Paraja jashtë bankave dhe rreziku i pastrimit të parave dhe sfida e transparencës fiskale
Paraja që qarkullon jashtë bankave nuk është thjesht një statistikë monetare. Ajo është një pasqyrë e drejtpërdrejtë e cilësisë së shtetit fiskal dhe e aftësisë së institucioneve për të kontrolluar, monitoruar dhe orientuar ekonominë drejt formalitetit.
Kur rreth 467 miliardë lekë qarkullojnë çdo ditë në formë cash në duart e qytetarëve dhe bizneseve, pyetja kryesore nuk është sa para ka ekonomia, por sa prej tyre janë të dukshme, të gjurmueshme dhe të ligjshme.
Rritja me 15% e parasë jashtë bankave brenda një viti (2024-2025), në një kohë kur politika publike shpall synimin për uljen e cash-it dhe rritjen e pagesave elektronike, tregon një kontradiktë të fortë mes retorikës dhe realitetit.
Në praktikë, ekonomia shqiptare po bëhet më pak e gjurmueshme, më pak transparente dhe më e ekspozuar ndaj riskut financiar dhe kriminal.
Cash-i është mjeti ideal i ekonomisë informale.
Ai nuk lë gjurmë, nuk krijon histori transaksionesh dhe nuk kërkon shpjegime për origjinën. Pikërisht për këtë arsye, sa më i lartë të jetë niveli i parasë jashtë sistemit bankar, aq më e dobët bëhet aftësia e administratës tatimore dhe e institucioneve financiare për të identifikuar evazionin fiskal, për të analizuar riskun dhe për të ndëshkuar shkeljet.
Në këtë kuptim, cash-i nuk është neutral, por aleat i informalitetit.
Por problemi nuk mbaron te evazioni.
Një ekonomi e mbështetur fort te paraja fizike krijon terren të favorshëm për pastrimin e parave.
Të ardhurat nga aktivitetet e paligjshme, korrupsioni, ryshfetet apo krimi i organizuar integrohen shumë më lehtë në ekonomi përmes transaksioneve cash, pa kaluar filtrat e sistemit bankar dhe mekanizmat e raportimit financiar.
Kur paratë nuk depozitohen, nuk monitorohen dhe nuk analizohen, shteti humbet instrumentin kryesor për të ndjekur rrjedhën e tyre.
Në këtë kontekst, niveli i lartë i parasë jashtë bankave nuk është vetëm problem fiskal, por risk sistemik për integritetin financiar të vendit. Ai dobëson luftën kundër pastrimit të parave, cenon besueshmërinë e sistemit financiar dhe rrit ekspozimin e Shqipërisë ndaj vlerësimeve negative ndërkombëtare për rrezikun AML/CFT. Sa më shumë cash në qarkullim, aq më e lehtë bëhet fshehja e origjinës së parave dhe aq më e vështirë bëhet ndarja mes ekonomisë reale dhe asaj kriminale.
Nga ana tjetër, bizneset dhe qytetarët nuk zgjedhin cash-in rastësisht.
Komisionet e larta bankare, mungesa e terminaleve POS, kostot administrative dhe perceptimi se formaliteti ndëshkon më shumë sesa mbron, e shtyjnë ekonominë drejt parasë fizike.
Kjo krijon një rreth vicioz, ku sa më shumë cash, aq më shumë informalitet; sa më shumë informalitet, aq më pak besim te sistemi.
Nëse synimi është vërtet ulja e parasë jashtë bankave, kjo nuk arrihet me deklarata, por me politika fiskale dhe financiare që e bëjnë formalitetin më të lirë, më të drejtë dhe më të leverdishëm se informaliteti. Përndryshe, rritja e cash-it do të vazhdojë të jetë një sinjal alarmi, jo vetëm për të ardhurat buxhetore, por për rrezikun real që ekonomia shqiptare të mbetet një hap pas në luftën kundër pastrimit të parave dhe kriminalitetit financiar.
Në fund, paraja jashtë bankave është më shumë se para në xhepa. Ajo është një matës i transparencës, ligjshmërisë dhe forcës së shtetit fiskal.
Sot në 2026, ky matës po tregon qartë se problemi nuk është as i vogël, po as dhe kalimtar.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.