Euroja që hyn në ekonominë që nuk prodhon mjaftueshëm

Euroja që hyn në ekonominë që nuk prodhon mjaftueshëm

Në Shqipëri nuk printohen euro. Por, çfarë ndodh kur një ekonomi merr vazhdimisht fuqi blerëse nga jashtë, pa zgjeruar në të njëjtën masë bazën e saj prodhuese?

Ka një mënyrë të thjeshtë për ta kuptuar një nga problemet e mprehta të ekonomisë shqiptare sot. Imagjinoni një ekonomi që nuk ka makinë për të printuar para, por në të cilën çdo vit hyjnë sasi të mëdha parash të krijuara diku tjetër.

Kjo nuk është ajo që po ndodh teknikisht me euron në Shqipëri. Shqipëria nuk mund të printojë euro dhe Banka e Shqipërisë nuk krijon euro si një bankë qendrore e Eurozonës. Por, nga këndvështrimi i ekonomisë reale, diskutimi bëhet interesant.

Kur turisti sjell euro, emigranti dërgon remitanca, investitori i huaj sjell kapital, apo kur hyjnë flukse të tjera financiare, ekonomia shqiptare merr fuqi blerëse të krijuar jashtë kufijve të saj. Kur kjo fuqi blerëse konvertohet në lekë, ajo hyn në qarkullimin e brendshëm dhe kërkon të blejë mallra, shërbime, tokë, banesa, automjete, ndërtime dhe importe.

Arsyeja e rënies së euros është ngushtësisht e lidhur me strukturën e ekonomisë që po krijon një lek kaq të fortë.

Një monedhë e fortë mund të jetë produkt i dy realiteteve krejt të ndryshme. Në njërin rast, ekonomia është bërë më konkurruese: prodhon më shumë, eksporton më shumë mallra dhe shërbime me vlerë të shtuar, rrit produktivitetin dhe fiton valutë sepse ka rritur aftësinë e saj për të shitur në tregjet e huaja. Në rastin tjetër, ekonomia po thith shumë valutë nga jashtë, ndërkohë që baza prodhuese vendase nuk zgjerohet me të njëjtin ritëm. Kjo është diferenca që duhet të na interesojë.

Kur një bankë qendrore krijon para të reja, mekanizmi është sipas ciklit para të reja → më shumë likuiditet → më shumë kërkesë → konsum dhe investime → rritje e çmimeve të aktiveve dhe mallrave, nëse oferta nuk përshtatet. Shqipëria nuk ndodhet në këtë situatë me euron. Por le të ndërtojmë një analogji ekonomike sipas ciklit aktual: euro nga jashtë → konvertim në lekë → më shumë fuqi blerëse në ekonomi → më shumë kërkesë → konsum, shërbime, ndërtime, pasuri të paluajtshme dhe importe.

Në rastin e parë, paraja krijohet nga sistemi monetar. Në rastin shqiptar, fuqia blerëse importohet nga jashtë. Pra, nuk kemi “printim eurosh”. Kemi diçka që për ekonominë reale mund të prodhojë një efekt të ngjashëm me një injeksion të vazhdueshëm të fuqisë blerëse, me më shumë para që kërkojnë të blejnë një ekonomi me kapacitet prodhues që nuk zgjerohet domosdoshmërisht me të njëjtin ritëm. Pikërisht këtu ekonomia jonë ka më shumë para në qarkullim dhe njëkohësisht nuk ka më shumë kapacitet për të prodhuar.

Çfarë ndodh me fuqinë blerëse pasi ajo hyn në ekonomi?

Euroja mund të financojë edhe një ekonomi që nuk prodhon euro. Nëse euroja që hyn në Shqipëri përdoret për të blerë makineri, teknologji, për të rritur produktivitetin, për të zhvilluar industri, për të modernizuar bujqësinë, për të krijuar kompani eksportuese apo për të ndërtuar kapital njerëzor, mekanizmi është pozitiv. Ajo ndjek një cikël ku euroja e sotme shkon në investim produktiv, që ndikon në produktivitet dhe në prodhim konkurrues me eksporte dhe euro të reja nesër. Në këtë rast, euroja që hyn nuk mbetet thjesht para, por shndërrohet në kapacitet ekonomik.

Por ekziston edhe cikli tjetër, ky që po hedh rrënjë në ekonominë tonë: euroja e sotme orientohet në blerje toke për të ndërtuar apartamente dhe vila, si dhe në konsum, duke kërkuar importe dhe nxitur shërbime. Në këtë rast, euroja mund të rrisë pasurinë e mbajtësve të aktiveve, çmimin e tokës dhe banesave dhe volumin e konsumit, duke mos krijuar një bazë të re prodhuese. Pra, kemi një ekonomi që mund të bëhet më e shtrenjtë pa u bërë proporcionalisht më produktive.

Ky është thelbi i asaj që mund ta quajmë “ekonomia e dytë”, si një ekonomi që ndërtohet mbi flukset e krijuara nga një ekonomi tjetër. Turizmi, remitancat, kapitali i huaj dhe flukset e tjera sjellin fuqinë blerëse. Ndërtimi, pasuritë e paluajtshme, tregtia dhe shërbimet e absorbojnë atë. Po ku është zgjerimi i bazës prodhuese që do ta bëjë këtë ekonomi më pak të varur nga flukset e jashtme?

Kursi i këmbimit dhe borxhi

Këtu hyn edhe kursi i këmbimit. Një fluks i madh eurosh rrit ofertën valutore në treg. Nëse kërkesa për euro nuk rritet me të njëjtin ritëm, çmimi i euros në lekë bie dhe leku forcohet. Ky mekanizëm është normal në një ekonomi funksionale dhe prodhuese. Në rastin e ekonomisë shqiptare, forca e lekut nuk është prova se Shqipëria është bërë më produktive, sepse po ndodh në një ekonomi që merr më shumë euro nga turizmi, remitancat, investimet dhe flukset e tjera financiare. Pra, leku i fortë është rezultat kryesisht i fluksit financiar, jo i kapacitetit prodhues.

Ky mekanizëm ka edhe një përfitues të rëndësishëm: financat publike. Një pjesë e konsiderueshme e borxhit të jashtëm shqiptar është në valutë, veçanërisht në euro. Prandaj, një lek më i fortë ul automatikisht vlerën e këtij borxhi kur ai shprehet në lekë.

Për ilustrim: nëse në 2021 stoku i borxhit në euro ishte në nivele rreth 3.9 miliardë euro dhe kursi rreth 120 lekë/euro, vlera e tij në lekë ishte afërsisht 468 miliardë lekë. Me kursin e vitit 2026 pranë 92 lekë/euro, e njëjta shumë nominale në euro përfaqëson një vlerë më të ulët në lekë. Edhe nëse stoku nominal në euro është rritur ndërkohë (aktualisht borxhi publik në euro zë pjesën dërrmuese të borxhit në valutë), efekti i kursit e bën atë të duket më i vogël në bilancin e shprehur në lekë. Por buxheti nuk ka shlyer asnjë euro të ekstra dhe detyrimi nominal mbetet i njëjtë. Këtu kemi një efekt që duhet lexuar me kujdes: leku i fortë e ka bërë borxhin më të vogël në ekuivalentin e lekut, por nuk e ka bërë ekonominë më produktive.

Nëse forcimi i lekut do të ishte pasojë e rritjes së produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, ky do të ishte një përfitim i shëndetshëm. Por kur forcimi ka ardhur kryesisht nga një ofertë e madhe valutore e gjeneruar nga turizmi, remitancat, IHD-të dhe flukse të tjera, atëherë kemi një përfitim financiar që lidhet më shumë me kursin e këmbimit sesa me përmirësimin e strukturës së ekonomisë. Kjo është diferenca midis një borxhi që bëhet më i menaxhueshëm sepse ekonomia është më e fortë dhe një borxhi që duket më i vogël sepse monedha është më e fortë.

Problemi nuk është hyrja e euros, por përdorimi i saj

Ne nuk duhet të trembemi nga euroja e tepërt, por duhet të shqetësohemi nga mënyra si ajo po përdoret dhe ku shkon. Problemi nuk duhet të lidhet thjesht me faktin pse po hyjnë shumë euro. Përkundrazi, hyrja e valutës është një avantazh. Problemi ndodhet në momentin kur fluksi i valutës bëhet zëvendësues i kapacitetit prodhues.

Eurot e turizmit, flukset monetare dhe remitancat nuk po financojnë mjaftueshëm investime produktive që do të forconin bazën për një ekonomi më të fortë. Eurot brenda territorit shqiptar po financojnë kryesisht pasuri të paluajtshme, konsum dhe importe, duke krijuar një ekonomi më të pasur në aktive, por më të dobët në prodhim.

Ndërtimi është një nga testet më të mira: eurot e ardhura nga jashtë përfundojnë në tokë, apartamente dhe vila, duke çuar në rritje të çmimeve të aktiveve. Në fakt, ato duhej të kishin përfunduar me ritme më të larta në teknologji, industri, agropërpunim, energji, logjistikë, kapital njerëzor dhe kompani eksportuese, që krahas ndërtimeve rezidenciale të arrihej edhe rritje e kapacitetit prodhues.

Kur ndërtimi dhe shërbimet janë mbizotërues, ekonomia bëhet më e shtrenjtë. Nëse do të kishim më shumë prodhim, ajo do të bëhej më produktive. Këto dy qasje nuk janë e njëjta.

Nuk do të ishte e saktë ta shpallnim ekonominë tonë si një rast klasik të “Dutch disease”, por mekanizmi i rrezikut është i njohur dhe i ngjashëm me atë që kemi sot. Më shumë valutë nga jashtë sjell forcim të monedhës dhe importe relativisht më të lira, por edhe presion në rritje mbi konkurrueshmërinë e eksporteve. Kjo qasje e ka zhvendosur kapitalin drejt sektorëve me kthim të shpejtë: më shumë ndërtim, pasuri të paluajtshme, tregti dhe shërbime.

Nëse kjo ndodh për një periudhë të gjatë (10 vjeçare+), ekonomia krijon një kontradiktë brenda vetes: sa më shumë euro të hyjnë, aq më pak nxitje do të ketë për të ndërtuar kapacitete që prodhojnë euro në mënyrë të qëndrueshme. Kjo është pika ku flukset e jashtme mund të kthehen nga avantazh afatshkurtër ekonomik në varësi.

Turizmi dhe matja e suksesit

Në këtë kontekst duhet shmangur një debat i gabuar lidhur me pyetjen “a është turizmi i mirë apo i keq për Shqipërinë?”. Turizmi është eksport shërbimesh. Ai sjell valutë dhe krijon kërkesë për ekonominë vendase. Ajo që duhet të analizohet është: sa vlerë shqiptare krijohet nga çdo euro që sjell turisti?

Nëse një euro turizmi kalon në zinxhirë vendas të ushqimit, transportit, prodhimit, bujqësisë, kulturës, teknologjisë dhe shërbimeve profesionale, ajo shumëfishon aktivitetin ekonomik. Por kur një pjesë e madhe e saj përfundon në importe, tokë, pasuri të paluajtshme dhe konsum të pasurisë ekzistuese, ndikimi afatgjatë është shumë më i kufizuar.

Prandaj, matja e suksesit që reklamohet se “kanë hyrë shumë euro nga turizmi” është retorikë politike për sa kohë nuk ka ndikuar në rritjen e kapacitetit prodhues në sektorët e lidhur drejtpërdrejt dhe indirekt me turizmin dhe tregun konkurrues rajonal.

Edhe lidhur me faktin se po hyjnë euro në familjet shqiptare, kjo mund të krijojë ndjesinë se ato po bëhen më të pasura. Faktet tregojnë se ekonomia shqiptare dhe një pjesë e familjeve mund të kenë më shumë para që qarkullojnë, më shumë ndërtime, çmime më të larta të tokës, më shumë konsum dhe një lek më të fortë. Por ekonomia nuk po prodhon më shumë vlerë në të njëjtin ritëm. Nëse kthehemi te analogjia e “printimit të parave”, është njësoj sikur të printoheshin para pa rritur kapacitetin prodhues: duhen më shumë para që kërkojnë të blejnë të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh.

Shqipëria nuk po printon euro, por nëse merr vazhdimisht fuqi blerëse nga jashtë dhe nuk e shndërron atë në kapacitet të ri prodhues përballet me një situatë të ngjashme. Në 2026 duhen më shumë para që kërkojnë të blejnë një ekonomi që nuk po zgjerohet mjaftueshëm në anën e ofertës. Atëherë çmimi i tokës po rritet, çmimi i banesave po rritet, shërbimet po shtrenjtohen, importet po bëhen më tërheqëse edhe pse pengohen nga informaliteti dhe oligopolet, por dhe konsumi po rritet. Por, prodhimi konkurrues nuk po rritet në të njëjtin ritëm dhe kjo nuk është pasuri e re, por kapitalizim i parasë së re mbi pasurinë ekzistuese.

Objektivi i vërtetë

Në logjikën e ekonomisë aktuale, qeveria dhe tregu nuk duhet të kenë objektiv vetëm të tërheqin më shumë turistë apo më shumë kapital. Këto janë mjete. Objektivi duhet të jetë që këto flukse të krijojnë kapacitet ekonomik që mbetet edhe pasi fluksi të ngadalësohet, sepse turisti mund të largohet, remitanca mund të bjerë, investimi i huaj mund të ndryshojë destinacion dhe kursi i këmbimit mund të rikthehet.

Nëse mbështetet një fabrikë më produktive, një kompani eksportuese, një fermer më konkurrues, një punonjës më i kualifikuar, një teknologji e re dhe një zinxhir vendas furnizimi, të gjitha këto mbeten në ekonomi. Kjo është diferenca midis rritjes së financuar nga flukset dhe zhvillimit të financuar nga produktiviteti.

Nëse eurot kthehen në produktivitet, forcimi i lekut mund të jetë pjesë e një procesi të shëndetshëm konvergjence. Nëse ato kthehen kryesisht në pasuri të paluajtshme, konsum dhe importe, atëherë një lek i fortë mund të jetë edhe simptoma e një ekonomie që po ushqehet nga jashtë, ndërkohë që baza e saj prodhuese nuk po zgjerohet me të njëjtin ritëm.

Prandaj, duhet të prodhojmë më shumë vlerë nga paratë që tashmë po hyjnë. Ekonomia jonë e vogël mund të bëhet më e pasur duke marrë euro nga bota, por vetëm një ekonomi produktive mund të bëhet më e fortë duke prodhuar eurot e veta. Pikërisht këtu ndahet rritja ekonomike (që kemi sot) nga zhvillimi (që duhet ta kemi).

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.