Investimet e Huaja Direkte dhe inovacioni të lidhura me barrën fiskale
Investimet e huaja direkte mesatare në BP në 2019 janë sa 6.2% e PBB-së. Ajo, që ka rëndësi për IHD-të lidhet me trajtimin e tyre, si një nga faktorët që kanë nevojë të integrohen me elementët e brendshëm dhe në kushte specifike të caktuara, ku nga sinergjia e tyre mund të përmirësojnë zhvillimin ekonomik të vendeve ballkanike.
Megjithatë, për të qenë konkurrues në tregun e Ballkanit dhe atë Europian me synimin, që të tërhiqen një sasi e konsiderueshme investimesh është e pashmangshme që të realizohen reformat e nevojshme, ku më kryesoret janë: të reduktohet korrupsioni, të përmirësohet efikasiteti i administratës për të ulur kostot indirekte. Nga ana tjetër, duhet të krijohen strategji efektive për tërheqjen e drejtpërdrejtë dhe të personalizuar të investimeve që kanë gjasa të ndodhin, dmth. të krijojnë një mjedis tërheqës dhe familjar biznesi për investime.
Është e rëndësishme të mbahet një model i qëndrueshëm ekonomik dhe financiar, si dhe një sistem konkurrues taksash, por me përmbajtje dhe duke marrë parasysh plotësimin e objektivave buxhetorë, përpara se të mendohet konkurueshmëria.
Nga struktura e IHD-ve është e qartë se ka akoma mbizotërim të sektorit të shërbimeve dhe shteteve të mëdha europiane dhe aziatike, që janë pjesë e programeve për treg dhe territore të kompanive të mëdha të huaja. Por, IHD-të nuk varen vetëm nga politikat e brendshme, por edhe politikat rajonale në tërësi. Çështje të tilla si ndërlidhja përmes transportit dhe energjisë, mosmarrëveshjet midis vendeve, vendimet arbitrare për detyrime doganore ndikojnë direkt dhe sipas rasteve që ndërlidhen me njëri-tjetrin mund të mos krijojnë nxitje për investitorët e huaj.
IHD-të në rajonin e BP-së mbeten të kufizuara, ku stoku mesatar i IHD-ve për frymë në BP është më pak se gjysma e vlerës së IHD-ve për frymë së Evropës Lindore anëtare e BE-së, si dhe vetëm sa 1/7 e mesatares së IHD-ve për frymë në vendet e tjera të BE-së. Megjithatë rajoni ka akoma potencial për investime në BP, duke tërhequr investime nga vendet e BE-së, si dhe vendet e Azisë Lindore.
Në totalin e IHD-ve shikohet se, vetëm Republika e Serbisë numëron më shumë sesa gjysmën e stokut total të tyre në rajon, ndërsa pjesa tjetër është e ndarë midis pesë vendeve të tjera, që afërsisht korrespondon me të madhësinë e tregut dhe ekonomive të tyre.
Në sektorin e shërbimeve, mbizotëron sektori i shërbimit financiar, si dhe sektori i tregtisë dhe prodhimit, nga të cilat llogariten se përbëjnë rreth 1/5 e stokut të IHD-ve industria kimike, ushqimore dhe pijeve, si dhe produkteve për industrinë e automjeteve. Përpjekjet e rajonit duket se kanë nevojë të përqendrohen në investime që kërkojnë efikasitet. IHD-të në industri me orientim eksportin kanë nevojë për nxitje të konkurueshmërisë dhe efikasitetit, të cilat në fakt varen nga bashkëveprimi i huaj me të brendshëm lidhur me përfitimin e njohurive dhe teknologjisë inovative për tu bërë pjesë e ekonomisë së ardhme për tregun vendor.
Në mbështetje të qëllimit ekonomik, skemat nxitëse tatimore në respekt të R&D në vendet e BP-së duhet të bëhet politikë e ditës për tu përhapur gjerësisht. Edhe pse stimujt tatimorë nuk dallojnë nga stimujt për politikat e zhvillimit ekonomik, ato janë larg nga strategjia për një sistem kërkimor dhe zhvillimi.
Stimujt tatimorë duhet të jenë domosdoshmërisht me zhvillimet specifike të tregut dhe inovacionit të duhur për zhvillimin e tij. Aktualisht, vetëm disa vende të BP-së kanë në zbatim ende stimuj tatimore të lidhura ngushtësisht me R&D specifike. Zakonisht sot stimujt mbështeten mbi një model të kombinuar midis skemës specifike të shpenzimeve kërkimore me skemën e bazuar te volumi i tyre. Nxitja e IHD-ve prej politikës së taksave konkurruese me norma të ulëta është më efektive nëse tërhiqen IHD-të, që synojnë efikasitet të bazuar te kostot e ulëta të prodhimit, që do të thotë barrë fiskale e ulët mbi punën.
Shpenzimet e zbritshme nga të ardhurat e tatueshme janë politika më popullore aktuale për nxitjen e R&D, të ndjekura nga njohja për pjesën më të madhe të tyre, si shpenzime të njohura. Politika stimuluese të tjera, nxitin një normë amortizimi të shpenzimeve për R&D më të lartë se normat e zakonshme.
Shumica dërrmuese e stimujve tatimorë janë të bazuara në tatimin mbi fitimin korporativ, ndërsa disa vende kanë stimuj (shtesë) që zbatohen për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe / ose tatimin e pagave. Tatimi mbi individin do të ishte me bazë më të gjerë, për sa kohë individët do preferonin ti financonin kërkimet e tyre me burimet e veta, ose të ndihmuar me fonde nga organizatat dhe investitorët privatë. Përfitimet tatimore që aplikohen për të ardhurat nga inovacionet (kryesisht patentat) janë duke u rritur si në numër, por edhe në tipet e patentave që regjistrohen. Në dy vitet e fundit, njëmbëdhjetë shtete anëtare të BE-së kanë ofruar ulje të tatimit mbi fitimin korporativ, për të ardhura që rezultojnë nga pronësia intelektuale, si dhe ulje për tatimin mbi të ardhurat personale për rastet e të vetëpunësuarve.
Nëse në lidhje me koston e punës Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i mbajnë në nivele të ulëta në raport me shtetet e tjera të BP-së, çfarë duhet mbajtur parasysh është edhe transparenca dhe administrimi i fortë i politikës fiskale.
Në Tab.13 kur shikojmë investimet e huaja neto si % e PBB-së në vitin 2019, rezulton se kostoja e punës duhet parë e lidhur ngushtë me të ardhurat për frymë apo mirëqenien e punonjësve të vendeve ku investohet dhe kostoja si element i vetëm nuk ka një lidhje reflektive me IHD-të. Nga ky krahasim edhe pse duhet parë i lidhur edhe me barrën fiskale në tërësi mundet të konstatohet se përtej kostos së ulët të fuqisë punëtore dhe barrës fiskale nevojitet që të ketë një ekonomi të ekuilibruar, administratë me kosto të ulët dhe politikë transparente në një treg financiar të zhvilluar dhe të lidhur me tregjet botërore. Zgjerimi i pabarazive të tregtisë së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjithsesi gjatë 2019, ashtu si dhe në 2018 u financuan nga rritja e hyrjeve të kapitalit të huaj, kryesisht nëpërmjet IHD-ve.
Por sipas studimeve dhe raporteve kërkimore të BB, FMN sugjerohet se madhësia e hyrjeve të kapitalit nuk është e lidhur në një marëdhënie të ndërvarur me mungesën e kapitalit. Për më tepër, flukset hyrëse të IHD-ve u orientuan për investime në sektorë si, shërbimet financiare, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi, të cilët nuk gjenrojnë performancë të fortë për eksportin dhe rritjen e konkurueshmërisë së ekonomisë.
Ashtu si duket në grafikun më lart, vendin e parë parë për stok të IHD-ve sipas PBB-së e mban Mali i Zi, e pasuar nga Shqipëria. Por, Serbia mbetet vendi më i rëndësishëm për volumin e IHD-ve në Ballkanin Perëndimor edhe pse mban vendin e tretë për stok IHD neto ndaj PBB-së, me hyrje të përafërt si në vitin 2018. Shqipëria përfitoi volum të madh të investimeve të huaja direkte në rajon, kryesisht në projekte të energjisë dhe shërbimeve financiare, si vijimësi e projekteve të mëdha të filluara disa vite më parë.
Në të kundërt, Bosnjë – Hercegovina ishte dobët, ndoshta për shkak të mjedisit ekonomik gjithnjë e më të segmentuar dhe mungesës së stabilitetit politik në vend. Maqedonia e Veriut dhe Kosova morën më shumë IHD se një vit më parë, pavarësisht nga debatet politike në rritje në këto vende. Furnizuesit e industrisë së automobilave dhe të elektronikës e bëjnë Maqedoninë e Veriut vendin unik në rajon, me pjesën e lartë të IHD-ve në prodhim.
Analiza e IHD-ve të vendeve të BP-së, identifikon marrëdhënie të ndryshme të investimeve të huaja direkte, eksporteve dhe importeve në PBB-të e këtyre vendeve, si dhe përbërjen e ndryshme e PBB-ve të tyre. Sipas analizës, konstatohet se ndikimi i IHD-ve në zhvillimin ekonomik të Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në vitet e fundit nuk kanë qenë faktori kryesor ndikues.
Përkundrazi, në Shqipëri dhe Serbi IHD-të kanë patur impakt në PBB-të e vendeve duke u reflektuar në nivelet e rritjes ekonomike të tyre. Ky qëndrim nuk përjashton rëndësinë specifike investimeve të huaja direkte, por sigurisht që ato nuk janë faktori vendimtar në zhvillimin e këtyre vendeve. Nëse analizohet periudha prej rreth njëzet vitesh, pothuajse të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor mund të vërehen mjaft të dobëta.
Hyrjet e IHD-ve, ndërkohë që shfaqin një trend pozitiv janë ende nën nivelin e tyre për të arritur në objektivin ambicioz të dyfishimit të IHD-ve deri në fund të dekadës aktuale. Përveç kanalit tradicional të privatizimit nëpërmjet bashkimeve dhe blerjeve të bizneseve vendase për hyrjet e IHD-ve, investitorët gjithashtu po kthehen gjithnjë e më shumë drejt investimeve të energjisë së rinovueshme. Ky interes gjenerohet pjesërisht nga stimuj investimesh që ofrohen aktualisht dhe përhapja e zonave të veçanta ekonomike në rajon.
Nëse nisemi nga logjika e vendeve të zhvilluara ekonomike, si dhe atyre që po ecin me ritme të përshpejtuara zhvillimi, mund të theksohet se nëse ekonomia mbështetet mbi një infrastrukturë të zhvilluar, shërbime dhe administratë publike efektive, rritja e produktivitetit për të synuar një treg relativisht më të madh, atëherë konkurenca e normave tatimore dhe barrës fiskale fiton avantazhe vetëm kur garantohen apo egzistojnë këto kushte.
Këto kushte janë më së shumti të arritura në numrin më të madh të vendeve anëtare të OECD, që edhe pse kanë një barrë të lartë fiskale, ata janë shumë më efektivë në tërheqjen e investimeve të huaja. Një barrë e ulët tatimore nuk mund të kompensojë nga ana tjetër një ambjent ekonomik jo tërheqës për investitorët. Nxitjet tatimore mund të përdoren në një mënyrë më të orientuar drejt dhe që të jenë me kosto efektive për shpenzimet që do të kryejnë investitorët, por dhe për të përmbushur nevojat e buxhetit.
Taksat janë vetëm njëri nga elementet që edhe në kushtet e një oferte me norma të ulëta nuk arrin dot të kompensojë infrastrukturën e dobët, aksesin e dobët në treg si dhe kushte të tjera mbi të cilat bazohet në vendimarrjen e tij një investitor, si p.sh. hapësira për të lëvizur lirisht në tregun financiar. Nëse bizneset (sidomos SME) nuk do të kenë kreditim të mjaftueshëm dhe me kosto të ulët, atëherë rritja e tyre do të vijojë të jetë e dobët dhe natyrisht që do të cënohen investimet dhe tregu i punës.
Qeveritë ballkanike u janë përgjigjur këtyre presioneve të konkurencës në mënyra te ndryshme. Shumë nga vendet kanë ulur normat e tatimit mbi fitimin, si rruga më e shkurtër dhe e monitorueshme lehtësisht për të arritur objektivat për investimet.
Në fakt, ajo që duhet të bëjnë është bashkëpunimi tatimor mes tyre. Bashkëveprimi dhe koordinimi i politikave nxitëse fiskale, por edhe ekonomike duhet të konceptohet për tu zbatuar brenda kufijve të Ballkanit Perëndimor, pa ju rikthyer politikës së mosbashkëpunimit. Konkurenca e politikave fiskale nuk funksionon brenda Ballkanit Perëndimor.
Por, nëse shtetet do të ishin pjesë e tregut të madh do të kishin mundësi reale për të konkuruar edhe me politikën e uljes së normave tatimore. Konkurenca mes njeri-tjetrit ndihmon shtete dhe kompani të fuqishme të hyjnë lehtësisht nëpërmjet politikës së përçarjes së shteteve Ballkanike.
Gjithsesi, uljet e normave tatimore kanë tendencën të jenë me kosto të lartë për buxhetin, pasi të ardhurat që i hiqen buxhetit nga politika e uljes së normave të tatimeve në fakt prish konkurencën e ndershme në vend, por kthehet edhe në një barrë të shtuar për segmente dhe grupe të caktuara të tatimpaguesve.
Nga ana tjetër, ulja e normave tatimore kthehet në një kulturë për qytetarët për ti bërë presion qeverive për mbajtjen e një politike të tillë në mënyrë permanente, pa patur efekt në nevojën për zgjerim të bazës dhe shpërndarjen e barrës në mënyrë të barabartë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.