Efekti i politikës fiskale dhe qasja e administrimit

Efekti i politikës fiskale dhe qasja e administrimit

Nëse shikojmë shpërndarjen e barrës tatimore sipas muajve të periudhave të vitit bie në sy proporcioni i barabartë i shpërndarjes të të ardhurave të paguara nga bizneset. Çdo muaj barra tatimore është te niveli mesatar 8% e totalit të barrës tatimore. Më e ulët barra tatimore është në muajin Shkurt ndërsa më e lartë është në muajin Dhjetor.

Ulja në tërësi e peshës specifike të tatimeve mbi konsumin në PBB në vitin 2018 krahasuar me 2014, e specifikisht ulja me 4.35 pikë përqind e peshës së tyre në PBB vjen si rrjedhojë e një shpërndarje më të mirë të barrës tatimore midis konsumit dhe punës e kapitalit. Kjo shpërndarje është një fakt që vjen si efekt direkt i politikës për rishpëndarjen e të ardhurave buxhetore nëpërmjet progresivitetit në taksimin direkt, por dhe fillimit të zgjerimit të bazës së kontributeve të sigurimeve si dhe tatimit mbi të ardhurat personale (pa përfshirë tatimin mbi individin).

Megjithatë, baza tatimore është ende larg kapacitetit real të bazës tatimore që duhet të jetë.

Në një krahasim të bazës tatimore për TVSH me vendet ballkanike për 5 vitet e fundit, dallohet se ato kanë një numër të regjistruarish (bazë) për TVSH të lartë krahasuar me Shqipërinë, si p.sh. Maqedonia ka një bazë TVSH sa 10.8% e popullsisë, Serbia ka një bazë TVSH sa 5% e popullsisë, Shqipëria ka një bazë TVSH sa 2.7% e popullsisë, Kosova ka një bazë sa 3.3% e popullsisë, Mali i Zi sa 4.8% e popullsisë.

Perfomanca e TVSH është e lidhur me bazën tatimore, por edhe bazat e tatimeve te tjera. Analiza e peshës së TVSH ndaj totalit të tatimeve, e lidhur me bazën e TVSH tregon se kjo peshë vjen në rënie nëse baza tatimore është e gjerë. Por nga ana tjetër, baza e gjerë është tregues  i shpërndarjes së barrës tatimore te tatimet e tjera e sidomos te tatimet kryesore në mënyrë më të harmonizuar.

Ky fakt provohet nga pesha mesatare që kanë TVSH, tatim fitimi dhe TAP në të ardhurat tatimore gjithsej, në vitet e fundit.

  • Në Maqedoni, TVSH është sa 32% e totalit, tatim fitimi sa 3% dhe TAP sa 7% e totalit.
  • Në Serbi, TVSH është sa 30% e totalit, tatim fitimi sa 3% e totalit dhe TAP sa  13% e totalit.
  • Në Shqipëri, TVSH është sa 35% e totalit, tatim fitimi sa 6% e totalit dhe TAP sa  8% e totalit.
  • Në Kosovë, TVSH është sa 45% e totalit, tatim fitimi sa 15% e totalit dhe TAP sa  18% e totalit.
  • Në Malin e Zi, TVSH është sa 34% e totalit, tatim fitimi sa 17% e totalit dhe TAP sa  13% e totalit.

Po cila është qasja e administrimit tatimor shqiptar ndaj zbatimit te politikes fiskale?

Barra tatimore ka ndryshuar dhe po fillon të ketë një shpërndarje mbi një bazë më të gjerë individësh, duke patur parasysh peshën e taksave nacionale që bazohen mbi taksimin e karburantit që përdoret nga më shumë se 400 mijë automjete apo tatimin mbi ndërtesat dhe të ardhurat personale të larta.

Rritja e peshës së barrës së tatimit mbi vlerën e punës (tatimi mbi të ardhurat personale) dhe ndaj kapitalit (tatimi mbi fitimin) janë efekti që ka prurë tatimi progresiv dhe lehtësimi në tërësi i pagave për punëtorët e pakualifikuar dhe me paga të ulëta, të cilat kanë ndikim si në rritjen e bazës së tatimit, po ashtu edhe në rritjen e fitimit nga bizneset.

Në vitin 2015, hyri në zbatim ligji i ri i TVSH-së, i cili ka dhënë edhe ndikimet pozitive në pagesën e TVSH në buxhet, ashtu si prezantohet në tabelën pak më lart.

Duke qenë se tashmë jemi prej disa vitesh duke parë zbatimin e politikës fiskal të ndryshuar[1] sipas parimit të taksimit të ndershëm në lidhje me tatimin e kapitaleve dhe të punës, arrijmë të krahasojmë efektet e saj në performancën e mbledhjes së tyre duke kuptuar edhe diferencat që janë midis politikës dhe administrimit.

Dhe kush është rezultati i vrojtuar pas krahasimit?

Politika e re fiskale duket se ka filluar të orientohet drejt rritjes së presionit fiskal mbi kapitalin, por duke synuar edhe harmonizimin me shpërndarjen e barrës tatimore mbi vlerën e punës, mbi kursimet e individëve kryesisht të pasur, si dhe mbi kapitalet e shoqërive tregtare duke devijuar peshën e taksave dhe barrën tatimore mbi bizneset e vogla, të cilat dy vite më përpara paguanin me të njëjtën shkallë të tatimit sa bizneset e mëdha.

[1] Taksa e sheshtë mbi tatimin e fitimit dhe tatimit mbi të ardhurat personale u zëvendësua ne 2014 me tatimin progresiv.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: