Çfarë opsionesh mendojmë se duhen në adresimin e burimeve alternative për buxhetin dhe veprimet anti inflacion?
Luftimi i inflacionit duke rritur normat e interesit mund të çojë në 2023 në një dobësim të prodhimit dhe punësimit, por edhe tkurrje të fuqisë blerëse edhe më tej në vend.
Së pari duhet analizuar që politika monetare mos të ndjekë të njëjtën vendimarrje si Banka Qendrore Europiane, por të bazohet te realiteti i tregut monetar dhe problemet e pazgjidhura me paratë informale. Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë nuk duket se ka ndikimin e pritshëm ndaj uljes së inflacionit.
Përveç sinjalizimit të aktorëve formal të ekonomisë dhe qytetarët, se BSH po ndjek objektivin e saj të inflacionit tre për qind, rritja e mëtejshme e normave bazë të interest do të ndikojë shumë negativisht te kreditë konsumatore dhe ato familjare, pasi nuk jemi në kushtet që ka tregu europian me indeksim real të pagave dhe pensioneve, por edhe me një nivel të mjaftueshëm të të ardhurave për të përballuar kostot e rritura të kësteve të kredive. Kjo në vetvete do të rriste kreditë e këqia. Nga ana tjetër, një rritje e kostove financiare për individët do të përkeqësojë stabilizimin e prirjeve inflacioniste për shkak të rënies së fuqisë blerëse për shkak të mungesës së të ardhurave në xhepat e familjeve dhe bizneseve që kanë marëdhënie në nivele të ndryshme më bankat.
Normat e interesit janë pjesë e kostos së bizneseve, por edhe familjeve dhe me efektin kanë filluar të reduktojnë fitimet e bizneseve dhe ulin incentivat e tyre për të rritur aktivitetin. Po e njëjta gjë vlen për konsumatorët familjarë, të cilët kostot e rritura financiare do ti tërheqin nga shpenzime të tjera të planifikuara për të kryer si për asete, por edhe shpenzime të tjera të përditshme.
Së dyti, çmimet e larta të energjisë dhe karburanteve nënkuptojnë se një pjesë e buxhetit të shtetit, ashtu si edhe të fuqisë blerëse të bizneseve dhe familjarëve shqiptarë shkon në llogaritë e vendeve që shesin naftë dhe energji elektrike. Fuqia e ulët blerëse dobëson kërkesën e konsumatorëve. Kërkesa për mallra kapitale është gjithashtu duke u dobësuar. Në këtë kontekst kjo do të ndikojë me një nivel jo aq të parëndësishëm në një papunësi më të lartë, ku ndikimi nga qarkullimi më i ulët nga bizneset vendase mund të rritë problemet e tregut të punës, por edhe në buxhetin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Këto mungesa të kërkesës mund të kompensohen nga shpenzimet e qeverisë vetëm në ato përmasa që lejon buxheti i shtetit për vitin 2023.
Së treti, nevojitet një reformim i vizionit dhe objektivave për zgjerimin e tregut financiar. Aktualisht, tregu financiar shqiptar me nivelet që përfaqëson është shumë i fjetur në krahasim me strategjinë për zhvillim ekonomik të vendit.
Një rol të ri duhet të marrin fondet private të investimeve, aq më tepër kur kemi mungesë të një burse funksionale aksionesh.
Në analizën tonë, mendojmë se tregun financiar e zhvillojnë më së miri ato që adresojnë edhe problemin social shumë të premtuar për rritjen e pensioneve.
Investimet për transformimin e skemës së pensioneve dhe shpenzimeve sociale, të cilat nuk janë sa duhet në fokusin kryesor në këtë buxhet duhet të nxiten fuqishëm dhe menjëherë nëpërmjet skemave të fondeve të pensioneve private/personale. Nisur nga momenti, kur vetë qeveria tashmë e ka kuptuar këtë rol të ri që duhet të luajë nëpërmjet nxitjes së ndryshimeve ligjore për pensionet private duhet kuptuar paraprakisht, se ato japin një kontribut të nevojshëm në mbajtjen e një niveli mirëqenie në rritje të shtresave nevojtare. Përveç kësaj, ato reduktojnë varësinë nga buxheti duke stimuluar një lehtësim të politikave sociale nëpërmjet thithjes së kapitaleve private nga secili qytetar kontributor. Për qeverinë, e cila ka nevojë për tu kredituar nga më shumë burime alternative, këto fonde pensionesh private mund të shërbejnë si mekanizma financimi të sigurta edhe më mirë se vetë obligacionet/bonot e thesarit.
Aq më tepër, që duke konsideruar se shpenzimet më të larta qeveritare të financuara nga kreditë nënkuptojnë një rritje të borxhit public, atëherë një politikë e deleguar në mënyrë të kontrolluar dhe monitoruar nga qeveria të fondeve të vetëfinancuara nga qytetarët përveç garantimit të skemës aktuale nga buxheti do të krijonin një optimizim të tregut financiar duke përfshirë edhe bankat në investime më opportune se deri më sot.
Së fundmi, rritja e produktivitetit që do të thotë më shumë mallra/produkte që mund të prodhohen me kapacitetet e dhëna fizike të prodhimit kryesisht bujqësor dhe blegtoral, por edhe për ato industry për të cilat egzistojnë kushtet dhe ambjenti për ti zhvilluar. Kështu, shkaku aktual i inflacionit, mungesa në furnizimin e shumë lëndëve të para, inputeve dhe produkteve përfundimtare mund të luftohet për ta minimizuar efektin e tij direkt në bizneset dhe rrjedhimisht edhe në një pjesë të efektit që dikton mbi rritjen e çmimeve.
Përparimet e produktivitetit do reduktojnë gjithashtu kostot e prodhimit. Si rezultat, produktet shqiptare mund të bëhen sërish më tërheqëse për pjesën tjetër të botës. Megjithatë, rritja e produktivitetit kërkon kohë. Deri atëherë, hendeku i ofertës përgjegjëse për rritjen e çmimeve duhet gjithashtu të reduktohet nga kërkesa më e ulët. Kështu, kërkesa për euro do të rritet. Si rezultat, leku humbet vlerën e rifituar këto muaj dhe euro kushton sërish më shumë. Kjo është në interest ë produktivitetit, pasi lidhet direkt me interesin e eksportuesve, por edhe të stabilizimit indirekt dhe me kohë të inflacionit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.