Investimet e huaja 2023 në Shqipëri, sipas sektorëve dhe shteteve
Nëse do ti referoheshim një liste të investimeve me kapital të huaj apo edhe me kapital miks (i huaj dhe shqiptar, vërehet se harta e vendeve të origjinës së investitorëve të huaj, sipas sektorëve të ekonomisë ku kanë investuar dhe operojnë është[1]:
- Sektori ElektroEnergjetik (Holanda, Norvegjia, Kina, Austria, Italia, Gjermania, Franca, Turqia)
- Sektori industrive nxjerrëse (Holanda, Turqia, Kina, Greqia, Italia, etj.)
- Sektori shërbimeve financiare (Austria, Turqia, SHBA, Gjermania, Italia, Hungaria, Bullgaria etj.)
- Sektori telekomunikacionit dhe transport (Zvicra, Britania e Madhe, Hungaria, Francë, Kina etj.)
- Sektori teknologjisë informacionit (Gjermani, Itali, SHBA, Kosova, Gjermania etj.)
- Sektori prodhues (Itali, Gjermani, Greqi, Austri, Greqi, Turqi, Korea e Jugut, Kinë etj.)
- Sektori pasurive të paluajtshme (Rusi, Turqi, Kinë, Itali etj.)
Si janë shpërndarë portofolet e investimeve të huaja deri në fund të 6-mujorit të parë 2023?
Nëse shikojmë shpërndarjen sipas sektorëve, që përmbledhin një stok gjithsej prej 12.4 miliard Euro[2], vërehet se sektorët më kryesorë janë sipas tabelës më poshtë:
Nr. | Sektori ekonomik | Vlera e stokut (mld. Euro) | Pesha/ totali stokut |
1 | ElektroEnergjetika | 3.15 | 25% |
2 | Industria nxjerrëse | 2 | 16% |
3 | Shërbimet financiare dhe sigurimit | 1.5 | 12% |
4 | Pasuritë e paluajtshme | 1.33 | 11% |
5 | Telekomunikacioni dhe teknologjia informatike | 1.3 | 10% |
6 | Industria përpunuese | 1.1 | 9% |
GJITHSEJ Stoku i Investimeve të huaja | 10.38 | 83% |
Pjesa tjetër, që përbën 17% të stokut të investimeve të huaja gjithsej është e orientuar në aktivitete teknike e shkencore, në tregtinë me shumicë, në ndërtim, në transport, si dhe shërbime të tjera të lidhura me to.
Nëse analizojmë peshën e secilit shtet sipas rezidencës fiskale të investitorëve kryesorë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë deri në 6-mujorin e parë 2023[3], shihet se investitorët me peshën më të madhe janë sipas tabelës më poshtë:
Nr. | Shteti | Sektori | Vlera e stokut (milion Euro) | Pesha/ totali stokut |
1 | Zvicra[4] | Transport | 2.021 | 16% |
2 | Hollanda[5] | Industri nxjerrëse | 2.014 | 16% |
3 | Kanadaja[6] | Industri nxjerrëse | 1.594 | 13% |
4 | Italia[7] | Disa sektorë | 1.353 | 11% |
5 | Turqia[8] | Industri nxjerrëse Prodhim metale | 905 | 7% |
6 | Bullgaria[9] | Shërbime financiare | 785 | 6% |
7 | Austria[10] | Elektroenergjetikë | 772 | 6% |
8 | Franca[11] | Elektroenergjetikë Telekomunikacion | 440 | 4% |
9 | USA, GER, HUNG, KOS, QIPR, UK, GRE[12] | Gjithë sektorët | 238 – 353 | 16% |
GJITHSEJ (Stoku i invest. të huaja) | 11.750 | 95% |
Nga harta e shteteve që kanë kryer investime në Shqipëri dhe mbajnë stokun kryesor të kapitaleve të vendit shihet se disa shtete si Italia dhe Turqia kanë një peshë më të shpërndarë në disa sektorë.
Shtetet e tjera janë më pak të shpërndarë në sektorë duke mbajtur si portofol investimi vetëm një sektor kryesor, i konsideruar me normë të kënaqshme të kthimit të parave të investuara.
Ndërkohë, në dekadën e fundit ka një tjetër zgjerim të pjesës së investimeve nga vendet e Lindjes së Mesme, ku pas përvojës së investimeve në turizëm dhe pasuri të paluajtshme nga Kuvajti në vitet ’90, tashmë investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe janë në rritje.
Investimet deri në fund të 6-mujorit I 2023 nga Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arritur në 40 milionë euro, kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme. Pritshmëria në tre vitet në vijim nga investimet mikse me kapitale vendase dhe të tjerë investitorë pritet të arrijnë përtej 2 miliardë Eurove për rivitalizimin e portit të Durrësit në një qendër turistike dhe rezidenciale. Gjithsesi, kjo është pritur me skepticizëm nga një pjesë e mediave shqiptare.
Nga ana tjetër, Fondi Abu-Dhabi ka premtuar njëkohësisht financimin e Bulevardit të Ri dhe projekteve të Lumit të Tiranës, të cilat prej kohësh kanë nisur punën (Gazeta Si, 2022). Në përgjithësi, ka pak transparencë për investimet nga vendet arabe në Shqipëri, gjë që rrit skepticizmin dhe kritikat për këto fonde dhe financime.
Në pamje të parë duket se të huajt kontrollojnë pjesë të konsiderueshme të sektorëve strategjikë (treg energjetik, elektroenergji, prodhim nafte dhe gazi). Por nëse shihet nga kontributi në buxhet dhe ekonomi nuk duket se peshën kryesore e mbajnë investitorët e huaj. Ndërkohë, tregu i punës dhe ekonomia kanë një tjetër ndikim nga këto investime, edhe pse kapitalet kryesore nuk janë në sektorët me punësim të lartë.
[1] https://fiaalbania.al/members-list/
[2] https://www.bankofalbania.org/?crd=0,8,1,8,0,18666&uni=20231109110117162158210156463446&ln=1&mode=alone
[3] https://www.bankofalbania.org/?crd=0,8,1,8,0,18666&uni=20231109110145162158210154700539&ln=1&mode=alone
[4] në transportimin e gazit industrial, projekti TAP
[5] në prodhimin e naftës dhe gazit Shell
[6] në sektorin e naftës dhe gazit
[7] në gjithë sektorët kryesorë
[8] në sektorët e industrisë nxjerrëse, banka dhe prodhime lëndë ndërtimi
[9] në banka dhe shërbime të tjera
[10] në investime në elektroenergji
[11] në elektroenergji dhe telekomunikacion
[12] portofol investimesh në gjithë sektorët kryesorë, që së bashku arrijnë në 1.7 miliard Euro
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.