Garancia sovrane dhe prodhuesit për eksport

Garancia sovrane dhe prodhuesit për eksport

Zakonisht risqet e mëdha të ekonomisë kërkojnë edhe shpërndarjen e tyre nën një test stresi.
Nëse kujtohemi, rrisqet që dukeshin të arsyeshme në periudhën e pandemisë për sektorin privat vetëm dy-tre vite më parë mund të mos jenë më të tilla sot.

Prej pak vitesh, projektet e biznesit prodhues po vuajnë nga kostot e rritura dhe të paqëndrueshme, rënia e të ardhurave dhe me raste edhe nga një pritshmëri më e ulët për rimarrjen e investimit. Por viti 2023 kulmoi dhe ndikoi mbi ta duke i bërë edhe më shumë të rrezikuar se në kohën e bllokimit të pandemisë.
Ky sektor tashmë po ndihet më i pafuqishëm financiarisht nga krizat e jashtme, por edhe krizat e mbartura dhe mbivendosura prej politikës shqiptare.

Pjesë të sektorit (agrobujqësia, prodhuesit për eksport) janë duke ripërcaktuar aftësinë operacionale dhe investuese pasi janë të goditur mjaftueshëm nga rrisqet e brendshme (informaliteti, patronazhimi politik, ndërhyrja e qeverisë në treg, rritja e kostove, oferta në rënie e tregut të punës, zhvlerësimi i euros). Natyrshëm që ata do të kërkojnë të transferojnë më shumë rrisqe tek qeveria.

Për të shfryrë këto tensione të forta të prodhuesve mendohet se do ndikojë vendimi i fundit i qeverisë për garancinë sovrane për një kategori biznesesh (prodhuesit e konfeksioneve dhe agroindustrisë per eksport). Ky vendim i qeverisë me gjasa vjen pas shumë muajsh zhvlerësimi të euros që i dha sinjalet e forta qysh gjatë 2022 dhe në 2023 shpërtheu duke zaptuar territore që tregu shqiptar formal deri atëherë i kishte nën zotërimin e vet.

Edhe pse garancia sovrane në thelb nuk jep “oksigjen” për shumë nga problemet e eksportit (në sasi dhe kohë), rëndësia e miratimit të saj është të paktën treguesi i një politike, që sforcohet të pranojë përgjegjësitë e veta.

Në këto kohë të vështira për shpenzimet publike, aftësia e qeverisë për të marrë përsipër risqe shtesë dhe detyrime kontingjente si garancitë sovrane në fakt mund të jetë e kufizuar. Veçanërisht nëse garancitë ekzistuese që mban nën sqetulla buxheti rrezikohen të shtohen dhe për sektorë të tjerë që i vuajnë pasojat e problemeve të brendshme dhe së bashku po krijojnë presion në rritje për qeverinë.

Vlerësimi i riskut prej qeverisë dhe vendimi për të përdorur garancinë është i ngjashëm me kohën e krizës, duke kuptuar se problemet e vjetra të biznesit jo vetëm nuk janë zgjidhur, por po ndikohen negativisht edhe prej problemeve të reja që po depërtojnë në treg.

Në çdo nga rastet, ato duhet të përdoren në mënyrë strategjike për të mbuluar rreziqet specifike ose të synuara bazuar në tingullin e tregut për projekte të zgjedhura me kujdes, ekonomikisht të qëndrueshme, nën një kuadër të përshtatshëm qeverisjeje dhe administrimi të rrezikut.

Në realitetin e ekonomisë sonë, pas mbylljes së tremujorit të parë të 2024 po shihet se politikat e lëna në mes të zbatimit, si dhe masat e institucioneve të palidhura mes tyre janë duke e dobësuar rolin e tyre mbi ekonominë.

Prej fillimit të Prillit 2024, një valë e dytë e zhvlerësimit të euros duket se po fillon të rritet. Por, këtë radhë jo më eksportuesit, por qytetarët me kursimet e tyre, si dhe gjithë aktivitetet e lidhura me turistët, që kanë ndërtuar punën mbi prurjet e tyre duket se do të duhet të rrisin çmimet, ose do të mbyllin bizneset.

Ndërkohë, qeveria qendrore dhe vendore, si dhe institucionet e pavarura po ndikojnë direkt në rritjen e kostove që po diktojnë për prodhuesit e brumit, baret, restorantet, hotelerinë, për agroprodhuesit dhe agropërpunuesit si dhe rritja e kostove në përgjithësi për ujin dhe kanalizimet duket se do tu marri një pjesë jo të vogël nga ato fitime të planifikuara sipas lajmërimeve për shtim të vizitorëve të huaj.

Provimi i këtij viti dhe nota që do marrin shërbimet turistike është nga më të vështirat , pas notës jokaluese në provimin e vitit të kaluar për shumicën e eksportuesve .

Në gjithë këtë sezon të provimeve për ekonominë duket se qeveria në rolin e pedagogut do të japë kopje, pasi në rast të kundërt zor se e merr sezonin ndonjë biznes i ndershëm.

Dhe në gjithë këtë situatë me shumë pamundësira mundet që politika e garantimit të borxhit të zbutur për bizneset ngjan me politikën e formalizimit me karta bankare për pensionistët.

Në realitet, problemi për të gjithë është rënia e të ardhurave dhe çfarë mbetet pas shpenzimeve.
Kjo është pikërisht ajo që qeveria po e anashkalon duke na treguar shpesh e më shpesh, se të paktën të ardhurat e saj dhe shëndeti buxhetor është më mirë se më parë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: