Ekonomi në 2026 po rritet “ndryshe nga sa pritet”

Ekonomi në 2026 po rritet “ndryshe nga sa pritet”

Në leximin e treguesve statistikorë nga INSTAT, tremujori i parë i vitit 2026 duket i qetë me rritje ekonomike 3.71% dhe me një ritëm që nuk trondit as optimistët dhe as skeptikët. Por në qasjen tonë analitike do të diskutojmë se çfarë lloj rritjeje po prodhohet nga ekonomia jonë dhe sa e aftë është ajo të vetëmbajë veten.

Dhe këtu, tabloja shqiptare bëhet më komplekse sesa një numër i vetëm.

Tabela 1. Ecuria e sektorëve ekonomikë – Tremujori I 2026 (krahasuar me Tremujorin I 2025)

Sektori ekonomikNdryshimi real (%)Kontributi në rritjen e PBB-së (pikë përqindje)Vlerësim analitik
Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia13.93%+1.68Motori kryesor i rritjes, zgjerim i sektorit publik.
Aktivitete të pasurive të paluajtshme8.99%+0.52Rritje e mbështetur në tregun imobiliar, ndikim i rëndësishëm në PBB.
Aktivitete profesionale dhe shërbime administrative7.32%+0.47Zgjerim i shërbimeve me vlerë të shtuar mesatare.
Aktivitete financiare dhe të sigurimit5.00%+0.09Stabilitet i sektorit financiar, por kontribut relativisht i kufizuar.
Ndërtimi3.30%+0.32Vazhdon të mbështesë rritjen ekonomike përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe infrastrukturë.
Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi ushqimor1.61%+0.21Rritje modeste, konsumi dhe turizmi mbeten mbështetës.
Informacioni dhe Komunikacioninuk publikohet veçmas+0.06Kontribut pozitiv, por ende me peshë të vogël në ekonomi.
Industria, Energjia dhe Uji-2.17%-0.25Dobësim i sektorit prodhues, frenues i rritjes ekonomike.
Arte, argëtim dhe aktivitete të tjera shërbimi-3.48%-0.07Tkurrje e aktivitetit, me ndikim të kufizuar për shkak të peshës së vogël në PBB.
Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi-0.49%-0.06Vijon dobësimi i sektorit primar dhe humbja e peshës në ekonomi.
Taksat neto mbi produktet5.40%+0.74Kontribut i lartë fiskal në rritjen e PBB-së, pa përfaqësuar prodhim real të sektorëve ekonomikë.
GrupiKontributi neto
Shërbimet (publike dhe private)+3.03 pp
Ndërtimi+0.32 pp
Industria dhe Bujqësia-0.31 pp
Taksat neto mbi produktet+0.74 pp
Rritja reale e PBB-së3.71%

Treguesit evidentojnë një zhvendosje të mëtejshme të modelit të rritjes ekonomike drejt sektorëve të shërbimeve dhe administratës publike.

Rreth 82% e kontributit në rritjen ekonomike vjen nga aktivitetet e shërbimeve dhe taksat neto mbi produktet, ndërsa sektorët prodhues (industria dhe bujqësia) vazhdojnë të ushtrojnë ndikim negativ. Kjo strukturë konfirmon se rritja e ekonomisë shqiptare në fillim të vitit 2026 mbështetet më shumë në aktivitetet me karakter konsumi dhe administrimi sesa në zgjerimin e bazës prodhuese.

Në modelet e ekonomive në zhvillim, rritja e qëndrueshme zakonisht vjen nga tre shtylla, që janë industria prodhuese, eksportet me vlerë të shtuar dhe investimet private produktive

Në T1 2026, Shqipëria devijon nga kjo logjikë. Motori kryesor i rritjes është administrata publike, arsimi dhe shëndetësia (+1.68 pp)

Në leximin e ALTAX dhe analizave të ngjashme rajonale, ky është një sinjal i qartë i “rritjes administrative”, ku ekonomia mbështetet më shumë në shpenzime publike dhe jo në zgjerim të kapaciteteve prodhuese.

Kjo nuk është rritje e dobët në vetvete, por është rritje me bazë të kufizuar shumëzimi ekonomik.

Në literaturën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, një ekonomi që kalon shpejt drejt shërbimeve pa ndërtuar industri konkurruese përballet me një fenomen të njohur i quajtur “tertiarizim pa produktivitet”

Shqipëria po shfaq pikërisht këtë model, sepse ka rritje bazuar në pasuri të paluajtshme (+0.52 pp), në shërbime profesionale (+0.47 pp) dhe në tregti dhe transport (+0.21 pp)

Këto sektorë krijojnë aktivitet ekonomik, por jo domosdoshmërisht rritje të fortë të produktivitetit afatgjatë.

Në këtë kuptim, ekonomia nuk duket se po industrializohet, sepse po zgjerohet horizontalisht në shërbime.

Një nga gjetjet më të rëndësishme në treguesit e rritjes ekonomike të T1 2026 se ka rritje të bazuar në asete (ndërtim, pasuri), por jo rritje të bazuar në prodhim (industri)

Në T1 2026 ndërtimi ka një rritje +0.32 pp, ndërsa industria ka rënie me -0.25 pp

Kjo tablo e rritjes ekonomike e parë sipas këtyre dy grup sektorëve tregon një model ku ekonomia “duket aktive” në treguesë, por nuk po prodhon kapacitete të reja industriale

Në terma kritikë, kjo është një ekonomi që po “ndërton mbi vetvete”, jo mbi zgjerim të bazës prodhuese.

Një tjetër element i fortë në analizë e rritjes së PBB-së në 2026 është raporti konsum–import.

Në T1 2026 konsumi familjar rritet +3.94% dhe importet rriten +7.39%

Kjo diferencë tregon se rritja e konsumit po mbështetet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mallrat e importuara.

Në terma makroekonomikë kjo quhet rritje me prirje të lartë importi (import-dependent growth)

Pra, ekonomia rritet, por një pjesë e mirë e këtij efekti “rrjedh jashtë” vendit.

Një nga elementët më të diskutuar të rritjes është dallimi midis shtetit si stabilizues ciklik dhe shtetit si motor zhvillimi

Në Shqipëri, në këtë tremujor, shteti shfaqet qartësisht si stabilizues i rritjes (përmes administratës, arsimit, shëndetësisë) dhe jo si nxitës i transformimit strukturor

Kjo e mban ekonominë “në këmbë”, por nuk e shtyn në një fazë të re zhvillimi.

Në shumë analiza strukturore të zhvillimit (përfshirë qasjet e OECD për ekonomitë në tranzicion), rënia e industrisë dhe bujqësisë nuk shihet thjesht si ciklike, por si tregues i dobësimit të bazës së produktivitetit kombëtar

Në T1 2026 shihet se industria është në rënie me – 2.17% (vit mbi vit) dhe bujqësia me – 0.49%

Ky është elementi më kritik i gjithë panoramës, sepse ekonomia po rritet, por sektorët që prodhojnë mallra reale po tkurren.

Në një lexim të ftohtë teknik, Shqipëria është në “rritje të shëndetshme”.

Pra,në një lexim strukturor, tabloja e zhvillimit të ekonomisë në T1 2026 shfaqet me rritje, por është e përqendruar dhe burimet e saj janë të kufizuara (shtet + shërbime), me bazat prodhuese në dobësim nga 2025 dhe falë konsumit dhe importeve që mbajnë njëra-tjetrën kemi një rritje ekonomike për të thënë.

Ekonomia shqiptare në fillim të 2026 nuk po përballet me mungesë rritjeje, por me mungesë transformimi.

Ky është dallimi thelbësor që shpesh humbet në debatin publik, se rritja na tregon se ekonomia po lëviz, por në realitet ai që tregon drejtimin e duhur të ekonomisë është transformimi drejt ekonomisë prodhuese dhe eksportuese.

Në këtë moment, ekonomia e Shqipërisë ka të parën, por ende jo të dytën.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.