Ekonomia ka nevojë për bajpas (bypass)

bajpas

Ekonomia ka nevojë për bajpas (bypass)

Vlerat liberale, si pjesa kryesore e ekonomisë tonë janë shumë të çmuara për tu humbur në panikun që ka filluar të vijë duke u shtuar prej shkundjeve të fundit sociale dhe ekonomike. Mungesa e përbërësve bazikë të parlamentit, i cili nuk arrin të mbajë dot një nivel të lartë të monitorimit dhe balancimit të pushtetit, si dhe shansi i humbur që të ndikojë mbi qeverinë për t’u shëruar nga mungesa e liberalizmit është një sinjalizim, që tregon se nevojitet që të dalim nga amoku.

Në rastin kur pandemia pushtoi jetën tonë prej mbi tre muaj më parë, Parlamenti duhet të vendoste kufij në masat emergjente për të siguruar që ato të mos shkojnë më tej dhe të zgjasin jo më shumë se sa është e nevojshme. Ata duhet të inkuadronin në vendimmarrjen e qeverisë respektimin e të drejtave themelore, sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të siguroheshin për një kthim në standardet më të larta pasi të kalojë gjendja e jashtëzakonshme.

Parlamenti i Shqipërisë e ka shansin e tij për ta bërë këtë në javët e ardhshme kur të marrë parasysh se e gjithë kjo situatë është një debat që duhet të orientohet drejt monitorimit të ligjit të buxhetit 2020 dhe diskutimeve për buxhetin 2021.

Çfarë ka ndodhur me buxhetin?

Sa është ndikuar nga pandemia por edhe menaxhimi i qeverisë?

Si dhe cilat janë parashikimet që duhet të jenë ribërë pas futjes me forcë të pandemisë në jetën tonë për këtë vit?

Buxheti që i nënshtrohet shqyrtimit parlamentar duhet kërkuar sa më parë të kalojë në një analizë të plotë, për të parë se si do të ndikojë mbi jetën tonë nëpërmjet taksave, por edhe si do ndikojë mbi jetën tonë nëpërmjet shpenzimeve dhe rishpërndarjes së të ardhurave.

Sa më parë duhet të jetë në programin e jetës parlamentare një debat i gjerë, që përfshin angazhimet e mëdha buxhetore dhe sa do të ndryshojnë ato.

Asnjë pyetje nuk është ngritur në lidhje me kushtetutshmërinë e gjithë kësaj nga gazetarët dhe analistët, por edhe të kërkohen detajet e tij dhe skenarët e pritshëm, pikërisht sepse informacioni është detyrimi kryesor për qeverinë në situata normale e jo më në kohë lufte.

Instinktivisht qeveria, sipas buletineve zyrtare ka miratuar gjithë legjislacionin, që i mundëson asaj të kufizojë lirinë individuale dhe të frenojë sundimin e ligjit dhe ecjen përpara të disa proceseve reformuese. Ajo me siguri do të vendosë masa drastike të reja financiare dhe ekonomike, që do të  mbështesin njerëzit me të ardhura bazike të jetesës dhe në funksion të sigurisë ushqimore.

Megjithatë për vitin në vijim, i gjithë programi buxhetor me gjasa do të jetë lançimi i programeve të mbijetesës dhe rimëkëmbjes. Zgjedhjet ndërkohë përkojnë pikërisht vitin e ardhëm.

Por, a është rivlerësuar buxheti bazuar në huatë financiare të marra nga organizatat financiare për ndërtimin e infrastrukturës dhe në këtë rast a do të ketë një mbivendojse programesh?

Momente të tilla që dominohen nga paniku, pasiguria dhe çoroditja sociale janë shumë të dashura për qeverisje të shpenguar dhe për të bërë si dinë vetë. Por, në demokracitë kushtetuese, pushteti që rritet në kohë emergjencash zakonisht kufizohet nga kushtetuta dhe duhet të mbështetet te parlamenti për të siguruar që masat të mos jenë rreptësisht drastike në kohë dhe të lejohet të zbatohen jo më shumë sesa është e nevojshme.

Një qasje më e ekuilibruar duhet të përfshijë daljen me një buxhet të rishikuar për këtë vit, pasi buxheti i aktual është kryesisht i tepërt për ta thënë që nuk përkon me situatën aktuale social-ekonomike.

Njësoj si bashkëjetesa mes njerëzve, po ashtu edhe ekonomia dhe financat kanë të nevojshme të bëjnë një bajpas. Shoqëria duhet të rigjejë vetveten duke mbartur vlerat pozitive dhe duke i zëvendësuar ato negativet me të rejat që janë huazuar nga përvoja e përfituar.

Ky operacion kërkon kohë për të realizuar rikuperimin dhe shtrihet në një plan afatgjatë. Ndërsa, qasja ndryshe e qeverisjes duhet të përshkruajë planet dhe përparësitë e qeverisë në drejtim të të ardhurave dhe shpenzimeve, si dhe një plan të qartë për financimin e deficitit, përfshirë huazimet e tregut dhe fitimin e parave.

Ky operacion është me periudhë rikuperimi afatshkurtër dhe për këtë qëllim vlen më tepër temës që ka interes aktual për trajtim.

Institucionet financiare vendase dhe të huaja[1] dhe bizneset e mëdha duhet të jenë huadhënësit kryesorë të qeverisë.

Ata mundet ta bëjnë këtë duke blerë bono[2] nga qeveria. Pra, ato bono që qeveria përpiqet ti shesë në tregjet e huaja financiare duhet të angazhohet ti mobilizojë për shitje tek sektori privat vendas, por me raste edhe tek ai publik. Ky treg tashmë është në momentin që duhet të shpërthejë. Aq më tepër që legalizimi i parave duhet të ndodhë tani, për të harmonizuar kërkesën dhe ofertën e parasë[3] në tregun financiar.

Mirëpo, kjo politikë ka lidhje me përgjigjen ndaj pyetjes se a është futur ekonomia jonë në recesion apo vijon në një kurbë pozitive rritje?

Nëse ekonomia është në recesion apo po hyn në atë zonë (për shkak të pandemisë, por edhe pasojave nga tërmeti) institucionet financiare dhe shumica e kompanive të mëdha janë duke pritur të vuajnë për vete. Ka të ngjarë që ata nuk kanë para të tepërta për të investuar në shuma të mëdha për blerjen e bonove të ofruara nga qeveria. Si rezultat, qeveria duhet të paguajë norma të larta interesi në huazimin shtesë pas daljes nga situata e COVID-19 për të tërhequr investitorë.

Për sa kohë që investitorët do të jenë të gatshëm të blejnë bonot e qeverisë, atëherë njësoj si me eurobondin etj. mundet të lëshohen bono të reja për të shlyer bonot e vjetra. Nëse ekonomia, mbase do të rritet më shpejt se deficiti, atëherë raporti i borxhit ndaj PBB-së zvogëlohet, siç ka ndodhur në disa vende në dekadën e fundit.

Por, shqiptarët nuk do të duhet të vuajnë dy herë për hatrin e pandemisë së koronavirusit.

Njëherë duke u bllokuar dhe ngrirë qarkullimi i parasë, dhe më pas me gjasa edhe duke paguar taksa më shumë, ose duke përjetuar shkurtime në programet e shpenzimeve të qeverisë. Shpresojmë se nuk janë këto qasjet më të pritshme për 6-mujorin e dytë 2020, por edhe për buxhetin e vitit 2021.

Duke supozuar se shpenzimet e qeverisë dhe ekonomia do të kthehen në një lloj normaliteti kur pandemia pritet të mos vijojë më tej, atëherë qeveria thjesht do të jetë në gjendje të shtyjë borxhin e saj në të ardhmen. Me gjasa, ajo nuk do të paguajë asnjë kosto të lartë aktualisht, pasi paratë e munguara nga paaftësia paguese e sektorit publik dhe privat do të zëvendësohen nga fondet e huazuara nga jashtë, por edhe nga brenda.

Përvoja jonë për afër dy dekada na tregon qartë se praktikat e hapura të buxhetit janë të lidhura me vlera që përçojnë barazi dhe efikasitetin më të madh. Tashmë qeveria është në gjendje të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të hapur buxhetin për shqyrtim publik. Sidoqoftë, kjo është një rrugë të gjatë për të siguruar mundësi të konsiderueshme për kontributin e publikut në proceset e buxhetimit me synimin për të siguruar rezultate më të mira, por edhe të shumëpranuara nga shumica e njerëzve.

Organizatat qytetare janë burime jetësore të informacionit dhe analizave të thelluara.  Rrjeti i OJF, që mund të përfshihen ne këtë proces gjithashtu rrit ndikimin lidhur me efektivitetin e shërbimeve qeveritare duke ndërtuar përgjegjshmëri dhe besim publik.

Tani, më shumë se kurrë, qeveria duhet të mendojë në mënyrë krijuese se si të ftojë dhe lehtësojë pjesëmarrjen e publikut dhe të shfrytëzojë përfitimet prej kësaj qasje novatore për traditën e vjetruar të buxhetit.

[1] bankat, institucionet financiare ndërkombëtare, kompanitë e sigurimeve, fondet e tjera të investimeve

[2] në thelb kontrata ku huamarrësi paguan huadhënësit ose investitorët një normë fikse të kthimit për një periudhë të caktuar kohe

[3] Kërkesa dhe oferta përcaktojnë normat e interesit që qeveria do tu paguajë investitorëve në këto bono. Nëse ka shumë kërkesë për bonot e qeverisë në lidhje me furnizimin e tyre, atëherë normat e interesit do të jenë të ulta. Nëse kërkesa është e ulët, atëherë normat e interesit do të jenë të larta.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: