Inflacioni i importuar dhe ndjeshmëria e tregut shqiptar

Inflacioni i importuar dhe ndjeshmëria e tregut shqiptar

Shqipëria është një ekonomi e vogël dhe e hapur, e ndjeshme ndaj luhatjeve të çmimeve globale, sidomos në sektorët e ushqimit, energjisë dhe mallrave industrialë. Megjithëse vendi ka një pozicion gjeografik të favorshëm, klimë të përshtatshme për bujqësi dhe industri agro-përpunuese, si dhe burime natyrore të bollshme, ky potencial nuk është shfrytëzuar plotësisht për të krijuar një treg të qëndrueshëm dhe të pavarur nga çmimet ndërkombëtare.
Çmimet ndërkombëtare përkthehen menjëherë në rritje të çmimeve lokale, ndërsa uljet nuk reflektohen, duke ushqyer një presion inflacionist të vazhdueshëm që tregu dhe politikat aktuale nuk arrijnë ta neutralizojnë.

Një nga arsye kryesore pse importet nuk përkthehen në ulje të çmimeve lidhet me ndryshimet e kursit të këmbimit dhe zhvlerësimin e lekut. Kur valuta kombëtare humbet vlerë ndaj dollarit ose euros, mallrat e importuara blihen me kosto më të lartë, duke neutralizuar çdo efekt ulës të çmimeve ndërkombëtare.
Ky mekanizëm funksionon si një amortizator negativ, që e bën tregun të ndjeshëm ndaj shokëve ndërkombëtarë dhe ushqen një spirale inflacioniste të vazhdueshme. Në këtë kontekst, politika monetare konvencionale e Bankës së Shqipërisë ka efekt të kufizuar, pasi rritjet e kostos së importit përkthehen direkt tek konsumatori.

Struktura e tregut shqiptar e amplifikon këtë problem. Importet strategjike kontrollohen nga një grup i vogël operatorësh, që kanë fuqi të madhe për të përcaktuar çmimet dhe për të transmetuar çdo rritje të çmimeve globale tek konsumatori.
Prodhimi vendas mbetet i fragmentuar dhe i pamjaftueshëm për të ofruar alternativa reale. Ndërmarrjet janë kryesisht të vogla, me kapacitete minimale për eksport dhe për të konkurruar me importet, ndërsa investimet në infrastrukturë dhe teknologji, megjithëse të pranishme, nuk janë të koordinuara me politikat për forcimin e konkurrencës dhe transparencës.
Rezultati është një treg ku uljet e çmimeve ndërkombëtare nuk përkthehen tek konsumatori, ndërsa rritjet reflektohen menjëherë.

Informaliteti i lartë dhe tolerimi i tij nga qeveritë e ndryshme përforcon këtë problem.

Operatorët informalë, që nuk raportojnë transaksionet ose nuk paguajnë taksa, ruajnë fitimet e tyre duke rritur çmimet në mënyrë të pandërgjegjshme.
Edhe pse Shqipëria ka investuar në teknologji për monitorimin e tregut dhe regjistrimin elektronik të importit, mungesa e kapaciteteve institucionale dhe distancimi i pamjaftueshëm nga korrupsioni e bën teknologjinë një instrument formal, që nuk ndryshon realitetin e tregut dhe nuk sjell ulje reale të çmimeve.
Kombinimi i informalitetit dhe zhvlerësimit të valutës tregon se politikat e zbatuara janë ndërtuar mbi supozime jo reale, duke supozuar se tregu funksionon sipas logjikës klasike të konkurrencës.

Shembuj konkretë nga kriza e vitit 2022 tregojnë se rritja e çmimeve të drithërave dhe naftës u përkthe menjëherë në çmimet e bukës, vajit, karburanteve dhe shërbimeve të transportit, ndërsa uljet e çmimeve ndërkombëtare nuk u reflektuan për shkak të zhvlerësimit të valutës dhe informalitetit që pengon konkurrencën reale. Kjo situatë reflekton dobësitë strukturore të tregut shqiptar, ku një treg i përqendruar dhe ndërmarrjet e vogla nuk mund të krijojnë alternativa reale, dhe ku teknologjia dhe investimet nuk realizojnë ndikimin e pritshëm pa koordinim institucional dhe politika efektive.

Politikat fiskale dhe monetare të përdorura deri më tani kanë qenë të kufizuara dhe shpesh formale, duke supozuar që uljet e çmimeve ndërkombëtare do të përktheheshin automatikisht tek konsumatori. Rezultati është një sistem i papërgatitur për të amortizuar ndikimin e luhatjeve globale, ku masat afatshkurtra, si subvencionet për energjinë ose përfitimet për importuesit, ngadalësojnë simptomat, por nuk adresojnë shkakun thelbësor. Ky qëndrim ka pasoja direkte në ndjeshmërinë e tregut ndaj inflacionit global, duke lënë Shqipërinë më të ekspozuar se vendet fqinje.

Krahasuar me rajonin, dallimi është i dukshëm.
Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, tregjet janë më të lidhura me BE-në, ekzistojnë mekanizma kontrolli më të fortë mbi importet strategjike dhe konkurrenca është më e zhvilluar.
Kjo i lejon këto vende të absorbojnë më mirë rritjet dhe uljet e çmimeve ndërkombëtare, ndërsa operatorët nuk mund të përcjellin të gjitha rritjet tek konsumatori pa u kontrolluar.
vendet e BE-së, fondet strategjike, subvencionet e strukturuara, kontratat afatgjata dhe mbikëqyrja e konkurrencës zvogëlojnë ndjeshmërinë ndaj goditjeve të jashtme dhe sigurojnë që uljet e çmimeve ndërkombëtare të pasqyrohen tek konsumatori.

Në kontrast, Shqipëria nuk ka instrumente të ngjashme, duke mbetur e ekspozuar ndaj çdo luhatjeje globale.

Politikat e hartuara mbi supozime jo reale dhe zbatimi i tyre formalistik kanë krijuar një situatë ku investimet në teknologji dhe infrastrukturë nuk japin efektin e pritshëm. Kursi i valutës, i cili zhvlerësohet periodikisht, vepron si një amortizator negativ, duke rritur koston e importit për të gjitha mallrat dhe shërbimet, nga ushqimet dhe karburantet, deri tek pajisjet industriale dhe teknologjike.

Konsumatori mbetet i ekspozuar ndaj çdo luhatjeje çmimesh ndërkombëtare, ndërsa tregu i përqendruar dhe informaliteti i toleruar e bëjnë tregun të ndjeshëm dhe të paqëndrueshëm. Çdo ulje e çmimeve globale shpesh nuk pasqyrohet në nivel lokal, ndërkohë që rritjet reflektohen menjëherë.

Kjo ndjeshmëri e tregut nuk është e lindur nga vetë luhatjet globale, por nga dobësitë strukturore dhe mungesa e një koordinimi të qëndrueshëm politik dhe ekonomik.

Në mbyllje, prodhimi vendas në Shqipëri, i shpërndarë dhe i kufizuar në kapacitet që nuk mundet të ofrojë alternativa reale ndaj importeve pamundëson konkurrencën efektive, si dhe investimet teknologjike, pa mekanizma të fortë mbikëqyrjeje dhe transparence nuk arrijnë të ndikojnë në uljen e çmimeve, ndërsa informaliteti i lartë dhe tolerimi i tij pengon përfitimin e konsumatorit nga uljet e mundshme të çmimeve ndërkombëtare.

Për të adresuar këto sfida, nevojitet një diskutim kombëtar për një strategji të integruar dhe afatgjatë që kombinon rritjen e prodhimit vendas në mënyrë të specializuar dhe koordinuar, forcimin e konkurrencës në të gjitha sektorët, përmirësimin e infrastrukturës logjistike dhe zinxhirëve të furnizimit dhe luftimin e informalitetit dhe korrupsionit.

Në të njëjtën kohë, garantimi real (jo në letër) i rezervave strategjike për mallrat bazë dhe energjinë, bashkë me investime të shoqëruara me mekanizma efektivë kontrolli dhe transparence, mund të zvogëlojë ndjeshmërinë e tregut ndaj luhatjeve globale dhe të forcojë qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.