Projekt ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga rrisku i tërmetit dhe besimi i qytetarëve te nisma e re ligjore
Nisur nga të dhënat për rrezikun ndaj katastrofave natyrore duhet të përmendim se sipas profilit te rrezikut prej fatkeqësive, 2021[1] te Bankës Botërore, si dhe diagnostikes per rriskun financiar[2] është e vërtetë se Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme natyrore, por veçanërisht ndaj përmbytjeve dhe më pak prej tërmeteve, të cilët sipas vetë relacionit sqarues[3] në projekt ligj[4] dhe sqarimet per konsultim[5] përmendet se në 123 vitet e fundit në Shqipëri kanë ndodhur 6 tërmete të niveleve të ndryshme të rrezikut.
Në kushtet kur sigurimi nga kompanitë private të sigurimeve nuk i mbulon me policën standarte të sigurimit dëmet e shkaktuara nga tërmeti, por edhe kostot e një tërmeti realisht janë përtej kapaciteteve aktuale të fondeve të kompanive private të sigurimeve atëherë qeveria duhet të vinte me disa analiza dhe projeksione të detajuara për te shteruar dilemën se pse duhet të bëhet i detyrueshëm pagesa e një sigurimi për ata banorë që jetojnë në një zonë jo me risk të lartë nga tërmetet dhe pasojat pasvepruese të tyre.
Arsyeja pse shteti tashmë ndërhyn në tregun aktual tërësisht privat duke mos lënë hapësira për privatin përsa lidhet me mbulimin e sigurimit ndaj tërmeteve është për arsye të kostove të larta që u përballuan nga buxheti në tre vitet e fundit (dhe që vijojnë ende) si dhe për arsye se ky lloj sigurimi është ende mjaft i ulët në vend, madje edhe në disa vende të industrializuara, duke rezultuar në financimin e humbjeve pas katastrofës dhe rritjen e varësisë nga ndërhyrjet e qeverisë.
Është e vërtetë se kostoja ekonomike e fatkeqësive mund të rritet më tej si rezultat i ekonomisë në rritje apo ndryshimit të klimës, por në këtë rast do të duhej që projekt ligji “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” të përfshinte edhe rreziqet e tjera natyrore, pasi vetëm me këtë burim rrisku duket se është i pajustifikuar dhe pa ndonjë logjikë të qartë kosto-përfitimi për pjesën kryesore të qytetarëve.
Duke parë se objekti apo mbartësit e faturës që dikton ligji janë vetëm për pronat që përdoren për banim, përfshirë ndërtesat në proces legalizimi, duke përjashtuar pronat e biznesit duket sikur në fakt objekti i projekt ligjit është interesi public dhe lehtësimi i buxhetit të shtetit prej barrës së financimit të kostove të mundshme deri në vitet 2050.
Në kushtet kur ky ligj do të zbatohet për gjithë vendin mund të konsiderohet se është një formë tarifimi pa asnjë përfitim për mbi 75% të zonave që nuk kanë patur raste në historikun e tyre nga tërmeti. Madje nisur nga destinacioni i përdorimit të sigurimeve, ky Fond konsiderohet me shume si një fond solidariteti. Nëse i referohemi periudhës aktuale ku barra fiskale pritet te shtohet edhe me taksa vendore shtese si dhe rritje te kostove nga shtrenjtimi i jetesës deri në një moment tjetër tërmeti kuptohet që pronarët/përdoruesit e sotëm nuk ndodhen përpara një nevoje imediate të krijimit të fondeve të posaçme, por do të duhet të paguajnë kostot për pronarët e nesërm.
Ndërkohë, Fondi që do të financohet nga paratë e qytetarëve ai do ti investojë me gjasa këto fonde në bono thesari dhe instrumente të tjera. Kjo merr shume kuptim per buxhetin duke shërbyer si një xhep rezervë për të financuar edhe shpenzime të caktuara të tij te lidhura me emergjencat civile, që nisur nga precedentët e derisotëm do të perdoren edhe për këto qëllime duke e modifikuar projekt ligjin aktual pas miratimit të tij.
Në këtë logjikë përfituesi i madh nuk është publiku i gjerë, pasi ai është financuesi për të mbushur arkën e Fondit Kombëtar për Tërmetet, ku ky i fundit në rolin e përfituesit pasi do të përdorë këto fonde për vete do ti shpenzojë edhe për procesin e rindërtimit nga pasojat e tërmetit.
Në fakt, projekt ligjit i mungon pikërisht pjesa më kryesore, përfitimi i munguar që qytetarët në Shqipëri do të detyrohen me forcë ta investojnë për një shërbim që nuk do tu nevojitet domosdoshmërisht. Megjithatë, kostoja për qytetarët nëse e llogaritim me tarifën aktuale të pagesës në sektorin privat duke filluar nga 50 euro në vit, si dhe projekt vendimin e qeverisë (0.1% e vlerës së banesës) mendohet të variojë mesatarisht deri në vlerën e 100 Euro në vit. Nëse e llogaritim që kjo kosto do të mbajë Fondin që do të ngrihet si shoqëri administrimi, kostot e tjera operacionale si dhe shpenzimet e ndryshme që do të lindin gjatë përditshmërisë mund të thuhet se përfitimi neto nga fondet që do tu mblidhen qytetarëve është i shtrenjtë dhe me ndikim në tregun e sigurimeve, ku kjo nismë e qeverisë kufizon lirinë ekonomike të operatorëve privatë në treg.
Banesat e reja ndërkohë në logjikën e rrezikut mund te thuhet se nuk ka arsye pse te paguajnë. Por nga tërmeti i vitit 2019 ato treguan se nga mosveprimi i institucioneve mbartin një rrisk të lartë. Nisur nga ky precedent prej konkluzioneve të pasojave te tërmetit 2019 kjo ka shërbyer me gjasa si një fakt i pranueshëm që të mos merret parasysh standarti teknik i banesave të reja që te konsiderohen si ndërtime më të sigurta dhe me një rrisk me te ulët e rrjedhimisht dhe prim me te vogël sigurimi.
Në fakt në frymën që përshkon projekt ligjin nuk ka asnjë analizë që të trajtohet trajtimi progresiv i rriskut dhe pagesës së sigurimit, pasi duket se qëllimi kryesor është grumbullimi i fondeve për përdorim nga ky fond sipas përcaktimeve të projekt ligjit.
Me ndërgjegjësimin e përmirësuar të rrezikut nga njëra anë, dhe produkte më të thjeshta sigurimi nga ana tjetër, sigurimi nga tërmetet mund të bëhet i aksesueshëm për një gamë të gjerë interesash të pronarëve të banesave të reja, për të transferuar pasojat e shumta të rrezikut me kosto të arsyeshme. Në këtë mënyrë, pjesë më të mëdha të popullsisë edhe pse mund të ekspozohen ndaj tërmeteve në dekadat e ardhme, shtresa/kategoria e pronarëve të banesave të reja do të mbrohej më mirë nga humbjet që lidhen me këtë rrezik.
Sigurimi i detyrueshëm për banesat në rastin e rriskut nga tërmetet do të bëhet me polica sigurimi nga Fondi shtetëror, ndërkohë që kompanitë private të sigurimeve do të kenë hapësirë tregu të lirë për të siguruar pronat e bizneseve dhe gjithë ato që nuk janë banesa në pronësi të qytetarëve.
Me këtë ndarje të re të tregut të sigurimeve të pronave, industria e sigurimeve private mund të marrë gjithashtu masa për të thjeshtuar strukturat e produkteve të saj, veçanërisht nëse dëshiron të arrijë një numër më të madh njerëzish, pa interferuar me objektin e projekt ligjit. Për shembull, përveç sigurimit nga tërmeti mbulimi duhet të rritet dhe të jetë me kosto të disponueshme, si një zgjatje e politikave standarde për rastet e zjarrit.
Koncepti i projekt ligjit është parafinancimi, apo financimi paradhënie nga vetë qytetarët për raste tërmeti në rajonet sizmike të mundshme që kanë një intenstitet të ndodhin një herë në të paktën 30 – 40 vite. Nëse llogaritim që çdo pronar banese/ash do të parapaguajë 0.1% të vlerës së banesës për çdo vit, atëherë vlera e paguar, p.sh. 100 euro në vit x 30 vite = 3.000 Euro dhe nëse e llogaritim se dëmet llogariten për deri 10 mijë objekte, atëherë vlera e mbledhur në këto 30 vite, në një shumë të paktën që kalon 2 miliard Euro duket se është një fond i mjaftueshëm për të përballuar jo vetëm dëmet për banesa të reja, por edhe të jenë përfshirë në logjikën e sigurimit edhe ato që konsiderohen si të vjetra/amortizuara.
Në pamjen aktuale të projekt ligjit nuk duket se do të ketë hapësira për partneritet, por nëse lexon me kujdes nenin ku Fondi mund të administrohet nga një Operatori Teknik Ndërkombëtar, atëherë kupton se ndoshta shumë shpejt mundet të jetë një qasje e tillë. Këto dyshime janë të arsyeshme, përsa kohë nuk ka asnjë kriter se përse duhet /nevojitet ky operator dhe kush janë kriteret kohore për të kërkuar një administrim, i cili në fakt duket sikur pikërisht operatori mundet të jetë një nga qëllimet e ardhme të këtij fondi të pakërkuar.
[1] https://climateknowledgeportal.worldbank.org/sites/default/files/2021-06/15812-Albania%20Country%20Profile-WEB.pdf
[2] https://www.financialprotectionforum.org/file/2332/download?token=-iRAnHr3
[3] https://konsultimipublik.gov.al/documents/RENJK_649_relacioni-shoqerues-P-r-sigurimin-e-detyruesh-m-te-banesave-nga-termetet.doc
[4] https://konsultimipublik.gov.al/documents/RENJK_649_P-ligji-per-konsultim-per-sigurimin-e-detyrueshem-te-banesave-nga-termetet.docx
[5] https://konsultimipublik.gov.al/documents/RENJK_649_Dokumentin-Konsultativ—PLigji-per-termetet.docx
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.