Pabarazitë territoriale në ekonomi dhe rritja pa konvergjencë zhvillimi

Pabarazitë territoriale në ekonomi dhe rritja pa konvergjencë zhvillimi

Ekonomia shqiptare po rritet, por kjo rritje nuk po shoqërohet me një afrim të qëndrueshëm të kapaciteteve ekonomike ndërmjet rajoneve. Të dhënat e PBB-së rajonale për vitin 2024 konfirmojnë problemin strukturor të identifikuar nga ALTAX që në vitin 2019, ku zhvillimi ekonomik vazhdon të karakterizohet nga pabarazi territoriale, përqendrim i prodhimit dhe specializim i kufizuar i ekonomive periferike.

Problemi është mbartur vit pas viti dhe në publikimin e fundit të INSTAT mbi PBB rajonale 2024, vërehet dukshëm pabarazia, ku disa rajone prodhojnë më shumë se të tjerat. Mungesa e konvergjencës kufizon mundësinë që rajonet me performancë më të dobët të afrohen gradualisht me ato më të zhvilluara në produktivitet, diversifikim, punësim dhe krijim të vlerës së shtuar

Krahasimi i viteve 2019, 2021 dhe 2024 tregon rritjen e peshës së Tiranës, zgjerimin e diferencave të PBB-së për frymë dhe vazhdimësinë e varësisë bujqësore në disa qarqe. Njëkohësisht, përmirësimi relativ i Durrësit tregon se konvergjenca është e mundur, por kërkon kapacitete ekonomike dhe investime që prodhojnë efekte përtej një sektori apo një cikli të përkohshëm rritjeje.

Teza kryesore e ALTAX Insight është se Shqipëria deri në vitin 2026 nuk ka vetëm një problem të shpërndarjes territoriale të rritjes, por një problem më të thellë të strukturës së saj. Kjo nuk do të thotë që të kufizohet zhvillimi i qendrave që prodhojnë më shumë, por të krijohen qendra të tjera ekonomike që rrisin prodhimin, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e tyre.

Çfarë dimë dhe çfarë interpretojmë?

Kjo analizë ndërton një krahasim ndërmjet raportit ALTAX të majit 2023, i cili mbështetej kryesisht në të dhënat e viteve 2019 dhe 2021, dhe publikimit të PBB-së rajonale për vitin 2024, të trajtuar në analizën e ALTAX të 6 nëntorit 2026.

Për të shmangur përzierjen e të dhënave me interpretimet, përdoren tri nivele evidence:

KategoriaKuptimi në analizë
Fakt i publikuarTë dhëna të raportuara nga INSTAT ose të cituara në publikimet për PBB-në rajonale.
Llogaritje ALTAXRaporte, diferenca dhe tregues të nxjerrë nga të dhënat e publikuara, të cilët nuk paraqiten si tregues zyrtarë më vete.
Interpretim / hipotezëShpjegime mbi shkaqet, cilësinë e rritjes dhe pasojat ekonomike, të cilat kërkojnë verifikim me tregues shtesë.

Shënim. Publikimi për vitin 2024 përfshin rishikimin e serisë statistikore pas Censit 2023. Për shembull, pesha e rajonit Qendër për vitin 2023 është ndryshuar nga 50,26% në serinë fillestare në 51,87% në serinë e rishikuar. Prandaj, ndryshimet ndërmjet viteve nuk duhen interpretuar tërësisht si zhvillime ekonomike reale. Për krahasimet kohore përdoret seria e raportuar në analizën e ALTAX për vitin 2024, ndërsa disa tregues të viteve 2019 dhe 2021 janë llogaritur nga tabelat e raportit të vitit 2023. Shifrat e vitit 2024 mbështeten në publikimin e INSTAT dhe analizën përkatëse të ALTAX, ndërsa llogaritjet krahasuese janë përpunime analitike të ALTAX. PBB-ja për frymë përdoret si tregues i prodhimit ekonomik për banor, jo si matje e drejtpërdrejtë e të ardhurave apo mirëqenies familjare.

Evolucioni i ekonomisë rajonale në 5 vite (2019–2021–2024)

Tabela e mëposhtme përmbledh treguesit që lejojnë të kuptohet ndryshimi i strukturës ekonomike dhe i shpërndarjes territoriale të prodhimit.

Treguesi201920212024
Pesha e Tiranës në PBB kombëtare42,72%43,72%46,94%
Pesha e rajonit Qendër–50,50%52,87%
Pesha e rajonit Veri–22,30%21,68%
Pesha e rajonit Jug–27,20%25,45%
Bujqësia në ekonominë e Beratit45,2%48,6%47,7%
Bujqësia në ekonominë e Fierit45,5%47,9%45,6%
Bujqësia në ekonominë e Kukësit34,2%38,1%37,4%
Ndërtimi në ekonominë e Tiranës12,4%14,2%17,2%
Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia në Tiranë15,7%16,6%17,2%
Informacioni dhe komunikimi në Tiranë5,8%6,3%5,0%
Raporti PBB për frymë Tiranë/Kukës2,2 herë2,2 herë2,7 herë

Burimi: Raporti ALTAX 2023 dhe analiza ALTAX për PBB-në rajonale 2024. Vlerat e raportit Tiranë/Kukës për 2019 dhe 2021 janë llogaritje ALTAX. Vlerat e vitit 2024 janë marrë nga seria e rishikuar e paraqitur në analizën e ALTAX.

Pesha e Tiranës në PBB është rritur në 46,94% në vitin 2024, nga 43,72% në vitin 2021.

Llogaritja ALTAX: Rritja e peshës së Tiranës është 3,22 pikë përqindjeje gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, kjo diferencë ndikohet edhe nga rishikimi metodologjik i serisë.

Ekonomia shqiptare po mbështetet gjithnjë e më shumë te një qendër e vetme prodhimi. Kjo krijon një asimetri territoriale, ku zgjerimi i aktivitetit në kryeqytet nuk shoqërohet automatikisht me zhvillimin e kapaciteteve ekonomike në qarqet e tjera.

Një tregues tjetër me rëndësi është kontributi në rritjen ekonomike. Në vitin 2024, nga rritja reale kombëtare prej 4,03%, Tirana kontribuoi me 3,24 pikë përqindjeje, ose rreth 80% të rritjes. Kjo e bën kryeqytetin jo vetëm qendrën më të madhe ekonomike, por edhe kontribuesin kryesor në zgjerimin vjetor të ekonomisë.

Konvergjenca rajonale, tregoin se hendeku nuk është vetëm në madhësinë e ekonomisë.

Përqendrimi i prodhimit është vetëm njëra anë e pabarazisë. Ana tjetër është diferenca në kapacitetin ekonomik për banor.

Në vitin 2024, raporti i PBB-së për frymë ndërmjet Tiranës dhe Kukësit arriti në rreth 2,7 herë, nga 2,2 herë në vitet 2019 dhe 2021.

Sipas llogaritjes nga ALTAX, Tirana rezulton rreth 47% mbi mesataren kombëtare, ndërsa Kukësi rreth 46% nën të. Këto raporte janë tregues të prodhimit territorial për banor dhe varen edhe nga vlerësimi i popullsisë.

Hendeku rajonal po shfaqet përtej madhësisë së ekonomive dhe vërehet në aftësinë e tyre për të gjeneruar produktivitet dhe vlerë të shtuar. Kjo mund të përkthehet në mundësi të ndryshme punësimi, tërheqjeje investimesh dhe mbajtjeje të kapitalit njerëzor.

Durrësi paraqet një zhvillim më pozitiv, duke kaluar në rreth 8,8% mbi mesataren kombëtare në vitin 2024, ndërsa në vitin 2021 ishte pak nën të. Ky ndryshim tregon se pozicionimi rajonal mund të përmirësohet kur krijohen aktivitete ekonomike me peshë dhe lidhje më të forta me tregun kombëtar e ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, krahasimi i rajonit Qendër me Tiranën tregon një përqendrim të brendshëm edhe brenda vetë rajonit. Sipas llogaritjeve ALTAX, pesha e pjesës tjetër të rajonit Qendër, pa Tiranën, zbret nga 6,73% në vitin 2021 në 5,93% në vitin 2024. Kjo sugjeron se zgjerimi i peshës së Qendrës lidhet kryesisht me kryeqytetin, jo me një zhvillim të njëtrajtshëm të të gjithë territorit të saj.

Struktura ekonomike pasqyron një tendencë specializimi, por pa transformimin e mjaftueshëm për tu konsideruar ndryshim për zhvillimin e qëndrueshëm.

Një nga problemet kryesore të ekonomive rajonale është varësia e lartë nga një numër i kufizuar sektorësh.

Në Berat, Fier dhe Kukës, bujqësia vijon të ketë një peshë shumë më të lartë se mesatarja kombëtare. Kjo mund të jetë një bazë e rëndësishme konkurruese, por vetëm nëse shoqërohet me përpunim, teknologji, logjistikë, magazinim dhe dalje në tregje më të mëdha.

Rajonet e mësipërme po prodhojnë më shumë bujqësi, por një pjesë e tyre nuk arrin të përthithë mjaftueshëm vlerën e shtuar që krijohet pas prodhimit primar. Problemet e integrimit të zinxhirëve të vlerës, e mbajnë specializimin sektorial të varur ekonomikisht dhe në ekspozim ndaj luhatjeve të çmimeve dhe tregjeve.

Në Tiranë, ndërkohë, ndërtimi ka arritur në 17,2% të ekonomisë rajonale. Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia kanë gjithashtu peshë të konsiderueshme, ndërsa informacioni dhe komunikimi ka rënë në 5% nga 6,3% në vitin 2021.

Këto të dhëna nuk provojnë vetvetiu dobësim të inovacionit, por tregojnë se rritja e kryeqytetit nuk mund të identifikohet me transformimin drejt një ekonomie teknologjike dhe me produktivitet të lartë. Për këtë kërkohen të dhëna të tjera mbi investimet në teknologji, punësimin profesional, eksportet e shërbimeve dhe produktivitetin sektorial.

Raporti i ALTAX që bazohet te ecuria ekonomike e rajoneve 2019-2021 e identifikoi drejt rrezikun e varësisë sektoriale dhe të përqendrimit territorial.

Por, disa prej pohimeve të tij kërkojnë korrigjim. Tabelat që paraqesin peshën e sektorëve brenda ekonomive rajonale matin përbërjen e ekonomisë, jo domosdoshmërisht rritjen apo tkurrjen e prodhimit. Po kështu, treguesi i paraqitur si dendësi biznesesh në raportin e vitit 2023 është interpretuar në drejtim të kundërt, pasi në fakt mat popullsinë për biznes. Edhe PBB-ja për frymë nuk duhej trajtuar si e ardhur e familjeve.

Këto korrigjime janë të rëndësishme për cilësinë e analizës, sepse një politikë rajonale duhet të mbështetet në dallimin ndërmjet asaj që të dhënat provojnë dhe asaj që kërkon hetim të mëtejshëm.

Të dhënat e vitit 2024 nuk përcaktojnë trajektoren e ardhshme, por gjithsesi krijojnë një bazë për të vlerësuar tri mundësi zhvillimi.

SkenariZhvillimi i mundshëmPasoja ekonomike dhe treguesit e pritshëm
Skenari 1 – VazhdimësiaInvestimet dhe aktiviteti ekonomik vijojnë të përqendrohen në qendrat me produktivitet më të lartë.Pesha e Tiranës mund të mbetet pranë ose të kalojë nivelin 46,94%; raporti Tiranë/Kukës mund të qëndrojë rreth 2,7 herë ose të zgjerohet.
Skenari 2 – Konvergjenca e orientuarInvestimet publike dhe politikat rajonale lidhen me objektiva për punësimin, produktivitetin dhe vlerën e shtuar jashtë Tiranës.Synohet ulja e raportit Tiranë/Kukës drejt 2,2 herëve, rritja e peshës së Veriut dhe Jugut dhe zgjerimi i prodhimit jashtë kryeqytetit.
Skenari 3 – Transformimi produktivZhvillohen zinxhirë rajonalë të vlerës, përpunimi, eksportet, teknologjia dhe shërbimet profesionale.Synohet rritje e qëndrueshme e vlerës së shtuar joprimare në rajonet periferike, rritje e produktivitetit dhe ulje e varësisë nga sektorët primarë.

Skenari i parë përfaqëson rrezikun e vazhdimësisë së modelit aktual. Skenari i dytë është objektivi realist i politikës publike, ndërsa i treti përfaqëson transformimin strukturor që duhet të synojë Shqipëria deri në vitin 2030.
Në Skenarin 2, konvergjenca do të konsiderohej e realizuar nëse raporti i PBB-së për frymë Tiranë/Kukës do të zbriste nga 2,7 në drejtim të 2,2 herëve, ndërsa pesha e rajoneve Veri dhe Jug do të rritej në terma relativë dhe absolutë.
Në Skenarin 3, rezultati do të ishte më i thellë: rritja e vlerës së shtuar joprimare, zgjerimi i eksporteve rajonale dhe përmirësimi i produktivitetit do të duhej të shoqëroheshin me rritje të punësimit formal.

Vlerat e synuara janë orientuese dhe kërkojnë harmonizim të serive statistikore përpara se të përdoren si objektiva zyrtarë. Në të dy skenarët, rritja e rajoneve të tjera duhet të vijë nga zgjerimi real i prodhimit, investimeve dhe produktivitetit të tyre, jo nga frenimi i Tiranës apo ulja artificiale e peshës së saj. Realizimi i Skenarit 2 dhe 3 varet mbi të gjitha nga cilësia e qeverisjes dhe aftësia për të lidhur investimet publike e private me rezultate ekonomike të matshme, jo thjesht me nivelin e shpenzimeve të kryera.

Kalimi nga diagnostikimi te politika ekonomike kërkon që zhvillimi rajonal të matet me tregues të qëndrueshëm dhe të krahasueshëm. ALTAX propozon krijimin e një paneli monitorimi deri në vitin 2030.

Treguesi (KPI)Baza 2024Drejtimi i synuar deri në 2030Statusi statistikor
Pesha e Tiranës në PBB46,94%Ulje relative si rezultat i rritjes së rajoneve të tjeraI matshëm
Raporti PBB/frymë Tiranë–Kukës2,7 herëUlje drejt 2,2 herëveI matshëm
Pesha e rajonit Veri në PBB21,68%Rritje gradualeI matshëm
Pesha e rajonit Jug në PBB25,45%Rritje gradualeI matshëm
Pesha e rajonit Qendër pa Tiranën5,93%Rritje e prodhimit jashtë kryeqytetitE llogaritshme
Vlera e shtuar joprimare në qarqet me varësi të lartë bujqësorePër t’u maturRritje e qëndrueshmeKërkon ndërtim
Produktiviteti rajonal i punësPër t’u maturKonvergjencë me mesataren kombëtareKërkon ndërtim
Punësimi formal sipas qarqeve dhe sektorëvePër t’u harmonizuarRritje dhe konvergjencë rajonaleKërkon harmonizim

Treguesit e peshës së PBB-së dhe të diferencave për frymë janë tashmë të matshëm përmes statistikave rajonale, me kushtin që të përdoren seri të harmonizuara. Pesha e Qendrës pa Tiranën mund të llogaritet duke zbritur peshën e Tiranës nga pesha e rajonit Qendër.

Ndërsa vlera e shtuar joprimare, produktiviteti rajonal i punës dhe punësimi formal sipas sektorëve kërkojnë ndërtimin ose harmonizimin e një baze më të detajuar statistikore. Këta tregues janë veçanërisht të rëndësishëm, sepse matin jo vetëm se ku prodhohet, por edhe çfarë lloj ekonomie po ndërtohet.

Objektivat e mësipërm janë propozime fillestare të ALTAX dhe jo objektiva të miratuara nga institucionet publike.

Një saktësim është thelbësor: ulja e peshës relative të Tiranës nuk duhet të jetë qëllim në vetvete. Synimi është rritja absolute e prodhimit, investimeve, punësimit dhe produktivitetit në rajonet e tjera. Nëse ekonomia e Tiranës vazhdon të rritet dhe njëkohësisht rajonet e tjera rriten më shpejt në bazë të kapaciteteve të reja prodhuese, atëherë konvergjenca arrihet pa dëmtuar qendrën ekonomike ekzistuese.

Për zbatimin e kësaj qasjeje nevojiten tri ndërhyrje prioritare.

Së pari, një formulë e re për alokimin e investimeve publike. Brenda vitit 2027 duhet të ndërtohet një mekanizëm që vlerëson jo vetëm PBB-në për frymë, por edhe papunësinë, demografinë, produktivitetin, aksesin në shërbime dhe potencialin ekonomik të rajoneve. Alokimi duhet të marrë parasysh nevojën për konvergjencë dhe kthimin e pritshëm ekonomik e social të investimit.
Së dyti, programe rajonale të vlerës së shtuar. Deri në vitin 2028, qarqet me varësi të lartë nga bujqësia duhet të kenë objektiva konkrete për përpunimin, magazinimin, eksportin dhe integrimin me turizmin. Financimi duhet të lidhet me rezultate të matshme, si rritja e prodhimit të përpunuar, punësimi formal dhe eksportet, dhe jo vetëm me vlerën e investimit.
Së treti, një sistem vjetor i llogaridhënies rajonale. Çdo vit duhet të publikohet një vlerësim mbi ecurinë e KPI-ve, realizimin e investimeve dhe ndryshimin e kapaciteteve ekonomike të qarqeve. Ky vlerësim duhet të dallojë fondet e shpenzuara nga rezultatet e arritura dhe ndikimin real në ekonomi.

Krahasimi ndërmjet viteve 2019, 2021 dhe 2024 konfirmon se Shqipëria ka një sfidë të rëndësishme të zhvillimit territorial. Ekonomia kombëtare është zgjeruar, por kjo nuk ka prodhuar ende një afrim të qëndrueshëm të kapaciteteve ekonomike ndërmjet rajoneve.

Problemi nuk zgjidhet duke shpërndarë investimet në mënyrë mekanike, as duke kufizuar zhvillimin e qendrave më produktive. Projeksioni drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe ngushtimit të hendekut rajonal kërkon krijimin e kapaciteteve të reja ekonomike në territoret që kanë mbetur pas, duke lidhur investimet publike me produktivitetin, punësimin, përpunimin dhe eksportet.

Sfida e Shqipërisë deri në vitin 2030 është të ndërtojë një ekonomi ku më shumë rajone kanë aftësinë të prodhojnë, të konkurrojnë dhe të krijojnë mirëqenie, pa e trajtuar rritjen e një rajoni si humbje për një rajon tjetër. Kjo është rruga nga rritja ekonomike drejt konvergjencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm territorial.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.