Ekonomia shqiptare në vitin 2025 midis stabilitetit sipërfaqësor dhe brishtësisë strukturore
Në tremujorin e parë të vitit 2025, ekonomia shqiptare paraqet një përmirësim teknik në balancat e jashtme, por prapa këtij bilanci qëndron një realitet më kompleks. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë dhe bazuar ne analiza te meparshme[1] na tregojnë se deficiti i llogarisë korrente është ngushtuar nga –902 milionë euro në –757 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Megjithatë, kjo ulje nuk përfaqëson një fitore të modelit ekonomik, por më shumë një reflektim të rënies së kërkesës së brendshme dhe luhatjes sezonale të turizmit.
Në fillim të vitit 2025, ekonomia shqiptare paraqet një pamje të dyzuar, ku në sipërfaqe, treguesit makroekonomikë ofrojnë një tablo stabiliteti monetar dhe financimi të qëndrueshëm nga jashtë. Ndërkohë, në thellësi themeli mbi të cilin mbështetet kjo ekonomi vijon të mbetet i ndërtuar mbi kolona të brishta: turizëm sezonal, remitanca nga diaspora dhe një strukturë investimesh të huaja që dominohet nga ndërtimi dhe energjia tradicionale.
Një analizë më e thelluar e bilancit të pagesave për tremujorin e parë të këtij viti hedh dritë mbi kontrastet që karakterizojnë zhvillimet ekonomike në Shqipëri, si dhe sfidat që kërkojnë vëmendje urgjente për një orientim të ri të modelit ekonomik.
Analiza e llogarisë korrente – A është ulja e deficitit një sukses i vërtetë?
Le ti analizojmë një nga një tendencat kryesore të bilancit të pagesave:
Bilanci i mallrave – ulja e importeve, jo rritje e eksporteve
Deficiti i mallrave ra ndjeshëm nga –1.546 milionë euro në –1.169 milionë euro. Kjo duket pozitive, por nëse zhbirojmë më tej:
- Eksportet e mallrave nuk u rritën në mënyrë domethënëse. Përkundrazi, pjesa më e madhe e reduktimit erdhi nga ulja e importeve. Ky zhvillim është një pasojë e ngadalësimit të konsumit të brendshëm, e cila në vetvete është një sinjal për përkeqësim ekonomik të fillimit të vitit ekonomik 2025.
- Rënia e importeve është gjithashtu efekt i kursit të fortë të këmbimit dhe inflacionit të importuar më të ulët, që ndikon në uljen e vlerës së mallrave të blera nga jashtë, por pa ndikuar produktivitetin e brendshëm.
Një reduktim i deficitit i bazuar në tkurrje të aktivitetit ekonomik është një tregues negativ në planin afatgjatë, pasi nuk mbështet transformimin prodhues.
Bilanci i shërbimeve, ku Turizmi konstatohet një motor i pasigurt
Bilanci i shërbimeve, megjithë rëndësinë e tij për llogarinë korrente, ka pësuar rënie. Të ardhurat nga udhëtimet shënojnë një rënie prej 228 milionë eurove në tremujorin e parë 2025 në krahasim me 2024.
Kjo përbën një sinjal alarmi për modelin turistik shqiptar, i cili:
- është tejet i varur nga sezoni veror,
- nuk ka zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm dhe të larmishëm
- dhe nuk krijon ende efekte shumëfishuese të qëndrueshme në sektorët e tjerë (agroturizëm, prodhim artizanal, teknologji, etj.).
Varësia e ekonomisë nga një turizëm sezonal nuk mund të zëvendësojë prodhimin e qëndrueshëm industrial apo bujqësor dhe e bën bilancin e jashtëm të brishtë ndaj çrregullimeve të klimës, sigurisë apo shërbimeve.
3. Të ardhurat dytësore tregojnë se remitancat janë nën presion
Remitancat arritën në 301 milionë euro, por shënojnë një ulje krahasuar me 2024. Kjo ulje mund të shpjegohet nga:
- inflacioni i lartë në vendet pritëse, i cili redukton fuqinë blerëse të emigrantëve,
- mungesa e lidhjes investuese midis diasporës dhe ekonomisë reale në Shqipëri,
- papërgatitja institucionale për të kanalizuar remitancat në zhvillim prodhues.
Përdorimi i remitancave për konsum nuk përbën vlerë të shtuar. Shteti duhet të ofrojë instrumente investimi të dedikuara për emigrantët, si bonot e diasporës ose fondet mikrokredi me garanci të pjesshme.
Llogaria e kapitalit dhe financimi nga jashtë, një kthesë pozitive, por me kufizime
Investimet e huaja direkte (FDI)
Investimet e huaja u rritën, veçanërisht në ndërtim dhe energji. Megjithatë:
- Ato janë të përqendruara në sektorë jo të eksportueshëm, duke përjashtuar potencialin për rritje të qëndrueshme të eksporteve.
- Ka mungesë investimesh në sektorët me teknologji të mesme/larta.
- Shpërndarja gjeografike dhe sociale e FDI-ve është e pabalancuar: përqendrim në Tiranë dhe Durrës, me ndikim të ulët në pjesën tjetër të vendit.
Shqipëria ka nevojë për tërheqje selektive të investimeve, përmes politikave fiskale stimuluese për sektorët me potencial eksporte dhe punësim të kualifikuar.
Rritja e rezervave valutore
Rezervat u rritën në 5.1 miliardë euro, duke mbuluar 6.6 muaj importe, një zhvillim pozitiv që tregon se BSH ka menaxhuar mirë rreziqet monetare. Por, forca e lekut ka efekte të dyfishta:
- E përmirëson borxhin e jashtëm në termat e shërbimit, por dëmton eksportuesit dhe prodhuesit vendas, të cilët përballen me konkurrencë të lartë nga importet më të lira.
Një politikë më fleksibile e kursit të këmbimit do të mund të mbështeste sektorin eksportues dhe të reduktonte varësinë nga konsumi i brendshëm.
Leku i fortë, eksporti i dobët
Një aspekt tjetër kritik është kursi i këmbimit.
Me një Lek që vijon të forcohet përballë euros dhe monedhave të tjera, eksportuesit shqiptarë përballen me vështirësi të konsiderueshme për të qenë konkurrues në tregjet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ky forcim i lekut e bën më të lirë importin, duke goditur prodhimin vendas dhe duke shtuar varësinë ndaj mallrave të huaja.
Në këtë kuptim, stabiliteti monetar i raportuar nëpërmjet rritjes së rezervave valutore në 5.1 miliardë euro dhe mbulimit të 6.6 muajve të importeve, është një garanci likuiditeti, por jo domosdoshmërisht një përparësi për sektorin real.
Një ekonomi e pambrojtur ndaj goditjeve
Nëse analizojmë strukturën e burimeve valutore të vendit, tabloja është shqetësuese:
- Turizmi është jetik, por mbetet thellësisht sezonal dhe i përqendruar në bregdet.
- Remitancat janë të qëndrueshme, por nuk janë burim zhvillimi të brendshëm, as nuk lidhen me prodhimin.
- Shërbimet e përpunimit, si fasoneria, janë në rënie dhe të pambrojtura nga konkurrenca lindore.
- Investimet e huaja, edhe pse rriten, nuk e ndryshojnë modelin ekonomik.
E gjithë kjo tregon se ekonomia shqiptare vijon të mbështetet në komponentë jo të vetëgjeneruar, të cilët nuk krijojnë vlerë të qëndrueshme apo transformim ekonomik.
Deficiti tregtar strukturor, një simptomë e mungesës së konkurrueshmërisë dhe dobësisë sistemike
Deficiti tregtar i thellë, ku importet e mallrave janë më shumë se 3 herë më të larta se eksportet, është një tregues se prodhimi vendas nuk arrin të zëvendësojë importet, e aq më pak të konkurrojë në tregje të jashtme.
Shqipëria eksporton kryesisht mallra me përmbajtje të ulët teknologjike (tekstile, lëndë të para, energji elektrike në sezonin veror), ndërsa importon mallra kapitale, ushqimore dhe konsumi final.
Struktura e eksporteve tregon një mungesë të industrializimit të thelluar, mungesë të zinxhirëve të vlerës dhe varet nga sektorë me vlerë të shtuar të ulët.
Ky raport 3:1 në mallra (krahas një bilanci më pozitiv në shërbime) krijon një strukturë deficiti të qëndrueshme në kohë, që e bën ekonominë kronikisht të ekspozuar ndaj krizave të çmimeve dhe furnizimit ndërkombëtar.
Varësia e thellë nga burime të jashtme na tregon një ekonomi te pambrojtur ndaj goditjeve ekzogjene
Një ekonomi ku rritja mbështetet në turizëm, remitanca dhe investime të huaja është e prekshme në thelb.
Konsumi i brendshëm financohet jo vetëm nga të ardhurat e brendshme, por edhe nga remitancat që zënë >9% të PBB-së.
Turizmi është një burim i rëndësishëm valute, por gjithashtu ciklik dhe i pasigurt, sidomos në një botë me tensione klimatike, politike dhe të sigurisë.
Investimet e huaja direkte (IHD) – pavarësisht vëllimit të qëndrueshëm – janë të përqendruara në sektorë me pak lidhje horizontale me ekonominë vendase (si energjia apo pasuritë e paluajtshme), duke e zvogëluar efektin shumëzues në zhvillimin lokal.
Kjo varësi e trefishtë e bën ekonominë shqiptare tejet të ekspozuar ndaj tronditjeve gjeopolitike, tregtare apo financiare – siç u dëshmua gjatë pandemisë dhe luftës në Ukrainë.
Struktura e të ardhurave nga jashtë nuk mbështet tranzicionin drejt një ekonomie moderne BE-në
Shqipëria nuk po gjeneron të ardhura nga jashtë përmes sektorëve që krijojnë vlerë të shtuar, teknologji, punësim cilësor dhe eksport të dijeve, që janë thelbësore për një ekonomi të orientuar drejt BE-së.
Ndërsa ekonomitë e BE-së avancojnë drejt transformimit digjital, ekonomisë së gjelbër dhe industrive kreative, Shqipëria mbetet e fokusuar në sektorë tradicionalë dhe pak inovativë.
Eksportet e shërbimeve përbëhen kryesisht nga turizmi dhe shërbimet e IT-së (në rritje), por pjesa më e madhe e remitancave dhe IHD-ve nuk përkthehen në transformim strukturor.
Kjo mosperputhje tregon se Shqipëria po grumbullon valutë përmes mënyrave të paqëndrueshme në afatgjatë, duke mos ndërtuar bazat e konkurrencës afatgjatë që kërkon integrimi në BE – si rritja e produktivitetit, rrjetet industriale dhe fuqia punëtore e specializuar.
Çfarë duhet të marrë vëmendje?
Ekonomia shqiptare ka hyrë në një fazë ku përmirësimi i sipërfaqshëm duhet të lërë vendin për transformime të thella strukturore. Disa fusha kërkojnë vëmendje të menjëhershme, të tilla si:
- Zgjerimi dhe diferencimi i turizmit, për të krijuar një cikël gjithëvjetor dhe për të ndikuar drejtpërdrejt në punësim dhe konsum lokal.
- Diversifikimi i investimeve të huaja, për të ndërtuar sektorë prodhues që ushqejnë eksportin dhe rritin qëndrueshmërinë e ekonomisë.
- Zbutja e forcës së lekut, përmes politikave të kujdesshme monetare dhe fiskale, që mbështesin konkurrueshmërinë.
- Zhvillimi i një strategjie eksporti, që lidhet me bujqësinë e përpunuar, industritë e lehta dhe shërbimet teknologjike.
- Formalizimi dhe ristrukturimi i remitancave, në mënyrë që ato të orientohen drejt sipërmarrjes dhe jo thjesht konsumit.
Në pamje të parë, bilanci i pagesave në tremujorin e parë 2025 ofron një ngushëllim teknik se Shqipëria po lëviz drejt një ekuilibri më të qëndrueshëm. Por kur analizojmë nga afër komponentët, del në pah se struktura e brendshme e ekonomisë nuk ka ndryshuar ndjeshëm. Ajo mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme, e varur nga kapitale që nuk krijojnë bazë të qëndrueshme zhvillimi, dhe pa një politikë të qartë industriale dhe eksportuese. Vetëm përmes një qasjeje sistemike, që kombinon politikat fiskale, monetare, industriale dhe sociale, Shqipëria mund të shndërrojë burimet ekzistuese të financimit në moto për zhvillim të qëndrueshëm dhe të kapërcejë kufijtë e rritjes së rreme.
[1] Kjo analizë bazohet në të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë 2025 dhe analizon në krahasim me prirjet 2020–2024, në linjë me analizën e platformës ALTAX mbi balancat e pagesave dhe qëndrueshmërinë ekonomike të vendit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.