Pse në Shqipëri kemi karburant më të shtrenjtë se të tjerët?
Në arsyetimin financiar të çmimit të karburanteve janë dhënë argumente mjaftueshëm për të lënë hapësirë vetëm për një përmbledhje dhe aktualizim të tyre me situatën pas fillimit të agresionit rus dhe vendosjes së sanksioneve. Karburantet në Shqipëri janë më të shtrenjtat në rajon prej të paktën 20 vitet e fundit, kur taksat ishin më të pakta sesa tani dhe tregu ishte më i pastrukturuar.
Elementët dhe faktorët politikë kryesorë ndikuesë janë renditur si më poshtë:
1.Taksat qendrore dhe vendore, si dhe tarifat pa mëdyshje janë elementi kryesor, kontrollues dhe ndikues i çmimit final me të paktën 60% të tij. Ndërsa përgjatë dekadës së fundit ka patur masa anti informalitet për të ngushtuar hapësirën e abuzimit me detyrimet e buxhetit, prej kohës së qeverisë Nano (e fundit), Berisha 1, 2 filluan të përfshihen në çmim edhe taksa që më përpara paguheshin te automjeti apo nuk ishin te çmimi final.
Ndërkohë, të tjera taksa mbetën si historik, duke u modifikuar e përshtatur për të ardhur deri te viti 2022, kur akciza tashmë nuk do të jetë vetëm 37 lekë/litër, por edhe do të indeksohet sipas nivelit të inflacionit.
Taksat e ambjentit (karbonit) dhe taksa e qarkullimit janë vlera të fiksuara dhe nuk ndikohen nga tregu. Ato zënë të paktën 15% të çmimit aktual me pakicë[1].
Për çdo 10 lekë rritje çmimi produkti, pesha e saj bie me 0.6% në strukturën e çmimit final . Për çdo 10 lekë ulje çmimi produkti, pesha e saj rritet me 0.9% në strukturën e çmimit final
Akciza deri në vitin 2022 ka qenë e fiksuar si vlerë ndaj çmimit dhe nuk ndikohej nga tregu. Por kur në paketën fiskale të vitit 2022 u synua që të indkesohej sipas inflacionit akciza, atëherë vlera e akcizës është e ndikueshme sipas inflacionit dhe rrit përpjestimisht peshën e saj sipas nivelit të rritjes së inflacionit. Nisur nga tendencat e inflacionit të paralajmëruara nga tregu botëror në fundvitin 2021, kjo politikë fiskale mund të konsiderohet si e gabuar dhe me ndikim në ekonomi dhe konsum. Por, kjo politikë duket se është ndërmarrë për të plotësuar përjashtimet e taksave nga biznesi i vogël dhe përjashtime e lehtësira të tjera, pa u analizuar si dhe sa duhet tregu dhe kërkesat e bizneseve, të cilat kanë kërkuar në vijimësi për tu riparë struktura e çmimit për pjesën e taksave si dhe të evazionit, si pjesë përbërëse të tregut të karburantit. Megjithatë, nëse shikojmë peshën e saj në çmimin aktual referues (203 lekë/litër) duket se mban një peshë sa 18% të çmimit final, pa përfshirë përqindjen e indeksimit.
Nëse përfshihet edhe ajo pesha rritet me të paktën edhe 3% të tjera për vitin 2022 mbi bazën vjetore të inflacionit (“taksa” e inflacionit). Për çdo 10 lekë rritje çmimi produkti, pesha e saj bie me 0.7% në strukturën e çmimit final. Për çdo 10 lekë ulje çmimi produkti, pesha e saj rritet me 1.1% në strukturën e çmimit final
TVSH zë 20% të çmimit dhe ajo nuk ndikohet nga tregu i karburanteve, por as edhe nga rritja apo ulja e çmimit të produktit, pasi vendoset si taksë konsumi në finalen e gjithëe elementëve përbërës të çmimit[2].
Tarifat rregullatore, të cilat janë pjesë e çmimit të paguar nga shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe pakicë janë të lidhura me ngarkesa buxhetore jo-tatimore direkte të ofruara nga shteti[3], si dhe Koncesionimet dhe Taksat vendore (të gjitha) zënë pjesën e fundit nga pesha deri 4% të çmimit final aktual. Kujdes! Taksat vendore dhe tarifat e institucioneve janë rritur nëpër vite.
2.Rritja e formalizimit me kalimin e viteve si përsa i përket qarkullimit, por edhe punonjësve dhe të ardhurave/shpenzimeve të tjera ka ndikuar në rritjen e çmimit me të paktën 5% në dekadën e fundit, pasi ka rritur kostot e padeklaruara dhe ka detyruar bizneset e shumicës dhe pakicës ti vendosin në çmimin final.
3.Prodhimi vendas me nivelin e pjesëmarrjes në treg me 25-30% të tij në vitet më prodhuese deri afër 2016 ka amortizuar çmimin final të produktit në tregun vendas duke u diversifikuar me çmimin e importit, pavarësisht abuzimeve fiskale që ka nxjerrë koha në rafinimin e karburanteve. Mungesa e prodhimit në treg ka ndikuar në mbajtjen e rritur të çmimit duke u përfshirë në kostot që mbulohen nga zëra të tjerë të shpenzimeve operative dhe rrumbullakojet e çmimit final.
4.Politika fiskale jo e qëndrueshme (Paketat fiskale të shpeshta) dhe e analizuar jo sa dhe si duhet, me administrim fiskal pa objektiva të qarta dhe konsistente për ngushtimin e evazionit dhe me ndikim të vogël në formalizimin e zinxhirit të qarkullimit kanë panikosur tregun (operacionet anti infomalitet me fushata) me pasojë efektet dytësore që kanë ndikuar në vendimet e biznesit për të rritur koston e shkaktuar nga pasiguria e tregut dhe mungesa e stabilitetit fiskal. Kronizmi politik në caktimin e drejtuesve të tatimeve (me shumë pak përjashtime) dhe politika e dëmshme dhe paragjykuese e mbajtur ndaj stafit profesional të administratave fiskale kanë ndikuar në vullnetin e luftës ndaj informalitetit dhe evazionit dhe kanë nxitur korrupsionin.
5.”Taksa” e korrupsionit, e cila duket se është më e strukturuar në vitet e fundit sipas një analize[4] që kemi bërë ka ndikuar në vite me të paktën 5% në rritjen e çmimeve jo vetëm të karburanteve, por edhe të shërbimeve dhe produkteve të tjera me të cilat edhe karburantet japin e marrin.
6.Çmimi i bursës së naftës, ose thënë më mirë kostoja e blerjes nga kontraktori i huaj, sipas faturës që hyn në doganë është ndikues me peshë të madhe(aktualisht mban një peshë sa 40 – 42% e çmimit final). Por ky element bazik i kostos në përcaktimin e çmimit final është përdorur për të mbuluar hapësirat ende të pazbuluara të evazionit, për t’ju shmangur detyrimeve dhe e ka ekspozuar ndikimin e saj te çmimi, si një kosto joelastike dhe që nuk pasqyron dinamikat e çmimeve të bursës.
E gjithë panorama e strukturës së elementëve përbërës në çmimin final të karburanteve është një tregues që prezanton për të sqaruar se pse kemi këtë nivel të lartë çmimi në raport me vendet përreth, por edhe të tjera më larg.
Gjithë vendet fqinje me Shqipërinë zbatojnë një strukturë taksimi të zhveshur nga shumica e taksave që përfshimë në këtë pasqyrim duke lënë efektive vetëm akcizën dhe TVSH-në, si dhe tarifa të caktuara me peshë të pandjeshme në koston tregtare.
7. Politikat më efektive sektoriale lidhur me:
- diversifikimin e prodhimit të lëndëve djegëse dhe produkteve energjetike (përdorim i qymyrit për procese industriale, përdorimi efektiv i biokarburanteve, mbajtja aktive dhe produktive të rafinerive të përpunimit të naftës), si dhe
- diversifikimin e konsumit të karburantit (përdorimi i lehtësirave fiskale dhe nxitjeve financiare për importin dhe infrastrukturën brenda qyteteve për tregun e automjeteve elektrike, politika frenuese për automjetet e vjetra, përdorimi i gazit të lëngshëm për auto (LPG), aktivizimi dhe përdorimi me kostot më të ulët transporti i mallrave dhe udhëtarëve nëpërmjet sistemit hekurudhor dhe ujor, stimulimi i përdorimit të mjeteve qarkulluese qytetëse dhe ndërqytetëse, si: bicikleta, karroca etj.,)
kanë ndikuar në këto vende për të ulur kostot për karburantet duke ulur kërkesën në treg për to me një masë që reflektohet në stabilitetin financiar të tregut të karburanteve.
Por edhe administrimi fiskal dhe politikat anti evazion në këto vende kanë funksionuar më efektivisht se në Shqipëri.
Studimet e realizuara për diversifikimin e tregut dhe burimeve të prodhimit të energjisë zbulojnë se performanca është më e lartë në ekonomitë me diversitet të ulët, por të lidhur ngushtë me zinxhirin e qarkullimit të produktit dhe më e ulët në ekonomitë me diversitet të lartë, por të palidhur me zinxhirin e qarkullimit të produktet, duke sugjeruar që strategjia e diversifikimit të papërshtatur me strukturën e ekonomisë, por edhe konsumin dhe konsumatorët është e dëmshme për performancën e e ekonomisë dhe elasticitetin e çmimeve.
Ndjeshmëria aktuale ndaj çmimeve të larta, që filloi nga mesviti 2021, si dhe 4 vite më përpara lidhet me efektin që jep te shtrenjtimi i kostos së jetesës, e cila aktualisht ka një rritje me të paktën 20% për tremujorin e parë 2022 për prodhimet ushqimore (përfshirë edhe karburantet). Në llogaritjet e kryera nga ana jonë duke analizuar këto sinjale të çmimeve të tregut, vërejmë se për çdo 10 leke/liter rritje çmimi të ardhurat neto të familjeve ulen (zhvlerësohen) mesatarisht me 5 për qind nga efekti domino në treg, me ndikim të ngjashëm në të gjitha grupet e të ardhurave. Nisur nga çmimi bazë mesatar prej 190 leke/liter ne fillim te Mars 2022, atëherë rritja është mesatarisht 23 leke/litër, ndërsa ulja e te ardhurave neto arrin në 10%.
Kjo do të thotë se me fiksimin e çmimit të karburantit 203 leke/liter, si dhe nga ndikimi edhe te çmimet e tjera të produkteve dhe shërbimeve, të ardhurat mujore prej 10.000 leke/muaj zhvlerësohen aktualisht me 1.000 leke te rinj. Nje e ardhur mujore me 20.000 leke/muaj zhvlerësohet me 2.000 leke te rinj dhe nje e ardhur prej 30.000 leke/muaj zhvleresohet me 3.000 leke te rinj. Nje familje me 40.000 leke/muaj te ardhura ka nje zhvleresim te fuqise blerese (vleres se lekut ne treg) me 4.000 leke te rinj.
Pra ndikimi në vlerën reale të lekut rritet në progresion me të ardhurat dhe varet edhe nga sa konsumohen mallra dhe shërbime[5].
[1] në datë 17.03.2022 çmimi i deklaruar i tregut të pakicës nga Bordi i Mbikëqyrjes së Karburanteve është 203 lekë/litër
[2] kosto e produktit, taksat dhe tarifat, shpenzimet operative dhe amortizim, shpenzime financiare
[3] Tarifa e licensimit/rilicensimit ( https://infrastruktura.gov.al/wp-content/uploads/2017/10/VKM344date19042017.pdf ); Tarifa e vërtetimit të vëllimit të depozitave; Tarifa e vërtetimit të sigurisë të stacioneve të pompimit; Tarifa e kontrollit të pompave; Koncesioni i markimit (shënjestrtimit të karburanteve; koncesioni i skanimit të importeve në import
[4] https://altax.al/product/kostoja-e-korrupsionit-ne-ekonomi-dhe-ne-cmimet-e-mallrave-trajtimi-i-tij-nga-qeverisja-qendore-dhe-vendore-shoqeria-civile-dhe-biznesi-2022/
[5] shih Anketa e Buxhetit të Familjes 2020, të publikuar nga INSTAT
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.