Avokati i Tatimpaguesve, një rol të madh për sot dhe të ardhmen

Avokati i Tatimpaguesve, një rol të madh për sot dhe të ardhmen

Figura e Avokatit të Popullit, apo në rastin e tatimpaguesve, figura e Avokatit të Tatimpaguesve, me karakteristikat e tanishme, e ka origjinën e vet nga Suedia, megjithëse gjurmët e e para gjenden në historinë e lashtë.

Gjeneza e institucionit të avokatit të popullit gjendet në Spartë dhe Athinën e lashtë. Me kalimin e shekujve ky mision mjaft i nevojshëm për të prurë në të njëjtën peshore pushtetin me zbatuesin e ligjeve të shtetit u forcua dhe sot është një strukturë mjaft e organizuar në thuajse çdo shtet demokratik, qoftë si strukturë e Ombudsman-it, po edhe një strukturë e veçuar krahas tij si Avokat për mbrojtjen e të drejtave të tatimpaguesve.

Kjo kulturë e qeverisjes së mirë është përshtatur edhe në vendin tonë. Prej më shumë se 4 vitesh në Shqipëri funksionon si një strukturë e pavarur nga Avokati i Popullit edhe Avokati i tatimpaguesit.

Struktura aktuale e drejtorisë së Avokatit të Tatimpaguesve, siguron pjesërisht pavarësinë e autoritetit të këtij funksioni. Nisur nga eksperienca e disa viteve të strukturës, konstatohet që autoriteti i Avokatit të Tatimpaguesve është i varur organikisht nga Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve.

Kështu, në organigramën e administratës tatimore, drejtoria e Avokatit të Tatimpaguesve, është dizajnuar si pjesë e organigramës së përgjithshme të drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve. Stafi i drejtorisë është i nënshtruar nga politikat rekrutuese të institucionit, sipas ligjit të nëpunësit civil.

Një drejtori e Avokatit të Tatimpaguesve, e pavarur, e atashuar vetëm nën varësinë e Ministrisë së Financave, do t’i japë autoritetin e plotë funksional për mbajtjen e qëndrueshme të një pozicioni legal dhe barazie, përgjatë shqyrtimit të një pozicioni qoftë të administratës , qoftë të tatimpaguesve përballë saj.

Ka shumë kohë që biznesi ka kërkuar që struktura e apelimit dhe ajo e avokatit të jenë të pavarura nga autoritetet tatimore. Vetëm në vitin 2016 u vendos në ligjin e procedurave tatimore, që Drejtoria e Avokatit të Tatimpaguesve dhe ajo e Apelit Tatimor, të përcaktohen si struktura në varësi të ministrisë së Financave.

Por, cfarë autoriteti dhe ndikimi ka avokati i tatimpaguesve ndaj zbatimit jo korrekt të ligjit nga tatimorët?

Përcaktimet ligjore aktuale e shtrijnë autoritetin e Avokatit të Tatimpaguesve deri në mundësinë e dhënies së opinioneve apo rekomandimeve për administratën. Po ashtu edhe mundësitë e ndërhyrjes së këtij funksioni janë të limituara, përderisa fillimisht tatimpaguesit duhet të ezaurojnë hallkat administrative rajonale e mandej të mund t’i drejtohen avokatit. NË fusha të tilla, si ato që kanë të bëjnë me kontrollin tatimor, mbledhjen e tatimeve apo edhe apelimit tatimor është shumë e kufizuar mundësia e një ndërhyrje të funksionit të avokatit.

Praktika tregoi në fakt që, pavarësisht se kjo bazë ligjore e ky autoritet, është i adoptuar nga eksperienca të vendeve të zhvilluara, një përshtatje me kërkesat e nivelit të zhvillimit në tërësi në vend, do të bënte më efektive strukturën e avokatit.

Përndryshe duhet që të gjendet mundësia e dhënies së një autoriteti funksional në një shkallë më të lartë, por edhe një bazë më të gjerë veprimi, që prek më tepër detyra operacionale të funksioneve kyçe të administrimit.

Duhet bërë e qartë që, sido të jetë përcaktuar roli e autoriteti i Avokatit të Tatimpaguesve, ai përfundon me dhënien e rekomandimeve e opinioneve. Ai nuk mund të bëhet njëkohësisht edhe avokat i një grupi, që funksionalisht e mbron dhe, më pas edhe gjykatës për dhënien e një vendimi. NË këtë aspekt, i mbetet të kuptuarit dhe të vepruarit të administratës tatimore, reagimi përfundimtar për zgjidhjen e një problemi të shtruar si të tillë. Vullneti i saj është parësor për nxitjen e respektimin e iniciativave që forcojnë partneritetin e klimën e biznesit.

Eksperienca e deritanishme, ka treguar një qëndrim herë herë formal nga drejtoritë rajonale, për të rishikuar një çështje të adresuar për zgjidhje. Drejtuesit i adresojnë të njëjtit inspektor apo eprori të drejtpërdrejtë të tij, të cilët kanë nxjerrë e miratuar aktin edhe shqyrtimin e një praktike, që konteston atë akt dhe të dërguar, nga drejtoria e Avokatit të Tatimpaguesve.

Por nuk mundet të zgjidhë një problem, qoftë edhe duke e rishikuar një qëndrim, pikërisht ai person apo persona që e ka provokuar atë problem.

Cila është përvoja e strukturës së avokatit në vendet që këtë funksion e kanë të avancuar?

Një ndarje operacionale, e konceptuar dhe e strukturuar në njësi të veçanta është aplikuar pak a shumë në ato vende, praktikat e të cilëve kanë krijuar një përvojë të mirë në mbrojtjen e të drejtave të tatimpaguesve të vendit të tyre. MË e qartë ndarja është në Kanada, ku drejtoria e Ombudsman-it Fiskal, është e ndarë në 5 njësi të veçanta.

Bazuar në kuptimin e misionit, të funksionit, si dhe  të autoritetit të Avokatit të Tatimpaguesve, drejtimi i brendshëm operacional duhet të projektohet në njësi të specializuara, që praktikisht të funksionojnë jo vetëm duke u përqendruar në informacionet, që vijnë nga tatimpaguesit, por edhe nga monitorimi i brendshëm i administratës sipas mënyrës së procedimit.

Ndërkohë që, diskutimet që jane duke u bërë tashmë në kuvend gjatë muajit Tetor e vijim po duket se janë një përshtatje e kujdesshme e rolit të avokatit të tatimpaguesit me numrin në rritje të tatimpaguesve dhe problemeve të tyre në zbatim dhe në debat me autoritetet tatimore, por edhe me paraprirjen ndaj të ardhmes të realizimit të bashkimit të administratës tatimore e doganore.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: