Diaspora dhe politikat ekonomike të sotme me vizionin e të ardhmes

Diaspora dhe politikat ekonomike të sotme me vizionin e të ardhmes

Diasporat janë bashkësi globale emigrantësh që ruajnë një ndjenjë lidhjeje me atdheun e tyre. Për shkak të karakteristikave të tyre unike transnacionale, diasporat mund të kenë ndikim të rëndësishëm në shkëmbimin ekonomik dhe jo vetëm në disa mënyra. Potenciali i diasporës për të prezantuar në mënyrë krijuese në vendin e tyre të origjinës përvojat, njohuritë, rrjetet dhe vizionet e fituara jashtë vendit është i madh dhe padyshim një element me peshë i suksesit në zhvillimin afatgjatë të vendit të tyre.Ndikimi i angazhimit të diasporës është i vështirë për t’u vlerësuar, për shkak të vështirësisë së përcaktimit sasior të efekteve të pakapshme nga statistikat, të tilla si transferimi i aftësive dhe njohurive dhe emrit të mirë.

Megjithatë, pavarësisht potencialit që përmendim, politikat që synojnë të rrisin përfitimet nga shtetasit që banojnë jashtë kërkojnë të kenë gjithmonë prioritet diasporën në agjendat kombëtare.

Është konstatuar se përparimet moderne teknologjike në komunikim dhe transport po theksojnë rëndësinë e lidhjeve, duke bërë që popullsia e diasporës të fitojë rëndësi në rritje në fusha të tilla si zhvillimi teknologjik, tregtia ndërkombëtare dhe politika e jashtme.

Ndryshe nga tregtia dhe investimet ndërkombëtare, migrimi është një fluks që ende mund dhe ndoshta do të vazhdojë duke u rritur me ritme të shpejta. Nëse nisemi nga ky konkluzion, flukset e mëtejshme të migracionit do të rezultojnë në mirëqenie më të madhe të përgjithshme  dhe munden të rriten.

Siç dihet, ngadalësimi i produktivitetit në dekadën aktuale është sfida më e rëndësishme me të cilën përballet jo vetëm Shqipëria, por edhe tregje të zhvilluara  dhe në zhvillim. Diaspora mund të luajë një rol të rëndësishëm në përmbysjen e kësaj tendence, dhe politika kombëtare duhet të synojë të ofrojë alternativat për një sërë politikash që mund të jenë të dobishme për këtë qëllim.

Më kryesorja vlen si sinjal për qeverinë, e cila mund të bëjë më shumë për të hequr pengesat dhe për të krijuar mundësi që diaspora të angazhohet në zhvillimin ekonomik nëpërmjet kontributeve në zanafillat politike dhe përgjatë procesit të zbatimit të tyre.

Shtytës ekonomik

Qeveritë që janë në gjendje të shfrytëzojnë më së miri potencialin ekonomik të diasporës janë fituesit më të mëdhenj jo thjesht në aspektin politik.

Për të zhbllokuar potencialin, burimet dhe kapacitetet e diasporës për të ndihmuar zhvillimin e vendit, ato duhet të përfshihen në të gjitha dialogët e politikave përkatëse dhe jo kur duhet të përdoren politikisht për përfitime elektorale.

Arkitektët e politikave duhet të krijojnë një rrugë të qartë për diasporën, që të ketë fjalën në vendimmarrje të rëndësishme dhe strategjike në nivel shtetëror, gjë që do të ndihmojë gjithashtu në krijimin e një mjedisi inkurajues dhe pozitiv midis qeverive dhe diasporës së tyre.

Veprimet specifike nga ku ndërtohet marëdhënia e sinqertë përfshijnë:

  • identifikimin e qëllimeve të përbashkëta,
  • hartimin e vendndodhjes së burimeve dhe aftësive të diasporës,
  • nxitjen e një marrëdhënieje besimi me diasporën,
  • ruajtjen e mjeteve të sofistikuara të komunikimit me diasporën dhe në fund të fundit
  • inkurajimin e kontributeve të diasporës në zhvillimin kombëtar.

Qeveria duhet të fokusohet në diasporë, por duke punuar me përgjegjshmëri për të luajtur një rol të dyfishtë: si për të lehtësuar kontributin e diasporës për vendin, po ashtu edhe për t’i shërbyer diasporës.

Diaspora në rastin kur e gjen një ambjent që ngjan me atë ku jeton, mund të kthehet në një burim të rëndësishëm në fuqizimin e ekonomisë shqiptare, duke pasur parasysh pasurinë e avantazheve që mund të ofrojnë. Kjo simbiozë ka dhënë produkt në disa vende europiane dhe më gjerë

Nevoja e kërkimit të kontributit të diasporës për vendin, nëse do të ngjasonte me rastet e suksesit në Evropë, tashmë duhet të ishte në fazat zhvilluese të simbiozës me diasporën duke marrë përfitimet në ekonomi dhe mendësi, për shkak tëpeshës që do të kishte kapitali i investuar, si një forcë me peshë edhe në politikë, përveç ndikimit në rritje në ekonomi.

Por a e duan vërtet politikanët shqiptarë këtë ndikim dhe forcë konkuruese?

Përtej rolit të njohur të emigrantëve, si dërgues të remitancave, roli i tyre ka mbetur i pakët dhe më shumë është përdorur në një rol dekorativ si diasporë, por pa dashur ta përfshijë asnjë forcë politike apo qeverisje të merret me “punët e shtëpisë”. Nëse do të ishte një mendësi si p.sh. në Irlandë qeveria bashkë me diasporën duhet të ishte në stadin e promovimit të përfitimeve nga investimet e huaja direkte, duhet të kishim pse jo edhe biznese me emrin e kompanive të suksesshme të vendeve ku punojnë emigrantët, si dhe duhet të ishte nxitur me kohë  sipërmarrja dhe transferimi i njohurive dhe aftësive të reja. Pra, do të kishim një Shqipëri të gjeneratës tjetër, apo Shqipërimë që e duam si Evropa.

Një diasporë e angazhuar dhe e motivuar për të investuar në Shqipëri  do të ishte shndërruar në një aset kombëtar apo edhe një kundërpeshë ndaj emigrimit të migrantëve të aftë dhe të talentuar.

Por këto do të ndodhnin nëse do tu ishin krijuar kushtet dhe ambjenti. Ende po presim ti kemi.

Zhvillimi i kapitaleve dhe tregtisë 

Për shumë vende, remitancat nga diaspora e tyre jashtë vendit janë një burim kryesor i kapitalit për zhvillim.Si një shtytës kryesor i zhvillimit, diaspora mund të përfaqësojë një burim të rëndësishëm kapitali për Shqipërinë, duke qenë se mundet të vijë si kapital financiar, si kapital njerëzor dhe si kapital social përmes transferimit të parave, informacionit dhe njohurive, si dhe rrjetit të njohjeve të tyre.

Lëvizshmëria globale e talenteve shqiptare në biznes, art, sport, shkencë e gjithë sektorët e jetës është ekzaminuar gjithashtu, si një burim potencial i papërdorur në masë të madhe.

Shpërdorimi i burimeve potenciale të tilla (i ngjashëm me shpërdorimin e burimeve natyrore) shihet te ndikimet e politikave të vullneteve të dobëta që ndikojnë në ikjen e trurit dhe po ashtu nuk kanë dhënë efekt në fenomenin konkurrues, atë të përfitimit të trurit.

Ka prova që tregojnë se anëtarët e diasporës janë kritikë për formimin dhe ndikimin e rrjeteve ndërkombëtare sipërmarrëse dhe tregtare aktuale dhe në mënyrën se si është ndërtuar ekonomia në Shqipëri me gjasa këto talente dhe në tërësi emigrantët ndikuesë në komunitetet e tyre nuk janë të gatshëm për ta pranuar. Por, ata edhe sikur të mos pranojnë politikat e qeverive shqiptare, duhet të pranohen si një “e keqe” e domosdoshme, për shkak të aftësisë së tyre për të ndihmuar në kapërcimin e barrierave burokratike ose kulturore.

Konkluzioni mbizotërues, pasi diskutojmë mbi ndikimet e diasporës në ekonominë shqiptare është se balanca neto është negative, kur shikojmë mungesën e aftësisë për të shfrytëzuar efektet pozitive të përfitimit të trurit të emigrantëve me qëllim të kompensimit efektet negative të ikjes së trurit (emigrantët e rinj).

Lidhjet dhe urat politike

Përpjekjet e diasporës për të formësuar politikën, si të jashtme ashtu edhe të brendshme, janë të spikatura në kërkimet moderne dhe për këtë qasje ka shembuj të ndryshëm.

Pavarësisht nga numri i gjerë i kërkesave mbi potencialet ekonomike të diasporës, duket se politika jonë është ende në eksplorim dhe ka shumë rrugë për kërkime të ardhshme për të jetësuar projekte që mund të bëjnë ndryshimin e dëshiruar.

Tema e ndikimit politik ka brenda saj ndikim te forta ne politikën e jashtme. Nje potencial qe mund të përdoret nga te gjithe qeveritë është roli që merr diaspora e organizuar për të formuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën ndërkombëtare.

Përvoja na tregon se diasporat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në mënyrën se si vendet ndërveprojnë me njëri-tjetrin, qoftë përmes marrëveshjeve tregtare apo sanksioneve ekonomike. Dëshmitë nga shtetet pas konfliktit, nga të cilat diasporat formohen shpejt, tregojnë se ato përballen me sfida institucionale që i pengojnë ata të përdorin efektivisht diasporat e tyre.

Por këto qasje ndodhin kur qeverisjet janë të forta dhe të organizuara në formate kompakte dhe meritokrate bazuar te qasje teknokratike në komunikimin me diasporën.

Qasja bazuar te politika nacionaliste mund të prodhojë emocione, por nuk ndërton dot ura afatgjata komunikimi dhe marëdhënie ekonomike.

Me mendje të hapur për të sfiduar rriskun demografik dhe ekonomik

Duke pasur parasysh kërkesën ekzistuese me sytë dhe mendjen nga diaspora, politika më e dukshme do të ishte investimi në përpjekjet për të mbajtur së pari qytetarët e mbetur në vend duke ulur dëshirën për emigrim, si dhe njëkohësisht zbatimin e përpjekjeve për të tërhequr profesionistët më të mirë dhe më të talentuar të kthehen në vendin e tyre.

Po çfarë po ndodh me institucionalizimin dhe zhvillimin e raporteve mes vendit dhe diasporës?

Edhe pse Shqipëria ka një Strategji Kombëtare për Diasporën me disa objektiva të plotë deri në vitin 2025, së pari nevojitet transparenca dhe llogaridhënia. Nëse shikojmë dokumentet e mbështetjes buxhetore për institucionet që zbatojnë këtë strategji shihet se nuk ka asnjë raport mbi nivelin e zbatimit të strategjisë dhe planit të veprimit paraardhës 2018 – 2024.

Por, nëse shihet vijueshmëria e politikave, pasi Ministria e Diasporës nuk është më në kabinetin Rama 3 ka një raportim të pamjaftueshëm për të kuptuar se vërtet politikat po funksionojnë dhe po përmbushen sipas objektivave dhe ato që nuk përmbushen kush janë pengesat dhe rrisqet. Duhet përmendur se qendra e botimeve për diasporën ka një aktivitet të azhornuar dhe aktivitete duket se bëhen edhe nga se dy institucionet e tjeradiasporës.

Realisht, institucionet janë përpjekur dhe me buxhetin në dispozicion (parashikuar deri 300 milion lekë në vit) po justifikojnë vetveten, ku politikat lokale për afrimin me diasporën Tiranë, Elbasan, Shkodër, Korçë etj. janë në faza miratimi strategjish, si një përsëritje e strategjisë kombëtare, pa patur një raportim mbi zbatimin.

Ndërkohë, politika e integrimit të diasporës shkon përtej kufijve të ngushtë të tre agjensive publike. Ajo kërkon pjesëmarrjen e tyre në votimin e politikave të vendit, si dhe integrimin e burimeve njerëzore, kapitale dhe intelektuale.

Kjo qasje është herët që të quhet se ka marrë një drejtim që jep shpresë për zhvillime më të mëdha. Ndërkohë kriza demografike, me ndikim të ndjeshëm në ekonomi dhe financat publike nuk mund të presë dot dhe për shumë kohë.

Me rritjen ekonomike që parashikohet të jetë më rreth 3-4% shihet se Shqipëria nuk mund ta përballojë efektivisht këtë nivel emigrimi në vijimësi.

Për të qenë në gjendje t’u përgjigjen sfidave të tilla, qeveria e sotme dhe kushdo qeveri e ardhme duhet të ruajë dhe të shfrytëzojë qytetarët ende të aftë dhe të specializuar por që ende nuk kanë emigruar. Krijimi i programeve tërheqëse dhe stimulimi i rritjes së tyre personale është çelësi për parandalimin e largimit të kapitalit njerëzor.

Ndërsa janë të vonuara, programet për të ngadalësuar emigrimin e punëtorëve të kualifikuar duhet të përfshihen në politikat e prekshme sektoriale, jo më si qasje politike e ardhme, por si një pjesë e e veprimit të sotëm.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: