Efekti i politikës fiskale te baza tatimore

Efekti i politikës fiskale te baza tatimore

Niveli aktual i barrës tatimore jo gjithmonë vjen nga normat e ulta, por në rastin e Ballkanit ndikimi i normave të ulta përkthehet me një rrjedhojë direkte të një barre të ulët. Arsyeja qëndron te niveli i informalitetit, korrupsioni dhe sistemi tatimor ende i paharmonizuar me ekonominë dhe tregun. Por edhe lehtësirat fiskale dhe përjashtimet tatimore kanë një ndikim deri në 3-4% të PBB-së në rajon duke ulur de facto barrën tatimore të secilit vend që i zbaton këto politika lehtësuese dhe përjashtuese.

Rritja e peshës së barrës së tatimit mbi vlerën e punës (tatimi mbi të ardhurat personale) dhe ndaj kapitalit (tatimi mbi fitimin) janë efekti që ka prurë tatimi progresiv dhe lehtësimi në tërësi i pagave për punëtorët e pakualifikuar dhe me paga të ulëta, të cilat kanë ndikim si në rritjen e bazës së tatimit, po ashtu edhe në rritjen e fitimit nga bizneset.

Në vitin 2017, si viti i tretë i zbatimit të ligjit të ri të TVSH-së ka qenë një periudhë e konsolidimit për këtë tatim që mban 35% të të ardhurave tatimore të buxhetit. Edhe në Kosovë nisur nga fakti se ligji i TVSH pësoi ndryshim të normës dhe një shkallëzim për mallrat bazë tashmë shikohen efektet në rritjen e të ardhurave nga ky tatim, si dhe një formalizim i ekonomisë dhe përmirësim i produktivitetit të TVSH-së.

Viti 2017 është viti e tretë fiskal i zbatimit të politikës fiskale të progresivitetit të normave tatimore[1] në Shqipëri në lidhje me tatimin e kapitaleve dhe të punës. Nisur nga rezultatet e mbledhjes sw tatimit mbi tw ardhurat personale arrijmë të krahasojmë efektet e tij në performancën buxhetore duke kuptuar edhe diferencat që vijojnw tw jenë midis politikës dhe administrimit fiskal.

Efekti i ndryshimeve ligjore në vendet e Ballkanit ka patur një efekt më të dobët te taksimi, në raport me rritjen e nivelit nominal  të të ardhurave.

Më shumë punë duhet të bëhet për të shqyrtuar efektin e ndryshimeve të prejardhira nga politika tatimore në Ballkan. Më shumë duhet që të përshtatet barra tatimore me zhvillimin ekonomik të secilit vend si dhe atë rajonale duke përshtatur politikën në mënyrën më të natyrshme me objektivat ekonomikë.

Një nivel i lartë i barrës tatimore do të justifikohej vetëm për ato vende me nivel të lartë teknologjie, produktivitet të lartë të punës dhe një kulturë të zhvilluar për pagimin vullnetar të taksave.

Në vendet e Ballkanit me nivel të ulët të zhvillimit ekonomik, ku të ardhurat për frymë janë ndër nivelet e ulta ose mesatare të nivelit europian të të ardhurave për frymë, ngadalësimi i rritjes së barrës tatimore ka efekt negativ në rritjen e PBB-së. Ulja e barrës tatimore do të rezultonte në uljen e PBB-së, pasi nxitja që japin taksat për ekonomitë e vendeve ballkanike konsiderohet se kanë ende një efekt formatues në veprimet e administratës tatimore.

Ofertat populiste të politikanëve ballkanikë për ulje të normave tatimore duke deklaruar se bëhet për qëllime të rritjes së ekonomisë dhe nxitjes së investimeve duke nxitur po ashtu edhe punësimin, kursimin dhe rritjen e mirëqenies (të ardhurave për frymë) kanë rezultuar në realietin ekonomik dhe social si jo të vërteta dhe me efekt të dobët në funksion të objektivave të shpallura. Këto oferta politike pa bazë dhe mbështetje në realitetin ekonomik të vendeve ballkanike kanë krijuar efekte që kanë pakësuar produktivitetin ekonomik dhe investime kapitale duke minuar besimin e investitorëve për investime të reja. Në këtë mnëyrë, uljet e normave tatimore, të konceptuar si të palidhura me politikat dhe reformat e tjera të ndërmarra apo të filluara nga qeveritë kanë ndikuar përgjithësisht në rritjen e deficiteve buxhetore.

Edhe pse rritja e barrës tatimore duket si rruga më e lehtë për ngushtimin e deficitit buxhetor, faktikisht nuk është e vërtetë. Duke konsideruar karakteristikat rajonale dhe objektivat specifike të secilit vend është mëse e natyrshme aplikimi i skemave tatimore të diferencuara midis vendeve, si dhe normave të tatim fitimit dhe tatimit mbi kapitalin, si dhe objektivave buxhetore.

Ndërkohë, ne gjykojmë se fokusi për 2018 duhet të jetë më i madh te Segmenti i individëve me të ardhura të cilat i përkasin kategorisë së mesme në Shqipëri.

Kjo kategori është më e rënduara nga tatimet dhe taksat në vitet e fundit. Është koha, që ulja e taksave të lirojë familjen me të ardhura të mesme nga kjo barrë e rëndë. Punonjësit e kualifikuar ose punonjësit e paguar mirë duhet të paguajnë normën më të lartë tatimore pa marrë realisht pagesat e larta. Shkalla më e lartë e tatimit është tashmë e në zbatim, nëse të ardhurat e një individi arrijnë 1.8 herë më lart se të ardhurat mesatare.

Për të realizuar lehtësime të konsiderueshme tatimore, norma më e lartë e taksave duhet të jetë vetëm për të ardhurat e tatueshme mbi nivelet që vërtet konsiderohen si të ardhura përtej raportit paga e lartë/ pagë mesatare me 1.8 herë . Për më tepër, ne mendojmë se tatimi mbi të ardhurat nevojitet që pragu i pagës së patatuar prej 30.000 lekë të hiqet dhe të gjenden forma të tjera kompensuese për vlerën e tatimit që mund të mbahet për pagat e nivelit nën 30.000 lekë.

E keqja e politikave fiskale është mostrajtimi njëkohësisht i barrës tatimore me balancën makroekonomike dhe punësimin.  Nga ky nënvleftësim i njërit element në dëm të tjetrit harrohet faktori më i madh që duhet të konsiderojë një qeverisje e aftë: shprehjen e qartë të vullnetit për ti dhënë të njëjtin prioritet, si fuqizimit të buxhetit, po ashtu edhe fitimeve dhe kursimeve të biznesit dhe individëve.

Nëse të ardhurat e buxhetit do të planifikohen të rriten bashkë me investime private (të huaja dhe vendase) në të njëtën kohë, atëherë presioni buxhetor do të jetë më pak i ndjeshëm dhe në anën tjetër investitorët do të ndihen më të relaksuar lidhur me kthimin e investimeve të tyre.

[1] Niveli i sheshtë mbi tatimin e fitimit dhe tatimit mbi të ardhurat personale u zëvendësua ne 2014 me tatimin progresiv.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: