Ekonomia rentiere shqiptare mes iluzionit statistikor, polarizimit social dhe rrezikut të kolapsit strukturor
Ekonomia shqiptare ndodhet sot në një fazë që në pamje të parë mund të interpretohet si rritje, zhvillim dhe modernizim. Treguesit makroekonomikë raportojnë zgjerim të Prodhimit të Brendshëm Bruto, rritje të investimeve, boom në sektorin e ndërtimit dhe intensifikim të aktivitetit turistik.
Megjithatë, nën këtë sipërfaqe statistikore fshihet një realitet shumë më kompleks dhe problematik i polarizimit të thellë të strukturës ekonomike dhe prishjes së mekanizmave të rishpërndarjes së të ardhurave.
Në thelb, polarizimi aktual i ekonomisë shqiptare nuk është rezultat i një transformimi natyror ekonomik, siç ndodh zakonisht në vendet që kalojnë nga bujqësia drejt industrisë dhe më pas drejt shërbimeve me vlerë të lartë.
Përkundrazi, ai është kryesisht produkt i ndërhyrjes selektive të qeverisë në alokimin e burimeve publike dhe private, duke orientuar kapitalin drejt pak sektorëve dhe pak aktorëve.
Në vend që tregu, konkurrenca, inovacioni dhe produktiviteti të udhëheqin ristrukturimin ekonomik, në Shqipëri jemi brenda një modeli ku kapitali publik, lejet, koncesionet, kreditimi indirekt dhe politikat fiskale e urbane janë kanalizuar në mënyrë të përqendruar drejt ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe turizmit sezonal.
Këta sektorë janë kthyer në boshtin artificial të rritjes ekonomike, duke prodhuar një ekonomi ku fitimet janë të përqendruara në majë, ndërsa rreziqet dhe kostot shpërndahen në shoqëri.
Ky mekanizëm krijon një paradoks tipik për ekonomitë rentiere me rritje formale të PBB-së, por dobësim real të mirëqenies. Kapitali nuk shkon aty ku krijohet vlerë e re, por aty ku ka akses politik dhe privilegj institucional. Rezultati është ekonomia që jetojmë sot, e cila gjeneron inflacion të aseteve, sidomos në tregun imobiliar, ndërkohë që pagat reale mbeten të ulëta, sektori prodhues shtypet dhe pabarazia e të ardhurave rritet.
Ndërtimi dhe turizmi paraqiten si sektorë “suksesi”, sepse rrisin shpejt volumet monetare, gjenerojnë shumë transaksione dhe janë vizualisht të dukshëm në hapësirën urbane.
Por në terma ekonomikë të thellë, këta sektorë kanë produktivitete të ulëta, krijojnë punë të pasigurta dhe sezonale, si dhe kanë multiplikator të dobët teknologjik dhe nuk rrisin kapitalin njerëzor.
Ndërtimi dhe turizmi prodhojnë volum, por jo zhvillim.
Paradoksi shqiptar bëhet edhe më i fortë, ku ndërsa ndërtohen më shumë kulla, rritet emigrimi, rritet papunësia e të rinjve të kualifikuar, rritet hendeku mes çmimeve dhe pagave dhe rritet varësia nga remitancat.
Kjo është simptomë klasike e ekonomive që zhvillojnë sektorë jo-produktivë, por rentë-dhënës, ku pasuria nuk krijohet përmes punës dhe inovacionit, por përmes kontrollit të tokës, licencave dhe privilegjeve.
Në këtë model, mekanizmi i rishpërndarjes së të ardhurave është thellësisht i prishur.
Fituesit janë zhvilluesit e mëdhenj, bizneset e lidhura me kontratat publike, aktorët financiarë pranë qeverisë dhe pronarët e tokave urbane.
Humbësit janë punëtorët, të rinjtë e arsimuar, bizneset prodhuese, bujqësia dhe shtresa e mesme.
Kjo do të thotë se të ardhurat rriten në majë të piramidës, ndërsa konsumi i shoqërisë mbahet artificialisht nga borxhi dhe remitancat.
Në këtë ekonomi politike, korrupsioni i lartë në Shqipëri nuk është një devijim moral apo një problem individual, por pasojë strukturore e këtij modeli ekonomik.
Kur shteti vendos kush merr leje, kush merr koncesion, kush përfiton nga projektet publike dhe kush futet në tregje të mbrojtura, atëherë korrupsioni bëhet instrument funksional i sistemit, jo thjesht shkelje ligji.
Ai është mekanizmi përmes të cilit shpërndahet renta ekonomike (përfitimi klientelist e spekulativ).
Historia ekonomike botërore ofron shembuj të qartë të dështimit të këtij modeli.
Spanja para krizës së vitit 2008 ndërtoi një ekonomi të mbështetur në ndërtim, me rritje të shpejtë dhe papunësi të ulët artificiale, por përfundoi në kolaps bankar, borxh publik dhe një brez të humbur.
Greqia ndërtoi një ekonomi të bazuar në turizëm, shërbime publike dhe konsum me borxh, dhe përfundoi në krizë sovrane, varfërim masiv dhe emigrim të trurit.
Edhe Dubai i sotëm, modeli ekstrem i ekonomisë rentiere, funksionon vetëm për shkak të naftës dhe fluksit global të kapitalit, një model i paeksportueshëm për Shqipërinë.
Diferenca thelbësore është midis transformimit organik ekonomik, që drejtohet nga produktiviteti dhe rrit kapitalin njerëzor dhe transformimit të diktuar politikisht, që drejtohet nga interesat afatshkurtra të pushtetit, përqendron kapitalin, nxit spekulimin dhe rrit emigrimin. Shqipëria ndodhet qartësisht në modelin e dytë.
Nëse kjo trajektore vazhdon, pasojat afatgjata janë të pashmangshme.
Ekonomia do të mbetet e brishtë, e varur nga flukset e jashtme, me deficit strukturor tregtar dhe borxh në rritje.
Shoqëria do të përballet me tkurrje të shtresës së mesme, rritje të varfërisë relative, polarizim social dhe humbje të besimit te shteti.
Politika do të evoluojë drejt një shteti gjithnjë e më klientelist, me institucione të kapura dhe demokraci formale, por jo funksionale.
Në përfundim, modeli aktual ekonomik shqiptar është një ekonomi rentiere me fasadë zhvillimi, por me themel të dobët produktiv.
Ky model nuk prodhon dot mirëqenie afatgjatë dhe nuk e mban dot kapitalin njerëzor duke shkrirë shtresën e mesme aktuale dhe konkurrencën reale.
Në terma ekonomikë të pastër, Shqipëria nuk po zhvillohet, pasi po riciklon pabarazinë nën petkun e investimeve.
Dhe këtu qëndron edhe pika më kritike politike dhe historike!
Një ekonomi e tillë gjithmonë përfundon ose në krizë financiare, ose në rritje poshtë potencialeve me emigrim masiv, ose në një regjim gjithnjë e më autoritar që përpiqet të menaxhojë pakënaqësinë sociale përmes kontrollit dhe jo përmes zhvillimit.
Polarizimi dhe prishja e parimit të rishpërndarjes nuk mbyllen nga vetë sistemi, por ato marrin fund vetëm kur kapaciteti fiskal shteron, kur borxhi bëhet i paqëndrueshëm, kur flukset e jashtme ndalen ose kur shoqëria nuk e pranon më pabarazinë si normalitet. Në çdo rast, fundi i këtij modeli nuk vjen si reformë e butë, por si korrigjim i dhimbshëm ekonomik, social dhe politik.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.