A duhet të paguajë TVSH eksportuesi sherbimeve në SHBA?
Bazuar në Udhëzimin nr. 6, datë 24.02.2025 (botuar në Fletoren Zyrtare nr. 42, datë 03.03.2025) dhe në dispozitat e nenit 24 të ligjit nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pretendimi se duhet të paguhet TVSH shqiptare për shërbimet e IT (ose shërbime të ngjashme profesionale/konsulence) të ofruara ndaj klientëve të regjistruar në SHBA nuk qëndron, me kusht që të plotësohen kushtet e mëposhtme.
Rregulli ligjor për vendin e furnizimit
Sipas nenit 24 të ligjit nr. 92/2014, si rregull i përgjithshëm, vendi i furnizimit të shërbimeve ndaj një personi të tatueshëm që vepron si i tillë është vendi ku marrësi i shërbimit ka selinë e veprimtarisë ekonomike ose vendndodhjen e qëndrueshme për të cilën janë kryer shërbimet.
Kur marrësi është person i tatueshëm i vendosur jashtë Shqipërisë dhe shërbimi nuk bie në kategoritë e rregullave të veçanta (nenet 25–30 të ligjit), furnizimi konsiderohet i kryer jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Prandaj ai nuk i nënshtrohet TVSH-së shqiptare.
Ky trajtim nuk është “përjashtim nga TVSH-ja” dhe as “normë zero”. Është furnizim jashtë fushës territoriale të zbatimit të TVSH-së shqiptare.
Çfarë ndryshoi Udhëzimi nr. 6, datë 24.02.2025?
Neni 2 i këtij udhëzimi ndryshon dhe plotëson nenin 24 të Udhëzimit bazë nr. 6, datë 30.01.2015, si më poshtë:
- Përkufizimi i marrësit të shërbimit që vepron si person i tatueshëm jashtë Shqipërisë u saktësua:
“… pra marrësi i shërbimit është një person i tatueshëm që vepron si i tillë jashtë Shqipërisë, referuar kuptimit të nocionit të personit të tatueshëm, sipas dispozitave të ligjit për TVSH-në.” - Në listën e dokumenteve që vërtetojnë statusin e marrësit u ndryshua shkronja “ii”:
“Vërtetim nga autoritetet tatimore të vendit të marrësit të shërbimit ku të shprehet qartë që marrësi është person i tatueshëm i angazhuar në veprimtari ekonomike dhe numri i identifikimit të tij për qëllime fiskale, si numri i identifikimit të TVSH-së ose një numër i ngjashëm, është aktiv.” - U shtua mundësia e pranimit të “një numri të ngjashëm” (jo vetëm numri i TVSH-së), gjë që është e rëndësishme për vende si SHBA ku nuk ekziston sistemi i TVSH-së sipas modelit evropian.
Pra, udhëzimi i vitit 2025 forcon dhe qartëson mundësinë e trajtimit të këtyre furnizimeve si jashtë fushës territoriale, me kusht që të dokumentohet statusi i marrësit si person i tatueshëm.
Çfarë duhet të bëjë subjekti (në praktikë)?
Për të mbrojtur trajtimin pa TVSH shqiptare ndaj klientëve në SHBA (ose vende të tjera jorezidente) tatimpaguesi shqiptar duhet të:
- Dokumentojë statusin e marrësit sa më të plotë, që të jetë e mundur dhe këtu përfshihet:
- Kontrata/shërbimi, që tregon se klienti vepron si person i tatueshëm (business-to-business).
- Numër identifikimi fiskal amerikan (EIN – Employer Identification Number) ose numër tjetër të ngjashëm.
- Vërtetim ose dokument zyrtar nga autoritetet tatimore amerikane (IRS) që konfirmon se klienti është person i tatueshëm i angazhuar në veprimtari ekonomike dhe se numri i identifikimit është aktiv (sipas shkronjës “ii” të ndryshuar).
- Në mungesë të vërtetimit të drejtpërdrejtë nga IRS, përdoret dokumentacion alternativ që provon statusin ekonomik dhe fiskal (regjistrim kompani, faturë me EIN, deklarata, etj.), duke u mbështetur në kuptimin e gjerë të “personit të tatueshëm” sipas ligjit shqiptar.
- Lëshojë faturat pa TVSH shqiptare, me arsyetimin e qartë “Furnizim shërbimi jashtë fushës territoriale të TVSH-së shqiptare sipas nenit 24 të ligjit nr. 92/2014 dhe Udhëzimit nr. 6, datë 24.02.2025.”
- Ruajë dosjen e plotë për çdo klient (fatura, kontrata, dokumente identifikimi fiskal, prova të realizimit të shërbimit, pagesa bankare).
- Në deklaratat e TVSH-së të deklarojë këto shitje në rubrikën “Shitje pa TVSH” (jo si “të përjashtuara” dhe jo si “normë zero”).
Pretendimi se “duhet të paguhet TVSH sepse nuk njihet për SHBA” nuk gjen mbështetje ligjore. Përkundrazi, Udhëzimi nr. 6, datë 24.02.2025, i jep formalisht mundësinë e pranimit të “numrit të ngjashëm” dhe të vërtetimeve nga autoritetet e vendit të marrësit, duke e bërë më të qartë trajtimin e shërbimeve B2B ndaj klientëve amerikanë si furnizime jashtë fushës territoriale të TVSH-së shqiptare.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.