Në çfarë lloj Shqipërie po jetojmë?

mikroman

Në çfarë lloj Shqipërie po jetojmë?

Për më shumë se disa vite, liderët e politikës i përdorin deklaratat publike si dizinformacion. Ata e kanë rikthyer traditën e dikurshme të “gazetës”, duke e quajtur gjithçka që del në to si të kundërtën e tyre dhe ky është çrregullimi më i fortë në ambjentin social-politik.

Një dobësi e rëndësishme politike e qasjes së lidershipit, jo vetëm aktual është se asnjëherë nuk kanë shumë për të ofruar për klasën punëtore. Pavarësisht rritjeve, paga e tyre ende mbetet relativisht e ulët. Ata janë të mbytur nga problemet e mbijetesës, nga pasiguria dhe problemet e ndryshme shëndetësore, që ndikojnë në mirëqenien e tyre afatgjatë.

Por ata nuk kanë zë që të shprehen.

Nuk kanë lidera që ti përfaqësojnë.

Ata kanë disa sindikata që mezi munden ti përfaqësojnë.

Edhe pse Shqipëria ka përjetuar pak greva e protesta në krahasim me të tjerët, situata aktuale mund të krijojë lehtësisht klimë midis punëtorëve që mbajnë sektorë ekonomikë me ndikim, siç janë p.sh. punëtorët e naftës.

Ndërsa sistemi është bërë tepër i centralizuar për të trajtuar dhe për t’ju përgjigjur krizave. Lidershipi aktual vazhdimisht po forcon kontrollin e tij mbi informacionin që përcjell gabimet dhe keqdrejtimin. Por, fatkeqësitë natyrore dhe dëmet nga politika e zbatuar gabim mund të bëhen tepër të sikletshme.

Në të vërtetë, në çfarë lloj Shqipërie po jetojmë?

Së pari, lidershipi politik ka shprehur vullnetin për një demokratizim të vërtetë të sistemit zgjedhor. Rregullat e reja zgjedhore jo vetëm që forcojnë rolin e partive politike në formimin e sistemit demokratik të pushtetit, por gjithashtu do të inkurajojnë një konkurrencë më të madhe midis partive të ndryshme. Megjithatë, liderët e partive kryesore kanë eleminuar sistematikisht konkurrencën elektorale demokratike.

Së dyti, decentralizimi i pushtetit tani është në një pikë më të lartë se në çdo kohë tjetër në historinë e vendit. Është fakt, se Shqipëria është shumë më e decentralizuar tani se më parë.

Së treti, zgjerimi i shpejtë i hapësirës sonë informative dhe mediatike kombëtare gjithashtu ka një efekt të dobishëm në zhvillimin e institucioneve dhe procedurave demokratike. Por problemi kryesor qëndron që sa më shumë media janë hapur, aq më e kufizuar është liria e të gjitha mediave kryesore. Pasi mediat kryesore janë mbyllur ndaj të vërtetës, kur duhet të ishin hapur më shumë në lidhje me pasqyrimin e realitetit sipas misionit publik që e kanë detyrë, ato tashmë me raste të shtuara po manipulojnë popullsinë duke mbajtur një traditë të vjetër të të bërit media me lajme dhe kundërlajme, që të gjithë menduam se ishte flakur tej.

Së katërti, është e pamundur të imagjinohet procesi politik demokratik pa pjesëmarrjen e organizatave joqeveritare, pra pa marrë parasysh pikëpamjet dhe mendimet e tyre. Ky shkëmbim mendimesh, ky dialog me OJF-të, po zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme sot. Megjithatë, është realitet i hidhur që nga mungesa e mbështetjes dhe ndërprerja e burimeve për OJF që nuk kanë lidhje me klanet e pushteteve janë të bllokuara, pavarësisht se këto organizata të pavarura duhet të ishin pararoja e oponencës ndaj arbitraritetit të pushteteve.

Së pesti, korrupsioni është bërë përsëri i përhapur dhe është e vështirë të shpëtosh përshtypjen se mekanizmat e vënë në lëvizje për ta luftuar do të shërbejnë si një forcë lëvizëse. Në gjithë këto dy dekada të fundit, korrupsioni ka qenë argumenti kryesor popullor kundër çdo qeverie në detyrë. Edhe nëse korrupsioni arrin të racionalizohet në vitet e para të qeverisjeve, ai kthehet në një pengesë e madhe në vitin e fundit të mbarimit të mandatit qeverisës. Nga ky rregull nuk ka përjashtim për asnjë.

Së gjashti, politika e sotme ekonomike nga ajo që kuptohet është e orientuar drejt kapitalizmit bazuar mbi fonde publike përzier me disa investime në bashkë financim dhe bashkë shfrytëzim me bizneset më të mëdha për të zhvilluar një ekonomi kryesisht në funksion të burimeve natyrore. Pasuria e vendit tonë me burime natyrore ka lehtësuar shumë përpjekjet e lidershipit në dekada për të qenë autoritarë. Në këto rrethana, asnjë qeveri nuk ka patur nevojë të rëndojë me taksa të larta popullatën. Por ka përdorur politikën e kërbaçit duke frikësuar me raste oligarkët dhe në shumicën e kohëve kjo ka zgjidhur problemet e momentit. Kjo është një arsye pse lejohet një përqendrim i tillë i pasurisë.

Problemi nuk qëndron thjesht pse mbahen dhe fuqizohet ky lloj tipi oligarkie, që ne fakt nuk është në thelb i njëjtë me përkufizimin. Problemi më i madh është se ata bllokojnë hyrjen e portës nga ku duhet të hyjnë investimet.

Së shtati, forca e lidershipit politik aktual qëndron në aftësinë e tij për të manipuluar elitën, median dhe shoqërinë civile. Por, nëse kjo propagandë devijon shumë nga realiteti për një kohë të gjatë, përfundimisht do të humbasë besueshmërinë. Në fakt krisjet e para tashmë vihen re.

Mirëpo në analizën tonë duhet konsideruar edhe pjesa pozitive e lidershipit politik. Një nga pikat e tij të jashtëzakonshme politike është të pasqyrojë në vetvete gjithçka që njerëzit duan të shohin. Arritja e tij kryesore politike është se ai i ka bërë mjaft njerëz të ndihen keq, nëse ai ndonjë ditë nuk do të jetë më që ti drejtojë.

Ky moment pozitiv nuk erdhi direkt pas lidershipit të viteve ’90. Radha e parë e tij gërmoi të gjitha tragjeditë në historinë dhe shoqërinë tonë dhe i volli ato përpara syve tanë. Lidershipi që e pasoi u perceptua si i dehur, i korruptuar dhe thjesht i sikletshëm për tu kuptuar dhe për të punuar për një Shqipëri ndryshe. Lidershipi filloi te strukturohej dhe sofistikohej. Tani është me i kontrolluar me publikun dhe po kështu është edhe ambienti i tij mediatik. Vendi është kthyer në një vitrinë, ku nxirret vetëm forca dhe dinamizmi. Në këtë skemë, politika e jashtme nuk është shumë e rëndësishme.

Megjithatë, ngjashmëria midis tyre është më e dukshme në kohët që kanë ardhur dhe ndoshta ato që po vijnë edhe pse tashmë janë në moshën e pjekurisë politike dhe nuk u falen të njëjtat gabime.

Është si një sekret që ja pasojnë njëri-tjetrit. Pasi marrin pushtetin ata bëhen zemra e tij duke mbledhur dhe bashkuar dukshëm apo fshehtas një model drejtimi, që po e quajmë mikroman.

Ky model qeverisje merret me gjërat e vogla duke harruar të mëdhatë.

Ai gjithnjë e më shumë dëshiron të vendosë vetëm me grupin e ngushtë për gjërat që arrin të mbulojë ndikimi i tij. Pasi fiton njohuri, ai përpiqet ti bëjë realitet, pavarësisht programeve, kostove dhe kërkesave të njerëzve dhe politikave të ndryshme. Mikromani ka tendencë që ta quajë qeverisjen si vepër që duhet të ketë kudo vetëm firmën e tij.

Le të marrim reformat ekonomike.

Është fakt, se ato nuk u menaxhuan nga reformatorët dhe nga institucionet që e kanë këtë detyrë, por u drejtuan nga ky model qeverisje dhe oligarkët (grupe që zotërojnë ekonominë) së bashku. Lidershipi politik në këtë mënyrë i trajton oligarkët si njësi vetë-shërbimi. Disa nga biznesmenët më të mëdhenj janë përfolur se kanë bërë pagesa në shkallë të gjerë prej dhjetëra miliona dollarësh bizneseve që regjistrohen dhe lulëzojnë vetëm në vitet e qeverisjes që i mban pranë. Më pas asnjë nuk e di si “avullojnë” këto financime, që duhet te justifikoheshin me investime dhe detyrime për tu rikthyer.

Është fakt se përpjekja për të kënaqur të gjitha llojet e kërkesave për të konsoliduar pushtetin tashmë është si një moto që udhëheq modelin politik.

Kjo qasje e zgjuar me dy kahe, ku njëkohësisht shërben si një stabilizuese e pakënaqësive për pushtet dhe para, por nga kahu tjetër edhe si kujdestare e kolonave tradicionale të shtetit. Ndërkohë përpiqet të krijojë frymën për publikun votues se kjo “politikë” nuk është gjë tjetër vetëm se qasje për reformim. Me këtë taktikë në mendje i drejtohet të gjitha shtresave në shoqëri duke tregtuar gjithë këtë si një super politikë për reformim të ekonomisë, jetës dhe traditave.

Megjithatë dhe vjen një ditë!

Pasi është arritur edhe maja më e lartë e qeverisjes, madje aty ku mund të mos ketë shkelur lidership më përpara, atëherë reformat e filluara fillojnë të bëjnë efektin e kundërt të asaj çfarë është planifikuar.

Në situatën në të cilën ndodhet vendi, duke patur edhe një frikësim prej faktit, se stinët e “thata” fiskale nuk mund ti financojnë dot të gjitha reformat, me gjasa gjithë këto ngjarje mund të përdoren për përqendrim e mëtejshëm të pushtetit rreth lidershipit politik dhe ekonomik.

Por deri sa shumë mund të përkeqësohet prognoza ekonomike?

Mund të ndalen telashet e buxhetit që u mbishtuan tashmë me fatkeqësitë që kanë ndodhur në këto 9 muajt e fundit?

Mund të frenohet ecuria e dobët e rritjes së prodhimit të brendshëm dhe përfundimisht a do të ndikohet eksporti edhe më keq se deri më sot, në rastin kur çmimet e naftës janë mjaft të ulëta?

Nuk do të ishte keq nëse të gjitha reformat që nuk kanë avancuar më tej të filloheshin që të viheshin në drejtimin nga ku duhet të japin rezultate, pasi ajo që lihet në mes ka më shumë kosto me kalimin e kohës për tu rifilluar.

Ky moment mundet të ndihmojë qeverisjen e vendit duke u marrë me problemet që janë mbartur e shtuar edhe më tej për ti dhënë zgjidhje parimore, që të mos bëhen gabimet që ti kthehen një reforme disa herë deri sa në fund e lënë në mes.

Kjo është një kohë cinizmi.

Asnjë ideologji apo vlerë nuk është më e dukshme apo mbizotëruese se tjetra.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: