Investimet e huaja drejt teknologjisë me mendësi politike të re rritin produktivitetin afatgjatë
Investimet e huaja direkte (IHD) kanë qenë thelbësore për zgjerimin e biznesit dhe flukset ndërkufitare të njohurive, kryesisht gjatë dy dekadave të fundit. Si rregull, IHD-të ndikojnë ndjeshëm në inovacionin teknologjik, duke përmirësuar aftësitë organizative dhe menaxheriale dhe duke stimuluar investimet në vendet ku ato angazhohen për të kryer aktivitetin e tyre. Roli i tyre i rëndësishëm nevojitet si në transferimin e teknologjisë (tërësisht ose pjesërisht), por edhe njohuritë për përdorimin e tyre në funksion të rritjes së produktivitetit dhe me efekt direkt në forcimin e pozitave konkuruese ekonomike me vendet e tjera. Ato gjithashtu arrijnë të stimulojnë përhapjen e teknologjisë në industri të ndryshme, të promovojnë zhvillimin e burimeve njerëzore, të ndihmojnë në realizimin e integrimit të tregtisë ndërkombëtare, pra të krijojnë një mjedis konkurrues dhe kontribues në zhvillimin e sipërmarrjeve shqiptare.
Tashmë, është bërë e përhapur politika për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, si një pjesë thelbësore e strategjive të zhvillimit duke ofruar për arritjen e këtij qëllimi edhe stimuj të veçantë për investitorët e huaj, të tilla si lehtësi tatimore, ulje ose përjashtime të tarifave dhe subvencione për infrastrukturën dhe nxitje fiskale për sektorë të caktuar, të konsideruar strategjikë. Kjo politikë është bërë e ngjashme pothuajse edhe në gjithë vendet e tjera fqinje me Shqipërinë duke ndjekur rrugën e joshjes fiskale dhe thithjes së investimeve nga kushdo që mund të investojë.
Kjo politikë e dyerve të hapura për investitorët, natyrisht që nuk ka rimarrë mbrapsht me të njëjtën sasi e aq më pak cilësi përsa lidhet me investimet.
Në vitet e fundit, IHD-të kanë një rritje të fluksit hyrës të tyre në gjithë vendet e rajonit. Madje Shqipëria për nga vlera e investimeve hyrëse është në vendin e dytë, pas Serbisë. Por, ndërsa investimet e huaja në vendet fqinje synojnë të zgjerojnë apo krijojnë prodhime të reja konkuruese, investimet në Shqipëri nuk orientohen kryesisht te prodhimi shqiptar, por te fluksi i mallrave të tregtisë së jashtme, duke synuar shfrytëzimin e burimeve natyrore. Po kështu ato synojnë dhe hyrjen në tregun vendas si një pozicionim për zgjerim të mundshëm në të ardhmen.
Nëse këto investime të huaja do të ishin edhe më të mëdha, më cilësore, më inovative duke forcuar kështu edhe kapitalin njerëzor në sektorët e tjerë prodhues, natyrisht që shëndeti i ekonomisë shqiptare do të ishte shumë më mirë se sa është aktualisht.
Është një praktikë shumëvjeçare, që politikëbërësit kanë synuar që më së shumti ti hapin rrugën përmes financimeve nga buxheti hyrjes dhe përmirësimit të teknologjisë informative për shërbimet publike[1] dhe në funksion të qeverisjes së hapur[2] dhe uljes së korrupsionit.
Ndërkohë, vëmendja e tyre është e ulët drejt politikave për hyrjen e teknologjisë në sektorin privat nëpërmjet politikave rregullatore dhe stimujve për prodhuesin e zakonshëm dhe jo vetëm ai që me të madhe është quajtur si “investitori strategjik”.
Me modelet e zbatuara deri më sot, qeveritë nuk ja kanë dalë dot të faktorizojnë IHD-të bashkë me ato vendase për të ndikuar në rritjen cilësore dhe të qëndrueshme ekonomike. Madje ata nuk kanë arritur të ndikojnë dhe subvencionojnë efektivisht edhe në ndërmarrjet publike fillimisht, si dhe në politikat lehtësuese për bizneset prodhuese për të stimuluar rritjen ekonomike në terma të qëndrueshëm.
Në një prezantim të fakteve të stokut të IHD-ve vihet re fokusi i cunguar i qeverive shqiptare në thithjen e investimeve të huaja në teknologji dhe sidomos në teknologjinë informatike (TI).Në vend të tyre ka mirëpritur investime në sektorët energjetikë, të blerjes së bankave tregtare dhe të pasurive të paluajtshme, ndërsa TI renditet në vend të parafundit.
Ata duhet të konsideronin në gjithë këto vite një paketë të plotë, me plane veprimi dhe kuadër rregullator me të paktën dy objektiva:
– promovimin e inovacionit vendas ose
– lehtësimin e adoptimit të teknologjive të avancuara të huaja përmes politikave të harmonizuara financiare dhe fiskale.
Rezultatet nga vlerësimet afatgjata të efekteve në ekonomi nga IHD-të thonë se një rritje e IHD-ve nuk ka çuar ende në inovacionin teknologjik që të bënte ndryshimin me ekonominë tranzicionale. Po kështu, shpenzimet për R&D ende nuk luajnë një rol të rëndësishëm në zgjerimin e inovacionit[3].
Duke pasur parasysh kufizimet, për të hartuar politika teknologjike më efektive, është e rëndësishme të kuptohen përfitimet dhe kostot relative të adoptimit kundrejt inovacionit.
Në një analizë të ekspertëve të FMN-së (Choi, Shim Korrik 2024) shtrohet me të drejtë pyetja në formën e dilemës:
A duhet që politikëbërësit t’i japin përparësi adoptimit mbi inovacionit? Nëse po, kur është optimale të ndërrohet fokusi nga adoptimi në inovacion?
Sipas studimit “mund të jetë optimale për vendet në zhvillim që të ndjekin strategji të ndryshme nga ato të vendeve të zhvilluara për të përmirësuar teknologjinë e tyre”.
Duke pasur parasysh transformimin e shpejtë të Koresë nga një vend me të ardhura të ulëta në një vend me të ardhura të larta dhe inovativ, analiza e tyre ofron njohuri të reja për politikëbërësit në vendet në zhvillim kur hartojnë politika afatgjata të rritjes. Kuadri i analizuar mund të shërbejë si bazë për adresimin e çështjeve të tilla si hartimi i një politikë teknologjike nga e cila përfitojnë vendet e origjinës dhe vendet pritëse të investimeve, si dhe modeli i kombinimeve optimale të politikave të tregtisë dhe teknologjisë që duhet të jenë sipas mendimit tonë edhe diskutime premtuese për politikat e ardhme të futjes së teknologjisë, krahas kërkimit shkencor dhe zhvillimit të teknologjisë nga vetë bizneset dhe zhvilluesit vendas.
Në fakt, nëse do të kishim një politikë që është e lidhur në mënyrë konseguente, korrekte dhe me përgjegjshmëri me problemet e rinovimit teknologjik të biznesit dhe forcimit të kapaciteteve njerëzore, bazuar te vizioni i palëkundur drejt mirëqenies dhe rritjes së cilësisë së ekonomisë, koha optimale ka kaluar. Megjithatë edhe pse me shumë vonesë në orientimin e politikave gjithpërfshirëse drejt teknologjisë dhe inovacionit, ende mund të kërkohet të ribëhen pjesa e politikave dhe dialogut me biznesin prodhues, që të bëhet ndërlidhja e një pjese të madhe të investimeve të huaja të jenë të orientuara drejt teknologjisë dhe njohurive (kapitali njerëzor) dhe jo vetëm drejt pasurive të paluajtshme dhe burimeve natyrore.
Por e gjithë kjo pritshmëri është e nevojshme të riorganizohet nga mendësi të reja dhe jo nga mendësia që e ka pozicionuar ekonominë në këtë situatë
Në fakt, nga konstatimi jonë kuptojmë se:
Së pari, IHD-të ende nuk shquhen për transferimin e teknologjisë tek sipërmarrjet vendase përmes përhapjes edhe në industri të tjera. Së dyti, përhapja e teknologjisë është e pakët dhe jo e duhura për të ndikuar nivelin e produktivitetit, i cili ende është efektiv vetëm në terma afatshkurtër. Së treti, niveli dhe norma e efekteve të përhapjeve të investimeve të huaja në sektorët e ekonomisë, përfitimet e përgjithshme të jashtme të lidhura me IHD-të në termat e fitimeve të produktivitetit që duhet të grumbullohen bizneset vendase janë pozitive dhe thelbësore, por mjaft të kufizuara dhe të palidhura për të bërë ndryshimin e ekonomisë në strukturë dhe formën e shfaqjes së saj në tregjet e huaja.
Një rritje në stokun e njohurive do të çonte në një nivel më të lartë të sipërmarrjes drejt shpërndarjes optimale të kohës menaxheriale midis prodhimit aktual të produkteve dhe akumulimit të kapitalit në favor të këtij të fundit, gjë që do të reduktonte nivelin e produktivitetit afatshkurtër, në favor të stimulimit të normës afatgjatë të rritjes së produktivitetit.
Në mënyrë të veçantë, njohuritë mbi teknologjinë, metodat e menaxhimit si dhe produktet dhe proceset e reja që lidhen me IHD-të duhet të shërbejnë si një input në prodhimin e kapitalit specifik të bizneseve, duke rritur produktivitetin e të gjithë faktorëve të tjerë.
Në këtë mënyrë, akumulimi i një kapitali të nevojshëm për ndryshim kërkon investimin te menaxherët fillimisht në aspektin e kohës dhe përpjekjes. Meqenëse investimi (i huaj apo vendas), tenton rritjen e kapacitetit të ardhshëm prodhues të biznesit, kjo është pikërisht ndihma që ndikon pozitivisht në nivelin e produktivitetit afatgjatë.
Ky duhet të jetë rezultati i pritshëm nga ajo çfarë konsiderojmë investime të huaja, por edhe ato vendase.
[1] https://akshi.gov.al/wp-content/uploads/2018/03/strategjia_versioni_i_printuar_shqip.pdf
[2] https://ogp.gov.al/uploads/2020/12/20201230110426_7_al_press_ap_process.pdf
https://akshi.gov.al/wp-content/uploads/2018/03/Strategjia_e_Axhendes_Dixhitale_shqip.pdf
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.