Ballkani Perëndimor dhe panorama makroekonomike në 2019
Ekonomitë e BP-së mbajnë një strukturë ekonomike të ngjashme në kontributin e tyre në PBB, si dhe rrjedhimisht përballen me sfida të njëjta në përpjekjet e tyre për zhvillimet sektoriale të ekonomisë.
PBB e Ballkanit Perëndimor në vitin 2019 llogaritet të ketë arritur në vlerën e 113.13 miliard US.Dollarë. Nëse analizojmë strukturën e PBB-së vërehet se 45.5% të saj përbëhet nga PBB-ja e Serbisë. Bosnjë-Hercegovina vjen në vend të dytë me 17.8% të PBB-së. Shqipëria mban vendin e tretë me 13.2% të PBB-së së BP-së. PBB e Maqedonisë së Veriut është në vendin e katërt me 11.2%. Vendi i pestë është i Kosovës me 7.8% dhe vendi i fundit mbahet nga Mali i Zi me 4.8% të PBB-së së BP-së.
Ritmi i rritjes ekonomike në BP në 2018 sipas vlerësimeve të kryera arriti në nivelin 3.9%. Në vitin 2019, nga vlerësimet paraprake deklarohet të jetë në nivelin e 3.3%. Ulja e ritmit të rritjes nga viti në vit është me 0.6 pikë përqind.
Niveli më i lartë i rritjes ekonomike në 2019 pritet të jetë arritur në Kosovë me 4%. Në vend të dytë qëndron Serbia me një rritje ekonomike të vlerësuar në nivelin 3.5%. Maqedonia e Veriut pritet të ketë arritur një rritje ekonomike në nivelin 3%. Ndërsa, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi vlerësohen me një rritje ekonomike në nivele te njëjta në të dy këto vende me 3%. Nivelin më të ulët të rritjes ekonomike duket se e mban Shqipëria me 2.9%. Rënia e ritmeve të rritjes, apo ngadalësimi i zgjerimit të ekonomisë është një tregues për tu konsideruar me përgjegjësi në pothuajse të gjitha vendet e BP-së, përveç Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ngadalësimi i ekonomisë në vitin 2019 ka ardhur për faktorë specifikë të secilit vend, por edhe për faktorë të përbashkët, cilët janë prezentë në secilin prej tyre.
Kështu, ndër faktorët e përbashkët janë (a) besimi publik te qeverisja dhe transparenca, (b) qeverisja korporatave dhe etika e të bërit biznes, (c) cilësia e infrastrukturës, (d) pronësia dhe të drejtat e cunguara, (e) barrierat për tregtinë, (f) produktiviteti i ulët i ekonomisë, (g) informaliteti dhe evazioni i lartë.
Faktorë specifikë për secilin vend edhe pse mund të duken si të përbashkët vlerësohen të jenë (a) krimi i organizuar, i cili është më aktiv në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, (b) polarizimi i krahëve të politikës dhe mungesa e stabilitetit ekonomik kryesisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, (c) mungesa e sundimit të ligjit, ku specifikisht Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë më problematike në këtë drejtim.
Ndërkohë edhe faktorë të tjerë mund të kenë ndikim në zhvillimin e ekonomisë, të tilla si dimensionet e tregut, konkurueshmëria e ekonomisë, diversifikimi i shpenzimeve publike dhe të tjera që janë të përmendura në mjaft studime dhe raporte për secilin nga vendet.
Sipas OECD , ekonomitë e BP e kanë Indeksin e Kompleksitetit të Ekonomisë (ECI) dhe vlerave oportune (OV) mbi mesataren botërore. Ky fakt do të thotë se ndërsa ECI tregon një status të ekonomive të BP në nivelin e ekonomive me zhvillim të mesëm, kapacitetet e tyre janë të ndryshme. Në këtë kontekst, këto ekonomi mund të zgjerohen drejt produkteve më komplekse, që do të thotë ngjashmëri të ekonomisë me vende më të zhvilluara.
Zhvillimet ekonomike të BP në 2019 treguan një rritje të PBB-së me ritme të ngadalta që nuk e ka kapërcyer kufirin e nivelit 4%. Por, tendenca për shfrytëzim të kapaciteteve të ekonomisë dhe shpejtimi i ritmit të rritjes parashikohet se mund të ndodhë gjatë 6-mujorit të dytë të 2020 për vendet të cilat kanë performuar më ulët se parashikimet për 2019. Gjithsesi, rrisqet e jashtme dhe ato të brendshme, të shoqëruara edhe nga efektet e fatkeqësive natyrore dhe pandemisë nga Covid-19 pritet të ndikojnë në një strukturim më elastik, që do të orientohet nga kërkesa e jashtme për produkte dhe shërbime.
Në BP ndikoi në një rritje të moderuar si ngadalësimi në investimet publike në Kosovë, por edhe niveli i ngadaltë i rritjes së eksporteve në Shqipëri dhe Serbi, të cilat së bashku japin një kontribut për një rritje jo më shumë se 3.2%.
Nëse ballafaqohet ritmi i rritjes ekonomike të BP-së me rritjen ekonomike të BE-së, duket se tendenca e rritjes ekonomike në këto shtete është me ritme më të larta se rritja ekonomike e vendeve të BE-së. Por, duke vërejtur kapacitetet prodhuese dhe zhvilluese të ekonomisë dhe fuqisë punëtore të secilit vend të BP-së mund të thuhet se të gjitha ato operojnë nën mundësitë reale për përdorim të burimeve dhe kapaciteteve.
Rritja e Qëndrueshme, e cila është në qasje e përbashkët për ekonomitë e BP-së, synon që nëpërmjet zhvillimit të 4 sektorëve jetikë të përmirësojë modelimin e strukturuar të ekonomisë për të forcuar dhe efektivizuar kapacitetet, por edhe për të siguruar pikërisht një garanci të fortë për qëndrueshmërinë e ekonomive nëpërmjet përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve të tyre. Sektorët e energjisë, transportit, turizmit dhe ambjentit do të angazhohen në rritjen e konkrueshmërisë së ekonomisë për të bërë të mundur shtrirjen e produkteve dhe shërbimeve përtej kufijve fizikë të BP drejt vendeve të BE-së dhe më gjerë.
Qasja e kombinuar synohet nëpërmjet objektivave që duhet të arrijë të përmbushë secili vend i BP-së duke patur në konsideratë se vijimësia e rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë nëpërmjet burimeve natyrore si deri më sot do të kufizohet, për sa kohë këto burime kanë limitet e tyre, si në aspektin fizik, por edhe në aspektin ekonomik për të ulur kostot dhe rritur përfitimet nëpërmjet uljes së ndikimit në ambjent.
Eksportet kryesore të BP-së janë energjia dhe materialet e paisjet elektrike, si dhe makineri e paisje transporti, pa harruar edhe pjesën e shërbimeve informatike, që është me rritje në vitet e fundit. Në vite, nëse shikohen statistikat e eksporteve të para 10 viteve ka një rritje cilësore që tregon për përfshirje të teknologjisë në gjenerimin e vlerave të shtuara të ekonomisë për tregun e jashtëm. Nga statistikat e BP-së, studimet dhe analizat, shihet se pjesa e tregtisë ndërkufitare në raport me PBB-në, që zë secili vend në tregun rajonal ka ndryshuar pak në raport me partnerët tradicionalë që ka patur secili vend. Në planin strukturor të destinacioneve të eksporteve, ekonomitë e BP-së janë partnerë dhe anëtarë të marrëveshjeve me të njëjtat vende të BE-së. Ndërsa tregtia e mallrave ka një rritje të saj midis vendeve të BP është një situatë e ndryshme dhe me pak avancim për tregtinë e shërbimeve. Ky fakt tregon se edhe pse anagazhimet për tregtinë e lirë, për heqje barrierash, për të konkuruar nëpërmjet rritjes së produktivitetit dhe cilësisë së shërbimeve dhe mallrave kanë mundësuar forcim të bashkëpunimit të ekonomive, ende operatorët ekonomikë të BP ndihen jo efektivë për të kaluar me sukses kufijtë e tregjeve vendore. Konkurueshmëria nuk është kryetipari i politikave të zhvillimit ekonomik, megjithëse për këtë qëllim janë angazhuar burime dhe kapacitete në rritje nga qeveritë.
Tregtia ndër rajonale është ende një komponent i rëndësishëm i eksporteve në BP, megjithëse nuk është pjesa më e qënësishme e eksporteve, ku përjashtim bëjnë Kosova dhe Mali i Zi që eksportet kryesore i kanë me vendet e BE-së, si dhe Shqipëria e Serbia, të cilat janë më të orientuara drejt tregjeve të vendeve të BE-së. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë një ndarje të balancuar midis eksporteve brenda rajonit me eksportet jashtë rajonit. Tregtia ndër rajonale është e fokusuar kryesisht në produkte gjysëm të përfunduara dhe agro-bujqësore. Nisur nga ky fakt, tregtia ndër rajonale nuk ka dhënë ndikim në ndryshimin e strukturës së eksporteve dhe në një të ardhme mund të mbajë rol të vogël në rënie në raport me volumin e përgjithshëm të eksporteve.
Gjithsesi, rritja e kërkesës konsumatore dhe rritja e aksesit në kreditim, të ndikuar nga kufizimet ende të dukshme në konkurueshmëri nga kompanitë e BP vijojnë të ndikojnë në mbajtjen e një deficiti tregtar të lartë.
Megjithë zhvillimet pozitive në rritjen e punësimeve në tregun e punës konstatohet se afër gjysma e fuqisë së aftë për punë ka mundësinë të ketë një vend pune. Poshtë kësaj mesatareje është Bosnjë-Hercegovina me një tregues nivel punësimi prej 42.1% të fuqisë së aftë për punë dhe Kosova me nivelin e punësimit në 40.9%.
Pjesëmarrja e forcave në punë në BP në vitin 2019 është në nivelin e 51.6%. Nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në punë është në Shqipëri me 59.6% e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 56.9% dhe Mali i Zi me 56%. Serbia ka një pjesëmarrje të forcave në punë në nivelin 54.5%.
Nëse shikojmë në linjën e poshtme është struktura e tregut të punës në nivel sasior, nisur nga popullsia që është e zënë me punë në secilin nga vendet.
Pjesën kryesore në tregun e punës së rajonit të BP-së e zë Serbia me 41.1% të tij. Shqipëria është tregu i dytë më i madh i punës në BP me vetëm 18.6% të tregut të BP-së dhe më pak se gjysma e tregut të punës që zë Serbia.. Bosnjë-Hercegovina mban vendin e tretë me 15.9% dhe Maqedonia e Veriut Vendin e katërt me 12.9% të tregut të BP-së. Kosova është në vendin e pestë me një pjesë të tregut të BP-së sa 7.9% e tij. Vendin e fundit e zë Mali i Zi me 3.6% të tregut të punë në BP.
Niveli i inflacionit përgjatë vitit 2019 në BP ka nivelin mesatar vjetor prej 1.6%, ku Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi kanë një nivel inflacioni poshtë mesatares së BP (shih Tab.2).
Nevoja për të rritur nivelin e teknologjisë së prodhimeve tradicionale dhe ato të reja, si dhe me qëllim që të përmirësoheshin treguesit makroekonomikë ka detyruar që qeverisjet e BP-së në këto 10 vite të fundit të miratojnë reformime në pothuajse gjithë sektorët kryesorë produktivë të ekonomisë. Këto nisma reformuese kanë qenë shtytja dhe nxitja më e fortë për tu fokusuar edhe në tërheqjen e IHD-ve.
Ndërsa flitet për treguesë që lidhin zhvillimin e investimeve të huaja me pjesën e integrimit të ekonomive vendore të BP me BE-në shihet se hyrja e investimeve të huaja në këto vende ka arritur në nivele që tejkalojnë parashikimet duke arritur në fund të vitit 2019 nivelin mesatar gjithsej sa 5.2% e PBB-së rajonale.
Niveli i IHD-ve është 0.3 pikë përqind më i ulët se në vitin 2018. Hyrjet e IHD-ve në vitet 2018 dhe 2019 mbeten më të lartat në 5 vitet e fundit. Sipas Raportit të Vjeshtës 2019 i BB , Mali i Zi dhe Shqipëria mbajnë vendet e para me një nivel hyrjesh neto të IHD-ve respektivisht 8% dhe 7.8% të PBB-së. Serbia mban vendin e tretë në nivelin e afër 6.2% të PBB-së. Ndërsa, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina mbajnë vendet e fundit me nivele investimesh në rend zbritës poshtë mesatares së rajonit, ku Bosnjë-Hercegovina mban nivelin më të ulët me 2.3% të PBB-së.
Përbërja e IHD për këtë periudhë përbëhet nga industria automotive dhe pjesëve për makina, energjia e rinovueshme dhe shërbimet e turizmit dhe ato të teknologjisë.
IHD në BP gjithsesi konsiderohen të kufizuara, nëse krahasohen me treguesin e IHD për frymë në vendet e BE-së, si dhe potencialin që egziston për të thithur investime nga këto vende, apo edhe nga vende të tjera në zhvillim të shpejtë. Kështu, IHD për frymë në BP janë sa gjysma e IHD për frymë në vendet e BE-së.
Investimet në kërkim dhe zhvillim, vijojnë të jenë në nivele të ulta, që arrijnë deri në 1% të totalit të shpenzimeve buxhetore që planifikohet dhe realizohet në BP, ku përjashtim është Mali i Zi, që ka planifikuar shpenzime në rritje për 2019, por duke ndryshuar qasjen që në 2018. Kjo qasje, nëse nuk ndryshon praktikisht do të shkaktojë mungesë në produktin e kërkimeve shkencore, por edhe në mallrat dhe shërbimet që gjenerohen prej teknologjisë së avancuar. Mungesa e vëmendjes së nevojshme për të ndryshuar si kapacitetet që nevojiten, por edhe burimet për të mundësuar ndryshimin do të prodhojë efekte negative që nuk do të mundet ti shërojë apo sistemojë koha, pasi zhvillimi i këtij sektori kërkon kohën e vet për të qenë efektiv në ekonomi dhe jetën sociale.
Është me vend që strategjitë për zhvillim duhet të konsiderojnë një balancë midis produktivitetit afatgjatë dhe atyre që mund të konsiderohen si produkte të së ardhmes, të cilat konsiderohen si rezerva kapitale të vlefshme për të riformësuar ekonominë në momentet e vështira, si dhe për ti shërbyer rritjes cilësore të ekonomisë drejt produkteve më komplekse.
Gjithsesi, vendet e BP kanë rritur përpjekjet për të përmirësuar sektorin e kërkimit dhe inovacionit duke përshtatur strategji, si dhe kuadër rregullator dhe plan veprime për ta ndryshuar performancën aktuale dhe për të rritur ndikimin e inovacionit në edukim dhe ekonomi. Për këtë qëllim kjo qasje që pritet të avancojë më tej në 2020 shihet në bashkëpunime të caktuara në nivel rajonal, duke patur për orientim kuadrin ligjor të BE-së, si dhe disa objektiva të vendosura me nisjen e Procesit të Berlinit.
Edhe pse konsolidimi fiskal, për secilin vend të BP është kryefjala e financave publike, është fakt që niveli i lartë i borxhit publik mbetet i pandryshuar edhe pse me ulje të lehta. Edhe në ato raste kur ka ulje të borxhit publik shihet se qeveritë kontrollojnë shpenzimet publike, kryesisht ato kapitale duke frenuar në këtë mënyrë efektin që japin në ekonomi kjo kategori investimesh, por duke u justifikuar me mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor. Ndërkohë, rriqet për ruajtjen dhe rritjen e shpenzimeve sociale, për pushtetin vendor, si dhe për mbajtjen e ritmit të reformave shoqërohen me një rrisk që mbetet kërcënim për konsolidimin afatgjatë të financave publike.
Sektori bankar ka shfaqur shenja përmirësimi të rikuperimit të borxheve të këqia, duke ndikuar në mirë kapitalizimin e tyre dhe rritjen e likujditeteve për kreditim të bizneseve dhe individëve. Por, një lidhje më efikase midis sektorit bankar dhe bizneseve është ende një problem i adresuar pjesërisht, por që ndikon edhe në tregun financiar të vendeve të BP, si dhe në mbajtjen ende në nivele të ulëta të inovacionit dhe shtrirje më të madhe të tij në ambjentin ekonomik.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.