Bankat, taksat e reja në BE dhe nevoja për debat mbi respektimin e parimeve tatimore

Bankat, taksat e reja në BE dhe nevoja për debat mbi respektimin e parimeve tatimore

Që nga viti 2022, bankat e Bashkimit Evropian (BE) kanë shijuar fitime shumë  të larta[1]. Shumica e këtyre fitimeve të larta i atribuohen përfitimit prej normave të ulëta të interesit të vendosura prej politikës dhe normave të larta të depozitave bankare.

E njëjta situatë fitimesh të larta dhe për të njëjtat arsye të përfitimeve paraqitet edhe për bankat në Shqipëri[2].

Në sfondin e fitimeve përkohësisht të larta bankare, pothuajse gjysma e vendeve të BE-së (12 nga 27) kanë vendosur taksa të reja për bankat që nga viti 2023[3] duke u bazuar ose te aktivet, ose te fitimet në këto kohë përfitimesh të larta. Arsyeja politike për taksimin me norma të reja të bankave janë pikërisht fitimet e tepërta dhe nevoja e qeverive të vendeve të BE-së për të financuar me këto të ardhura fiskale ato projekte sociale dhe ato kosto të shtuara që janë ndikuar pikërisht edhe prej shtrenjtimit të kostos së parasë.

E gjithë kjo politikë e zbatuar në këto vende ka të bëjë pikërisht me parimin e taksimit të ndershëm dhe progresiv.

Ndërkohë, sistemi fiskal shqiptar i taton bankat për tatimin mbi fitimin me normën standarte prej 15%, por jo mbi qarkullimin, pasi kjo është një praktikë që merret si referencë edhe për modelin e taksimit në vendet e BE-së.

Taksat dhe tatimet e ndryshme që përmban sistemi fiskal kanë objektiva dhe grupe të ndryshme taksapaguesish. P.sh. tatimi mbi të ardhurat korporative (tatimi mbi fitimin), zbatohet mbi palë të ndryshme, si: aksionarët, klientët, punonjësit, furnizuesit e inputeve bankare përveç punës, madje dhe vetë qeverisë, duke pasur parasysh se tatimi mbi vlerën e shtuar ( TVSH) paguhet për disa inpute bankare.

Përgjigja në pyetjen se cilat palë do të mbajnë barrën tatimore dhe si do të sillen nga ana tjetër mund të ketë implikime të rëndësishme të mirëqenies dhe mund të shihet si një faktor në temën më të përgjithshme të taksimit optimal të institucioneve financiare dhe të ardhurave kapitale.

Sektori bankar luan një rol vendimtar në shpërndarjen e burimeve monetare dhe çdo formë deformimi në funksionimin e tij ka të ngjarë të ketë efekte në mbarë ekonominë.

Duke qenë se bankat operojnë si me bizneset, po ashtu edhe me konsumatorët, humbja e efikasitetit të lidhur me shtrembërimin e shkaktuar nga taksimi i bankave varet nga fakti se kush e mban barrën fiskale. Për këto arsye, është e rëndësishme të vlerësohet nëse bankat mbajnë barrën e taksave të vendosura zyrtarisht mbi aktivitetet e tyre dhe nëse nuk është kështu, lind pyetja se në cilën kategori klientësh mund ta transferojnë atë.

Çuditërisht, megjithëse çështjet fiskale ka të ngjarë të ushtrojnë një ndikim të rëndësishëm në sjelljen e bankave, modelit të taksimit të sektorit financiar i është kushtuar pak vëmendje.

Nisur nga teoria standarde e taksimit optimal dhe barazia e ligjit në taksimin e bizneseve, duke u bazuar te parimi i drejtësisë tatimore, mallrat dhe shërbimet e ndërmjetme[4] nuk duhet të tatohen

Në situatën, kur qeveria për vitin 2023 është shprehur dhe madje ka marrë vendime për të tatuar fitimet e larta të sektorëve të prodhimit të energjisë[5] pa bërë dallim nëse ato vërtet plotësojnë parimisht kriterin si më lart duket se politika ka shfaqur dukshëm shenja njëanshmërie dhe ka një ndërhyrje në të bërit biznes, që cënon lirinë ekonomike dhe prish madje edhe konkurencën ndërsektoriale duke zbatuar një politikë diskriminuese, të shpejtuar dhe të pastudiuar si duhet.

Tatimi mbi të ardhurat korporative (TAK) ndikon në aktivitetin e bankës pasi ushtron një ndikim në balancën e ofertës dhe kërkesës së tregut për kapital. Po të njëjtin ndikim kanë edhe nëse aplikohen taksa dhe tatime shtesë përfshirë këtu edhe aplikimin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Pra, një taksim i tillë ndikon në politikën e investimeve të të gjithë sektorit privat dhe publik dhe për rrjedhojë, në termat e kërkesës për shërbimet bankare.

Por le ta analizojmë situatën e taksimit për fitimet e larta sipas politikës që kanë ndjekur vendet e BE-së në këtë drejtim.

BE-ja ashtu si Shqipëria në vitin 2022 zgjodhi ta tatojë përkohësisht pak më shumë sektorin e energjisë (në vend të sektorit bankar) (me një kufi të të ardhurave në treg për prodhuesit e energjisë elektrike dhe një kontribut solidariteti për kompanitë e karburanteve). Pavarësisht disa thirrjeve për një taksë më të gjerë të BE-së mbi fitimet e larta, kjo nuk gjeti terren për tu zbatuar në po këtë vit edhe për bankat[6].

Në prill 2023, Sekretari i Shtetit për Financat në Holandë hodhi poshtë thirrjet për vendosjen e një takse të përgjithshme të fitimeve të larta ose një normë tatimore më të lartë mbi fitimet e tepërta të kompanive në Holandë. U vu re se do të kishte vështirësi në përcaktimin se kush ishte në fushëveprimin dhe plus potencialin për taksim arbitrar dhe të paparashikueshëm. Konsiderata të ngjashme do të zbatoheshin për një taksë të tillë edhe në vendet e tjera të BE-së.

Edhe për juridiksionet ku ka një grup të përcaktuar qartë në fushëveprim (p.sh. bankat ose institucionet e kreditit), kjo në disa raste ka ngritur çështje të kushtetutshmërisë për ata që kanë rregulla brenda kushtetutës së tyre që garantojnë trajtim të barabartë ndërmjet tatimpaguesve. Më tej, mund të lindin sfida kushtetuese për ata që kërkojnë të zbatojnë rregullat në mënyrë retroaktive.

Një sfidë tjetër ishte hartimi i rregullave në mënyrë të drejtë që nuk ndikon negativisht në ekonomi apo sektorin financiar por që gjithsesi të rrisë nivelet e dëshiruara të të ardhurave nga taksat. Masat që do të ndikonin në stabilitetin financiar ose do të çonin në norma interesi edhe më të larta mund të rezultojnë të papëlqyeshme në terma afatgjatë, edhe nëse ato janë potencialisht joshëse në afat të shkurtër.

Nëse këtë përvojë e shikojmë në këndvështrimin e tregut shqiptar edhe pse pjesëmarrësit e tregut nuk e mbështesin nevojën për të rritur përkohësisht tatimin mbi fitimet e bankave duke pasur parasysh rrethanat aktuale në vend mendojmë se ka vend për debat teknik dhe mandej edhe politik lidhur me barazinë në tatim dhe problemet e kushtetushmërisë që mund të lindin.

Disa mund të mbajnë qëndrim kritik ndaj politikës së pandryshuar në taksimin e fitimeve të larta të bankave duke marrë si precedent vendimin politik për taksimin e superfitimeve të sektorit të prodhimit të energjisë elektrike.

Në veçanti, efekti i tij retrospektiv së bashku me rritjen e normës tatimore me dyfishin e normës normale dhe shqetësimet për natyrën e saj diskriminuese ka patur ndikimin e vet në stabilitetin e sistemit energjetik, pasi edhe pse ngrirja e çmimeve për konsumatorin familjar është një masë parandaluese për periudhat e çmimeve të larta të tregut, në fakt ajo është zanafilla e një tregu aspak të lire dhe me probleme që mbarten brenda sektorit dhe mbajnë peng privatizimin dhe funksionimin e tij jashtë parimeve të tregut të lirë.

Qeveria deri më tani nuk e ka diskutuar asnjëherë një taksë të re mbi fitimet e larta të bankave, duke pretenduar se fitimet e tepruara të bankave janë përfundimisht të mira për shoqërinë, pasi sektori i shërbimeve financiare ofron një numër të madh vendesh pune dhe një ofertim të tregut.

Madje bankat janë ofertuesit më të mëdhenj për vetë qeverinë që ka marrë borxh te ato[7] për të paguar nëpërmjet rritjes së borxhit publik veprimtaritë e saj të kushtueshme.

Në përmbyllje, ne mendojmë se së pari është e nevojshme të shohim një sektor bankar të fortë, të mirëkapitalizuar dhe konkurrues, në një pjesë jo të vogël për shkak të reformave të rëndësishme rregullatore dhe të tregut që janë zbatuar që nga kriza financiare globale. Bankat janë burimi më i rëndësishëm i kredisë, duke u siguruar individëve dhe bizneseve burimet financiare për të pasur sukses, pasi u shërbejnë njerëzve të zakonshëm që punojnë dhe sipërmarrësve dhe biznesmenëve në fazat e hershme të aktivitetit të tyre.

Së dyti, është po aq e rëndësishme që bankat të japin një kontribut tatimor të barabartë dhe të qëndrueshëm si gjithë sektorët e tjerë. Por, qeveria duhet të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm pasi të bëhet një transparencë e plotë me gjithë tregun bankar, përfshirë specifikisht mikrokreditë për të inkurajuar distancimin nga modelet e financimit të rrezikshëm dhe për të siguruar që ato të japin një kontribut të drejtë.

Së treti, në vitin 2023 kemi futur shtesën e tatimit mbi sektorin e prodhimit të elektro energjisë. Këto biznese, ndër më aktivet në tregun vendas aktualisht paguajnë një normë shtesë 18% të tatimit mbi fitimet e tyre, e cila, do të thotë se ato po paguajnë më shumë taksë mbi fitimet e tyre, por kjo nuk dihet saktësisht, pasi nuk kemi transparencë për informalitetin në këto biznese. Ndërkohë, si bankat, por po ashtu edhe gjithë bizneset e tjera nuk kanë përfituar lehtësim tatimor/kompensim për humbjet e shkaktuara gjatë krizës financiare të ardhur prej mbiçmimit të papritur të Lekut, pasi edhe për këtë rast mungon transparenca dhe llogaridhënia për të kuptuar përgjegjësitë dhe efektet nga veprimet dhe mosveprimet e institucioneve.

Së katërti, paratë në banka janë para të publikut. Vendosja e tatimeve shtesë do të ndihmojnë përkohësisht buxhetin e shtetit, por do të ndikojë me shtesa të kostos së parasë për qytetarët dhe bizneset edhe pse kostoja e parasë është rritur në këto vite, pa e patur arsyen e shtimit të barrës fiskale mbi bankat.

Në gjithë këtë, kontributi i sektorit bankar në ekonominë shqiptare nuk duhet të nënvlerësohet. Por, shuma e tatimeve të paguara nga bankat duhet të raportohet nga qeveria nëse është proporcionale me atë kontribut.

Ky reagim duhet të vijë sa më shpejt nga Ministria e Financave dhe qeveria duhet të japë sqarime, për trajtime të pabarabarta të bizneseve përpara ligjit.

[1] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2024/English/wpiea2024143-print-pdf.ashx

[2] https://www.reporter.al/2024/05/14/fitimet-e-bankave-rriten-edhe-me-shume-gjate-tremujorit-te-pare/

[3] Italia ka vendosur për vitin 2023 një taksë 40% për fitimet “teprica”. Belgjika ka rritur taksën e saj për detyrime të caktuara bankare në 0.17% nga 0.13% që ishte më parë. Holanda ka rritur tatimin në 0.06% për detyrimet bankare afatshkurtra (nën 1 vit) dhe 0.03% për detyrimet bankare afatgjata (kohëzgjatja mbi 1 vit). Sllovenia ka vendosur një taksë prej 0.2% të aktiveve bankare. Për të siguruar që tatimi të mos bëhet tepër i rëndë për bankat, ai është i kufizuar në 30% të fitimeve bankare para tatimit (megjithëse ky kufi aktualisht nuk është i detyrueshëm për sistemin bankar në tërësi dhe nuk do të kishte qenë i detyrueshëm në asnjë prej të kaluarës 10 vjet). Çekia ka vendosur për 3 vjet, 2023-2025, një taksë 60% mbi fitimet “tepricë” bankare.  Hungaria ka vendosur një taksë prej 10% të të ardhurave neto (marzhi i interesit dhe të ardhurat nga tarifat) të bankave për vitin 2022. Rumania ka futur një taksë 2% mbi të ardhurat neto bankare (të quajtur “qarkullim”) për 2024 dhe 2025, duke rënë në 1% në 2026 dhe duke mbetur e përhershme në atë nivel etj.

[4] Mallra të tilla si lëndët e para, përbërësit për prodhimin, energjia dhe shërbimet mund të konsiderohen mallra të ndërmjetme kur përdoren në mënyrë eksplicite në prodhim.

[5] Fitimet e realizuara nga prodhuesit e energjisë elektrike, të cilët, për shkak të çmimeve shumëfish të rritura gjatë vitit 2022, kanë realizuar fitime pa rritje kostosh, do tatohen për këto fitime shtesë me tarifën 33%.

[6] https://www.aoshearman.com/en/insights/the-uncertain-rise-of-windfall-taxes-on-banks-in-europe

Çdo masë e tillë do të ishte gjithashtu e parakohshme, duke pasur parasysh se Komisionit Evropian ende i duhet të shqyrtojë dhe raportojë mbi ndikimin e kontributit të solidaritetit l, i cili vetë duhet të mbrojë legjitimitetin e këtij projekti pionier të taksave të papritura përpara Gjykatës Evropiane të Drejtësisë pas një sfidë nga ExxonMobil.

[7] https://www.reporter.al/2024/02/08/bankat-shqiptare-shenojne-rekord-fitimesh-nga-rritja-e-interesave/

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.