Lufta e financave ndaj evazionit
Evazioni fiskal ka kufizuar kapacitetet e qeverisë për të rritur të ardhurat dhe zbatimin e politikave fiskale në funksion të ekonomisë. Megjithëse, administrata fiskale është duke punuar për të parandaluar evazionin dhe shmangien e biznesit nëpërmjet evidentimit në fazat fillestare, goditjet e dhëna evazionit kanë nevojë për rritje të efektivitetit.
Por, çfarë duhet bërë ndryshe nga sa po operohet për të qenë rezultativë në këtë luftë?
Së pari, nevojitet që të krijohet mundësia për bizneset të deklarojnë vullnetarisht atë çfarë kanë detyrim ligjor (matja e përmirësimit të vullnetarizmit apo pajtueshmërisë me ligjin)
Natyrisht, qe për te arritur deri aty ku synohet nevojitet:
Rritja e cilësisë së shërbimeve për bizneset dhe individët
Forcimi i imazhit në publik i një administrate të pakorruptuar
Transparencë dhe përgjegjshmëri e administratës ndaj biznesit dhe individëve
Sistem apelimi i fortë dhe mbrojtje të drejtash të biznesit deri në shkallët finale të gjyqësorit për të garantuar të drejtën që kanë përballë veprimeve abuzive të administratës
Lehtësimi i procedurave për deklarim, pagesë dhe rimbursim që ka si produkt uljen e kostos së përmbushjes së detyrimit ligjor
Rritje e kapacitetit të administratës në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe doganore
Rritje e forcës së ligjit për mospërmbushësit e detyrimeve ligjore
Së dyti, duhet arritur përmirësimi i faktorëve që ndikojnë për të parandaluar evazionin dhe shmangien (matja e kapaciteteve organizative duke krahasuar degët dhe rajonet me njëra-tjetrën)
Por si mund të arrihet në ndryshimin e situatës?
Fillimisht duhet planifikuar se si te ndryshohet niveli i ulët i edukimit fiskal. Me tej duhet te analizohet faktorët për uljen e kostos së lartë për përmbushjen e detyrimeve ligjore
Ndërkohë, paralel me veprimet me lart duhet punuar me një objektiv te qarte për rritjen e kapaciteteve të mbledhjes së detyrimeve
Dhe se fundmi nevojitet qe te rritet niveli identifikues dhe parandalues të evazionit
Se treti, duhet qe dënimet te trajtohen me barazi ndaj të gjithë kundërvajtësve ndaj ligjit (matja e aftësisë për të detyruar zbatimin e ligjit nga mospërmbushësit vullnetarë)
NË ndihmë janë më shumë burime në shërbim të rritjes së volumit të kontrolleve dhe zbulimeve, si dhe goditjes se veprimtarisë evazioniste, që janë objekt për ndjekje penale. Megjithatë kosto e evazionit mbetet ende e larte, për faktin se çështjet qe janë realisht ne favor te administratës numërohen me gishtat e dorës.
Por, cilat do te ishin disa programe te orientuara drejt segmenteve dhe rrisqeve më të mëdha për mbledhjen e te ardhurave?
Parandalimi i shmangies tatimore nga shoqëritë e mëdha është rreziku ne vlera absolute i objektivit për mbledhjen e te ardhurave.
Disa shoqëri ndërkombëtare shmangin pagimin e tatimit duke zhvendosur shpenzimet dhe fitimin nga dhe prej vendeve të tjera. Në referencë të standardeve ndërkombëtare të tatimit korporativ duket se nuk kanë shërbyer si duhet për administratën tatimore. Ende duket se ajo nuk arrin të shfrytëzojë mundësitë për shkëmbim informacioni dhe të rritë kapacitetet e brendshme duke përdorur praktikat e mira globale për gjurmim te transaksioneve. Rastet e fundit me kompanitë qe kryejnë aktivitet ne shfrytëzimin e burimeve natyrore pasqyron shembullin e qarte se ende kompanitë kane mundësi për të shmangur dhe evaduar prej detyrimit.
Sistemi tatimor aktualisht është duke e kërkuar dhe mbledhur tatimin vetëm nga bizneset formale. Por, një politikë në drejtim të parandalimit të evazionit tatimor nga individët me rrisk të lartë për te ardhurat duhet të jetë tendenca, që duhet të orientohet politika e administrimit. Kjo politikë ka të bëjë me ndryshimin e bazës së piramidës së mbledhjes së të ardhurave, duke u zhvendosur nga tatimet mbi konsumatorin te tatimet mbi individin.
Rritja dhe zgjerimi i kapaciteteve të hetimit tatimor duke kaluar tashme për vitin 2017 nen varësinë direkte te Ministrit te Financave, por edhe një bashkëveprim më i mirë me inteligjencën e doganave dhe te pastrimit të parasë synojnë të identifikojnë dhe te mobilizojnë administratën në front kundra evazionistëve më të mëdhenj dhe individëve më të fuqishëm dhe me rrisk.
Për realizimin e objektivave nevojitet që Ministria e Financave duhet të fokusohet në rritjen e aftësisë dhe kapaciteteve për identifikimin dhe goditjen e evazionit dhe korrupsionit.
Ky objektiv kërkon të përdoren të dhëna, ekspertizën dhe teknologjinë, me qëllimin për te arritur:
Standarde të reja performance
Sistem të ri forcimit të kapaciteteve
Rritjen e standarteve të bashkëpunimit midis institucioneve
Një përsosje të modelimit të riskut tatimor
Një rëndësi qe merr kuptim ne këtë lufte frontale është zbatimi transparent i skemave dhe praktikave të mira kundër shmangies dhe evazionit.
Veprime konkrete për te mundësuar zbatimin e këtyre skemave do te ishin:
Draftimi i amendimeve ligjore dhe rregullave që minimizojnë qëllimin për të kryer evazion.
Cilësia e shërbimit dhe specializimi sipas segmentit te tatimpaguesit, do te përbënte një mase te re për të arritur mirëkuptim me bazën e tatimpaguesve si dhe këshilltarët e biznesit (Dhomat e tregtisë, shoqatat, zyrat fiskale), të cilët janë faktorë me peshë, që ndikojnë direkt në parandalimin e shmangies dhe evazionit.
Forcimi dhe konsistenca e dialogut për ndryshimin dhe rishkrimin e ligjeve fiskale duhet te mbështetet te rritja e transparencës midis palëve, duke e bërë më të vështirë për skemat abuzive të shtrihen dhe fitojnë terren në të ardhmen.
Lufta ndaj evazionit dhe krimit financiar duhet kuptuar si një aktivitet i përbashkët dhe jo si veprime të shkëputura (izoluara) të institucioneve. Shkëmbimi i përvojës, njohurive, bashkëpunimet dhe veprimet e koordinuara të gjithë institucioneve të specializuara në luftën ndaj evazionit tatimor dhe krimit financiar sjellin suksesin e pritshëm.
Nga përvoja e zbatuar dhe efektet që nevojiten për institucionet qe kane detyre prioritare të luftojnë evazionin dhe informalitetin do të jetë me vlerë:
- Rishikimi i modelit të shkëmbimit të informacionit në institucionet, ku më të veçantat janë midis DPPPP me DPT dhe DPD (obligim për shkëmbim dhe raportim të aktiviteteve të dyshimta), por edhe midis DPPPP me policinë dhe prokurorinë.
- Rishikimi i modelit të bashkëpunimit duke kërkuar përshtatje me strategjinë e luftës ndaj informalitetit, si dhe duke futur forma inovative të bazuara në nevojat e veçanta, kuadrin e ri ligjor dhe eksperiencën.
- Përshtatja e praktikave të suksesshme duke synuar përfshirjen e tyre sipas kuadrit ligjor dhe eksperiencës dhe kapaciteteve zbatuese. Aty ku nuk ka mundësi përshtatje shikohet praktika tjetër apo ndërthurje e disa formave dhe modeleve.
- Vlerësimi i aftësisë së administratës për tu përfshirë në hetim, kur janë të drejtuara nga institucionet e tjera. NË këtë drejtim duhen hequr barrierat që kufizojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertëve dhe përvojës së tyre duke i bërë më elastike strukturat organizative.
Nëse kapërcehen pengesat (a) operacionale (procedurat e gjata të shkëmbimit të informacionit, ndërgjegjësim i ulët, kapacitete të paplota) dhe (b) politike (korruptim vullneti politik, mos zbatim i rregullave të bashkëpunimit) do te arrihet edhe efekti i dëshiruar në luftën ndaj evazionit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.