Llogaritje paraprake të efekteve buxhetore nga miratimi i Paketës së Rezistencës Sociale
Në prezantimin e Paketës së Rezistencës Sociale, e cila pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe më tej të kërkojë edhe ndryshime të nevojshme ligjore të buxhetit dhe akteve të qeverisë shikohet se 7 masat kanë disa efekte dhe ndikime në disa drejtime.
Deklarata e publikuar në rrjetet sociale ende nuk sqaron se nga dhe si do të alokohen burimet buxhetore, si dhe sa humbet apo përfiton buxheti nga gjithë masat që do të zbatohen.
Por, nga llogaritjet e kryera, të cilat në total janë masa me ndikim në konsum, te punëmarrësit, te buxheti i shtetit, si dhe te bizneset private dhe kompania publike e shpërndarjes së energjisë elektrike kuptohet se nuk do të ndikojnë të gjitha njësoj në shpërndarjen e tyre. Nga ajo që kuptohet nuk do të rriten më tej shpenzimet buxhetore, por do të pakësohen me gjasa nga zërat e shpenzimeve “Operative dhe Mirëmbajtje”, të cilat në vitin 2022 janë planifikuar në shumën gjithsej 63.2 miliard lekë (520 milion Euro).
Nga ana tjetër edhe të ardhurat nga taksa e inflacionit do të zbutin këtë lëvizje të qeverisë. Ndërkohë edhe fondi i kontigjencës mundet të përdoret në rast se do të konsiderohet emergjencë shtetërore, ky moment i tejskajshëm inflacionist.
Më poshtë është përmbledhur paketa e masave të prezantuar nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, ku përveç shumave të deklaruara ne kemi llogaritur edhe disa efekte që mund të rezultojnë nga zbatimi i masave.
Fonde që shkojnë në konsum
– 3.6 miliardë lekë/vit – por realisht vetëm me 1 miliard lekë më shumë, se indeksimi i planifikuar buxhetor i pensioneve për 673,542 pensionistë
– 5.2 miliardë lekë/3 muaj – për 576 mijë përfitues për 3 muaj, që do të kompensohen me 3.000 lekë në dorë për rritjen e çmimeve të shportës së mallrave, por realisht vetëm me 3.2 miliard lekë më shumë se planifikimi buxhetor 2022
Nga hyrja në fuqi e Vendimit të KM për pagën minimale 32 mijë lekë, nga Prill 2022 do të përfitojnë rritje të ardhurash prej 2.000 lekë/muaj afër 220 mijë punëmarrës, i planifikuar në buxhetin 2022 (+ 0.4 miliard lekë/vit në konsum)*
* llogaritjet nga ALTAX
Fonde që hyjnë/dalin në buxhet
Hyrja në fuqi e Vendimit të KM për pagën minimale 32 mijë lekë nga Prill 2022 (+0.4 miliard lekë/vit hyjnë në buxhet si sigurime)*
Nga hyrja në fuqi e Vendimit të KM për pagën minimale 32 mijë lekë, nga Prill 2022 (deri në 70 milion lekë/vit mund të jetë efekt negativ te zëri i të ardhurave buxhetore nga tatim fitimi)*
Zerimi i taksës mbi pagat deri në 40 mijë lekë, përgjysmimi i taksës mbi pagat deri në 50 mijë lekë, si edhe ulja e taksë mbi pagat nga 150 mijë – 200 mijë lekë i planifikuar në buxhetin 2022 (- 1.4 mld. Lekë/vit)*
* llogaritjet nga ALTAX
Fonde që shkojnë në shoqëri publike/ biznes privat
– 28 miliardë lekë financim OSSH sh.a. (planifikuar në buxhetin 2022 shuma prej 8 miliard lekë)
– 1.4 miliardë lekë fond mbështetje për fermerët me naftë pa taksa, por realisht me një shtesë plus prej 0.5 miliardë lekë (planifikuar 0.95 miliard lekë në buxhetin 2022)
– 0.5 miliardë lekë për të paguar diferencën e çmimit të biletës transporti udhëtarëve TR
Në llogaritjen e efekteve duke përfshirë edhe shumat e alokimit të prezantuara në deklaratën publike të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë shihet se kanë një efekt që do të ndikojë në zhvendosjen e zërave të shpenzimeve me të paktën 28.3 miliard lekë (230 milion Euro).
Zëri më i madh i shpenzimeve është fondi që do të shkojë për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike me 28 miliard lekë (230 milion Euro), i cili do të shkojë si subvencion për ruajtjen e çmimit të energjisë nën kosto për familjarët, por natyrshëm që përdoret edhe si politikë pa llogaridhënie, lidhur me efektivitetin dhe përgjegjshmërinë politike për politikën sektoriale. Kjo politikë e qeverisë mundet që të rëndojë buxhetin ndoshta edhe me këtë shpenzim shtesë nga ajo që është miratuar te ligji i buxhetit 2022, por kjo mbetet për tu monitoruar në momentin që do të bëhet faktike si veprim buxheti.
Efekti nga ndryshimi i buxhetit 2022 për masat anti inflacion
Efekti te shpenzimet e buxhetit……………..28.3 mld. Lekë*
Efekti negativ te të ardhurat e buxhetit……0.07 mld. Lekë*
Efekti pozitiv te të ardhurat e buxhetit…….0.9 mld. Lekë
* llogaritjet nga ALTAX
Nëse shikojmë efektin që ndikon shpenzimet e buxhetit duket se nuk do të ketë rritje shpenzimi në buxhet, por do të ketë një hyrje në fondin e sigurimeve me 0.9 miliard lekë deri në fund të 2022, nga rritja e pagës minimale, si dhe llogaritet se do të ketë një ndikim te tatim fitimi deri në 70 milionë lekë, si pasojë e rritjes së shpenzimeve nga pagat për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm.
Nëse marrim si shembull një biznes me xhiro 10 milion lekë në vit dhe 10 punonjës me pagë minimale, atëherë ai do të ketë një rritje shpenzimesh mujore prej 2.4% vetëm nga kjo politikë ekonomike e sociale, pa përfshirë ndikimet nga rritja e çmimeve për produktet, lëndët e para dhe shërbimet që do të blejë.
Nga këto lëvizje masash do të shkojnë direkt në konsum 4.6 miliard lekë (38 milion Euro). Kjo shumë do të jetë nga (a) indeksimi i menjëhershëm i pensioneve, (b) kompensimet për shtresat në nevojë, (c) përfitimi me 2.000 lekë më shumë në muaj për punonjësit me pagë minimale, si dhe (d) nga zerimi i tatimit mbi të ardhurat personale.
Efektet neto në konsum dhe te biznesi nga ndryshimet
Ndikim te konsumi………………………4.6 mld. Lekë*
Subvencione te biznesi privat……….1 mld. Lekë
Subvencione te kompani publike…..20 mld. Lekë
* llogaritjet nga ALTAX
Shuma prej 4.6 miliard lekë do të ketë një efekt mujor (a) për pensionistët në shumën 0.3 miliard lekë nga Prilli 2022, si dhe (b) për shtresat në nevojë 1 miliard lekë për 3 muaj radhazi.
Në lidhje me shumën 1.4 miliard lekë që do të shkojnë direkt te punëmarrësit, që u zerohet tatimi për pagat nën 40 mijë lekë, përgjysmimi mbi pagat 50 mijë lekë si dhe ulja e tatimit për pagën 150 – 200 mijë lekë duhet përmendur se është përfshirë edhe si efekt negativ në buxhet. Edhe pse kjo shumë është llogaritur që të ndodhte si efekt negativ në buxhet në mesin e vitit 2022, ndikimi mund të konsiderohet se do të impaktojë 2 muaj më herët buxhetin e shtetit në pjesën e të ardhurave, por pa ndryshuar treguesit fiskalë të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në Dhjetor 2021[1].
Ndërkohë, një shumë 1 miliard lekë shkon si subvencion shtesë për biznesin privat në sektorin e bujqësisë dhe në sektorin e transportit publik të pasagjerëve.
Të gjitha efektet e paketës me 7 masa kanë një peshë sa 4.4% e shpenzimeve buxhetore vjetore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë për tu shpenzuar nga qeveria. Në këtë vështrim të efekteve të paketës së masave anti inflacion vlen të përmendim se shpenzimet korrente të buxhetit (pagat, sigurimet, mirëmbajtje, interesat e borxhit, mbrojtja sociale, transfertat vendore) janë 507.3 miliard lekë (4.1 miliard Euro). Shpenzimet për investimet kapitale (përfshihen edhe pagesat për investimet me PPP) janë 119.4 miliard lekë (980 milion Euro). Fondi rezervë është parashikuar në shumën 2.9 miliard lekë (24 milion Euro).
Por, mbetet ende e panjohur nëse zbatimi i këtyre masave do të rritë shpenzimet e buxhetit me fonde shtesë, apo do të aplikohen zhvendosje të fondeve nga zërat aktualë të shpenzimeve në zërat e rinj. Gjithsesi me gjasa një shpenzim ekstra do të ndryshonte balancën buxhetore të miratuar duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të deficitit buxhetor dhe borxhit publik me të paktën 1 pikë përqind.
Në përllogaritjen fiskale të deklaratës së Kryeministrit[2], se “…për pjesën e administratës publike dhe qeverisë, vetëm 50% e çmimit të karburantit do të paguhet nga buxheti, ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga xhepi (Shënim: nga të ardhurat personale), përtej efekteve negative në të ardhurat personale të dhjetëra mijëra punonjësve publikë, si dhe rënies së konsumit nga pakësimi i të ardhurave personale që do të shkojnë në pagesën e karburantit, kjo pritet të ndikojë negativisht në përmbushjen e plotë të detyrave publike.
Ndërkohë nuk është e qartë mënyra e operimit të tyre në kushtet e ekonomisë formale dhe rregullave buxhetore të sistemit të thesarit të sektorit publik.
Megjithatë, për të vlerësuar se sa ndikim pozitiv ka tek buxheti i shtetit kjo nismë publike e Kryeministrit, duket se nga një llogaritje nisur nga të dhënat e tenderit të zhvilluar në 2019 nga Ministria e Brendshme për blerje (furnizim) me karburant të gjithë qeverisë për vitet 2020 – 2022, rezulton se do të përgjysmohet një sasi mesatare vjetore furnizimi deri në 5.000 – 5.100 tonë në vit, për një vlerë vjetore prej 880 milion lekë në vit (7.2 milion Euro) [3]sipas çmimit mesatar të karburantit të tenderuar të vitit 2019 (177.1 lekë/litër).
Në llogaritjen e efekteve nga deklarata publike e Kryeministrit kostoja që do të lehtësojë buxhetin e shtetit për shpenzime operative do të jetë deri në 440 milionë lekë në vit (3.5 milionë Euro/vit) dhe një mundësi kursimi karburantesh deri në gjysmën e sasisë.
[1]https://www.parlament.al/LibrariaAkteve/LibrariaAkteDetails/7560
[2] https://abcnews.al/duke-filluar-nga-une-rama-shteti-do-paguaje-vetem-50-te-naftes-per-ministrat-dhe-administraten-pjesen-tjeter-nga-xhepi/
[3] Kursi mesatar i këmbimit në 2019 ishte 1 Euro = 123 Lekë
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.