Pensionet 2030, 40 mijë apo 46 mijë lekë?

Pensionet 2030, 40 mijë apo 46 mijë lekë?

Nga rritja nominale te fuqia reale blerëse, kostoja për brezin që punon dhe problemi që shifra e re nuk e zgjidh.

Në Shqipëri, debati për pensionet është fokusuar drejt një objektivi të vendosur nga qeveria, që pensioni mesatar urban i plotë të arrijë 40 mijë lekë në muaj deri në vitin 2030. Pensioni urban i pjesshëm synohet në 22 mijë lekë dhe ai rural në 18 mijë lekë. Sipas bazës së Ministrisë së Financave, pensioni urban i plotë do të kalonte nga rreth 27.350 lekë sot në 40 mijë lekë me një rritje nominale prej rreth 46%.

Por këtu duhet të ndajmë dy çështje që shpesh ngatërrohen.

Çështja e parë adresohet te pyetja nëse do të jetë pensionisti i vitit 2030 më mirë se pensionisti i vitit 2026?
Për këtë, baza e krahasimit duhet të jetë pensioni aktual prej rreth 27.350 lekësh. Nëse inflacioni mesatar do të jetë 3% në vit, 40 mijë lekë në 2030 do të kenë fuqi blerëse sa rreth 34.500 lekë të sotme. Rritja reale mbetet pozitive, por shumë më e vogël se 46%-shi nominal.

Çështja e dytë është tjetër dhe adresohet te fakti se sa duhet të jetë pensioni nominal në 2030 që 40 mijë lekët e sotme të ruajnë të njëjtën fuqi blerëse?
Në këtë rast, me inflacion mesatar 3%, shifra shkon në rreth 46.300 lekë. Me 2,5% në rreth 45 mijë, me 4% në rreth 48.700 lekë. Diferenca midis 40 mijë dhe 46 mijë lekëve nuk është debat kozmetik. Është kostoja e ruajtjes së fuqisë blerëse gjatë katër viteve.

Nëse objektivi politik është thjesht “40 mijë lekë”, atëherë ky nivel është një minimum i deklaruar. Nëse objektivi është që pensionisti të jetojë jo më keq se sot, atëherë 40 mijë lekë janë pika e nisjes, por jo pika e mbarimit.

Sa blen realisht një pension në 2030?

Pensionisti nuk konsumon shportën mesatare të gjithë popullsisë. Pesha e ushqimeve, energjisë, ilaçeve dhe kujdesit shëndetësor është më e lartë në buxhetin e tij.

Në një skenar ilustrues, një pensionist mund të shpenzojë sot rreth 15–16 mijë lekë për ushqime bazë, 4–5 mijë lekë për energji dhe ujë, 3–4 mijë lekë për ilaçe dhe 2–3 mijë lekë për transport ose shërbime të tjera. Nëse këto kategori rriten më shpejt se inflacioni i përgjithshëm, siç ka ndodhur shpesh, atëherë edhe një pension që nominalisht rritet mund të blejë më pak se sa duket.

Prandaj, mjaftueshmëria e pensionit duhet matur me të paktën tre pragje:

  • mbrojtja nga inflacioni (ruajtja e fuqisë blerëse aktuale);
  • mbulimi i shportës bazë të pensionistit pa e shtyrë atë drejt varësisë së plotë familjare;
  • raporti me pagën e atyre që punojnë dhe kontribuojnë.

Lidhja pension–pagë, çfarë ndodh me raportin në 2030?

Sot, sipas raporteve të ISSH, pensioni mesatar është rreth 32% e pagës kontribuese. Paga mesatare bruto në tremujorin e dytë 2026 ishte 92.150 lekë. Krahasimet me rajonin (ku shpesh flitet për intervale 35–45%) duhen trajtuar me kujdes, sepse norma e zëvendësimit (replacement rate) ndryshon sipas metodologjisë: pension mesatar mbi pagë mesatare, pension i ri mbi pagë të fundit, bruto apo neto. Në rastin, kur nuk kemi specifikim të qartë, atëherë krahasimi ndërkombëtar mbetet i pasaktë.

Por raporti pension/pagë nuk është statik. Ai varet nga sa shpejt rriten pagat dhe sa shpejt rriten pensionet. Nëse pensioni analizohet vetëm kundrejt inflacionit, humbet një dimension thelbësor, atë të pozicionit relativ të pensionistit ndaj atyre që punojnë.

Në një skenar ilustrues:

  • Nëse pensioni urban i plotë arrin 40 mijë lekë dhe paga mesatare shkon në 100 mijë lekë, raporti bëhet 40%.
  • Nëse pensioni arrin 46 mijë lekë (niveli që ruan fuqinë blerëse të 40 mijë lekëve të sotme me inflacion 3%) dhe paga mesatare shkon në 110 mijë lekë, raporti bëhet rreth 41,8%.

Këto vlera nuk janë parashikim, sepse tregojnë se pensioni nuk duhet matur vetëm kundrejt çmimeve, por edhe kundrejt dinamikës së pagave. Nëse pagat rriten më shpejt se pensionet, pensionisti humbet relativisht ndaj standardit të shoqërisë edhe kur pensioni i tij rritet nominalisht. Nëse pensionet rriten më shpejt se pagat, barra mbi kontribuesit bëhet më e rëndë.

Prandaj, një objektiv i qëndrueshëm nuk mund të jetë vetëm “40 mijë lekë”, por një raport pension/pagë që mbetet i arsyeshëm ndërkohë që fuqia blerëse ruhet.

Kush paguan për rritjen?

Rritja e pensioneve është një transferim i burimeve publike midis brezave. Ajo financohet pjesërisht nga kontributet e brezit në punë dhe kur skema nuk mbulohet plotësisht nga kontributet, nga buxheti i shtetit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se rritjet e planifikuara mund të shtojnë rreth 10 miliardë lekë në vit koston e skemës, me efekt kumulativ rreth 50 miliardë lekë deri në 2030. Kjo nuk do të thotë se 50 miliardë lekë duhet të gjenden çdo vit. Bëhet fjalë për një efekt kumulativ. Por me kalimin e viteve, një pjesë e kësaj kostoje bëhet shpenzim i përhershëm i skemës dhe kërkon burim të qëndrueshëm financimi, si nga kontributet, po ashtu edhe nga të ardhurat tatimore, si dhe nga rritja ekonomike.

Në vitin 2026, skema e sigurimeve shoqërore përthith rreth 204,1 miliardë lekë, ose 7,3% të PBB-së. Buxheti parashikon rritje mujore me efekt rreth 10,4 miliardë lekë, plus indeksim dhe bonus. Këto shuma të mëdha lekësh nga buxheti tregojnë se reforma po mbështetet edhe nga transferta buxhetore, jo vetëm nga kontributet.

Problemi që 40 mijë lekët nuk e zgjidhin është demografia

Presioni më i madh nuk vjen nga vlera mujore 40 mijë, por nga struktura e popullsisë.

Më 1 janar 2026 popullsia e Shqipërisë ishte 2.335.930 banorë, 1,16% më pak se një vit më parë. Personat 65 vjeç e lart përbënin rreth 20% të popullsisë, nga 11% në 2011. Raporti i varësisë së të moshuarve ka arritur 30,4%, nga 16,7% në 2011. Banka Botërore vlerëson se vetëm rreth 46% e popullsisë në moshë pune kontribuon sot në sistem dhe se deri në 2060 deri në 34% e shqiptarëve mund të jenë mbi moshën e pensionit.

Pyetja më intuitive nuk është thjesht se sa pensionistë do të kemi, por sa persona në moshë pune do të financojnë secilin prej tyre. Nëse ky raport pëson rënie, çdo rritje nominale e pensioneve do të rëndojë financiarisht mbi ata që mbeten aktivë në tregun e punës.

Çfarë do të ishte një pension i qëndrueshëm?

Problemi nuk zgjidhet me një vlerë të re të pensionit çdo vit, por duke përcaktuar paraprakisht rregullin se si pensioni ecën me çmimet, pagat dhe historikun e kontributeve.

Një formulë më e qëndrueshme do të kombinonte indeksimin me inflacionin, një pjesë të rritjes reale të pagave, historikun e kontributeve të individit dhe kapacitetin financiar të skemës. Kjo shmang dy rreziqe të kundërta, ku së pari pensionet mbeten pas inflacionit dhe së dyti, rritjet politike krijojnë detyrime fiskale pa burim të qartë.

Pensionisti kërkon më shumë të ardhura. Buxheti kërkon që kjo rritje të jetë e financueshme. Ndërsa kontribuesi i sotëm kërkon një garanci, që sistemi që po financon të ekzistojë edhe kur ai të dalë në pension.

Në vitin 2030, testi i reformës së pensioneve nuk do të jetë nëse pensioni do të shkruajë 40 mijë lekë në bordero. Testi do të jetë nëse ato 40 mijë lekë do të blejnë më shumë, nëse skema do të financohet pa rritur në mënyrë të pakontrolluar barrën mbi kontribuesit dhe nëse brezi që punon sot do të ketë të njëjtën siguri kur të vijë radha e tij.

Pensioni duhet të matet jo vetëm në lekë, por në fuqi blerëse, në raport me pagat dhe në kohë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.