Publikohet analiza e re e ALTAX “Nga Rilindja Urbane 1.0 te Rilindja Urbane 2.0”
ALTAX Observatory ka publikuar raportin më të ri analitik me titull “Nga Rilindja Urbane 1.0 te Rilindja Urbane 2.0 – Investime pa reformë, apo kalim drejt qeverisjes vendore të bazuar në rezultate?”, një studim mbi evolucionin e modelit të zhvillimit vendor në Shqipëri gjatë periudhës 2015–2026 dhe sfidat e fazës së re të investimeve publike vendore deri në vitin 2030.
Raporti analizon nëse programi i ri “Rilindja Urbane 2.0” përfaqëson një vazhdimësi të modelit të investimeve të centralizuara publike apo një mundësi reale për kalimin drejt një qeverisjeje vendore të bazuar në rezultate, autonomi fiskale, llogaridhënie dhe krijim vlere publike.
Studimi mbështetet në evidenca nga raportet institucionale shqiptare, vlerësimet e Bashkimit Evropian, të dhënat e NALAS, auditimet sociale të ALTAX, si dhe burime të tjera të pavarura kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndër gjetjet kryesore të analizës evidentohet, se megjithëse Rilindja Urbane 1.0 prodhoi transformime të dukshme fizike dhe estetike në shumë qytete të vendit, ndikimi ekonomik, social dhe territorial i investimeve mbetet ende i pamatur në mënyrë sistematike për shkak të mungesës së mekanizmave të monitorimit të rezultateve dhe analizave të plota kosto–përfitim.
Raporti nënvizon se Shqipëria vijon të karakterizohet nga nivele të ulëta të autonomisë fiskale vendore dhe një varësi e konsiderueshme nga transfertat e qeverisë qendrore, ndërsa tendencat e centralizimit institucional mbeten të pranishme pavarësisht objektivave formale të decentralizimit.
Në këtë kuadër, analiza argumenton se sfida kryesore për zhvillimin vendor nuk lidhet me madhësinë e investimeve publike, por me mënyrën se si konceptohen, menaxhohen dhe maten rezultatet e tyre. Kalimi nga një model i orientuar drejt inputeve dhe produkteve fizike drejt një modeli të bazuar në ndikim, performancë dhe rezultate për qytetarët konsiderohet kusht thelbësor për suksesin e fazës së re të zhvillimit urban dhe territorial në Shqipëri.
Raporti përfundon me një paketë rekomandimesh konkrete të organizuara rreth katër shtyllave kryesore: decentralizimi fiskal, financimi i përzier, matja e rezultateve dhe forcimi i integritetit institucional.
Publikimi synon të kontribuojë në debatin publik dhe profesional mbi të ardhmen e qeverisjes vendore në Shqipëri dhe mbi nevojën për një model zhvillimi që vendos në qendër rezultatet për qytetarët dhe jo vetëm volumin e investimeve.
Raporti i plotë është përgatitur dhe publikuar nga ALTAX Observatory, platforma kërkimore e specializuar e ALTAX për analizën fiskale, ekonomike dhe të politikave publike.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.