Amnistia…ndryshe ligjërimi pa kosto i ambicieve personale të politikanëve shumëvjeçarë
Përpara se të hidhej për konsultim projekt ligji “për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”, nga grupi i punës duhej që të jepej një analizë e detajuar me përgjigje shteruese lidhur me:
- arsyet pse u propozua ky projekt-ligj bashkë me llogaritjet përkatëse lidhur me përfitimin, humbjen dhe objektivat për uljen e normës së evazionit ne vend,
- problematikat dhe difektet e politikës dhe adminstrimit fiskal, që synohen të zgjidhen nëpërmjet ligjërimit të parave të pista (evazion dhe para nga burime të paligjshme)
- çfarë ka arritur deri më tani ligji i fiskalizimit dhe kostoja që do të mbajnë mbi supe bizneset dhe individët pas zbatimit të këtij ligji,
- sa është tashmë niveli i besimit të publikut te qeveria dhe sa ndikon te suksesi i saj,
- arsyet pse duhet bërë amnistia në prag të zgjedhjeve dhe si ndikon mbi problemet me transparencën e partive politike me deklaratat financiare të tyre,
- faktin se si do të ndikojë mbi bizneset që kanë probleme të mëdha me likujditetin dhe që kjo duket edhe në rritjen e borxhit tatimor
- sa i përgjigjet sistemi financiar dhe bankat shqiptare dyndjes së parasë
- sa ndikon te vettingu dhe ligjet e tjera
- çfarë do të ndryshojë pas zbatimit të këtij ligji lidhur me korrupsionin.
- faktin se pse nuk përdorin ligjin për kriptomonedhat ata që kërkojnë të amnistohen, nisur nga fakti se ky ligj duket sikur i ka paraprirë pikërisht nismës aktuale për aminsitimin e parave të pista.
Në fakt, edhe pas shpalljes së projekt ligjit nuk ka asnjë të dhënë bazuar mbi analiza, studime apo kërkime për qëllime transparence se kush grupe emigrantësh dhe të huajsh me pasuri apo para deri në 2 milione euro duan të vijnë të qarkullojnë për mbi 5 vite paratë e tyre të pista në vendin tonë.
Nisur nga niveli i lartë i informalitetit, të cilin qeveria aktuale ashtu si edhe qeveritë paraardhëse nuk na e ka thënë ende a ka garanci se paratë e pista nuk do të hyjnë përsëri të fuqizojnë para të tjera të pista që do të hyjnë nga jashtë dhe do të krijohen edhe brenda vendit, pas mbylljes së amnistisë?
Nga praktika mbi 20 vjeçare me bizneset dhe individët brenda Shqipërisë (rezidentë fiskalë), asnjë biznes/familje shqiptare brenda vendit nuk mundet ti ruante/kursente para gjendje në sasi të mëdha për arsye të vitit 1997, për arsye të investimeve të pothuajse të çdo familje në banesat e tyre dhe për arsye se në çdo rast paratë me kalimin e kohës janë përdorur për shpenzime të natyrave të ndryshme të cilat janë investuar në kohë. Para gjendje nuk ka mbajtur në sasi të mëdha ndër vite as shumica e individëve nga bota e krimit, pasi ata kanë mundur ti ligjërojnë ato duke zotëruar leje ndërtimi, aktivitete ligjore dhe pastrim në mënyra të ndryshme në gjithë ato raste që përmenden si raste tipike të pastrimit të parasë.
Pra, realisht nuk jemi në kushtet e vitit zero!
Nëse hartuesit e projekt-ligjit të amnistisë fiskale mund të kenë konstatuar raste të ndryshme nga sa më lart duhet ti përmendin në relacionin që duhet të shoqërojë projekt-ligjin.
Por, në këto vite të fundit, kur buxheti arkëtoi të ardhura shtesë edhe nga politika lehtësuese e rivlerësimit të aseteve duket se amnistisë në këtë drejtim i mbetet pak hapësirë për ta përdorur.
Ndërkohë, paratë që kanë mbetur më pasive janë ato që janë përfituar nga korrupsioni dhe që miratimi i legjislacionit i ka komplikuar dhe deri ndaluar përdorimin e sasive të mëdha të parave në mënyrë të ligjshme edhe pse raste të pastrimit të parasë nga zyrtarë të nivele të larta tashmë janë denonucuar nga media apo edhe po ndiqen penalisht. Në këtë rast, kanë mbetur të papërdorura ende paratë në shuma të mëdha, që vijnë nga aktivitetet kriminale të korrupsionit të politikanëve, si dhe ato që vijnë pa pushim nga shitblerja e drogave, armëve dhe aktiviteteve të tjera kriminale.
Zakonisht, edhe vetë skemat e legalizimit të aseteve duke qenë se luhet me rriskun që këto para nuk mund të përdoren nëse nuk ligjërohen arrijnë në norma tatimore deri në 50%.
Sipas praktikës ndërkombëtare, arsyeja kryesore për zbatimin e programeve të amnistisë është gjendja e keqe e financave publike.
Bangladeshi dhe Indonezia janë vende, që në vitet e fundit e kanë kryer nga një aministi të tillë, por që realisht nga gjithë analizat pas aministive duket se ato kanë dështuar për ti shërbyer interesit publik.
Në vend që qeveritë në këto vende (por edhe në të tjera vende) të përqëndronin përpjekjet në gjurmimin e evazionistëve fiskalë për t’i detyruar ata të paguajnë të gjitha taksat e duhura, shteti në fakt u tha: “Ndani atë që mundeni dhe ne, në këmbim, do t’ju falim pjesë të parave tuaja”.
Në rastin e Shqipërisë, duke qenë se huamarrja publike rëndon shumë borxhin publik, si dhe duke pasur parasysh situatën aktuale të financave publike, të rënduara nga kontratat e shumta të shpenzimeve infrastrukturore dhe kontratave të shërbimeve koncesionare motivimi ka të ngjarë të jetë pikërisht ky: ulja e deficitit buxhetor të vitit.
Nëse amnistia do të ndihmojë në rimbushjen e thesarit të shtetit me të paktën disa miliardë leke, ajo mund të justifikohet, por ky është një synim afatshkurtër.
Përfitimi i vetëm nga amnistia është se buxheti i shtetit do të ketë një infuzion shtesë të ardhurash për një periudhë relativisht të shkurtër kohore (një vit buxhetor specifik).
Megjithatë, në planin afatgjatë, amnistia është mjaft e diskutueshme, pasi ka një efekt negativ në moralin publik.
Mund të ketë një efekt demotivues për tatimpaguesit që i binden ligjit. Tradicionalisht, qytetaret kanë pasur gjithmonë një nivel mjaft të ulët besimi te autoritetet publike dhe ka shumë pak gjasa që duke u ofruar përfitime atyre që më parë iu shmangën taksave, do të ndihmojë në përmirësimin e besimit të biznesit “të ndershëm” në qeveri.
Pas amnistisë, shumë njerëz mund të pranojnë konkluzionin e mëposhtëm: “Nuk kam paguar, nuk paguaj dhe nuk do të paguaj taksa, sepse herët a vonë do të shpallet një amnisti tjetër dhe gjithçka do të fshihet”
Dhe ky moral egziston në Shqipëri, paçka se cila qeveri ka qenë në krye dhe e ka quajtur falje fiskale apo amnisti fiskale.
Cilat janë përfitimet për biznesin?
Kjo është një mundësi e shkëlqyer për ata që kanë pastruar para edhe më parë apo kanë bërë pasuri të paligjshme jashtë vendit apo politikanë të korruptuar që kanë nxjerrë para jashtë vendit dhe tashmë duan ti pastrojnë dhe aktivizojnë brenda vendit. Dhe këta individë mundet të jenë edhe tatimpagues të rregullt, për aq sa deklarojnë në sistemin tatimor, por edhe biznesmenë të rregullt deri më sot.
Shumë nga këta pronarë biznesesh, pasi kanë pushuar së përdoruri praktika të paligjshme, duan të investojnë jashtë vendit. Megjithatë, në vendet e qytetëruara, bankat, auditorët, konsulentët si dhe rregullatorët e ndryshëm kërkojnë të konfirmojnë burimet e fondeve, ndonjëherë duke kontrolluar informacionin për 10-20 vitet e fundit.
Kufizimet në shlyerjet me para në dorë kanë gjithashtu ndikim në interesat e biznesit. Transferimi i parave të gatshme në sistemin bankar do të kërkojë “legalizimin” e tij dhe në këtë rast mund të jetë e dobishme edhe amnistia.
Duke përmendur shembuj të vendeve të ndryshme që kanë provuar metoda të tilla për të stabilizuar ekonominë e tyre dhe rezervën valutore duket se nuk ja kanë dalë dot mbanë, pasi kanë patur shumë boshllëqe që janë përmendur më lart si arsye kundër amnistisë.
Por, nëse hartuesit duan ta bëjnë të duket sa më social, nevojitet që në projekt ligjin që me gjasa edhe mund të miratohet, përtej moralit politik që tashmë është vënë si “kolateral” për garantimin e hyrjes së këtyre parave do të duhet të vendosen kushte të forta për:
- destinacionin e pastrimit te parasë nga qeveria duke garantuar p.sh. që të rritë pensionet apo një plagë tjeter sociale të përmasave të mëdha direkt (p.sh. shpronësimet). Me shërim të plagëve sociale kihet parasysh pikërisht jo indeksimi, por një rritje që do të justifikojë inflacionin në rritje dhe jetesën dinjitoze të tyre. Formate të tjera destinimi mund të analizohen me kujdes nga përvoja e vendeve të tjera.
- Deklarimin për zhdukjen e evazionit dhe informalitetit aktual duke bërë edhe zotimet përkatëse, si pjesë e detyrueshme e egzistencës së qeverisjes së hapur.
Deri më tani, mënyra që parashtron ky projekt ligj është e ngjashme me skemat e pastrimit të parave, të cilat nuk kryhen si veprime direkte nga personat e kriminalizuar dhe të dyshuar që kanë lidhje me ta, por pikërisht nga “emigrantë” të ndershëm”, që mbartin mbi vete pisllëkun e parave të pronarëve të vërtetë të tyre. Nëse këto para, që sistemi tatimor aktual nuk do të arrijë dot ti gjurmojë në kohë reale do të fillojnë të qarkullojnë brenda vendi në disa transaksione me kompani te ndryshme nuk ka nevojë të heqësh disa nene që ndalojnë riatdhesimin e parave, pasi ky riatdhesim do të ndoshë nga bizneset që tashmë pas metamorfozës 5 vjeçare do ti transferojnë njësoj si gjithë bizneset aq para sa do të kenë nevojë të njëjtët individë apo pasardhës të tyre, që realisht pastruan këto para.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.