Barra fiskale në Shqipëri, Kosovë dhe ballkanin perëndimor 2020

Zhvillimi i politikave fiskale në funksion të modeleve ekonomike dhe sociale është i varur në korrektësinë e politikës, si reflektim i ambjentit ekonomik dhe social. Në rajonin e Ballkanit, ashtu si në gjithë botën nevojitet që buxhetet e qeverive të mbështeten nga sisteme tatimore që promovojnë rritjen e të ardhurave për frymë nëpërmjet stimulimit të konkurimit ekonomik.

Shihni shportën

Përshkrim

Shpejtësia e rritjes së ekonomisë u var kryesisht në ritmin e ngadaltë të adresimit dhe heqjes së të barrierave që mbajnë zvarrë prej dekadash zhvillimin me potenciale të plota të sektorit privat. Ndërkohë, institucionet që janë të angazhuara në mundësimin e ruajtjes së një ambjenti miqësor ndaj biznesit arritën një nivel rregullimesh të pakta, që nëse vijon një ritëm në rritje i zbatimit të reformave strukturore, ekonomike e sociale gjithpërfshirëse. Një synim i rëndësishëm për tu zbatuar lidhet me përmirësimin e ardhëm të klimës ekonomike dhe sociale për kushte më të mira të përshtatura me standartet e BE-së.

Llogaritja dhe prezantimi i barrës fiskale, si dhe paraqitja e Indeksit të Ditës së Lirisë Fiskale janë në edicionin e tetë të publikimit të tyre për ambjentin ekonomik dhe politik shqiptar dhe më gjerë. Studimi fiskal dhe ekonomik i prezantuar mbi rezultatet e metodologjisë së përdorur nga ekspertët e Qendrës ALTAX për llogaritjen e Ditës së Lirisë Fiskale, 2020 është bërë një referim për studiuese, gazetarë dhe studentë dhe synon të krijojë një qasje të ndryshme në ambientin ekonomik e politik shqiptar.

Publikimi i barrës fiskale tregon efektin, se si politika e mirë/keqe e taksave plotëson një nga qëllimet parësore, rritjen e të ardhurave duke ruajtur barazinë e tatimpaguesve në barrën që ata mbajnë. Nga ana tjetër politika duhet të synojë efektin që bie barazia lidhur me shpërndarjen e barrës që duhet të mbajnë tatimpaguesit sipas aftësisë për të paguar.

Nëpërmjet llogaritjes së barrës fiskale synojmë të analizojmë efektet e sistemit të taksimit në shpërmndarjen e mirëqenies ekonomike në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Studimi është realizuar për të treguar nivelin e barrës fiskale për qarqet/rajonet shqiptare, duke komentuar për mundësitë që duhet të analizojnë politikat fiskale dhe administrimi në rritjen e të ardhurave nëpërmjet krahasimit me qarqe të ngjashme. Paraqitja e saj shihet në funksion të financimit të shpenzimeve për investime lokale dhe qendrore dhe rritjes së mirëqenies së qytatetarëve, pa harruar se politika fiskale nëpërmjet barrës vendos mbi rishpërndarjen e të ardhurave.

Nga ana tjetër, nisur nga fakti ku secili qytetar është kontributor në buxhetin e shtetit nëpërmjet pagimit të një takse në formë direkte apo indirekte, atëherë është me interes që secili të dije se sa është barra fiskale që mban në raport me qytetarët në qarqet e tjera shqiptare, Në Kosovë si dhe në vendet e tjera të Ballkanit.

Renditja e rajoneve/regjioneve brenda Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe vendeve brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, sipas barrës fiskale jep mundësinë biznesit për të shqyrtuar efektshmërinë e politikave dhe nismave të qeverisë për zhvillimin ekonomik, si dhe mundet të ndikojë në momentin e analizës për alokimin e shpenzimeve publike në kuadër të transparencës së financave publike.

Kjo analizë, sipas zonave administrative shërben për të parë se kush grup apo zonë gjeografike është ngarkuar më shumë, dhe nga ana tjetër një analizë më e detajuar orienton politikën për të parë se cila industri apo zonë duhet të ketë një barrë të ndryshme nga ajo që rezulton.

Objekti i krahasimit të të dhënave janë të ardhurat e paguara për llogari të buxhetit të shtetit nga rezidentët dhe jo rezidentët. Tatimet dhe detyrimet doganore, që përfshihen në këtë analizë janë tatimet që administrohen nga administrata tatimore qendrore (përfshirë edhe kontributet e sigurimeve sociale), taksat dhe tarifat që administrohen nga administratat tatimore vendore, si dhe detyrimet doganore sipas rajonit ku janë arkëtuar.
Rezultatet e këtij studimi janë të bazuara mbi të ardhurat e realizuara nga rezidentët sipas rezidencës ku ata janë, pa përjashtuar edhe të ardhurat tatimore nga tatimpaguesit e mëdhenj të vendit dhe të kryeqytetit (të përfshira sipas adresës së rezidencës), të cilët plotësojnë afër 3/4 të gjithë totalit të të ardhurave tatimore për të dy nivelet e administrimit tatimor.

Të dhënat statistikore për qarqet janë objekt i analizave, sipas krahasimit të të dhënave të programeve buxhetore, niveli i realizimit dhe burime të ndryshme.

Struktura e këtij dokumenti përbëhet nga Pesë pjesë.

Pjesa e parë është prezantim i të dhënave statistikore dhe makroekonomike për Ballkanin Perëndimor, si dhe analiza mbi normat tatimore dhe rolin e tyre, efekti i barrës mbi investimet e huaja, si dhe roli i Marrëveshjeve të Eleminimit të Taksimit të Dyfishtë.

Pjesa e dytë është barra fiskale në Ballkanin Perëndimor dhe shpërndarja e barrës sipas destinacionit të shpenzimeve në të 6 vendet.

Te Pjesa e tretë është një analizim dhe komentim i barrës fiskale në Shqipëri në 2019 dhe renditja e rajoneve dhe bashkive, sipas nivelit të barrës fiskale.

Pjesa e katërt është një analizim i barrës fiskale në Kosovë në 2019 dhe renditja e rajoneve dhe komunave, sipas nivelit të barrës fiskale.

Pjesa e pestë, sqaron respektivisht metodologjinë e llogaritjes së Indeksit të Lirisë Fiskale dhe prezanton Kalendarin e Ditës së Lirisë Fiskale së Ballkanit Perëndimor dhe specifikisht të Shqipërisë dhe Kosovës bashkë me analizat e rajoneve/regjioneve sipas renditjes.