Fillimviti 2023: Kreditë me probleme, tregu dhe normat e interesit
Huadhënia ka filluar me rënie në vitin 2023 edhe pse pritshmëritë janë për një rimarrje në muajt e tjerë në vijimësi. Ky ndikim është i pranueshëm përsa kohë kredia është shtrenjtuar dhe kjo kosto të bankave tregtare duhet që të mbetet afatshkurtër, përndryshe vetë këto të fundit arrijnë që të rimarrin fitimet më të ulëta duke rritur koston e shpenzimeve të operimit.
Në një publikim të fundit të Vrojtimit të besimit të biznesit dhe konsumatorit[1] nga Banka e Shqipërisë, kontratat porositëse si brenda vendit dhe për eksport janë ulur gjatë 3 muajve të parë të vitit 2023, ndërsa prodhimi për tu shitur është në volume të mëdha, që tregon për një gjendje stoku të produkteve dhe mungesa në likuiditete.
Ndërkohë, pritshmëritë për inflacionin janë në rritje dhe po kështu rezervat e likuiditeteve tregojnë një nivel në ulje të ndjeshme të ngjashëm me vitin e kaluar.
Rritja e papritur dhe e përhapur e çmimeve të konsumit pas dekadash inflacioni të ulët dhe të qëndrueshëm e ka detyruar Bankën e Shqipërisë të shtrëngojë politikën monetare edhe kundër rrezikut në rritje të ngadalësimit ekonomik, i cili paraqet një kërcënim të qartë për tregun e pasurive të paluajtshme.
Por, përpara se të fillojë me korigjimin e sjelljes ndaj tregut të banesave, Banka e Shqipërisë duke u koordinuar me institucionet që monitorojnë dhe ndikojnë me politikat rregullatore dhe fiskale duhet të kryejë/ kërkojë teste rezistence për bankat dhe institucionet e tjera financiare jobanka që kanë ekspozime të larta ndaj pasurive të paluajtshme dhe mundësisht të kërkojnë provizione më të larta për kreditë hipotekore për ato që rezultojnë të cenueshme bazuar në rezultatet e analizave sipas testeve.
Ndërkohë, institucionet e qeverisë që po tregojnë situata pritshmërie deri në mosveprime duhet të zgjidhin edhe ngërçet e kahershme në reformat e filluara dhe te pambaruara ne vitet përpara. Ndikimi i produktivitetit të dobët të reformave po jep ndikim edhe në përballimin e kostove të shtuara të bizneseve dhe individëve duke rritur rriskun për rritjen e kredive të këqija apo me probleme.
BSH duhet të vazhdojë të forcojë inspektimet në vend dhe jashtë saj të bazuara në rrisk dhe të kryejë rishikime të fokusuara të cilësisë së aktiveve. Përpjekjet e saj të vazhdueshme për të rritur rezervat e kapitalit të bankave janë të mirëseardhura.
Nevojitet programim me i dedikuar për monitorim dhe menaxhim të ngushtë të rreziqeve të mundshme nga rritja e fuqishme e kredisë në vitet e fundit, duke përfshirë rritjen e kreditimit në valutë.
Në këtë kontekst, përpjekjet e BSH-së për të adresuar mangësitë e rëndësishme të të dhënave për pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimet kërkojnë një mbikëqyrje të zgjeruar të ndikimit të këtij sektori në stabilitetin financiar.
Përtej kompetencave të BSH-së, kuadri i falimentimit dhe zgjidhjes tashmë në fuqi duhet të zbatohen me shpejtësi, duke përfshirë ristrukturimin e kredisë, për t’u përgatitur për çdo rritje të madhe të kredive me probleme.
[1]https://www.bankofalbania.org/Politika_Monetare/Vrojtimet/Vrojtimi_i_bizneseve_dhe_i_konsumatoreve/Analiza_VBBK_mars-2023_34588.html
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.