i pamjaftueshëm i tregut të punës

    Pjesa më e madhe e punës në Shqipëri kryhet në sektorë informalë ose gjysmëformalë, ku punëmarrësit nuk deklarohen apo deklarohen me paga minimale fiktive. Kjo dëmton drejtpërdrejt financimin e skemës dhe ul ndjeshëm përfitimet reale të pensionistëve në të ardhmen.

    • Përfshirje e ulët e vetëpunësuarve dhe punonjësve sezonalë

    Këto grupe, të cilat janë në rritje, sidomos në sektorin bujqësor, tregti të vogël dhe shërbime, përballen me pengesa burokratike, mungesë informacioni dhe mungesë incentives për të kontribuar. Ata shpesh qëndrojnë jashtë skemës ose paguajnë minimale vetëm për të plotësuar vitet e sigurimit, çka krijon pabarazi në përfitime.

    • Sistem që nuk motivon deklarimin real të të ardhurave

    Skema aktuale është penalizuese për ata që deklarojnë të ardhura më të larta, pasi rritja e kontributit nuk përkthehet në përfitime proporcionale. Ky dizajnim çon në evitimin e deklarimit real të të ardhurave dhe nxit informalitetin e qëllimshëm.

    • Skema private është e fragmentuar dhe pa besim publik

    Megjithëse ekziston një shtyllë e dytë me natyrë vullnetare dhe e kapitalizuar, ajo është e dobët, e përqendruar tek individë me të ardhura të larta, dhe nuk ka asnjë ndërveprim me skemën publike. Për më tepër, mungesa e një kuadri të besueshëm rregullator dhe të menaxhimit profesional i bën fondet private të pensioneve pak tërheqëse për publikun e gjerë.

    Për të adresuar këto sfida, nevojitet një qasje shumëdimensionale që përfshin reforma fiskale, teknologjike, menaxheriale dhe komunikimi publik, ku kryesisht adresohen në:

    • Ndërlidhja mes politikave të punës dhe atyre të pensioneve duhet të jetë thelbësore. Ulja e kostove të punës për të rinjtë, subvencionet për punëdhënësit që formalizojnë vendet e punës, dhe trajnimi profesional i lidhur me sektorë me potencial – janë mjete që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e bazës kontribuese.
    • Kontributet private në një shtyllë të dytë ose të tretë mund të rriten përmes përjashtimeve tatimore për individët dhe bizneset që kontribuojnë në fonde pensionale. Një tjetër opsion është që brezat e rinj që hyjnë në tregun e punës të kenë një detyrim të pjesshëm për kontribut në një fond të individualizuar, të menaxhuar në mënyrë të sigurt dhe transparente.
    • Përcaktimi i një arkitekture të qartë rregullatore për menaxhimin e fondeve private, me raportim periodik publik, mbikëqyrje nga institucione të pavarura, dhe mundësisht, ndërlidhje me sistemin financiar europian, është çelësi për krijimin e besimit. Për më tepër, bashkimi i disa fondeve ekzistuese në struktura më të mëdha do të siguronte efikasitet dhe stabilitet më të lartë.
    • Ndërtimi i një platforme dixhitale unike për sigurimet shoqërore, e cila ndërvepron me sistemin tatimor dhe punësimin, do të mundësonte gjurmimin e vazhdueshëm të kontributeve, automatizimin e pagesave, dhe transparencën e plotë për çdo individ. Kjo teknologji do të shërbente si mjet për të reduktuar informalitetin dhe për të rritur përfshirjen.

    Shqipëria nuk mund të përballojë më një sistem pensionesh që funksionon si zgjatim i realiteteve të viteve ’90, i pambështetur mbi dinamikën aktuale të popullsisë, tregut dhe financave. Ristrukturimi i skemës është një domosdoshmëri politike, ekonomike dhe etike.

    Reforma e pensioneve e vitit 2014, e cila kishte si synim të riorientonte skemën publike drejt një modeli më kontributiv dhe më të drejtë ndërbrezor ka hyrë tashmë në dekadën e dytë të zbatimit. Pra, kjo reformë ishte një hap drejt modernizimit, por koha dhe rrethanat kanë ndryshuar. Shqipëria sot përballet me një kontekst të ri demografik, ekonomik dhe teknologjik, që kërkon një cikël të dytë reformash më të thella, më të integruara dhe më të orientuara drejt qëndrueshmërisë afatgjatë.

    Arsyeja për këtë shihet si përmbledhje nga analizat institucionale dhe të sektorit privat, por dhe  nga përvoja konkrete e qytetarëve, ku tregohet se ndikimi i saj ka qenë i kufizuar dhe më shumë teorik se sa praktik. Disa nga mekanizmat e promovuar, si lidhja më e ngushtë midis kontributit dhe përfitimit, janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe ky zbatim i fragmentuar ka konservuar natyrën e brishtë të sistemit.

    Në këtë pikë, vendi nuk ka më luksin e korrigjimeve kozmetike. Ajo që kërkohet është një ndryshim paradigme, njëriformatim i pjesshëm në formë, por i thellë në strukturë dhe qëllim. Në vend të ruajtjes së një status quo-je të papërshtatshme, politika duhet të tregojë vizion për të ndërtuar një sistem më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më të përshtatshëm për realitetin ekonomik e demografik të vendit.

    Ky ndryshim mund të ndërtohet mbi tre drejtime kritike:

    Drejtimi i parë është rishikimi i modelit të kontributit për të vetëpunësuarit. Të vetëpunësuarit përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore në Shqipëri – veçanërisht në sektorin bujqësor, tregtar dhe të shërbimeve të vogla – por angazhimi i tyre në skemën e pensioneve është jashtëzakonisht i ulët.

    Kjo situatë është pasojë e:

    • Mungesës së kuptimit për përfitimet afatgjata;
    • Barrës financiare të perceptuar si e padrejtë;
    • Strukturës së njëjtë të kontributit për të gjithë, pa reflektuar fleksibilitetin e të ardhurave reale.

    Në këtë qasje, bazuar te analizat tona të kaluara për këtë qëllim nevojitet:

    – Kalimi në një model fleksibël të kontributit të vetëpunësuarve, ku normat të jenë progresive dhe të lidhura me të ardhurat reale (p.sh., përmes vetëdeklarimit të certifikuar nga sistemi tatimor);
    – Mundësimi i kontributeve sezonale apo të pjesshme, për të pasqyruar natyrën jo-lineare të të ardhurave në sektorin informal;

    – Përfshirja në mënyrë të automatizuar përmes platformave digjitale të regjistrimit të bizneseve ose profesionistëve të lirë.

    Drejtimi i dytë është kalimi gradual i brezit të ri drejt një skeme të kapitalizuar. Të rinjtë që hyjnë sot në tregun e punës përballen me një sistem që nuk u ofron asnjë garanci reale për pleqërinë, për shkak të:

    • Strukturës “pay-as-you-go” që varet nga numri i kontribuuesve në të ardhmen;
    • Mospërputhjes mes kontributit dhe përfitimit të ardhshëm;
    • Krizës demografike që do të bëjë sistemin e sotëm akoma më të paqëndrueshëm në 20–30 vitet e ardhshme.

    Edhe në këtë qasje mendoj se nevojitet:

    – Zhvillimi i një shtylle të tretë të detyrueshme me kapitalizim të pjesshëm, ku një përqindje e kontributit shkon në llogari individuale të investueshme nën një skemë të mbikëqyrur shtetërore;
    – Mbështetje me incentiva fiskale për të rinjtë që zgjedhin të kontribuojnë më shumë, me përjashtime tatimore apo subvencione të pjesshme të kontributit në vitet e para;
    – Bashkëpunim me sistemin bankar për ndërtimin e produkteve të reja pensionale të personalizuara, të lidhura me profilin e rrezikut dhe ciklin jetësor të individit.

    Drejtimi i tretë është forcimi i rolit të ISSH si institucion modern administrimi. Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri ka funksionuar për shumë vite si një shpërndarës fondesh, duke operuar me logjikën tradicionale të administrimit buxhetor dhe jo si një menaxhues i mirëfilltë i një fondi social e financiar.

    Për këtë qëllim institucional nevojitet:

    – Kalimi drejt një modeli ku ISSH ka kompetenca reale për menaxhim aktivesh, analiza financiare dhe ndërtim skenarësh afatgjatë;

    – Krijimi i një njësie analitike brenda ISSH-së për të ndërtuar politika të personalizuara për grupe të ndryshme kontribuuesish dhe për të gjeneruar skenarë reformash;

    – Hapja graduale ndaj partneriteteve me institucione të tjera publike dhe private, për të rritur efikasitetin e administrimit dhe transparencën ndaj publikut.

    Tashmë, politika nuk duhet të frikësohet nga vendimmarrja strukturore. Përkundrazi, kjo është mundësia për të ndërtuar një sistem pensionesh që nuk i përket vetëm të kaluarës, por që flet me gjuhën e të ardhmes.

    Përmirësimi dhe stabiliteti i skemës së pensioneve në Shqipëri kërkon një ndërhyrje të menduar mirë, të guximshme dhe të shumëdimensionale. Kjo reformë nuk duhet të jetë thjesht një rregullim fiskal për të mbuluar mungesat buxhetore, por një projekt shoqëror dhe politik, që vendos në qendër dinjitetin e pleqërisë, solidaritetin ndërbrezor dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit.

    Ja cilët janë në vlerësimin tim hapat prioritare për të ndërtuar një sistem pensionesh të qëndrueshëm:

    1. Hartimi i një strategjie kombëtare të qëndrueshme për pensionet

    Duhet një strategji afatgjatë, e cila të mbështetet në projeksione reale demografike, tregu pune dhe kapacitete fiskale. Kjo strategji duhet të jetë dokumenti bazë që udhëheq çdo vendimmarrje, dhe jo të mbështetemi më në ndërhyrje ad-hoc apo të motivuara nga ciklet elektorale.

    2. Vendosja e një shtylle të dytë private, gjysmë-detyrueshme

    Sot kemi një sistem me dy shtylla, ku shtylla e dytë është vullnetare dhe e fragmentuar. Ne propozojmë një shtyllë të dytë të kapitalizuar me pjesëmarrje të detyrueshme për brezin e ri që hyn në tregun e punës. Kjo do të krijonte diversifikim burimesh, do të ulte presionin mbi buxhetin publik dhe do të nxiste kulturën e kursimit afatgjatë.

    3. Zhvillimi i një pakete me incentiva fiskale dhe sigurime shtesë për të vetëpunësuarit

    Grupi i të vetëpunësuarve dhe punonjësve sezonalë mbetet jashtë skemës ose kontribuon në mënyrë të pjesshme, për shkak të një modeli kontributiv jo realist dhe penalizues. Duhet një paketë stimujsh fiskalë, kombinuar me produkte sigurimi plotësuese, që t’i integrojnë këta individë në sistem dhe të shmangin penalizimin e tyre në moshë të thyer.

    4. Reformimi i mënyrës së llogaritjes së pensionit

    Formula aktuale përllogaritëse standardizon pabarazinë: personat me karriera të shkurtra kontributive apo të fragmentuara penalizohen në mënyrë të padrejtë. Nevojitet një model më i ndjeshëm ndaj realitetit të tregut të punës shqiptar, që të integrojë fleksibilitetin dhe ndërprerjet në karrierë, pa cenuar të drejtën për një pension minimal dinjitoz.

    5. Trajtim i barabartë gjinor në përfitimet pensionale

    Gratë janë më shpesh në pozita joformale, me të ardhura të ulëta dhe me ndërprerje pune për shkak të kujdesit familjar. Ky realitet nuk adresohet nga skema aktuale. Reforma duhet të korrigjojë hendekun gjinor në përfitimet, përmes njohjes së periudhave të kujdesit si periudha kontributive, siç e aplikojnë vende të tjera me përvojë më të avancuar.

    6. Ndërlidhja e reformës me politikat e emigracionit dhe diasporës

    Me mijëra qytetarë shqiptarë kontribuojnë në skema pensionale jashtë vendit. Nëse reforma e re arrin të ndërtojë marrëveshje ndërshtetërore për transferimin e kontributeve ose përfshirjen vullnetare të diasporës në një shtyllë të re të kapitalizuar, do të krijonte një burim i ri i qëndrueshëm kontributesh, duke zgjeruar bazën financiare të sistemit.

    7. Digjitalizimi i gjurmueshmërisë së kontributeve dhe përfshirjes

    Teknologjia duhet të shërbejë për gjurmimin real të historikut të kontributeve, për të reduktuar gabimet, mungesat dhe informalitetin. Një sistem digjital transparent dhe i hapur për vetëkontroll nga qytetari do të rrisë besimin publik dhe përgjegjshmërinë individuale.

    Reforma e sistemit të pensioneve nuk është më një zgjedhje politike, por është një domosdoshmëri historike dhe prioritet kombëtar. Ajo nuk mund të shtyhet më, nuk mund të zëvendësohet me masa sociale apo ndihma të përkohshme. Duhet kurajë politike për të përballur realitetin, për të shmangur vendimmarrjen e motivuar nga sondazhet, dhe për të ndërtuar një politikë të ndershme dhe të qëndrueshme për pleqërinë.

    Shpërndaje këtë postim

    Leave a Reply


    error:
    Rreth Politikës së Privatësisë

    Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.