Administrimi tatimor, ligjet dhe normat tatimore në vitet ‘90
Përpjekjet serioze për hartimin dhe ngritjen e sistemit tatimor në Shqipëri, kanë filluar në vitin 1991 e me një grup ligjesh që përbënë paketën e parë fiskale, në vitin 1992[1]. Administrimi i tatimeve dhe taksave në Republikën e Shqipërisë, sipas paketës fiskale me bazë ligjin Nr.7546, datë 06.01.1992 filloi të bëhet nga organet tatimore. Organe tatimore sipas këtij ligji ishin Drejtoria e Tatimeve në Ministrinë e Financave dhe degët e saj në 36 qendrat e rretheve. Organet tatimore u ngarkuan me detyrën e kryerjes të të gjitha veprimeve që lidheshin me regjistrimin e subjekteve, mbajtjen e dokumentacionit përkatës, nxjerrjen e akteve tatimore në bazë të deklaratës dhe të dhënave të tjera të paraqitura nga subjektet, përcaktimin e bazës dhe madhësisë së tatimit. Administrimi tatimor shtrihej për gjithë kategoritë e aktiviteteve, pa asnjë përjashtim. Konventat dhe marrëveshjet e nënshkruara midis Republikës së Shqipërisë me shtete të tjera për mënjanimin e tatimeve të dyfishta, kishin përparësi në raport me legjislacionin tatimor. Tatimet kryesore në vitin 1992 përfshinin taksat nacionale dhe lokale, tatimin mbi qarkullimin, akcizën, tatim mbi fitimin.
Administrimi tatimor u përforcua me detyra dhe të drejta më të qarta si dhe elementë që përqaseshin me zhvillimin e administratës nëpërmjet ligjit Nr.7681, datë 04.03.1993. Në këtë ligj u përcaktuan të drejtat dhe detyrat kryesore të administratës tatimore duke e pasqyruar administrimin si një shërbim tashmë mbi konture të përcaktuara sipas parimeve të sistemit të ri politik.
Në vitin 1999 një ligj më i plotë dhe i strukturuar në kuadrin e ligjeve bashkëkohore për vende që kishin kaluar në tranzicionin politik dhe ekonomik u miratua. Ligji Nr.8560, datë 22.12.1999 bënte dallim të qartë nga modeli i administrimit duke specifikuar qartë misionin e administratës tatimore, pasqyronte ndryshimet strukturore të saj duke mbuluar edhe detyra që kishin patur institucione të tjera, si dhe duke përforcuar të drejtat e tatimpaguesve dhe shërbimet që ata përfitonin. Administrimi tatimor, për herë të parë prezantohet i pozicionuar midis administrimit qendror dhe vendor.
Ndërkohë, 9 vite më vonë me miratimin e ligjit Nr.9920, datë 19.05.2008, administrimi tatimor u pozicionua si një administrim modern dhe në përshtatje me ndryshimet e reja gjeo-politike të vendit drejt integrimit europian. Ky ligj përforcoi në mënyrë të qartë se administrimi tatimor kalon nëpërmjet shërbimit ndaj tatimpaguesve dhe një marëdhënie bashkëpunuese me institucionet dhe gjithë grupet e interesit që kanë interesa për një mirëadministrim në rritje. Ligji bazohet mbi kartën e të drejtave të tatimpaguesit, si dhe një qartësi e plotë mbi parimet universale të administrimit tatimor modern.
Krahas organit tatimor, me dekret Nr.7463, datë 31.01.1991 ishte krijuar Policia Financiare, si organ egzekutiv i armatosur dhe i specializuar për kontrollin e zbatimit të legjislacionit fiskal nga sektori shtetëror e privat dhe nga personat fizikë dhe juridikë të huaj ose shqiptarë me seli jashtë territorit të Shqipërisë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në territorin e saj. Policia financiare kishte detyrën e kontrollit të saktësisë së pasqyrave financiare, kontrollin e zbatimit të rregullave për peshën, standartet, çmimet, tarifat e cilësisë së mallrave, kontrollin e aktiviteteve pa leje, kontrollin e zbatimit të monopolit të shtetit, si dhe kontrollin e zbatimit të dispozitave në fushën e taksave doganore.
Në vitin 1995, me Ligjin Nr.7938, datë 24.05.1995, policia financiare shpërbëhet duke shërbyer si bazë për krijimin e dy organeve të specializuar sipas emërtesës: (a) Policia Doganore, në varësi të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave dhe (b) Policia Tatimore në varësi të Drejtorit të Tatimeve. Emërimi dhe largimi nga detyra e drejtorit të policisë për të dy organet ishte në kompetencat e Ministrit të Financave. Këto organe me miratimin e kodit doganor dhe ligjit të procedurave tatimore në vitin 2008 u shpërbënë duke u përfshirë në detyra të tjera të inteligjencës dhe verifikimit të terrenit brenda administratave respektive të doganave dhe tatimeve qendrore.
Drejtorët e Përgjithshëm, që kanë drejtuar administratën tatimore në vitet 1991-2000, të cilët janë paraqitur në këtë rend fillojnë me vitin kur është miratuar paketa e parë për administrimin tatimor, në vitin 1992.
Emri | Mbiemri | Periudha në detyrë | |
Filluar | Larguar | ||
Robert | ÇEKU | 1991 | 1995 |
Ylli | DERVISHI | 1995 | 1995 |
Florion | MIMA | 1995 | 1997 |
Arben | AHMETAJ | 1997 | 1998 |
Kujtim | BROVINA | 1998 | 2002 |
Në vitin 1995 për herë të parë prezantohet në ligj emërtimi “Drejtori e Përgjithshme e Tatimeve” dhe “Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve”.
- Modeli i administrimit
Politika tatimore dhe administrimi tatimor mund të vlerësohen si një kombinim i secilës për të plotësuar të tërën. Kombinimi i një tatimi “të mirë” dhe një administrimi “të mirë” na jep një bazë për vlerësimin e mënyrës orientimit të taksimit.
Pas 31 vitesh, administrata tatimore, si një institucion qendror është autoriteti i vetëm tatimor qendror në Republikën e Shqipërisë. Administrata tatimore është i vetmi autoritet që pranon deklaratat tatimore për tatimet dhe taksat kombëtare, përfshirë deklaratat për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, vlerëson detyrimet tatimore, kontrollon saktësinë e deklarimit dhe, mbi këtë bazë, përcakton detyrimet tatimore shtesë të një tatimpaguesi dhe rimbursimin apo kthimin e tatimeve të paguara tepër.
Administrimi i detyrimeve tatimore, i ndërtuar mbi kolonat e procedurave dhe rregullave nëpërmjet organizimit funksional ka tentuar në vitet e fundit të afrohet me parimet e një administrimi të mirë dhe në përgjigje të kërkesave të tatimpaguesve.
Duke qenë se funksioni parësor i administrimit tatimor në gjithë vitet ka qenë garantimi i të ardhurave buxhetore, atëherë edhe qëllimi i parë i administrimit ka qenë lidhur ngushtë me këtë funksion në mënyrë që të vepronte efektivisht. Në këtë drejtim përmirësimi i administrimit ka shkuar sipas funksionit duke përshtatur strukturën e organizimit, mënyrën e mbledhjes së tatimeve duke filluar në hapat e parë të administrimit me llogaritjen e madhësisë së tatimit në mënyrë sa më ligjore dhe duke arritur në vlerësimin e tatimeve të llogaritura nga tatimpaguesit në mënyrë sa më efektive dhe pa dëmtuar sistemin.
Në këtë aspekt një tjetër qëllim i administrimit ka qenë rritja e efektivitetit ekonomik të sistemit tatimor. Me kalimin e viteve, administrimi tatimor është më pak ndërhyrës në vendimmarrjen e biznesit për probleme që dalin jashtë modelit të ndërtuar. Bizneset dhe individët kanë zhvilluar aktivitetet në mënyrë të pavarur dhe të pangacmuar nga vendimet e administratës.
Në vazhdim të këtij qëllimi një tjetër qëllim i forcuar ndër vite ka qenë zhvendosja e barrës fiskale nëpërmjet shpërndarjes së saj sipas vendit dhe subjektit ku ajo krijohet. Për këtë qëllim strukturimi i administrimit tatimor si në drejtim horizontal, po ashtu edhe vertikal u arrit që nëpërmjet decentralizimit të kemi një ndarje më të drejtë të pushteteve që bëjnë administrimin duke forcuar bashkëveprimin midis tyre dhe duke përshtatur nivelet e taksimit sipas zonave gjeografike dhe ekonomike.
Arritja e vendosjes se deklarimit individual të të ardhurave në vitin 2011 erdhi si pasojë e rritjes së kapaciteteve administrative të afta për të administruar këtë proces zhvillimi të administrimit.
Politikat tatimore të ndjekura nga një administrim në rritje, ashtu si edhe do të prezantohet me informacionin statistikor në këtë dokument do të shërbejnë për mbajtjen më tej të nivelit të administrimit sipas parimeve të një administrimi “të mirë”.
Më poshtë në tabelë janë edhe tatimet e zbatuara për vitet ’90 dhe ndryshimet ligjore bashkë me normat tatimore dhe rregullat që i kanë shoqëruar.
Shkallët tatimore, 1992 – 2000 | në % | ||||||||
Nr. | Vitet | Tatim Qarkullimi | TVSH | TF | TAP | Tatimi për Biznesin e Vogël | Kontributet e sigurimeve | Komente dhe sqarime | |
1 | 1992 | 15, 20 ¹ | 30, 40, 50 ³ | 10, 15, 20, 25, 30 ⁴ | 3, 5, 6, 8, 10 ⁵ | 42.5 ⁶ | T.Q. nuk ka prag për personat juridikë Paga nuk tatohet nëse < 4.000 lekë Tatimi mbi biznesin e vogël vendoset në vlerë për aktivitete të caktuara | ||
2 | 1995 | 15, 20 | 30, 40, 50 | 5, 10, 15 ⁴ | 3, 5, 6, 8, 10 | 45.9 ⁶ | Paga nuk tatohet nëse < 7.000 lekë | ||
3 | 1996 | 12.5 ² | 30, 40, 50 | 3, 5, 10, 15, 20 ⁴ | 3, 5, 6, 8, 10 | 45.9 | Zëvendësohet T.Q. me TVSH Pragu i xhiros për t’u regjistruar në TVSH > 2 milion lekë Paga nuk tatohet nëse < 10.000 lekë | ||
4 | 1997 | 12.5, 20 ² | 30, 40, 50 | 1, 2, 3, 5, 10, 15, 20, 25, 30 ⁴ | 45.9 | Paga nuk tatohet nëse < 10.000 lekë | |||
5 | 1998 | 20 | 30, 40, 50 | 0.5, 1, 2, 3, 5, 10, 15, 20, 25, 30 | 45.9 | Pragu i xhiros për t’u regjistruar në TVSH > 5 milion lekë ² | |||
6 | 1999 | 20 | 30 ³ | 0.5, 1, 2, 3, 5, 10, 15, 20, 25, 30 | 45.9 | ||||
7 | 2000 | 20 | 25 ³ | 0.5, 1, 2, 3, 5, 10, 15, 20, 25 ⁴ | 45.9 | Paga nuk tatohet nëse < 10.000 lekë Tatimi mbi pagën paguhet sipas shkallës dhe një vlerë përkatëse Pragu i xhiros për t’u regjistruar në TVSH > 8 milion lekë ² |
[1] Ligji Nr.7543, datë 24.12.1991 “Për tatimin mbi qarkullimin” shpallur me dekretin Nr.106, datë 06.01.1992
Ligji Nr.7544, datë 06.01.1992 “Për Tatimin mbi fitimin”
Ligj Nr.7545, datë 06.01.1992 “Për tatimin mbi të ardhurat e personave fizikë në sektorët privatë të tregtisë, artizanatit e shërbimeve të tjera”
Ligji Nr.7546, datë 06.01.1992 “Për administrimin e tatimeve dhe të taksave në Republikën e Shqipërisë”
Ligji Nr.7547, datë 06.01.1992 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”
Ligji Nr.7585, datë 14.07.1992 “Për tatimin mbi të ardhurat personale”
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.