Kontributi për mbrojtjen dhe sigurinë kërkon ndryshimin e mendësisë për të punuar sot për nesër

Kontributi për mbrojtjen dhe sigurinë kërkon ndryshimin e mendësisë për të punuar sot për nesër

Niveli i duhur i shpenzimeve të mbrojtjes varet nga mjedisi i sigurisë dhe rrethanat ndërkombëtare për të penguar kërcënimet dhe për të ruajtur paqen. Mes rrezikut të një konflikti të zgjatur në Ukrainë dhe më gjerë nuk është e papritur të vërehen nivele të larta të shpenzimeve ushtarake edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, që nuk janë në vijën e parë rrezikut të një lufte potenciale.

Rrisku i konflikteve ndëretnike dhe ndërkufitare mes shteteve ballkanike është gjithsesi rreziku më i madh mes tyre, në rastin kur ato janë bërë apo do të bëhen anëtare të NATO-s[1]

Gjithsesi, pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 është bërë një faktor direkt ndikues, duke çuar në rritjen më të madhe të shpenzimeve ushtarake pas 3 dekadash.

Shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2023 dhe 2024 ndryshonin nga vendi në vend, por shumica e anëtarëve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), tashmë i kanë rritur shpenzimet ushtarake deri në objektivin minimal prej 2 përqind të PBB-së.

Sipas Balkan Defense Monitor 2024, Serbia është vendi kryesor në Ballkanin Perëndimor për sa i përket shpenzimeve të mbrojtjes, të cilat në 5 vitet e fundit arritën në 2% të PBB-së. Ndërkohë, deri në vitin 2023 shpenzimet e mbrojtjes janë në vend të dytë në Maqedoninë e Veriut me 1.7% të PBB-së, e ndjekur nga Shqipëria me 1.6% në vitin 2023, që të dyja janë anëtarë të NATO-s.

Nga të dhënat e institucioneve financiare të vendeve të ballkanit perëndimor, duket se buxheti i mbrojtjes në Serbi është sa 2% e PBB apo në vlerën 1.5 miliard euro në vit. Struktura e shpenzimeve të mbrojtjes shkon në nivelin 40% për logjistikë e armatime dhe në nivelin 40% për pagat dhe trajtimet e personelit.

Shqiperia vetëm në 2024 arrin në një buxhet të mbrojtjes sa 2% e PBB, apo në vlerën vjetore për ta shpenzuar deri 500 milion Euro.

Deri në 2023 buxheti i mbrojtjes ishte sa 1.6% e PBB apo deri 350 milion Euro në vit,
Shqipëria i shpenzon fondet e buxhetit të mbrojtjes në masën 48% për logjistikë e armatime dhe në masën 24% për personelin.

Kosova për vitin 2024 ka miratuar buxhetin më abicioz për mbrojtjen krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Niveli i miratuar i shpenzimeve për mbrojtjen është sa 2.1% e PBB apo 153 milion Euro në vit. Nëse e llogaritim bashkë me buxhetin për sigurinë, të dyja bashkë arrijnë sa 5% e PBB-së apo 350 milionë Euro, një shumë e konsiderueshme për buxhetin e Kosovës.

Buxheti i mbrojtjes është i ndarë në 28% për pagat dhe trajtimet për personelin dhe 38% për investime për armatim, logjistikë dhe mbështetje për trupat.

Maqedonia e Veriut ka miratuar një buxhet për mbrojtjen sa 1.7% e PBB apo 270 milion Euro në vit. Maqedonia e Veriut shpenzon nga buxheti i mbrojtjes si shpenzime për personelin nivelin 38%, ndërsa për armët dhe pajisjet shpenzon deri në 26% të buxhetit të mbrojtjes.

Bosnja e Mali i Zi kanë miratuar buxhet për mbrojtjen sa 1% e PBB, ku respektivisht shumat për buxhetin e mbrojtjes janë 300 milion Euro dhe 80 milione Euro në vit
Shpenzimet e Bosnjës dhe Hercegovinës për personelin janë më të mëdhatë me 89% të buxhetit. Pasohet nga Mali i Zi i cili shpenzon 56% për personelin dhe vetëm 24% për armë dhe pajisje.

Shpenzimet shtesë të mbrojtjes në krahasim me periudhën e paraluftës në Ukrainë arrijnë në rreth 0.3 për qind të PBB-së, që është një barrë e shtuar fiskale që duhet të financohet ose nga burime të reja të ardhurash ose nga huamarrje shtesë.

Ndikimi fiskal i normave të larta të interesit dhe nevojave të rritura në drejtim të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare duket se kanë një pengesë të madhe presionet afatgjata që rrjedhin nga menaxhimi dhe ulja e borxhit publik, si dhe nga presioni social në rritje për pagesa më të larta, bashkë me nevojat për shërbim shëndetësor cilësor dhe shpenzimet në rritje nga katastrofat natyrore, në kushtet kur secili vend ballkanik përjeton dhe një popullsi në tkurrje dhe në plakje.

Por duhet të kuptojmë se shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare janë një çështje intensive dhe delikate politike, çka e bën më të vështirë aftësinë e secilit nga publiku dhe shoqëria civile për të vlerësuar cilësinë e investimeve në mbrojtje.

Së pari, industria e mbrojtjes dhe sigurisë ka nevojë për mbështetje politike kombëtare, si një detyrim i rëndësishëm, ku konsensusi midis forcave politike dhe grupimeve politike në Kuvend nuk duhet të prekë objektivat buxhetore dhe ato që mbështeten nga politikat afatgjata të financimit me fonde nga jashtë.

Së dyti, investimi në mbrojtje është një faktor i domosdoshëm për stimulimin e shëndetit afatgjatë të industrisë së mbrojtjes. Nga ana tjetër është e nevojshme që shpenzimet e mbrojtjes të vlerësohen dhe menaxhohen në një kontekst të NATO-s, në mënyrë që të nënvizohet natyra specifike për të inkurajuar me burime shtesë investimet në mbrojtje.

Rritja e buxhetit te mbrojtjes duhet të synohet duke u plotesuar nga boshllëqet ekzistuese të financimit në vend që të alokohen burime të posaçme qe merren nga programe te tjera. Burime mund te jene fonde nga shkurtimi i administrates, nga lufta ndaj pastrimit te parase, nga konfiskimi aseteve te korrupsionit, te krimineleve.

Arsyeja pse duhen përcaktuar qartësisht burimet shtesë është e lidhur me rriskun për vendosjen e niveleve arbitrare të shpenzimeve, thjesht për të përmbushur detyrimin e nivelit 2% të PBB-së, kur në fakt duhet që të përshtaten dhe harmonizohen me nivelin faktik të zbatuar të politikave racionale të mbrojtjes. Nëse nuk ndodh kjo harmoni midis fondeve të buxhetit dhe nevojave të mbrojtjes dhe sigurisë të programuara qartë, atëherë një buxhet i pa analizuar në këtë këndvështrim ndikon negativisht për qëndrueshmërinë strategjike.

Kjo mospërputhje midis realitetit te nevojave te mbrojtjes dhe detyrimit për të shpenzuar ku dhe sa duhet do të konsumonte kohë dhe fonde për programe të zbatuara keq dhe në mospërmbushje të strategjisë së sigurisë kombëtare, ku më së paku dëmtohet edhe vetë imazhi i vendit.

Është i nevojshëm nje vlerësim afatgjatë buxhetor i kostove të ardhme, ku buxheti i mbrojtjes duhet te harmonizohet me buxhetin e sigurisë, duke konsideruar se do të aktivizohet edhe në funksion të garantimit të riaktivizimit të prodhimeve të municioneve, paisjeve luftarake etj.

Madje edhe kjo sipërmarrje që do të jetë e ndërtuar mbi modele partneriteti publik-privat kërkon parashikime të sakta, pasi në çdo planifikim të bizneseve të industrisë ushtarake praktika ka provuar se kostot fillestare nenvlerësohen.

Sipas analizës së publikuar në Shtator 2024 të ekspertit të FMN-së[2] “Presionet fiskale ciklike nuk duhen nënvlerësuar, por sfida e vërtetë e frikshme është siguria kombëtare, ndryshimet klimatike dhe, më e rëndësishmja, ndryshime të pafavorshme demografike me pasoja negative ekonomike dhe fiskale”.

Në kuptim të gjithë panoramës që ndikohet tashmë nga shtimi i shpenzimeve ushtarake duhet kuptuar se siguria kombëtare dhe mbrojtja nuk shërbehet vetëm me fonde direkte, por edhe duke siguruar reformat për qëndrueshmëri ekonomike dhe sociale, luftën ndaj plakjes së popullsisë, mbrojtjen nga katastrofat natyrore, por edhe për të përballuar sfidat e hapjes ndaj teknologjisë dhe sulmeve kibernetike.

Të gjitha së bashku janë detyra më sfiduese për qeveritë, por edhe për vetë popullsinë që në raste konfliktesh do të vendoset përballë rrisqeve në rritje, në rast se nuk ndryshohet mendësia për të kontribuar sot për nesër me një qasje gjithpërfshirje.

[1] https://www.nato-pa.int/download-file?filename=/sites/default/files/2024-05/050%20DSCFC%2024%20E%20rev1%20-%20WESTERN%20BALKANS%20-%20LANCASTER%20REPORT.pdf

[2] Serhan Cevik WP/24/201, https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2024/English/wpiea2024201-print-pdf.ashx

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: