Ekonomia, buxheti dhe sistemi fiskal

Ekonomia, buxheti dhe sistemi fiskal

A mendoni se, tani për afër tre dekada nga ndryshimi i madh në sistemin ekonomik kemi një legjislacion fiskal të konsoliduar dhe në përshtatje të plotë me ekonominë e tregut?

Në gjithë periudhën rreth çerek shekullore të administrimit fiskal shikohet evoluimi i legjislacionit fiskal duke synuar këtë që ju përmendni. Mosha dhe historiku i ngjashëm me rajonin, i këtij legjislacioni i ka dhënë mundësi hartuesve dhe miratuesve të politikave fiskale të zhvillojnë gjithë dimensionet fiskale për t’ju përgjigjur programeve ekonomike për zhvillim, konkurueshmërisë fiskale rajonale, por edhe angazhimeve të përfaqësimit të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtare që lidhen me sistemin fiskal.

Konsolidimi i legjislacionit ka filluar në vitin 2008 me miratimin e procedurave të reja tatimore. Ky moment bëri një ndarje të qartë të të drejtave dhe detyrimeve midis administratës dhe tatimpaguesve. NË vitin që jemi u forcua dhe orientua qartë modeli i administrimit fiskal sipas parimeve të acqui me miratimin e ligjit të TVSH-së dhe Kodit Doganor. Të tjera ligje për taksimin e punës dhe kapitalit do të konsolidojnë kolonat e legjislacionit sipas statusit politik-ekonomik të vendit drejt BE-së.

Shpenzimet publike janë në nivelet më ulta rajonale dhe nga ana tjetër deficiti buxhetor[1] do të reduktohet me gati 2% vitin që jemi. Për shkak të kësaj situate qeveria po planifikon një ndryshim në nivelin e taksave për të siguruar të ardhurat e nevojshme. A është kjo rruga e duhur? Nëse po Çfarë tatimesh dhe taksash duhet të ndryshojnë?

Shpenzimet për investime me fonde publike për 2015 ishin 7% poshtë mesatares së investimeve buxhetore të 5-viteve të fundit. Ndodhi që qeveria e kaluar hëngri frytet (të pjekura dhe të papjekura) dhe qeveria aktuale është me “dhëmbë të mpira”. Sipas kësaj specifike shqiptare, nëse i krahasojmë vlerat e investimeve buxhetore me treguesit e rajonit kemi mospërputhje te bazave krahasuese për situatën reale te investimeve. Analiza më e plotë duhet të përfshijë edhe investimet e huaja.

Treguesit makroekonomikë të 2015, si dhe ecuria buxhetore e 4-mujorit tregojnë se qeveria po vijon një disiplinë të rreptë fiskale. Investimet nga fondet publike pas 4-mujorit të parë kanë filluar të ecin me ritme të shpejta. Nivelet e treguesve makro dhe fiskalë paralajmërojnë arritjen e objektivit për reduktimin e borxhit publik në 2016 me deri ne 2% më pak se viti niveli i vitit 2015. Objektivi i uljes se borxhit publik parashikon uljen në total nga 72.5 për qind aktualisht në 67.9 për qind në fund të vitit 2017, pra me një ulje për dy vite me 4.6%.

Për këtë vit masat në drejtim të konsolidimit fiskal ne i konstatojmë me efekt në përmirësimin e modelit të administrimit tatimor.  Shkallët tatimore të tatimeve më kryesore që mbajnë buxhetin janë në nivele konkurruese brenda vendit për segmentet e ndryshme të bizneseve, por edhe me rajonin. Megjithatë ka vend për përhapjen e modelit te progresivitetit ne gjithë mbulimin qe përfshin tatimi mbi kapitalet. Nga ajo që monitorojmë në zërat tatimorë të arkëtuar, ndryshimet që filluan të zbatoheshin këtë vit kanë dhënë produktin e tyre në buxhet me të paktën gjysmën e parashikimit.

Në analizën se çfarë nuk ka ecur në administrimin e tatimeve dhe taksave sipas objektivit buxhetit dhe parashikimeve të politikës fiskale, ajo që ka ngecur është akciza dhe rimbursimi i TVSH. Të dyja kanë nevojë për një shqyrtim të proceseve të zbatimit, kuadrit rregullator dhe luftimin e korrupsionit për t’u gjendur formati i duhur i koordinimit dhe instrumentet zbatuese prej institucioneve.

Një politikë e mbarë në favor të administrimit fiskal është ligji i ri i TVSH, i cili ndryshon mënyrën e të bërit TVSH. P.sh. Fut në skemën formale sektorin bujqësor nëpërmjet paketës së bujqësisë, por edhe koncepte të reja për transaksionet mbi dhe nën koston e blerjes, agjentin tatimor dhe të reja të tjera.

Tatimet, që duhet të pësojnë një transformim janë tatimi mbi të ardhurat individuale, tatimi mbi dividendin, tatimi mbi të drejtën e autorit, si dhe tatimet e tjera që lidhen me kapitalet (tatimi mbi qiranë, tatimi mbi ndërtesat, tatimi mbi kalimin e pasurisë së paluajtshme) dhe vlerën e punës. Nëse pesha e këtyre tatimeve do të merrte një tjetër dimension në objektivat e buxhetit do të ishte një lajmëtare e rritjes cilësore të kapaciteteve të administrimit.

Grupet e interesit të tilla si kompanitë e karburanteve, fajësojnë qeverinë për Çmimet e larta, pasi sipas tyre nafta në vendin ka taksimin më të lartë në rajon. A është e vërtetë kjo?

Mendoj se përcaktime të ngjashme paraqiten edhe nga grupe të tjera aktivitetesh që sheshin me çmime më të larta se fqinjët apo BE. Fakti më kundërshtues për ta është treguesi i barrës më të ulët të taksave në rajon, që e përmendëm në fillim të intervistës.

Po për karburantet sa vlen ky fakt? Le të sqarojmë disa fakte dhe statistika.

Faktorët që ndikojnë mbi Çmimet e karburanteve për automjetet, por edhe për përdorimin industrial janë të mbështetura mbi 4 elementë: Çmimi i karburantit në bursë, kursi i këmbimit, tatimet (akciza, TVSH, taksat lokale e taksat kombëtare), si dhe norma e fitimit brenda tregut vendas. Megjithatë, në Çmimin e karburantit vepron edhe një faktor i jashtëm që lidhet me cilësinë e karburantit.

Por si është pesha e taksimit në Shqipëri dhe rajon dhe si janë Çmimet e shitjes me pakicë?

Mjafton të shikojmë publikimet që bën European Environment Agency, si dhe publikime të tjera (globalpetrolprices.com) për të parë se pesha e taksave për karburantet është më e lartë në Bullgari, Rumani, Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Greqi apo Austri se në Shqipëri. Por Çmimet e shitjes me pakicë janë njësoj apo edhe më ulët se në Shqipëri, në rastin e Kroacisë dhe Maqedonisë. Secili që ka rezerva për statistikat mund tu referohet treguesve dhe të bëjë krahasimet e peshës fiskale dhe Çmimeve të shitjes me pakicë të karburanteve për automjete. Argument i vetëm për çmimet që nuk përkojnë midis shteteve ballkanike ka lidhje me shpërndarjen e barrës fiskale dhe normën e fitimit. Ndërsa, barra fiskale në këto shtete është e shpërndarë sa te karburanti edhe te transportuesit (makinat), në anën tjetër normat e fitimit të bizneseve shqiptare janë më të larta se në vendet e rajonit duke përfshirë çmimin e shumicës dhe pakicës së bashku.

Në mes të debatit për ndryshimet fiskale ekspertët pothuajse të gjithë janë të mendimit që ndryshimet të mos përfshijnë taksat direkte dhe ato të konsumit, pasi në të kundërt dëmtohen investimet dhe rritja ekonomike?

Masat fiskale të ndërmarra nga qeveria kanë patur ndikim mbi shpenzimet publike, por edhe tek investimet private. Kështu, rritja e tatimit mbi fitimin ne 2014 ka dhënë një ndikim mbi vendimmarrjen e bizneseve për investime, për arsye se mendojmë se kanë patur kufizim të likuiditeteve në dispozicion. Ky argument mbështetet edhe nga publikimi i bankës së Shqipërisë për investimet e huaja. NË 2015, investimet e huaja kapen vlerën deri ne 900 milion euro, te cilat nuk ishin në nivelet më të larta të viteve të fundit. Efekt i kundërt ndodhi me tatimin mbi të ardhurat personale. Nga zbatimi i shkallëve progresive në taksimin e të ardhurave nga punësimi, duke mos ndryshuar shkallën tatimore për individët dhe kursimet e tyre u pa efekti direkt me rritje të parasë në dispozicion dhe si rrjedhojë në rritjen e kërkesës konsumatorë për vitin e pare te zbatimit. Ne vitin 2015 ky efekt filloi te modifikohej dhe te hynte ne kanalet e informalitetit. Ndërkaq, paraja ne qarkullim dhe depozitat bankare në Mars 2016 janë 33.2 miliard lekë më pak se ne Dhjetor 2015.

Argumentimi shkon më tej me shembujt nga tatimet indirekte.

Përjashtimi i barnave nga TVSH-ja kanë rritur kërkesën e tregut të brendshëm, si rrjedhojë e reflektimit të politikës në uljen e Çmimeve. Ndërsa, efekti i kundërt erdhi në konsum nga rritja e akcizave për disa nga mallrat e akcizueshme më kryesore. Edhe pse administrimi mallrave të akcizës ka probleme, shkallët e larta ndikuan në reagimin e konsumatorit me ulje të kërkesës, pasi Çmimi i mallit u shkarkua tek ky i fundit me dyfishin e rritjes së shkallës. Kjo rritje e Çmimit mendoj se ka reduktuar në këtë mënyrë fitimin e bizneseve të angazhuara në tregun e mallrave të akcizës.

Sistemi jonë tatimor grumbullon të ardhura shumë më poshtë se mesatarja e Rajonit, pse ndodh kjo?

NË vitin 2015 Shqipëria renditet në vend të parafundit në rajon (e fundit është Kosova) për barrën fiskale te ulet ndaj prodhimit të brendshëm. Gjithë shtetet e tjera te rajonit kane një barre me te larte. Ekspertët e ALTAX e kanë studiuar këtë tregues fiskal. Duke dashur të jemi pjesë e shoqërisë për transparencë ndaj qeverisjes fiskale, ne kemi publikuar edhe raporte me detaje dhe konkluzione në lidhje me barrën tatimore, por dhe boshllëkun tatimor. TË dy këta treguesë kanë lidhje me njëri-tjetrin. Boshllëku tatimor, i cili na tregon se sa taksa i mungojnë buxhetit të një vendi nga lehtësirat fiskale dhe mungesa e politikave fiskale të zgjuara, duke përfshirë edhe mangësitë e administrimit dhe përhapjen e evazionit tatimor, është arsyeja e nivelit të barrës tatimore apo ngarkesës së taksave që mbart mbi supe qytetari e biznesi i Çdo vendi. Arsyet pse është kjo barrë e ulët fiskale në Shqipëri kanë të bëjnë me praninë me tepri të elementëve përbërës të boshllëkut tatimor.

Banka botërore në një studim të fundit për menaxhimin e financave publike, jep përfundime se, produktiviteti në grumbullimin e TVSH, TAP dhe tatim fitimit është më i ulët, duke vërtetuar se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në drejtim të administrimit. A mendoni se ka ardhur koha që të ardhurat të gjenden nga administrimi dhe jo nga hyrja?

Nuk ka nevojë për diskutime politikash fiskale, përsa kohë ato nuk bazohen mbi nivelin real të administrimit fiskal. Në kushtet e produktivitetit të administratës fiskale nën mesataren e vendeve të zhvilluara, atëherë edhe politikat fiskale nuk do të mund të garantojnë qëllimet e tyre. Inkurajimi i miradministrimit nëpërmjet zbatimit de facto të sistemit të karrierës dhe ruajtjes së integritetit institucional janë pikënisja e simbiozës politiko-administrim mbi baza të qëndrueshme. Sfida e sistemit tatimor në Shqipëri për të ardhmen mbetet zgjerimi i bazës së taksimit duke përfshirë një numër sa më të madh qytetarësh dhe aktivitetesh ekonomike, dhe duke ruajtur barazinë përpara ligjit. Me këtë mënyrë ndikohet direkt ngushtimi i evazionit dhe informalitetit. Me fjalë të tjera kjo përkthehet në rritje të kapacitetit administrues të ligjeve të miratuara nëpërmjet modelit te administrimit duke mbyllur qarkun e konsolidimit të administratës fiskale.

Fondi Monetar i ka sugjeruar qeverisë prej dy vitesh një listë tatimesh dhe taksash që duhen ndryshuar, të cilat përfshijnë azhornime të reja të taksës mbi pasurinë, dividendin, TVSH në banesat e reja, etj. A duhen marrë në konsideratë ato dhe cilat mendoni se duhet të ndryshojnë?

Propozimet e FMN ndaj qeverive, specifikisht ndaj atyre që kanë probleme buxhetore përcillet në formën e prurjes së përvojave të mira të zbatuara në vende të tjera. Natyrisht, që pasi kanë studiuar bazën tatimore dhe mangësitë e administrimit të tatimeve ata bëjnë edhe propozimet që të rritin performancën e të ardhurave. Ajo që duhet të mbahet parasysh është analiza dhe kalimi nga qeveria në bankën e provës i gjithë propozimeve duke u bazuar në studimet dhe anketat e saj, të cilat përcjellin reagimin e grupeve të interesit dhe organizatave të biznesit dhe qytetarëve, për secilën nga tatimet e propozuara.

Por me të drejtë shtroni pyetjen nëse duhet të merren në konsideratë për tu futur në administrim?

Me raste dhe kur administrimi mund ti asimilojë në mënyrë të natyrshme propozimet mendoj se mundet. P.sh. Në rastin e propozimit për taksën mbi ndërtesat mendoj se duhet të merret në konsideratë. Po ashtu edhe propozimet e tjera duhen analizuar përsa i përket impaktit të tyre kundrejt mentalitetit për taksat e reja. Çdo taksim i ri duhet konsultuar gjerë e gjatë me publikun duke kaluar në referendumin konsensual dhe duke analizuar pozitivitetin dhe negativitetin. Por, duhet patur e qartë për këdo dhe veçanërisht për individët që krijojnë të ardhura nga kapitalet se është i pashmangshëm kontributi për buxhetin e vendit ku ata i fitojnë këto të ardhura. Jeta e secilit nga ne fillon me buxhet dhe mbyllet me të. Ne kemi të bëjmë me një qark të mbyllur buxhetor, edhe pse në 24 vitet e fundit ka qenë me hallka të shkëputura, si për të ardhurat, po ashtu dhe për shpenzimet.

[1] Borxhi publik

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: