ALTAX vijon takimet dhe komunikimin e praktikave të mira në Vlorë
Këtë të enjte, grupi i ekspertëve të ALTAX vijoi takimet dhe komunikimin, në qytetin e Vlorës për të dialoguar mbi praktikat e mira të përzgjedhura nga Raporti “Monitorimi shumëdimensional i qeverisjes vendore 2021, Bashkia Vlorë”.
Këto praktika të mira janë pjesa e veçantë e performancës së Bashkisë Vlorë, që edhe pse ka hasur gjatë zbatimit të tyre sfida dhe punë për tu mbartur në të ardhmen, mbetet për tu promovuar nga shoqëria civile si një rast ku fokusi dhe përkushtimi i lidershipit të bashkisë arrin të bëjë ndryshimin.
Kështu, në takimin me drejtuesit e Bashkisë së Vlorës arritëm të shfaqim fakte dhe argumenta se situata e menaxhimit të mbetjeve, tashmë ka hyrë në një kthesë të rëndësishme, si përsa lidhet me vizionin për menaxhimin e mbetjeve, por edhe me zbatimin në praktikë edhe pse vështirësitë janë nga më të ndryshmet dhe të vështira për tu zgjidhur në kohë të shkurtër.
Ndërsa një aspekt tjetër për tu promovuar për punën e Bashkisë Vlorë është pikërisht administrim në përmirësim të ndjeshëm i mbledhjes së të ardhurave vendore.
Kjo performancë pozitive në mbledhjen e të ardhurave dhe rritja e arkëtimeve nga detyrimet e prapambetura, rezulton të mos jetë realizuar në periudhat e mëparshme, prandaj trendi progresit vlen për t’u promovuar dhe përgjithësuar si një praktikë e mirë e administrimit të disa taksa dhe tarifave dhe njëkohësisht evidenton problem të caktuara që kërkojnë zgjidhje ligjore, sidomos problemet e pazgjidhura të pronësisë të cilat janë një burim i pa shfrytëzuar të ardhurash.
Në takimin e mbajtur në ambjentet pranë muzeut të Pavarësisë një ngjyrë e veçantë ishte edhe diskutimi dhe komentet e mirëpritura nga përfaqësues të ekspertëve të financave të qytetit si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kërkuan që krahas shprehjes së konsideratave ka ende rezerva për tu konsideruar në punën e Bashkisë.
Prezantimi i praktikave të mira është një qasje pozitive për promovimin e punëve të mira që arrihen në të gjitha rastet me mobilizimin dhe organizimin e burimeve njerëzore të bashkisë dhe komunitetit, si vlerë e shtuar e financimeve të buxhetit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.