Forcimi i lekut dhe paradoksi i tregut valutor në Shqipëri

Forcimi i lekut dhe paradoksi i tregut valutor në Shqipëri

Një ditë e zakonshme në zyrat e këmbimit valutor në qendër të Tiranës në 28 tetoir 2025 tregon më shumë se çdo statistikë. Ndërsa kursi zyrtar i euros qëndron në rreth 96.8 lekë, në tregun fizik një pjesë e zyrave të këmbimit ofrojnë 96.4 lekë për çdo euro cash. Kjo diferencë është bërë tashmë e zakonshme, duke reflektuar ndarjen që ekziston mes tregut formal dhe atij informal të valutës.

Ky fenomen është vetëm një pjesë e paradoksit që po përjeton ekonomia shqiptare: monedha kombëtare shfaqet e fortë në tregjet zyrtare, ndërsa në ekonominë reale ndikimi i këtij “forcimi” nuk ndjehet në nivel jetese apo konkurrueshmërie.

Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë

Në dhjetor 2024, Banka e Shqipërisë njoftoi ndërhyrjen më të madhe në historinë e saj monetare, duke blerë 930 milionë euro nga tregu gjatë një viti, mesatarisht 77.5 milionë euro çdo muaj. Qëllimi i deklaruar ishte stabilizimi i kursit dhe mbështetja e eksportuesve përballë një lekut të mbivlerësuar. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, ndërhyrjet vazhduan me një ritëm të ngjashëm, duke tërhequr nga tregu mbi 800 milionë euro të tjera.

Megjithatë, ndërsa institucionet financiare “thithnin” valutë nga bankat, një pjesë e madhe e euros vazhdonte të qarkullonte jashtë sistemit zyrtar.

Flukset informale të valutës

Në bregdet, gjatë verës 2025, një familje e huaj pagoi 1.200 euro cash për një apartament buzë detit. Transaksioni nuk kaloi në asnjë bankë. Pronari i futi paratë në xhep dhe i këmbeu në një zyrë lokale, pa faturë, pa gjurmë. Po atë ditë, një emigrant kthehej nga jashtë me 5.000 euro në çantë dhe ia jepte familjes për të blerë një makinë. As këto para nuk u regjistruan askund.

Vlerësimet tregojnë se remitancat reale arrijnë deri në 1.3–1.5 miliardë euro në vit, pra qindra milionë më shumë se shifra zyrtare prej 1.045 miliardë. Turizmi neto duket 2.291 miliardë euro, por 2.7 miliardë euro shpenzime jashtë vendit nga qytetarët zvogëlojnë bilancin real. Një pjesë e madhe e këtyre flukseve qarkullon jashtë bankave.

Sipas vlerësimeve të ALTAX, remitancat reale të emigrantëve mund të variojnë nga 1.3 deri në 1.5 miliardë euro në vit, rreth 300 deri në 500 milionë euro më shumë se shifra zyrtare prej 1.045 miliardë euro. Në të njëjtën kohë, të ardhurat n në hyrje nga turizmi në rreth 5 miliard euro zbuten ndjeshëm nga shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit, të cilat arrijnë në rreth 2.7 miliardë euro. Kjo krijon një bilanc real më të ngushtë sesa sugjerojnë të dhënat zyrtare, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e këtyre flukseve mbetet jashtë qarkullimit formal financiar.

Ndikimi mbi sektorin eksportues

Në një fabrikë fasonerie pranë Durrësit, pronari llogarit çdo ditë humbjet. “Kur euro ishte 122 lekë, paguaja 100 lekë për një bluzë. Tani, me 96.5 lekë, paguaj 126 lekë për të njëjtën bluzë kur e shes jashtë. Kam humbur 20% të fitimit në dy vjet.” Ndërhyrjet e bankës qendrore e mbajnë kursin artificialisht më të lartë në sistemin bankar me 96.8, por në tregun real euroja blihet me 96.4–96.5 lekë.

Sipas analizës së ALTAX, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë kanë parandaluar një zhvlerësim më të madh të euros, por nuk kanë mundur të eliminojnë tregun paralel, ku kursi mbetet 0.5–1 lekë më i ulët se ai bankar.

Skenari alternativ

Një skenar hipotetik i përllogaritur nga ALTAX sugjeron se, nëse ndërhyrjet e Bankës do të kishin qenë më të kufizuara, rreth 320 milionë euro në vitin 2024, ose 35% e nivelit aktual, kursi i këmbimit do të kishte rënë në rreth 95 lekë për euro, duke shkaktuar humbje 8–10% për eksportuesit.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht ndërhyrjeve rekord, forca e lekut është kryesisht nominale[1] dhe mbështetet në ndërhyrje të vazhdueshme të bankës qendrore, ndërkohë që tregu informal dhe flukset jashtë bankave krijojnë një realitet paralel financiar.

Mesazhi kryesor që del nga analiza e ALTAX është i qartë:

“Pa formalizimin e të paktën 50% të flukseve informale brenda tre viteve, çdo ndërhyrje monetare mbetet e përkohshme. Forcimi i lekut pa transparencë dhe pa integrim të flukseve reale në sistemin financiar është një iluzion statistikor.”

Ndërsa qytetarët dhe bizneset përballen çdo ditë me çmime të larta dhe fitime të tkurrura, paradoksi i forcës së lekut vazhdon. Në statistika, monedha kombëtare paraqitet e fortë; në praktikë, fuqia blerëse mbetet e dobët. Pyetja thelbësore për politikëbërësit mbetet e hapur:
Sa mund të zgjasë ky ekuilibër i ndërtuar mbi një treg të dyfishtë, formal dhe informal pa një reformë të thellë të transparencës financiare?


[1] vlera e lartë e lekut në krahasim me euron apo valutat e tjera nuk pasqyron një forcë reale të ekonomisë shqiptare, por është rezultat i faktorëve teknikë ose të përkohshëm, kryesisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë dhe rrjedhjeve informale të valutës.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.