Çfarë është dhe si funksionon “ekonomia rentiere”?
Për ta sqaruar më mirë duhet ta fillojmë duke imagjinuar ekonominë si një organizëm të gjallë. Ajo ushqehet nga puna, nga dija, nga inovacioni, nga prodhimi i mallrave dhe shërbimeve që të tjerët i blejnë sepse kanë vlerë reale. Në një ekonomi të tillë, njerëzit pasurohen sepse krijojnë diçka të re, sepse konkurrojnë, sepse rrisin produktivitetin dhe sepse tregu i shpërblen për aftësitë e tyre. Kjo është ajo që quhet ekonomi produktive.
Por ekziston edhe një formë tjetër organizimi ekonomik, shumë më e rrezikshme dhe shumë më e përhapur sesa duket që quhet ekonomia rentiere ekonomia rentiere (ekonomi klienteliste apo spekulative).
Në një ekonomi rentiere, pasuria nuk krijohet kryesisht nga prodhimi i vlerës, por nga përvetësimi i saj. Njerëzit dhe bizneset nuk pasurohen sepse prodhojnë më mirë, por sepse kontrollojnë diçka që të tjerët nuk e kanë, si: tokë në zonë strategjike, licencë ekskluzive, koncesion publik, leje ndërtimi, monopol, ose akses të privilegjuar te vendimmarrja e shtetit. Me fjalë të thjeshta, fitimi nuk vjen nga puna dhe dija, por nga pozicioni dhe privilegji.
Këtu hyn në lojë koncepti i “rentës”. Renta, në kuptimin ekonomik, është një e ardhur që merret pa krijuar vlerë të re reale. Është e ardhur që buron nga fakti se ti zotëron ose kontrollon një burim të kufizuar dhe ke fuqinë ta shfrytëzosh atë për përfitim personal. Nëse ke tokë në qendër të qytetit dhe çmimi rritet jo sepse ti ke bërë ndonjë investim prodhues, por sepse shteti ka ndryshuar planin urban, ajo që ti fiton është rentë. Nëse ke një koncesion publik që të garanton fitim pa konkurrencë, ajo është rentë. Nëse ke një licencë që të tjerët nuk e marrin dot, ajo është rentë.
Në një ekonomi normale, konkurrenca të detyron të përmirësohesh. Në një ekonomi rentiere, konkurrenca zëvendësohet nga marrëdhënia me pushtetin. Nuk pyetet më “çfarë di të bësh?”, por “kë njeh?”, “çfarë lejeje ke?”, “sa afër je me vendimmarrjen?”. Ekonomia nuk drejtohet më nga tregu, por nga shteti. Dhe jo në kuptimin pozitiv të politikave publike, por në kuptimin e shpërndarjes së privilegjeve.
Kjo krijon një strukturë shumë specifike shoqërore. Pasuria përqendrohet në pak duar, zakonisht tek ata që kanë akses në burime publike. Produktiviteti bie, sepse nuk ka më nxitje për inovacion. Korrupsioni nuk është më një devijim, por bëhet mekanizëm funksional: është mënyra për të hyrë në zonën e rentës. Të rinjtë e aftë largohen, sepse e kuptojnë që puna dhe dija nuk shpërblehen. Shtresa e mesme dobësohet, sepse renta nuk shpërndahet dhe nuk krijon zinxhirë ekonomikë.
Historia ekonomike tregon se ekonomitë rentiere ekzistojnë në forma të ndryshme. Disa janë të pasura, si vendet e Gjirit që jetojnë nga renta e naftës. Ato funksionojnë sepse kanë burime natyrore jashtëzakonisht të mëdha. Të tjera janë të varfra, si shumë vende në zhvillim që jetojnë nga renta e tokës, e ndërtimit, e koncesioneve dhe e borxhit. Në këto raste, renta nuk vjen nga pasuri reale, por nga shpërndarja e privilegjeve.
Problemi thelbësor është se ekonomia rentiere është strukturalisht e paqëndrueshme. Ajo nuk krijon bazë prodhuese, nuk krijon eksporte, nuk krijon teknologji dhe nuk krijon kapital njerëzor. Ajo jeton nga flukse të jashtme, nga borxhi, nga remitancat, nga spekulimi. Dhe për këtë arsye, çdo ekonomi rentiere, herët a vonë, përballet me një nga tre funde: ose krizë financiare, ose stagnim afatgjatë me emigrim masiv, ose një regjim gjithnjë e më autoritar që përpiqet të menaxhojë pakënaqësinë sociale përmes kontrollit dhe jo përmes zhvillimit.
Në kontekstin shqiptar, kur flitet për ekonomi rentiere, kuptimi është që pasuria krijohet kryesisht nga ndërtimi, toka, lejet, koncesionet dhe kontratat publike. Fitimi vjen nga afërsia me shtetin, jo nga prodhimi, eksporti apo inovacioni. Pra kemi një ekonomi ku nuk fitohet sepse prodhon më mirë, por sepse je në pozicionin e duhur politik.
Dhe kjo është arsyeja pse një ekonomi rentiere, edhe kur shfaq rritje në statistika, në realitet prodhon pabarazi, shkatërron shtresën e mesme, nxit emigrimin dhe krijon një shoqëri ku zhvillimi është iluzion, ndërsa varfëria është strukturore. Në fund, ajo nuk ndërton një shoqëri më të pasur, por një shoqëri më të polarizuar, më të pasigurt dhe më të varur nga e ardhmja jashtë vetes.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.