Barra tatimore dhe inflacioni
Në reagim të situatës ekonomike të vitit 2023 e mbizotëruar nga inflacioni mendojmë se ka patur ndikimin e vet edhe në barrën tatimore, veçanërisht në tatimet indirekte që bazohen mbi konsumin dhe kanë një veprim direkt edhe në çmimet e përditshme.
Inflacioni ndikon në buxhetet publike dhe një ndikim i tij është shtrembërimi i sistemeve tatimore, pasi një sistem tatimor nuk është neutral ndaj inflacionit dhe inflacioni mund të modifikojë, për disa taksa dhe lloje të taksapaguesve, strukturën stimuluese që është pjesë e sistemeve tatimore.
Në përballjen e politikave tatimore për ti përshtatur me shtrembërimet e shkaktuara nga inflacioni ne konstatojmë se nuk ka asnjë ndryshim të normave të TVSH për të luftuar inflacionin dhe për të arritur rezultatet e dëshiruara (stimujt dhe shpërndarja).
Ndërkohë edhe bazat tatimore të TVSH kanë patur lëvizje të pandjeshme[1], si dhe më kryesorja që lidhet me barrën nga TVSH nuk ka ndryshime të dukshme me vitin 2022 apo edhe vitin përpara pandemisë.
Mosrregullimi i parametrave tatimorë, përcaktimeve kohore dhe nominale të bazës tatimore mendojmë se ka shkaktuar një shtrembërim të neutralitetit të sistemit tatimor[2].
Ky neutralitet i shtrembëruar vërehet se ka një rritje të tatimeve direkte, si dhe taksave kombëtare dhe lokale.
Siç ka treguar së fundmi FMN-ja, tatimi nominal mbi të ardhurat personale (PIT) dhe tatimi nominal mbi të ardhurat e korporatave (CIT) mund të rezultojnë në ndryshimet në normat efektive tatimore për shkak të inflacionit dhe kjo duket se ka ndodhur me kalimin e normave tatimore në sistemin progresiv si për tatimin mbi të ardhurat, por edhe për tatimin mbi fitimin (korporativ). Vendet e vetme, që nuk i kanë ndryshuar normat tatimore për tatimet direkte janë BiH dhe Mali i Zi. Kjo qasje e politikave tatimore në këto vende ka dhënë efektin direkt në një barrë më të ulët për këto tatime, si do ta shohim më poshtë.
Kur pragjet tatimore mbahen konstante, inflacioni mund t’i shtyjë familjet me të ardhura reale konstante në grupe më të larta tatimore, duke rezultuar në barrë më të rëndë për tatimin mbi të ardhurat. Në mënyrë të ngjashme, lehtësitë tatimore të përcaktuara nominalisht dhe kreditë e humbasin vlerën e tyre reale në kushtet e inflacionit. Në të kundërt, vlera e taksave specifike nominale, akcizave, tarifave dhe gjobave fikse grryhen nga inflacioni me kalimin e kohës.
Një reagim i duhur për të përshtatur kërkesën për likujditete nga bizneset dhe rritjes së presionit të TVSH-së nga inflacioni ishte koha e pagesave dhe rimbursimeve të taksave në kohën e duhur dhe të përcaktuar në ligj.
Vonesat më të gjata kohore e rrisin presionin tatimor dhe ndikojnë direkt në arkën e shoqërisë duke e pakësuar atë për arsye të rritjes së masës së shpenzimeve dhe mosmarrjes në kohë të arkëtimeve, si për rimbursimet, por edhe nga zinxhiri i klientelës.
Në përgjithësi, politika tatimore e progresivitetit për tatimin mbi të ardhurat është e duhura pasi elasticiteti i tatimit mbi të ardhurat priret të jetë më i lartë se elasticiteti i tatimeve mbi konsumin. Politikisht, tatimi mbi të ardhurat mund të bëhet më i rëndësishëm në krahasim me tatimet mbi konsumin në situatën e inflacionit.
Por, në kushtet e një informaliteti të lartë, si dhe moszbatimit të duhur të politikave tatimore, si në kohë por edhe në nivelin e kërkuar duke konsideruar edhe realitetin, që çmimet rriten të parët, ndërsa pagat i pasojnë ato (si reagim nga qeveritë dhe bizneset), atëherë barra e tatimit mbi konsumin është rritur përpara barrës së tatimit mbi të ardhurat, gjë që gjatë vitit 2023 ka ndikuar mbi rritjen e barrës së tatimeve të konsumit.
Nga përvoja e vende të tjera në BE, një bazë e gjerë e TAP përveçse sjell të ardhura, ajo është edhe një tatim progresiv duke imponuar norma më të larta për ata me të ardhura më të larta dhe kjo performancë supozohet se ndikon direkt në reduktimin në mënyrë të matshme të pabarazisë. Por, që të funksionojë efekti i shpërndarjes së barrës së tatimit mbi të gjitha kategoritë e individëve duhet që administratat tatimore në vendet e BP6 të reduktojnë në mënyrë të ndjeshme informalitetin e tregut, si dhe të minimizojnë evazionin. Përndryshe, aplikimi i normave tatimore progresive mbi të ardhurat personale krijon pabarazi dhe diskriminim, si ka ndodhur në rastin e aplikimit të saj në Shqipëri[3].
Ndërsa tatimi mbi të ardhurat nga puna mund të rritë bazën e tatueshme, nevojitet mbi të gjitha shpërndarja e tatimit mbi të ardhurat personale në drejtim të tatimit të të ardhurave nga kapitali. Kjo mënyrë tatimi rrit më shumë të ardhurat e buxhetit, por krijon edhe më pak deformim të taksimit, pasi është më pak e lidhur me kërkesën dhe ofertën në tregun konsumator në raport me tatimin e punës, që ndikon direkt mbi tregun e brishtë të punës në BP6.
Përmirësimet në administratën tatimore mund të luajnë një rol në rritjen e të ardhurave, megjithëse kjo qasje ka efekt edhe në taksat e tjera. Për më tepër, kalimi i përshpejtuar në shërbimet e dixhitalizuara mund të hapë rrugën për një dizajn dhe zbatim më të mirë të tatimit mbi të ardhurat.
Por, nëse nuk bëhet e mundur që të rriten kapacitetet e administratës, si dhe të frenohen tendencat e korrupsionit brenda saj, atëherë çdo masë tjetër është me efektivitet të ulët dhe me një performancë afatshkurtër
[1] https://www.iota-tax.org/iota-papers
[2] i referohet një parimi ose qëllimi të financave publike që vendimet fiskale (taksimi) duhet të shmangin shtrembërimin që ndikon ndaj vendimeve ekonomike nga bizneset, punëtorët dhe konsumatorët.
[3] https://altax.al/pasojat-e-taksimit-te-profesioneve-te-lira-ndryshe-nga-pjesa-tjeter-e-profesioneve/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.