ELBASAN: EDUKIMI I TË RINJVE DHE ZBATIMI I POLITIKAVE VENDORE NË KOORDINIM ME PUSHTETIN QENDROR SIPAS STRATEGJISË
Në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020 (SKZHI II, ende e paazhornuar për vitet në vijim ) një nga shtyllat për arsimin e lartë përmend “Sigurimin e një arsimi profesional që i korrespondon nevojave të fushave specifike dhe zhvillimeve të rajoneve specifike”.
1. Buxheti i Bashkisë i vitit 2021 ka shpenzuar një fond prej 732.9 milion lekë (arsimi parashkollor, arsimi i mesëm i përgjithshëm dhe arsimi profesional). Ky shpenzim është sa 15% i gjithë buxhetit të bashkisë të shpenzuar në vitin 2021, ku peshën kryesore e mban arsimi parashkollor (10.4% të buxhetit të Bashkisë).
Në vitin 2021 buxheti i shpenzuar për arsimin profesional është 114.3 milion lekë, apo sa 2.3% e shpenzimeve gjithsej të kryera nga Bashkia për këtë vit fiskal. Duket se në vitin 2021 shpenzimet për arsimin profesional janë 3.3 herë më të larta se në vitin 2019 dhe 2020.
Në vitin 2020 aktiviteti u ndërpre në gjithë vendin për arsye të pandemisë Covid-19 dhe kjo është një logjikë e rritjes së madhe të fondit për këtë zë të rëndësishëm.
Sipas ndikimit të investimeve në tre vitet e fundit (2019-2021) me vlera që janë afër 12.4% të shpenzimeve të Bashkisë Elbasan, duket se kanë ndikim edhe pse kryesisht shkojnë përveç infrastrukturës arsimore edhe për infrastrukturën e rrugëve rurale dhe për shërbime të tjera për mjedisin, bujqësinë. mundemi të shikojmë edhe një lidhje në popullsinë e re.
Treguesit e punësimit dhe papunësisë, në prezantimin e treguesve në Anketën e Forcave të Punës (AFP), Trem.IV 2021 , paraqitet një tendencë pozitive në shkallën e punësimit në nivel vendi me 62.1% e popullsisë 15-64 vjeç në nivel vendi.
Në mungesë të të dhënave të azhornuar, në bazë të të dhënave të Vjetarit 2021, Elbasani në nivel qarku ka një nivel punësimi me 61.2% për popullsinë 15-64 vjeç, apo 8.7% më të lartë se mesatarja e vendit në 2020 .
Në tremujorin e katërt 2021, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart është 11,4%, apo 5% më e lartë se papunësia e regjistruar në Elbasan në fund të vitit 2017.
Sipas ligjit që rregullon sistemin e Arsimit dhe Formimit Profesional, i plotësuar nga një sërë ligjesh të tilla si: Ligji për nxitjen e punësimit 15/2019, Ligji 10247/2010 “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve” (KSHK-në), i ndryshuar , Ligji për Zejtarinë (70/2016), Ligji Nr. 69/2012 Për arsimin parauniversitar, i ndryshuar dhe Kodi i Punës, 2015 shihet se kuadri rregullator konsiderohet i plotësuar edhe pse nevojiten azhornime dhe akte nenligjore per zbatim nga institucionet qe kane fushe mbulimi.
2. Sipas prioriteteve të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi, në 4 prioritetet të cilat kanë shtrirje kombëtare përfshihet edhe Bashkia.
Më poshtë janë edhe objektivat sipas prioriteteve, të cilat përfshihen edhe në disa nga fushat e mbulimit të bashkisë :
– Nxitja e mundësive për punë të denjë nëpërmjet politikave të frytshme të tregut të punës.
Modernizimi shërbimeve të punësimit
Zgjerimi shtrirjes së informacionit dhe diversifikimi programeve aktive te tregut te punës
Puna e denjë
– Ofrimi i arsimit dhe formimit profesional cilësor për të rinjtë dhe të rriturit.
Optimizimi i rrjetit të ofruesve te AFP dhe diversifikimi i ofertës
Zbatimi i Kornizës së Sigurimit të Cilësisë së AFP
Përmirësimi i mësimit dhe arsimit të bazuar në punë
Zhvillimi dhe forcimi kapaciteteve të burimeve njerëzore
– Nxitja e përfshirjes sociale dhe kohezionit territorial
Përmirësimi shtrirjes dhe mbulimit me shërbime punësimi dhe programe AFP
– Fuqizimi i qeverisjes së tregut të punës dhe i sistemeve të kualifikimeve
Performanca e tregut të punës
Forcimi dialogut social
Në monitorimin e investimeve të kryera për arsimin profesional përtej shpenzimeve të kryera nga vetë fondet e bashkisë, direkt nga buxheti i shtetit nuk rezulton se është investuar për rikonstruksion.
Përsa i përket edukimit të të rinjve lidhur me punën e denjë, duhet përmendur se industria dhe aktivitetet që lidhen direkt me drejtimet mësimore që jepen në shkollat profesionale kanë nevojë për një nivel më të kualifikuar se nxënësit që dalin direkt nga shkollat.
Vetë të rinjtë që kanë zgjedhur arsimin profesional thonë se vendimin e kanë marrë për një të ardhme më të mirë, që më së pari një shkollë e tillë tu sigurojë mundësinë e punësimit. Ndonëse janë në hapat e parë të profesionit, që kanë zgjedhur, ata besojnë se do të vazhdojnë të ecin në këtë rrugë.
Vini re!
Vitet e fundit dhe në vijim zhvillohen panaire të shkollave profesionale, me pjesëmarrje të ofertave dhe kërkesave mes punëdhënësve dhe punëmarrësve të rinj, si dhe me modele që tregojnë se strategjia për punësim dhe aftësi është në nivele zbatueshmërie që janë efektive, megjithë pengesat që ka punësimi në tregun vendas për arsye të mundësive të vogla për të ofruar punë të denjë dhe cilësore.
3. E ardhmja e zhvillimit të edukimit profesional duhet të bazohet në aftësimin dhe përdorimin e novacionit digjital, por të bashkërenduar me kërkesat e biznesit vendor dhe kombëtar.
Pandemia ka theksuar thellimin e ndarjes dixhitale në vend.
Pikat e tjera kryesore, të cilat do të rrisin mundësinë e arsimimit në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet pas në teknologji është qasja politike vendore që në një komunikim me qeverisjen qendrore të kërkojë realisht projekte në programet e saj buxhetore dhe politika të veçanta që duhet të miratojë, që të kuptojë se çfarë roli do të luajë digjitalizimi në edukimin e brezit të ri, por edhe në stimulimin e investimeve fillestare duke kërkuar edhe ndryshimet e transfertës për këto raste.
Nevojitet puna e vazhdueshme për të siguruar aksesin, pajisjet dhe infrastrukturën për të siguruar që çdo fëmijë dhe i ri mund të mësojë dhe të zhvillojë me sukses, qoftë në shtëpitë e tyre apo në shkollë.
Në këtë qasje, ekspertiza dhe kontributi i OSHC-ve të specializuara mund të jetë nisja e parë e një projekti pilot, për gjallërimin e jetës së të rinjve, por mbi të gjitha për të formësuar karrierat digjitale për të ardhmen.
Vini Re!
Edhe pse Elbasani, si disa bashki të tjera në vend ka Planin Lokal të veprimit për rininë 2020 -2023 duhet të synohet që vizioni i këtij plani ambicioz të jetë pjesë e veprimeve dhe buxhetit në përditshmërinë e bashkisë .
Për këtë programet që kanë filluar të investohen nga donatorë dhe buxhete vendore si ai i Tiranës, në koordinim me qeverinë shqiptare duhet të jenë shembull për tu fokusuar që të programohet dhe të kërkohet një nivel bazë i arsimimit dixhital për të jetuar dhe punuar në një botë dixhitale.
Vini re!
Në këtë mes vlen të bëhen përpjekje partneriteti programesh me investitorë strategjikë vendas dhe të huaj, për të promovuar vlerat më të mira me sa më shumë vlera të shtuara, bazuar te përfshirja e profesionistëve vendas
Një ndërthurje edhe me bizneset vendore për këtë qëllim do të ishte një përdorim me vlerë i burimeve në dispozicion bazuar mbi programe të bashkërenduara dhe që kanë në themel të tyre interesin mes palëve.
Bizneset janë pjesa që përkrahet nga bashkia nëpërmjet politikave nxitëse dhe stimuluese, ndërsa studentët janë pjesa që vlen për të parandaluar migrimin, por edhe për të garantuar që vlera e shtuar për të ardhmen të jetë më e garantuar.
Kujdes! Për të përmbushur misionin e tyre për arsimin, qeveria vendore duhet të integrojë aftësitë dixhitale gjatë gjithë rrugëtimit të të mësuarit.
4. Integrimi i të rinjve dhe të rejave në tregun e punës, sipas programeve sektoriale janë ende të papërmbushura përtej politikave institucionale në mbështetje të punësimit të të rinjve .
Në mungesë të të dhënave të disponueshme për Elbasanin, sipas publikimit për tregun e punës në Shqipëri në 2020, “në grupin e të rinjve dhe të rejave (15-29 vjeç), që nuk janë të punësuar dhe nuk janë as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, 35.1 % e tyre klasifikohen si të papunë” , ku të rinjtë janë të papunë në nivelin 44.3% dhe të rejat në nivelin 27%.
Vini re!
Në monitorim të Strategjisë për Punësim dhe Aftësi, 2019-2022, programeve buxhetore afatmesme dhe buxheteve në vitet 2017-2021, si dhe duke ju referuar edhe programit politik të Kryetarit të Bashkisë në vitet 2015-2019, vërehet se investimet e realizuara nga fondet e Bashkisë, por edhe ato të investuara nga buxheti i shtetit nuk kanë arritur të zbusin papunësinë, madje ajo rezulton me rritje në 2019 në nivelin 16.6% të forcave të punës aktive në Bashkinë Elbasan.
Një arsye është se në programet buxhetore vendore, si dhe politikat zbatuese të Strategjive për punësimin dhe integrimin e të rinjve nuk ka një ndërlidhje reale midis nivelit qendror dhe atij vendor.
Një arsye tjetër është se Strategjitë dhe politikat përshkruajnë në mënyrë optimiste realitetin dhe situatën dhe gjithashtu vendosin mbi këto baza edhe objektiva për tu arritur jashtë realitetit ku do të zbatohen .
Sipas leximit të dokumenteve kryesore ku bazohet zhvillimi ekonomik dhe social shihet se për integrimin e të rinjve dhe të rejave në tregun e punës ka pak prioritete/objektiva për nxitje të ekonomisë dhe hapësirave për rritje të investimeve që mund të krijojnë vende të reja pune dhe punësim edhe të të rinjve dhe të rejave.
Nga investimi me fonde direkt nga buxheti i shtetit dhe nga miratimi i Marrëveshjeve me shtete dhe organizata të huaja për edukimin profesional ka projekte në nivel kombëtar , si dhe projekte investimi me shtrirje vendore.
5. Në nivelin e pjesëmarrjes, Elbasani në arsimin e mesëm të përgjithshëm në raport me arsimin profesional bazohet kryesisht në gjimnaze me 69% pjesëmarrje dhe 31% e nxënësve ndjekin shkollat profesionale dhe social- kulturore.
Numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar me nxënësit në shkollë të mesme është në një raport 2.4:1. Ky raport mundet të jetë një tregues për mosvijueshmëri të edukimit me të njëjtin ritëm si arsimi i detyrueshëm, i cili meriton një vëmendje për Ministrinë si rast për konsiderim nga ta për azhornim të politikave.
Nga ana tjetër edhe numri i fëmijëve në kopshte publike është në një numër mjaft të ulët, që duhet të analizohet se sa është nevoja reale për investime për një lehtësim të barrës së familjeve të reja nga kostot për mbajtjen e fëmijëve jashtë sistemit të edukimit parashkollor.
Nga Anketimi i bërë nga Albanian Tax-Economic Center – ALTAX:
Kur qytetarët u pyetën “Si do ti ndanit shpenzimet e buxhetit në Bashkinë tuaj nëse do ta kishit ju në dorë miratimin e shpërndarjes së fondeve dhe politikave?, pikët më të mëdha si mesatare e përgjigjeve i morën “Bllokimi ndërtimeve pa leje” 5.1 pikë, “Mbrojtja civile dhe nga zjarri” 4.8 pikë, “Transporti publik” 4.8 pikë, “Menaxhimi trafikut” 4.8 pikë.
Aktivitetet e tjera të Bashkisë ishin poshtë këtij pikavarazhi.
6. Shpenzimet e buxhetit të Bashkisë për Arsimin parashkollor përfshirë arsimin bazë, Arsimin e mesëm të përgjithshëm, si dhe Arsimin profesional në vitin 2022 janë parashikuar 16% më të ulta dhe vijojnë të tilla.
Në aspektin e realizimit të programit për rikonstruksionin dhe ndërtimin e shkollave është punuar në përmbushje të programit politik, por edhe programit buxhetor.
7. Niveli i shpenzimeve spjegon edhe faktin e përqindjes së lartë të pjesëmarrjes së nxënësve në arsimin publik duke konsideruar edhe argumentin e nivelit të ardhurave nën mesataren kombëtare (45.5 mijë lekë /muaj) që nuk arrijnë dot për pjesën më të madhe të familjeve të përballojnë kostot private.
Në këtë rast përgjegjësia e bashkisë është edhe më e madhe, në aspektin sasior dhe cilësor.
Të regjistruarit e arsimit të mesëm publik për vitin 2020 – 2021 përbëjnë 95% të numrit të përgjithshëm të të regjistruarve në arsimin e mesëm në Elbasan. Ndërsa vetëm 5% janë të regjistruar në arsimin e mesëm privat duke u renditur në vend të katër përsa lidhet me masivitetin e arsimit të mesëm publik në nivel vendi.
Nëse llogaritim shpenzimet e buxhetit të bashkisë për nxënës (parashkollor, arsim bazë, arsim i mesëm dhe profesional) rezulton një vlerë shpenzimi mesatare prej 33.3 mijë lekë për nxënës.
Raporti nxënës për mësues është në nivel qarku është 10 nxënës për mësues, ndërsa për Bashkinë Elbasan është 11.1 nxënës për mësues, ku të gjitha bashkitë e tjera vërehen për nivele më të ulta.
Këto raporte me diferenca të mëdha shpjegohen me faktin e migrimit dhe lëvizjes së popullsisë në zonat jo urbane drejt qendrave më të mëdha.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.