Elitat i shërbejnë interesave të veta
Elita politike ka një dallim nga elitat e tjera të vendit pasi ka mungesa të përvojës dhe lidhjes me mënyrën e jetesës dhe ekonominë shqiptare. Pjestarët e saj në përvojën e tyre kanë si të vetmin profesion qeverisjen e vendit me çdo mënyrë dhe formë. Bazuar te kjo mendësi ata tentojnë që të mos zhvillojnë njohuri specifike për asnjë sektor të ekonomisë, shoqërisë apo të kuptojnë më thellë mënyrën e jetesës jashtë zonave ku banojnë.
Kjo mendësi e elitës politike, që forcohet vit pas viti ka zgjeruar tashmë edhe hendekun mes tyre dhe njerëzve duke mos ruajtur lidhje direkte me ta. Është kjo situatë e re e krijuar midis elitës politike dhe njerëzve, që po instalon në komunikimin mes palëve standarte të dyfishta.
Nga njëra anë, kur pjestarët e elitës politike flasin në publik mes njeri-tjetrit janë bërë pak të kuptueshëm për njerëzit. Ky komunikim është mjaft i vështirë për tu përthithur nga njerëzit dhe për tu perceptuar prej tyre, si përcjellës i nevojave dhe kërkesave të tyre dhe ekonomisë. Nga ana tjetër, komunikimi direkt mes pjestarëve të elitës politike është jashtë vëmendjes së publikut dhe marrëveshjet që ata realizojnë mes tyre i jepen njerëzve ndërmjet medias, si formulë e gatshme, e cila nuk ka nevojë të kalojë procesin e transparencës. Modeli i dytë i komunikimit është mbizotërues vitet e fundit në jetën sociale dhe ekonomike shqiptare.
Është e kuptueshme që ky sistem komunikimi dhe transparence reflekton lidhjet që kanë krijuar rrënjë midis elitës politike dhe asaj ekonomike, pasi interesat vetjake të elitës politike janë lidhjet me elitën ekonomike.
Pjestarët e elitës ekonomike shqiptare, që kanë krijuar pushtetin e tyre përgjatë dy dekadave të fundit janë duke tentuar drejt pushtetit politike me pjesëmarrje direkte në parlament, në kabinetet e politikanëve, si dhe të drejtuesve të niveleve të ndryshme të qeverisë,.
Nga një llogaritje e thjeshtë, afër 1/3 e kabineteve të politikës dhe qeverisë janë të zotëruara nga përfaqësuesit e elitës ekonomike, pavarësisht krahut politik.
Natyrisht, që përtej kësaj simbioze të elitës politike me atë ekonomike ka edhe një elitë në rritje të brezit të ri të të arsimuarve që po tentojnë të jenë një elitë e motivuar nga aftësia teknike, por që ende nuk kanë krijuar pushtet.
Është një diskutim mjaft i nxehtë mes njerëzve, që kritikat t’ja adresojnë dy elitave që mbizotërojnë aktualisht në Shqipëri. Elitat ekonomike jo vetëm kontrollojnë tashmë një pjesë të madhe të sistemit politik të mbështetura direkt dhe indirekt nga elita politik. Por, ajo që vërehet si tipar dallues i saj është fakti se këto elita e nuk kanë një vizion për zhvillimin e tregut dhe ekonomisë, përveç interesave të veta afatshkurtra. Qasja e tyre orientohet nga praktika dhe synon për ta orientuar paranë drejt vetes. Ndërsa, elita politike orientohet nga qasja që të mbështesë atë pjesë të elitës ekonomike që mbështet interesat e tyre.
Liderët ekonomikë janë bashkë pjesëmarrës në vendimmarrjet e rëndësishme që nxjerrin institucionet publike për ti shërbyer interesave të fuqizimit ekonomik të tyre. Përfshirja e elitës ekonomike ka vijuar me rritjen e pushtetit të saj në vendimmarrjet e rëndësishme, pavarësisht se në mjaft situata nuk kanë patur fuqinë financiare dhe kapacitetet e nevojshme për të mbajtur pushtetin ekonomik që po zotërojnë.
Në fakt, në vendet me traditë dhe me balanca të fiksuara mirë të pushteteve, politikanët vizionarë apo liderët karizmatikë mbajnë një distancim të qartë ndaj sistemit që nuk përputhet me normat morale të shoqërisë edhe pse është e diktuar që të bashkëjetohet në një sistem ku elitat politike dhe ekonomike dhe pushtetet që ato mbartin nuk kanë më vijë ndarëse mes tyre.
Ndërsa, në Shqipëri por jo vetëm është një normë tjetër morale që zbatohet nga elitat, e cila i referohet idesë se forma (aparenca) duhet të justifikojë mangësitë e përmbajtjes (thelbit të sistemit) i shprehur mes normave morale dhe sociale (barazia, drejtësia dhe liria). Në fakt këto vlera duhet të jenë bazamenti mbi të cilin duhet të unifikohet vizioni që duhet të kenë elitat politike dhe ekonomike, duke theksuar sundimin e ligjit, si dhe konsolidimin e fuqisë ekonomike jo vetëm duke u bazuar te interesat e elitës për veten e vet.
Ndërkohë, njerëzit ndodhen jashtë këtij sistemi të mbyllur komunikimi dhe bashkëveprimi mes elitave. Natyrshëm që e ardhmja për ta shndërrohet në një sistem që nuk e kuptojnë dhe nuk e ndiejnë se janë pjesë e saj dhe kjo ndjesi nuk u jep asnjë siguri.
Është konsolidimi i fuqisë së njerëzve ndaj pushtetit të elitave që e sfidon korrupsionin dhe pushtetin në favor të interesave vetjake të elitave. Ndërsa indiferenca dhe korruptimi i normave morale e sociale e mbështet dhe favorizon fuqizimin dhe interesat e elitave në dëm të interesit publik.
Nëse elita politike do të vijojë të zotërohet edhe më tej nga elita ekonomike duke përdorur në masë të madhe paratë e taksapaguesve, pa patur vizion dhe mënyra të reja për të fituar para, atëherë do të vijë një kohë kur reflektimi i këtij procesi përthithje të elitave do të prodhojë krizën e vlerave dhe sociale duke lënë më pak mundësi për pjesëmarrje për njerëzit.
Një sistem ku nuk ka vijë të qartë dhe të ndare midis elitave, që nënkupton pushtete të ndryshme mundet të shkojë drejt dekadencës së sistemit ekzistues.
Në fakt një pyetje që duhej bërë që në fillim dhe që ende nuk i japim dot përgjigje është:
– A kemi realisht elita në Shqipëri?
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.