A mundet taksa e sheshtë të funksionojë përsëri në Shqipëri?

A mundet taksa e sheshtë të funksionojë përsëri në Shqipëri?

Histori të funksionimit me sukses të taksimit të sheshtë gjen me lehtësi në mjaft referenca studimore. Një numër vendesh kanë parë një rritje mbresëlënëse ekonomike pas miratimit të politikës së taksës së sheshtë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rast se shikon politikat tatimore në shumë vende në dy dekadat e fundit. Këtë politikë e kanë aplikuar, si vendet e ish- Evropës Lindore, po ashtu edhe vende në kontinente të tjera, që kanë patur tjetër sistem ekonomik. Disa prej tyre madje e kopjuan modelin e taksës së sheshtë pa pyetur gjatë, por vetëm se menduan se ajo do të sillte nxitje të rritjes ekonomike.

Duke sjellë nëpër mend historikun e politikës fiskale të zbatuar në Shqipëri në këto dy dekada të fundit pyetja del vetiu .

A do të ishte e suksesshme në Shqipëri, një taksë e sheshtë nëse do të zbatohej për herë të dytë?

Ky artikull do të diskutojë kuptimin e taksimit të sheshtë dhe progresiv, duke kërkuar në pluset dhe minuset e secilit, dhe pastaj do të spekulojë mbi efektivitetin e taksës së sheshtë për Shqipërinë.

Ideja taksës së sheshtë duket mjaftueshmërisht e thjeshtë.

Një normë tatimore, e cila vlen për të gjithë, pavarësisht nga të ardhurat. Skema e pastër e saj (jo modeli shqiptar i zbatuar me herët) nuk ka zbritje, difekte apo përjashtime tatimore. Si rrjedhojë, qeverisë i shumohen të ardhurat dhe po ashtu, të ardhurat e biznesit mbeten më shumë në raport me rritjen e të ardhurave të tyre. Asgjë nuk mund të jetë më e lehtë se kaq!

NË të vërtetë nuk është kaq e thjeshtë.

Nga çfarë përbëhen të ardhurat, për shembull?

NË Shqipëri, fitimet kapitale të një kompanie me taksimin e sheshtë u tatuan në një normë më të ulët se të ardhurat personale, duke u argumentuar kjo pjesërisht me justifikimin për të inkurajuar investimet e kompanive.

Por a mundet të vazhdojë të zbatohet kjo politikë e taksës së sheshtë?

TË ardhurat e biznesit e komplikojnë zbatimin e politikës në realitet.

NË mënyrë të qartë, të ardhurat e biznesit kërkojnë rregulla shtesë, pavarësisht se duket se vija që vendos taksa e sheshtë është njësoj për të gjitha grupet e të ardhurave. Nëse keni të ardhura nga një biznes i vogël, për shembull, ju aktualisht i zbrisni shpenzimet tuaja për të përcaktuar vlerën e tatueshme. Por, si mund të funksionojë kjo metodë në një kategori biznesi që nuk ka vend për të zbritur shpenzimet?

Atëherë, lind nevoja që taksës së sheshtë i duhet bërë modifikim për të bërë përshtatjen e duhur sipas të ardhurës së krijuar.

Një taksë e sheshtë, e aplikuar për të gjithë grupet në të njëjtën mënyrë do të rriste barrën e taksave mbi grupet me të ardhura të ulëta, shumë prej të cilëve aktualisht paguanin pak ose aspak tatim mbi të ardhurat. Për këtë arsye, shumica e propozimeve tatimore të tanishme në të vërtetë duhen modifikuar për të bërë të realizueshme propozimet e taksës së sheshtë.

Këto plane të modifikuara zakonisht përfshijnë një ndryshim të këtyre elementeve

  • Një nivel të ardhurash nën të cilat nuk paguhet tatim
  • Një numër të vogël të shpenzimeve të lejueshme
  • Rregulla të ndryshme, ose të paktën normë të ndryshme, për të ardhurën e biznesit

Planifikimi i taksës së sheshtë duhet të ketë gjithashtu një numër të vogël të niveleve (shkallëzimeve) të të ardhurave tatimore. Teknikisht, kjo i bën ata pjesë të taksimit progresiv edhe pse ata janë pjesë e taksës së sheshtë ndoshta edhe më shumë se ata që realisht e konsiderojnë të ardhurën e tyre pjesë të taksës së sheshtë.

Pluset dhe minuset e taksës së sheshtë

Pluse Minuse
Lehtë për ta kuptuar dhe të zbatohet, duke zvogëluar gabimet dhe mashtrimet tatimore Mund të zhvendosë barrën tatimore nga të pasurit, te klasa e mesme dhe e varfër
Kosto më e ulët duke shmangur asistencën fiskale dhe plotësuesit e deklarimeve Mosnjohja e disa shpenzimeve të zbritshme mund të ketë ndikim negativ për tatimpaguesit me të ardhura më të ulëta
Ligjvënësit nuk mund të përfitojnë duke ndërhyrë në korigjimin e normës tatimore në kohë fushate elektorale apo të favorizojnë grupe të caktuara Qeveria nuk mund ta përdorë ligjin për të inkurajuar aktivitetet që do ti promovojë
Bizneset mund të marrin vendime të bazuara në një siguri më të madhe për të operuar më mirë në treg dhe ndaj aksionerëve të tyre, në vend që të përpiqen të lobojnë për të ndryshuar normën tatimore Qindra punonjës buxhetorë dhe këshilltarë tatimorë do të humbasin punën e tyre, ose do të kenë një rënie të madhe të punës së tyre
Inkurajimi i investimeve dhe politika e zgjerimit të biznesit është rrjedhojë e faktit që fitimi pas tatimit (dividenti) nuk tatohet në një normë më të lartë Efekti në të ardhurat e qeverisë është i vështirë për t’u parashikuar

Ndërsa një taksë progresive është ajo në të cilën norma e tatimit rritet bashkë me rritjen e të ardhurave. Aktualisht, në Shqipëri, kjo është bërë duke përdorur nivele të të ardhurave tatimore, në të cilën të ardhurat është janë ndarë në shuma, ku çdo shumë tatohet në një normë më të lartë se shuma më poshtë.

TË ardhurat e një tatimpaguesi që hyjnë në një nivel më të lartë të taksës, tatohet  në normë më të lartë vetëm pjesa e të ardhurave që bie në atë nivel, ndërsa shuma që nuk i përket nivelit që tatohet me normën më të lartë tatohet me atë normë që i përket nivelit të asaj shume. Përndryshe, taksimi progresiv nuk do të quhej i tillë nëse një person që fiton shumë të ardhura, në fakt do ti mbeteshin fare më pak, për shkak se e gjithë shuma do të tatohej me normën tatimore më të lartë.

Sistemet progresive tatimore shpesh lejojnë modifikime të bazës së të ardhurave të tatueshme, të tilla si: përjashtime nga tatimi, shpenzime të njohura. Këto mund të përdoren për të siguruar ndihmë  për taksimin e qytetarëve me të ardhura të ulëta, ose për të inkurajuar lloje të caktuara të sjelljes ndaj tatimpaguesve, të tilla si politikat ndaj investimeve të biznesit apo ndaj arsimit, shëndetësisë etj.

Pluset dhe minuset e tatimit progresiv

Pluse Minuse
E zhvendos barrën tatimore te ata që kanë aftësi më të madhe për ta paguar Taksa e fshehtë (inflacioni) mund ti zhvendosë tatimpaguesit në një nivel më të lartë të normës tatimore, kur në fakt të ardhurat kanë pasur rritje artificiale prej efektit inflacionist
Ata që kanë më shumë ndikim në shoqëri paguajnë më shumë Mund të përdoret në mënyrë abuzive nga politikanët
Parandalon mungesën e stabilitetit politik dhe social duke kufizuar hendekun midis grupeve shoqërore Godet të ardhurat e krijuara nga talentet dhe personat që kanë dhunti dhe që kanë aftësi të fitojnë shuma të mëdha parash duke i detyruar tu shmangen normave të nivele të larta tatimore (zgjedhin shtete me norma të ulta tatimi)
Mbron tatimpaguesit në kohë të vështira ekonomike, si kur të ardhurat bien. NË këtë rast edhe tatimi ulet sipas tendencës së tyre Mund të dekurajojë investimet dhe zgjerimin, duke qenë se dividentët taksohen në norma të larta taksimi
Shumë studime kanë provuar se qeveria mund të marrë më shumë të ardhura nga tatimi progresiv, pasi rritet baza e tatueshme Tatimi progresiv mund të konsiderohet si konfliktual me kushtetutën e vendit, pasi perceptohet se nuk i trajton në mënyrë të barabartë të ardhurat e qytetarëve

A do të mund të funksiononte taksa e sheshtë në një tjetër kohë për Shqipërinë?

NË gjithë sa është parashtruar deri më tani tentohet të paraqiten në mënyrë objektive pluset dhe minuset e taksimit të sheshtë dhe progresiv. Nga ajo që vërehet, për të dy filozofitë e taksimit ka përparësi dhe as nuk duhet të përpiqemi që të vendosim njërën politikë përpara tjetrës duke e konsideruar faktin se asnjëra nuk arrin një model optimal taksimi. Sipas mendimit tim, megjithatë, taksa e sheshtë nuk është përgjigja për Shqipërinë, qoftë kjo edhe për një kohë të ardhme.

SË pari, nuk ka asnjë mënyrë për ta ditur se sa % e rritjes ekonomike që tregohet në historitë e suksesit të taksës së sheshtë është në të vërtetë për shkak të taksës së sheshtë. Për shkak të ndryshimeve politike, historike dhe reformave të tjera ekonomike, rritjen ekonomike do ta kishim parë pothuajse me çdo model apo plan të taksimit.

Përveç kësaj, unë nuk jam i sigurt nëse një taksë e sheshtë në Shqipëri mund të ofrojë të njëjtën sasi të të ardhurave, njësoj si sistemi progresiv tatimor aktual, pa rritjen e barrës tatimore për klasën e mesme. As nuk besoj se dikush mund të parashikojnë efektet mbi ekonominë shqiptare nëse do të kalohej në një sistem të taksës së sheshtë.

SË dyti, janë mjaft të komplikuara edhe konkluzionet që mund të nxirren për reagimin e ekonomisë shqiptare ndaj politikës aktuale tatimore e jo më në rastin e një zhvendosje drejt taksës së sheshtë. Kushdo që thotë se e kupton mjaft mirë për të bërë parashikime të sakta në lidhje efektin që mundet të bjerë taksa e sheshtë është thjesht i gabuar.

Politika tatimore më të thjeshta do të ishte parashikimi më afër të saktës.

Vetëm pasiguria është arsye mëse e mjaftueshme për të mos kaluar në një sistem të taksës së sheshtë. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ketë ndryshime në sistemin aktual tatimor. Pajtueshmëria është e vështirë edhe për ata që duan të kenë një paraqitje të saktë ndaj tatimeve. Telefonuesit që bëjnë pyetje ndaj veprimeve të administratës tatimore marrin përgjigje të gabuara në më shumë se 30% të kohës, sipas sondazheve të bëra me organizatat e biznesit.

NË këtë situatë shumë qartë është e dukshme nevoja për thjeshtime dhe lehtësime procedurash. Tatimi progresiv është mirë, por ai gjithseis duhet të matet me disa kritere që të tregojë se ja vlen të jetë pozitiv për tatimpaguesit dhe ekonominë.

Kështu:

  • Të gjithë duhet vërtetë të paguajnë normën e tatimit sipas nivelit real të të ardhurave, pa shmangie dhe pa gjetur mundësi nga politika për tu përjashtuar nga tatimi progresiv
  • Duhet të jetë i thjeshtë. Një qytetar mesatar nuk duhet të duhet të paguajë një këshilltar fiskal apo të blejë një program informatik për të kuptuar se sa taksa i detyrohet ai qeverisë.
  • Normat më të larta te tatimit mbi të ardhurat  duhet të jenë të mjaftueshme në ngarkesën e tyre, në mënyrë që ato të mos nxisin “rrjedhjen e trurit”, por as të ndrydhin iniciativat për investime të biznesit.
  • Nuk duhet të jetë një mundësi e hapur për të lejuar ngatërrimin e politikanëve me normat tatimore për ti përdorur për qëllimet e tyre.

Është gjithashtu e rëndësishme të kuptohet se taksat janë vetëm një pjesë e ekuacionit.

NË këndvështrimin afatgjatë nuk ka politikë të taksave, e sheshtë apo progresive qofte, që mund të ndihmojë Shqipërinë derisa qeveria të mësojë nga historia e saj dështake, që të mos shpenzojë më shumë se sa ajo fiton (mbledh të ardhura). Por, nga ana tjetër pa kaluar në situatë anemike, duke mos shpenzuar as ato që planifikon për shpenzime kapitale.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: