Nga dilema në trilemë për tregun shqiptar
Zhvlerësimi euros ndikon direkt ne depozitat dhe përfitimin e të ardhurave, të cilat janë më të ulëta për qytetarët por edhe për bizneset që eksportojnë dhe importojnë. Ndërkohë, kredimarrësit duhet të rimendohen për të mos u fokusuar vetëm te kredia vetëm në Euro, por tashmë të orientohen edhe nga kredia në lekë, por edhe në US.Dollar dhe paundin britanik. Tashmë Euro ka dy konkurentë globalë të fortë përballë: dollarin amerikan dhe paundin britanik, që do të thotë se status quo monetare e mëparshme është ndryshuar duke mos favorizuar më një Euro aq të fortë sa më përpara daljes së Britanisë së Madhe nga BE.
Ndërkohë, kur zhvlerësimi është i ndikuar edhe nga faktorë që i kemi përmendur më poshtë, një situatë për ta rimenduar vlen edhe për tregun e pasurive të paluajtshme dhe gjithë ato produkte që janë referuar te Euro në gjithë këto 20 vite, për të rikthyer te Leku si një monedhë që ka shfaqur qëndrueshmëri në gjithë këto vite.
Kursi i euros është në rënie prej muajsh dhe tashmë është në të njëjtin nivel me dollarin amerikan. Një vit më parë, një euro kushtonte 1.20 dollarë, dhe në fillim të 2022-shit tashmë ishte në 1.13 dollarë. Që atëherë, zhvlerësimi vazhdoi dhe kulmoi me një barazi të shkurtër me dollarin amerikan këtë fillim Korriku 2022, përpara se të binte nën 1 dollarë në mes të muajit.
Arsye kryesore globale dhe ndikuese në tregun e këmbimit valutor në Shqipëri është se euro ka humbur vlerën për shkak të rritjes së inflacionit në zonën e euros. Edhe pse tregu financiar në vend është i shkëputur nga rrjeti financiar global, monedhat kryesore të huaja ndikojnë tregun nëpërmjet importit dhe eksportit të mallrave dhe shërbimeve që bizneset shqiptare kryejnë me tregun ndërkombëtar.
Inflacioni në Shqipëri në Qershor 2022 ishte 7.04%.
Ndërsa krahasuar me vendet e zonës së Euros, ku inflacioni ishte mesatarisht 8.6 për qind në qershor (14 ekonomi të vogla të eurozonës përjetuan inflacion mbi mesataren deri në nivelin më të lartë prej 22 për qind në Estoni, ku 5 ekonomi të eurozonës janë nën këtë mesatare)[1] niveli inflacionit në Shqipëri ishte 1.56% më pak. Ky trend në rritje në këto vende vjen si pasojë e çmimeve më të larta të energjisë për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë.
Por, Shqipëria në këtë realitet global të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ndikimit prej importeve ka një tjetër sfidë, atë të informalitetit dhe mangësisë së efektivitetit të politikave të pazbatuara si duhet duke përcjellë në tregun shqiptar gjithë difektet e reformave të pambyllura dhe korrupsionit galopant.
Në të vërtetë, ekonomia shqiptare ka qenë më pak e prekur nga lufta e Ukrainës sesa vendet e Eurozonës, duke pasur parasysh së pari faktin se evazioni dhe niveli i lartë i informalitetit ka shërbyer si një amortizues për të minimizuar kostot e rritura nga jashtë dhe nga brenda.
Së dyti duhet konsideruar edhe fakti se buxheti i shtetit ka qenë përfituesi më i madh nga kriza e çmimeve dhe informaliteti ka përfituar në maksimum për të përcjellë më mirë nga sa mund të mendohet disa masa të pakta mbrojtje sociale, megjithëse të depërtueshme lehtësisht nga rritja e madhe e çmimeve bazë jetike.
Së treti, intensiteti i rritur i pastrimit të Eurove, i cili është ndikuesi më kryesor bashkë me eksportet e rritura dhe sezonin turistik me më pak efekt japin një tjetër ndikim në inflacionin në rritje. Në këtë moment, inflacioni tenton të zhvlerësojë Euron, pasi inflacioni tashmë barazohet me një ulje të fuqisë blerëse të parasë. Si rezultat, inflacioni i lartë në eurozonë dhe Turqi e vendet përreth (partnerja kryesore tregtare e Shqipërisë është EU) duke shfaqur dobësimin e monedhave të tyre në krahasim me dollarin amerikan japin ndikimin edhe në tregun shqiptar nëpërmjet importeve dhe eksporteve.
Por duke qenë se dilema aktuale financiare – monetare është prezente (nga njëra anë inflacioni po rritet dhe kërkon një rritje të normave të interesit, nga ana tjetër, rritja ekonomike e dobët kërkon norma të ulëta të interesit) duket se ekonomia shqiptare do të vuajë trilemën në muajt e ardhshëm duke i shtuar edhe presionin në rritje nga paratë informale që po mbytin tregun e vogël shqiptar.
Rënia e euros po e bën problemin e inflacionit edhe më keq sesa është tashmë duke importuar inflacion të mëtejshëm për shkak të euros së dobët. Prandaj, konsumatorët mund të përballen me çmime edhe më të larta duke vënë qeverinë në kushtet më të vështira të mundshme të vendimarrjes.
Qeveria ka pak shanse me instrumentet në dispozicion për të parandaluar rritjen e kostos së jetesës që po gërryen fuqinë blerëse të familjeve.
Politika fiskale, si një rrugëdalje e mundshme është keqpërdorur në gjithë këto vite dhe ka humbur efektivitetin e saj, njësoj si përdorimi i tepruar i antibiotikëve në trupin e njeriut.
E vetmja politikë e mundshme pozitive në kushtet e një euroje të dobët është një rritje e mundshme e ofertës monetare direkte, e cila do të lehtësonte faturat e detyrimeve të qeverisë, por edhe do të rriste kërkesën konsumatore. Një hedhje e Lekut në qarkullim do të shërbente si një instrument në duart e familjeve dhe invididëve të varfër të paguanin koston e rritur të jetesës, por edhe ndërhyrjen në tregun e këmbimit për shkak të kursit të ulët të këmbimit të Lekut me Euron. Blerja e Euros nga vetë individët do të shërbente si një rol lehtësues krahas Bankës së Shqipërisë për të balancuar tregun monetar të brendshëm, që mund të çojë në zbehjen e frikës së ngadalësimit ekonomik.
Një euro e dobësuar mund të ngadalësojë eksportet shqiptare drejt eurozonës. Por, në përshtatje me mënyrën se si financat publike kërkojnë të jenë përfituese duhet që të arrihet një aktivizim për të optimizuar pagesën e borxhit publik në Euro, për të ndihmuar kosto që mund të ishin më të larta nëse Euro nuk do të ishte zhvlerësuar.
Të paktën, nga gjithë kjo duhet të kuptohet se veprimet në kohë reale janë ato që kanë shanse për të ndihmuar politikat financiare dhe monetare duke e kthyer trilemën e tregut shqiptar në dilemë.
[1] https://www.aljazeera.com/news/2022/7/13/what-prompted-euros-parity-with-us-dollar-and-whats-its-impact
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.