Meritokracia dhe pabarazia

meritokraci

Meritokracia dhe pabarazia

Në kontekstin e përditshëm ekonomik dhe atë të ambientit shoqëror, ajo perceptohet në pamje të parë si një garë apo konkurim, ku vlerat personale të secilit pjestar të shoqërisë nuk mund të relativizohen mes njëri-tjetrit. Nëse në shoqërinë e kaluar kjo vlerë ishte e nënvlerësuar, në ambjentin e sotëm politik besimi te kjo vlerë e sistemit nuk është ende e fortë.

Meritokracia shqiptare e gjen të pasqyruar vetveten në fjalorin politik shqiptar më së miri dhe madje ndihet e përfshirë edhe në disa segmente të sektorit publik dhe privat. Megjithatë, ajo ende është një model i papërhapur dhe nuk është bërë një rutinë që të ketë fituar mbi modelin anakronik të të kundërtës së saj. Në jetën e përditshme, vlerësimi prej meritokracisë perceptohet ende se vjen nga rastësia. Madje, për shumë njerëz ajo konsiderohet si e zbatuar pa transaparencë dhe pa u bazuar te sistemi i shanseve të barabarta. Efekti nga kjo përvojë që shpërfill konkurrimin e ndershëm krijon edhe më pak nxitje për përpjekje nga individët e aftë (konkuruesit), qëkurse historia dhe realiteti që i rrethon u mundëson pak shanse për të fituar garën e meritokracisë.

Cënimi i integritetit të konkurimit në këtë garë të shenjtë të sistemit politik aktual, që pasohet nga vlerësimet jorealiste për vlerat e konkurruesve prish kontratën midis një pakice dhe një shumice.

Pakica është ajo pjesë e sistemit që është e ngarkuara me misionin historik për të mirëmbajtur dhe përsosur konkurrimin meritokratik. Këtu bëjnë pjesë kupola egzekutive e sektorit privat dhe publik. Ndërsa, shumica janë gjithë konkurruesit që garojnë për tu promovuar, që janë realisht ata që mbajnë konkurrimin gjallë. Pa këta të fundit konkurrimi do të ishte i pamundur.

Por, çfarë ndikimi ka në ekonomi funksionimi me probleme i meritokracisë?

Zbatimi spontan i meritokracisë në vetvete është shkelja e parimit kryesor të barazisë ekonomike të individëve. Nëse gjykojmë vlerën e saj, ajo nënkupton më shumë një çmim për vlerat intelektuale të secilit, sesa një barazi mundësish për ta. Meritokracia në thelb është shpërblimi për një grup njerëzish, që premtojnë produktivitet më të lartë se të tjerët në vendet e tyre të punës. Promovimi i vazhdueshëm i saj mban gjallë sistemin e shpërblimit për individët më të spikatur, që do të thotë të vetë sistemit ekonomik. Nëse kemi një garim të mangët të meritokracisë mund të thuhet pa ngurrim se de facto i është lënë vend pabarazisë dhe një shpërndarjeje të pamerituar të vlerës së shtuar ekonomike për individët.

Në kohën, kur në Shqipëri ende nuk zbatohet një sistem i pastër politik bazuar te parimet demokratike është e vështirë të menaxhohet edhe mekanizmi i meritokracisë duke injektuar politika që akoma më së shumti justifikojnë pabarazinë. Këto politika shfrytëzojnë diferencat mes kampeve të ndryshme politike, për të ndikuar te meritokracia me konkurentë, të cilët regjistrohen si persona të spikatur, por që në mjaft konkurime dalin fitues pa qenë të tillë.

Për sa kohë mundësitë do të ishin të barabarta, po kështu do të ishin edhe shanset për fitues të denjë që vijnë si produkt i meritokracisë. Vlera dhe çmimi do të rregulloheshin direkt nga ky treg, që duhet të ngjajë me tregun që rregullon çmimet e mallrave nga konkurenca. Tregu i meritokracisë është ende i komanduar nga sistemi politik bazuar te vlera dhe dëshira spontane të përziera social-politike.

Nisur nga fakti se tendenca për rritje të pabarazisë ekonomike, (që ndërron kah sipas rotacioneve politike, ku njëra palë që ka fituar nga pabarazia kthehet në viktimë e saj) nuk përkon me mekanizmin e meritokracisë, atëherë mund të thuhet se nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i dukshëm nga ajo çfarë jetojmë sot.

Një nga adresimet për zgjidhje, që ndihmojnë edhe mekanizmin e meritokracisë do të ishte reduktimi i pabarazisë.

Nëse, elita shqiptare (në krijim e sipër) do të ndërtohej duke e vlerësuar edhe meritokracinë, si pjesë të vlerave sociale të sistemit demokratik, atëherë kjo do të sillte një afrim të saj me bazën ekonomike dhe sociale duke u afruar pak nga pak me realitetin e njerëzve të zakonshëm që janë ambjenti ku gatuhet morali i një shoqërie.

Prej tyre spikatin edhe meritokratët.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: