Kapaciteti Përthithës i Investimeve në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor (2021–2030)
Nga thithja e kapitalit te transformimi i tij në zhvillim të qëndrueshëm
Në vitet e fundit, Shqipëria dhe Kosova kanë tërhequr nivele rekord të investimeve, duke krijuar perceptimin e një momenti të favorshëm për transformimin ekonomik të rajonit. Megjithatë, pyetja themelore që ngre ky studim është më e thellë se sa vetë vlera e investimeve.
Analiza e kryer i jep përgjigje pyetjes se sa të afta janë ekonomitë tona për t’i shndërruar këto flukse kapitali në zhvillim të qëndrueshëm, produktivitet më të lartë dhe mirëqenie afatgjatë?
Studimi “Kapaciteti Përthithës i Investimeve në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor (2021–2030)” analizon periudhën 2021–2025 dhe projekton zhvillimet deri në vitin 2030 përmes tre skenarëve alternativë të zhvillimit. Analiza mbështetet në ndërtimin e Indeksit të Kapacitetit Përthithës të Investimeve (IACI) dhe integron të dhënat më të fundit të ALTAX për periudhën mars–maj 2026.
Të dhënat tregojnë se viti 2025 shënoi një rekord historik për investimet e huaja direkte (FDI) në Shqipëri dhe Kosovë. FDI bruto arriti në 1.635 miliardë euro në Shqipëri dhe 1.030 miliardë euro në Kosovë, duke e çuar vlerën e kombinuar të investimeve në 2.665 miliardë euro. Veçanërisht, Kosova regjistroi një rritje prej 30% të investimeve të huaja, ritmi më i lartë i viteve të fundit.
Megjithatë, rritja e investimeve nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm të rritjes së kapacitetit përthithës.
Studimi vlerëson se aftësia reale e ekonomisë shqiptare për të absorbuar investime arrin në rreth 4.85 miliardë euro në vit, kundrejt 5.42 miliardë eurove të planifikuara. Në Kosovë, kapaciteti real përthithës vlerësohet në 2.84 miliardë euro, krahasuar me 3.24 miliardë euro të planifikuara.
Në total, të dy ekonomitë kanë një kapacitet efektiv absorbues prej 7.69 miliardë eurosh në vit, përballë një potenciali të planifikuar prej 8.66 miliardë eurosh. Kjo do të thotë se Shqipëria realizon rreth 89.5% të kapacitetit të saj të planifikuar, ndërsa Kosova rreth 87.7%, duke dëshmuar se kufizimet nuk lidhen me mungesën e kapitalit, por me aftësinë për ta menaxhuar atë.
Një nga gjetjet më domethënëse të studimit lidhet me fenomenin e ashtuquajtur “boomerang” i kapitalit.
Pavarësisht nivelit rekord të investimeve të huaja, Shqipëria regjistron një FDI neto negative prej 1.332 miliardë eurosh. Kjo do të thotë se fitimet e transferuara jashtë vendit tejkalojnë flukset e reja hyrëse të kapitalit, duke sinjalizuar dobësi në aftësinë e ekonomisë për të mbajtur dhe riinvestuar kapitalin e huaj.
Në të njëjtën kohë, investimet publike përballen me një hendek të konsiderueshëm midis planeve ambicioze dhe kapacitetit real të zbatimit.
Në Shqipëri, Programi i Investimeve Publike 2026–2029 parashikon investime prej 16.6 miliardë eurosh, ndërsa kapaciteti real absorbtiv vlerësohet në vetëm 7.38 miliardë euro. Diferenca prej 9.2 miliardë eurosh evidenton një mospërputhje të thellë midis planifikimit dhe ekzekutimit.
Edhe në Kosovë, kapaciteti përthithës publik mbetet i kufizuar.
Me një aftësi absorbuese prej rreth 0.73 miliardë eurosh në vit dhe norma zbatimi që variojnë nga 54% në 72%, hendeku kumulativ arrin në rreth 1.2 miliardë euro.
Një tjetër sfidë e rëndësishme lidhet me strukturën sektoriale të investimeve.
Në Shqipëri, pasuritë e paluajtshme përbëjnë 34.3% të investimeve të huaja direkte, ndërsa investimet në sektorin prodhues kanë rënë me 38.2%.
Në Kosovë, situata është edhe më e theksuar: rreth 75% e investimeve të huaja përqendrohen në pasuri të paluajtshme, duke rritur ndjeshëm rrezikun e formimit të flluskave spekulative dhe duke kufizuar ndikimin e investimeve në produktivitet.
Këto deformime reflektohen edhe në efektin shumëfishues të kapitalit.
Multiplikatori mesatar i peshuar i investimeve të huaja rezulton 0.94 në Shqipëri dhe 0.75 në Kosovë, tregues që konfirmojnë se kapitali i investuar po gjeneron rezultate ekonomike nën potencialin e tij.
Studimi argumenton se problemi kryesor i Shqipërisë dhe Kosovës nuk lidhet me mungesën e investimeve apo të ambicies zhvillimore. Problemi real qëndron te kufizimet institucionale që pengojnë transformimin e investimeve në rritje ekonomike të matshme.
Nivelet e reformës institucionale, të matura përmes treguesit FRI, vlerësohen në 5–8% në Shqipëri dhe 15–20% në Kosovë. Së bashku me mbiprogramimin e investimeve deri në 2.25 herë mbi kapacitetin real përthithës, këta tregues evidentojnë hendekun e vazhdueshëm midis planifikimit dhe zbatimit.
Sipas skenarit të reformave të përshpejtuara, deri në vitin 2030 kapaciteti maksimal përthithës mund të arrijë në 6.5–7.0 miliardë euro në Shqipëri dhe 4.0–4.5 miliardë euro në Kosovë.
Për ta arritur këtë objektiv, studimi rekomandon një ribalancim strategjik të investimeve drejt sektorëve me produktivitet të lartë, veçanërisht industrisë përpunuese, teknologjisë së informacionit dhe ekonomisë së dijes.
Objektivi është që pesha e këtyre sektorëve të rritet në mbi 30% të totalit të investimeve, nga 13.2% në Shqipëri dhe 4.4% në Kosovë aktualisht.
Analiza tregon se reformat që rrisin kapacitetin përthithës institucional gjenerojnë një normë kthimi prej 28 deri në 42 euro për çdo euro të investuar brenda pesë viteve.
Mesazhi qendror i studimit është qe sfida e rajonit nuk është të tërheqë më shumë investime, por të ndërtojë kapacitetin institucional për t’i kthyer ato në zhvillim të qëndrueshëm.
Në fund të fundit, kufiri real i rritjes ekonomike nuk përcaktohet nga sasia e kapitalit që hyn në ekonomi, por nga aftësia e institucioneve për ta orientuar atë drejt sektorëve që krijojnë vlerë të shtuar, produktivitet dhe mirëqenie afatgjatë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.